/Huazuar nga-Gazeta SOT, 20 Shkurt 2025-/
Më 7 mars të vitit 1998 në Prekaz të Poshtëm të Drenicës, ra duke luftuar për lirinë e Kosovës kundër forcave të shumta serbo-sllave, Heroi Adem Jashari, së bashku me 56 pjesëtarë të familjes së tij. Sakrifica e tij heroike u bë simbol i lirisë dhe pavarëisë për shqiptarët e Kosovës dhe për gjithë shqiptarët kudo që janë. Që nga ky moment, qindra e mijëra shqiptarë, brenda e jashtë trojeve të tyra etnike, veshën bluza me fotografinë e Komandant Adem Jasharit dhe vrapuan të rreshtoheshin në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Kjo datë, simbolikisht, por edhe realisht, shënon ditën e formimit të UÇK, dhe Adem Jashari u quajt Komandanti i kësaj ushtrie çlirimtare.
Në verën e po këtij viti, në Radio Kukësi dhe Radio Tirana, gazetari dhe publiçisti i njohur, Rexhep Shahu, lexoi për herë të parë “Formulën e Betimit” të Luftëtarëve të UÇK. Po atë ditë, teksti i këtij betimi, u lexua në mitingun e organizuar në Kukës, nga gjimnazisti Feti Fana, i veshur me uniformën e UÇK-së. Teksti i këtij BETIMI ishte:
“Unë, ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Betohem se do të luftoj për çlirimin e tokave shqiptare dhe bashkimin e tyre. Do të jem përherë ushtar besnik, luftëtar i denjë i lirisë, vigjilent, guximtar dhe i disiplinuar, i gatshëm që në çdo kohë pa kursyer as jetën time, të luftoj për t’i mbrojtur interesat e shenjta të Atdheut. Nëse shkel këtë Betim, le të ndëshkohem me ligjet më të ashpra të luftës dhe nëse tradhëtoi, qoftë i humbur gjaku im. BETOHEM!”
Me 17 Shkurt të vitit 2008, ditën kur u shpall Pavarësia e Republikës së Kosovës, duke iu referuar qëllimit sublim dhe amanetit të Komandant Adem Jasharit, për “Bashkimin Kombëtar”, në qendër të Prishtinës u afishuan dy fjalë lapidare: “BACË U KRY!” Po vallë, a u realizua ky qëllim dhe ky amanet?! Fatkeqssht jo plotësisht. Vërtet u arrit Liria dhe Pavarësia e Republikës së Kosovës, por jo “Bashkimi Kombëtar”, i cili do të forconte e konsolidonte dy të parat.
Me çlirimin e Kosovës, dhe sidomos mbas shpalljes së pavarësisë së saj, u krijua mundësia e bashkimit me Shqipërinë mëmë, me perspektivë që këtij bashkimi t’i bashkëngjiteshin edhe krahinat shqiptare në rajonin e Ballkanit. Kjo mundësi u artikulua nëpërmjet dy rrugëve: Bashkimi para hyrjes në BE (së paku Kosova me Shqipërinë), dhe rruga e dytë, pas hyrjes në këtë institucion të Kontinentit të të gjithë shqiptarëve të rajonit. Rruga e parë kishte pak idhtarë, si Gafurr Adili, Xhemil Zeqiri, Ahmet Osmani, Albin Kurti, Hysni Milloshi, Koço Danaj, Idajet Beqiri, etj. Këtë rrugë e mbështesnin dy subjekte politike, Lëvizja Vetvendosja në Kosovë dhe Partia Komuniste e Shqipërisë, e cila, në vitin 2004 zhvilloi në Vlorë një Kongres të jashtëzakonshëm për çështjen Kombëtare, me okelion: “NJË KOMB, NJË SHTET!”. Ndërsa rruga e dytë kishte një numër më të madh idhtarësh, si politikano-pushtetarë, intelektualë, madje edhe qytetarë të painformuar si duhet, etj.
Por zëri i idhtarëve të rrugës së parë nuk u dëgjua nga shumica e politikano-pushtetarëve të të dy anëve, këtej e matanë Drinit, ndaj u zgjodh rruga e Bashkimit, mbas hyrjes në BE. Por këta politikanë, pushtetarë dhe intelektualë të kësaj “rruge”, asnjëherë nuk shpjeguan se, kur shqiptarët do të hynin në BE? Dhe ajo që është më kryesorja, çfarë mund të ndodhte me shqiptarët e futur në BE sejcili me “kerrin e vet”, nëse një ditë, vetë Institucioni i BE do të ndryshonte mënyrën e organizimit? Se historia na ka vertetuar, që çdo perandori e ka një fillim, por ka dhe një fund. Dhe fundet në kohërat moderne, vijnë më shpejt se në kohën e romakëve, të serbëve dhe turqve të mesjetës, ku ne e pësuam me shpërbërjen kombëtare.
Idhtarët e rrugës së parë, në pamundësi për të dominuar mbi variantin e politikanëve dhe pushtetarëve, këmbëngulën, që së paku të fillojë integrimi brenda vetes, me qëllim që kur të futemi në BE, të jemi unik në sjellje e në veprime, një mundësi kjo për të përballuar variantet e mundshme të strategjive e taktikave politike të të mëdhenjëve të Unionit.
