BASHKIMI KOMBËTAR: DETYRIM HISTORIK, KUSHTETUES DHE NDËRKOMBËTAR I SHQIPTARËVE

29
Oct
2025
Shkruan: Ahmet Osmani


Ka nga ata që sot, në vend që të nderojnë gjakun dhe sakrificën e brezave që luftuan për liri dhe bashkim, jargaviten nëpër debate të qëllimshme e çorientuese, tallen me idealin e të përvuajturve politikë shqiptarë, të heronjve dhe të gjakut të derdhur për Bashkim Kombëtar. Madje disa shkojnë aq larg sa të prognozojnë se një ditë duhet ndaluar edhe Flamuri Kuq e Zi me Kushtetutë në stadiume futbollistike, sikur flamuri i një kombi të lashtë të ishte ndonjë shenjë armiqësie dhe jo simbol i lirisë dhe i identitetit.
Kujt i pengon Flamuri dhe Bashkimi Kombëtar? Kjo pyetje është thelbësore, sepse përmes saj shihet qartë se kush e do dhe kush frikësohet nga një komb i bashkuar. Të sulmosh simbolin kombëtar dhe amanetin e të rënëve, do të thotë të sulmosh vetë qenien shqiptare.
Bashkimi i Kosovës me Shqipërinë nuk është dëshirë — nuk është “ëndërr romantike” — dhe as çështje humori politik, është një detyrim historik, kushtetues dhe kombëtar. Kosova iu nda Shqipërisë padrejtësisht më 1913 nga Konferenca e Londrës dhe iu dha Serbisë, duke e lënë një plagë të hapur për kombin shqiptar. Shpallja e pavarësisë së Kosovës më 2008 ishte një hap i madh drejt lirisë, por jo përmbushja e amanetit kombëtar.
Ky bashkim duhet të ndodhë — sepse është amaneti i heronjve dhe i gjakut të derdhur ndër shekuj. Ai është pjesë e pandashme e identitetit kombëtar dhe politik të shqiptarëve. Brezat e shkuar luftuan që një ditë kombi të jetë i bashkuar, dhe brezi i sotëm ka detyrimin ta përmbushë këtë mision.
Kushtetuta e Kosovës, e hartuar nën diktatin e faktorit ndërkombëtar, e ndalon bashkimin me ndonjë shtet tjetër. Ky nen nuk është shprehje e vullnetit të shqiptarëve, por rezultat i presioneve të jashtme. Kushtetutat nuk janë të përjetshme — ato duhet të ndryshohen kur populli e kërkon. Sovraniteti buron nga populli, jo nga letra. Nga ana tjetër, Kushtetuta e Shqipërisë nuk e ndalon bashkimin dhe as kërkesën për ribashkimin e trojeve të saj të ndara dhunshëm nga trungu historik kombëtar. Kjo është një e drejtë legjitime — që Shqipëria duhet ta ushtrojë si komb sovran.
Pengesa artificiale mbetet vetoja e minoritetit serb në Kuvendin e Kosovës, e cila u imponua për të frenuar shumicën shqiptare. Por demokracia nuk mund të shndërrohet në diktaturë të pakicës. Kur shumica absolute e një populli shpreh vullnetin e saj, kjo ka përparësi mbi çdo mekanizëm të imponuar.
Në të drejtën ndërkombëtare, Karta e Kombeve të Bashkuara (neni 1(2)) e njeh të drejtën e popujve për vetëvendosje. Vetëvendosja nuk kufizohet vetëm në shpalljen e pavarësisë — por përfshin edhe bashkimin me një shtet tjetër, nëse populli e zgjedh këtë rrugë. Ky parim është forcuar nga Deklarata mbi Marrëdhëniet Miqësore (1970) dhe Akti Final i Helsinkit (1975). Shembulli i ribashkimit të dy Gjermanive është dëshmi e qartë: kur ekziston vullneti popullor, asnjë kufi politik i imponuar nuk mbijeton.
Procedura për bashkim është e qartë dhe realizueshme: referendum në Kosovë dhe në Shqipëri; ndryshime kushtetuese; nënshkrim i një marrëveshjeje bashkimi ndërmjet dy shteteve; dhe më pas regjistrimi e njohja në organizatat ndërkombëtare. Kjo nuk është çështje nëse — por kur. Argumenti kyç nuk është agresioni territorial, por respektimi i një parimi universal të të drejtës dhe detyrimit të shqiptarëve për vetëvendosje dhe bashkim.
Në përfundim, bashkimi kombëtar duhet të ndodhë — sepse është një detyrim historik, kombëtar dhe moral. Ai nuk mund të ndalet nga nene të përkohshme kushtetuese, nga veto artificiale apo nga frika e ndërkombëtarëve. Ky është amaneti i atyre që ranë për liri dhe bashkim — dhe ky amanet nuk negociohet. Kur shqiptarët e Kosovës dhe të Shqipërisë të shprehin qartë dhe lirshëm vullnetin e tyre, bashkimi do të jetë jo vetëm i ligjshëm, por edhe i pashmangshëm.

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

16 tetor 2025

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 29/10/2025

© 2016 - 2026 | DIPLOMACIA.dk