Kur Bedri Hamza e bartte me krenari të pafundme stafetën e shokut Tito, pampersat për mbulimin e bythës ende nuk ekzistonin, por vetëm pelenat e zakonshme prej najloni, të cilat shkaktonin plagë të tmerrshme nga depërtimi i baktereve të mutit.
Prandaj Bedri Hamzës asgjë nuk mund t’ia zvogëlojë xhelozinë ndaj Sanije Hysenit, e cila nuk ishte vagon, por lokomotivë e trenit.
Sepse ajo u takua ballë për ballë me shokun Tito dhe ia shprehu dashurinë e Bedri Hamzës pa pasur nevojë t’ia lexonte biografinë e tij, nga libri i amzës.
Kur Bedri Hamza e bartte me krenari stafetën e shokut Tito, njerëzit ende besonin se frigoriferi ishte kulmi i teknologjisë moderne, ndërsa televizioni bardh e zi i markës “Rudi Çajavec” konsiderohej luks më i madh se mendja.
Në atë kohë, pionierët marshonin me aq seriozitet, sa dukej sikur po shkonin ta çlironin Marsin nga imperializmi amerikan, ndërsa në realitet mezi e çlironin oborrin e shkollës nga lopët e lagjes.
Bedriu, i vogël si një pullë postare ideologjike, e mbante stafetën me fytyrën e një vogëlushi që besonte se historia e njerëzimit fillonte me Titon dhe përfundonte me Sekretarin e Komitetit Komunal.
Por ja ku doli Sanije Hyseni — jo si vagon, por si lokomotivë me avull revolucionar, që hynte në sallë me aq shumë vetëbesim, saqë edhe fotografia e Titos në mur dukej sikur çohej në këmbë për ta përshëndetur.
Thuhet se kur Sanija iu afrua Titos, ai nuk e pyeti: “Si quhesh, bijë?”
Veç: “A je ti ajo për shkak të së cilës pionieri Bedri Hamza po vdes nga xhelozia?”
Ndërsa Bedriu, i mbetur disa metra larg, e shikonte Sanijen me atë dhimbjen historike të një vogëlushi që sapo e kuptoi se dikush tjetër ia zuri vendin në albumin e lavdisë socialiste.
Dhe prej asaj dite, xhelozia e tij mbeti aq e madhe, sa edhe sot, sa herë e dëgjon fishkëllimën e ndonjë treni, i duket sikur historia po i kalon përsëri para hundës — me Sanijen në lokomotivë dhe me vetveten në vagonin e fundit të trenit, pranë thesit me qymyr.
Madje pleqtë tregojnë se Bedriu edhe sot, kur e sheh ndonjë fotografi të shokut Tito, instinktivisht e drejton kurrizin, e fryn gjoksin dhe pret t’ia japin ndonjë stafetë — qoftë edhe përmes postierit që sjell faturën e energjisë elektrike.
Sepse disa njerëz plaken… por pionieri brenda tyre vazhdon të jetojë dhe të marshojë.
Por tragjedia më e madhe e Bedriut nuk ishte shoku Tito.
Tragjedia e tij ishte se kishte mbetur emocionalisht i ngujuar në vitin 1978, si televizioni “Rudi Çajavec” që ndizet vetëm kur i bie me shuplakë anash.
Një ditë, thonë se Bedriu hyri në një kafene moderne të Mitrovicës, ku kamerieri 19-vjeçar, me flokë si furçë tualeti, e pyeti: “Çfarë dëshironi?”
Bedriu, i hutuar nga mungesa e fotografisë së Titos në mur, tha me seriozitetin e një burrështetasi socialst: “Një bozë të vogël dhe një respekt të madh për revolucionin.”
Kamerieri mendoi se kishte hyrë ndonjë pacient i arratisur nga muzeu etnografik.
Por kulmi ndodhi kur në lokal hyri edhe Sanije Hyseni, me syze të zeza, me krenarinë e lokomotivës dhe me atë vetëbesimin e grave që e kanë parë Titon live, e jo vetëm nga filmat dokumentarë.
Në atë moment Bedriut iu aktivizuan automatikisht reflekset e pionierit.
U ngrit në këmbë aq vrullshëm, sa tavolina u përmbys, boza iu derdh në pantallona dhe një pensionist pranë tij bërtiti: “Mos u frikësoni, nuk është atentat, është vetëm shpërthim i nostalgjisë jugosllave!”
Sanija iu afrua me qetësi dhe e pyeti: “Bedri, a je mirë?”
Ai u dridh si antena e televizionit nga stuhia dhe tha: “ Zonja Sanie, unë falë dashurisë për shokun Tito… ende e ruaj shaminë e pionierit.”
Sanija buzëqeshi me atë buzëqeshjen e njerëzve që e dinë se kanë hyrë në histori, ndërsa ai kishte mbetur te hyrja e stacionit të trenit.
Por katastrofa e vërtetë ndodhi kur Bedriu, për ta impresionuar Sanijen, vendosi t’ia këndonte një këngë revolucionare.
E filloi me zë të lartë: “Druže Tito, mi ti se kunemo…”
Por nga emocionet iu zu fryma, proteza iu shkëput nga goja dhe fluturoi drejt në filxhanin e një studenti që po pinte makiato.
Studenti e pa protezën brenda filxhanit dhe bërtiti: “Kjo qenka kafe me ekstra kalcium!”
Lokali shpërtheu në të qeshura.
Një grua pranë derës u ul në tokë duke qarë nga gazi, ndërsa një tjetër kërkonte ujë sepse po i merrej fryma nga të qeshurat.
Ndërkohë Bedriu, duke u përpjekur ta ruante dinjitetin revolucionar, u përkul ta merrte protezën, por pantallonat iu kapën për karrige dhe iu grisën prapa me një zhurmë aq të fortë, sa dy kalimtarë jashtë menduan se kishte plasur goma e autobusit.
Dhe aty u pa qartë dallimi historik mes Sanije Hysenit dhe Bedri Hamzës:
Sanija kishte hyrë në histori si lokomotivë.
Ndërsa Bedriu po dilte nga kafeneja duke e mbajtur prapanicën me dorë dhe protezën në xhep, si një vagon i amortizuar që mezi e arrin stacionin e fundit.
Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!