Por çndodhi?! Për të disatën herë u vertetua aksioma e veprimeve të shoqërisë në kohë lufte dhe në kohë paqe. Në kohë lufte, sidomos kur ajo bëhet për Atdheun, rizgjohen dhe arrijnë kulmin, virtytet më të larta të njeriut. Madje në kohë lufte, pakësohen edhe sëmundjet e lehta e të rënda. Ndërsa në kohë paqeje, lindin e zhvillohen të gjitha llojet e sëmundjeve fizike, e sidomos ato të sëmundjeve morale.
Politikano – pushtetarët shqiptarë, të këtej e matanë Drinit, përfshi dhe udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare, pas fitores së Luftës, preferuan të shijonin në maksimum paqen dhe miradinat që sjell ajo. Për këtë arsye ata çështjen e “Bashkimit Kombëtar” e spostuan për më vonë, në pritje se “çdo na sjellë moti” dhe ndërkombëtarët. Kjo filozofi e “pritjes së Godosë, vijoi e po vijon prej 26 vitesh, dhe shqiptarët ende ndodhen në pesë shtete, me kufij të brendshëm të përbashkët, por me trarë postablloku midis tyre. Koha prej një çerek shekulli (1999 – 2025) punoi për shqiptarët, por realisht vetë ne shqiptarët, falë politikanëve dhe pushtetarëve tanë, e shpërdoruam këtë kohë. Në këta 26 vite, ne patëm mundësi të plotë të integrohemi me njëri-tjetrin, duke unifikuar traditat, dialektet e gjuhës shqipe, kulturën popullore, socializimin e jetës urbane e rurale, unifikimin e prodhimit dhe të marrëdhënieve tregtare, unifikimin e librave dhe teksteve shkollore, etj., e gjer tek unifikimi i lekut shqiptar. A nuk është për të qeshur e për të vajtuar, që unë qytetari nga Shkodra, të shkoj në Prishtinë, dhe nëse nuk kam euro, nuk mund të futem në lokale të ha drekën, sepse leku shqiptar nuk njihet nga vëllezërit tanë të Kosovës?! A nuk është fatkeqësi që Republika e Kosovës, pjesën më të madhe të tregëtisë e ka me Serbinë, dhe jo me Shqipërinë? Politikano-pushtetarët e Shqipërisë, ndonëse mendojnë dhe propozojnë “Ballkane të hapura” me sërbo-sllavët e Serbisë, Malit të Zi dhe MV, vendosin traun në doganën e Morinit, thjeshtë për të vjelur një pesëqind lekësh tek vëllezërit tanë, të cilët vijnë për plazh në bregun e detit të të gjithë shqiptarëve. Kjo e keqe ndodh edhe tek politikano-pushtetarët e Republikës së Kosovës, të cilët, në vend që të krijojnë me konsensus një Qeveri të Unitetit Kombëtar, ndezin një luftë të brendshme për jetë a vdekje për të marrë pushtetin e radhës. Për fat të keq, lufta për pushtet, edhe në “Shqipërinë mëmë”, është veprimtaria kryesore e politikanëve dhe pushtetarëve aktualë. Prej 34 vitesh klasa politike në Shqipëri, propagandon se po shkojmë drejt Europës, dhe bën sikur shkrihet në punë për këtë mision, por realisht vepron të kundërtën. KM Edi Rama pretendon se brënda vitit 2030 Shqipëria do të jetë në BE, sepse i paska plotësuar kushtet e këtij pranimi. Realisht është krejt e kundërta. I vetmi kusht që kemi plotësuar, është fakti që më tepër se gjysma e popullsisë aktive, tashmë e ka kapërcyer detin Adriatik si refugjat, dhe këtu në Shqipëri kanë mbetur vetëm pleqtë, si dhe pak të rinj, në “fluturim” e sipër për matanë. Në këto kushte, ne realisht, do të futim në BE, tokën që trashëgojmë, sepse banorët e saj vitalë në moshë e në dije, kaherë se i kemi përcjellë tek Krushkamadhja Europë. Dashuria e Europës për ne i ngjan thënies së Musolinit, kur në vitin 1939 pati perifrazuar: “Unë e kam në zemër Shqipërinë”. Kjo mund të ishte e vërtetë, por shqiptarët ku i kishte?!
Kjo është situata e objektivit për Bashkimin Kombëtar, të cilën patriotët e thjeshtë e formuluan edhe në Betimin e Luftëtarëve të UÇK-së, por politikano-pushtetarët e paqes , para se t’i bashkojnë trojet amtare të shqiptarëve, synojnë t’i leqendisin e t’i zhvatin, deri në atë shkallë, sa pa frikë mund të thuhet se tani po shkojmë drejt Europës, “Laskuriq me duar ndër xhepa”! Dhe ai që shkon tek miku, apo dhe shoku, me duar ndër xhepa, po ashtu del edhe prej shtëpise së mikut a shokut.
Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!