BREZNA KATUND I HESHTUR MES KODRINAVE TË SHARRIT

15
Jan
2024
Shkruan: Syrja Etemi


(Meqenëse ky fshat sot, sipas regjistrimit të vitit 2021 ka vetëm katër banorë të përkatësisë etnike maqedonase, shënime për për të njëjtin do t’i bazojmë në të dhënat që na i jep autori, Jovan Trifunovski në hulumtimet antropogjeorafike të Pollogut në vitin 1947. Unë e kam vizituar shpesh Breznën, sepse jemi edhe fqinj, Sllatina nga pjesa “mbas shpine” kufizohet me këtë katund që rri i heshtur në dendësinë e pyjeve të Sharrit. Ndodh që ta përshkoj për qejf edhe në këmbë, ecje kjo që zgjat 2 orë: Sllatinë – Breznë).
T’u referohemi shënimeve që përmendëm:
“Fshati shtrihet në pllajat e Malit Sharr ( në lartësi absolute prej 900 – 1000 m. l.m.d.), drejtpërdrejtë mbi Tearcë. Është i pasur me burime të shumta. Në Breznë ekzistojnë edhe dy çesme me ujë që burojnë nga vendi i quajtur Tupanë. Atraksion më tërheqës paraqet xholi mbi fshat, i cili ka formën ovale me perimetër prej rreth 60 m.
Përreth Breznës shtrihet atari tokësor ku, sipërfaqet apo tokat punuese janë të radhitura në formën brezare: ndër fshat është rrypi i vëreshtave, përreth fshatit lëshojnë shtat drunjtë e gështenjave, mbi to janë tokat me pyje me kullota të bollshme për bagëtinë e fshatit. Emërtimet topografike të anëve të atarit mund t’i cekim: Cërvenika, Pioj, Tërll’e Çamoshkit, Piskopejca, Bila, Kletishta, Pojatishta, Koferi sërbit (origj. Srbina Kovçeg), Strugja, Çashunka, Soshje, Smik, Kodr’e jaorit, Garina, Tre ujnët, Baçill’e Muaçme, Çamçe, Varnica, Svetnik, Papradnik, Vukoa, Grajshte, Janiçari, Konjushnica, Kërsi, Vejdhi priftit, Sedishte, Plladnishtë, Trepanica, Llanishta.
Brezna është fshat i dendur. Shtëpitë janë të radhitura afër njëra-tjetrës që ndahen në mëhallë. Ka dy lagje: e Epëra dhe e Poshtmja. Mëhalla e Epër ndahet në pjesë më të vogla të quajtura Ana e Milevit dhe Ana e Vuksanit. Brezna ka gjithsejt 9 fise me 79 shtëpi (viti 1947).
Jo larg fshatit, në Anën e Epër gjindet vendi i quajtur Selishtë. Sipas gojëdhënave të fshatarëve, këtu dikur ka ekzistuar vendbanimi i moçëm i quajtur Breznë, i cili ka patur edhe kishën Shën Ilia. Nuk dihet se kur është braktisur ky fshat. Këtu gjindet edhe vendi i quajtur: Janiçari dhe Konjushnica. Disa banorë tregojnë se këtu dikur kanë kaluar dhe ndaluar jeniçerët turq, ndërsa kuajt i kanë mbajtur te vendi Konjushnica (Vendi ku qëndrojnë kuajt). Disa mendojnë se këta jeniçerë kanë shkatërruar fshatin e vjetër të Breznës.
Vendi i ashtuquajtur Kallogjeri, shtrihet larg fshatit në Sharr. Nga vendi i quajtur Selishtë disa kallugjerë ikin dhe nguliten në Breznë. Këtë vendbanim e formojnë dy vëllezër, të cilët më parë kanë punuar në Selanik dhe pasi kishin fituar mirë, kthehen në Breznë dhe diku larg Selishtës ndërtojnë shtëpi – në rrypin e Poshtëm të Breznës së sotme. Nga vëllezërit e përmendur, rrjedh fisi i quajtur: Çuturë. Vendi ku sot shtrihet Brezna, më herët ka qenë i pyllzuar, kurse në pyll ka qenë kisha Shën Hyjlindësja (Sveta Bogorodica).
Ekziston legjenda që thotë se Brezna dikur, për shkak të linxhirës (kur ka “mbytë tifoja”), banorët ikin nga fshati në vendin e quajtur Bezhanoçej (Shqip: Ikësit e natës, S.E.). Këtu ata jetojnë në kolibe e, më vonë kthehen sërish. – Mbas fshatit ekziston vendi i quajtur Kërsi ku, buron përrocka me ujë që quhet Vodiçe (shqip: Ujishta). Me këtë ujë, për Shën Gjergj, lahen banorët e fshatit.
Më 1903 Brezna ka numëruar 100 shtëpi, por nga viti në vit, qoftë për shkak të kurbetit, qoftë për shkaqe tjera natyrore, numri i banorëve gjithnjë e më tepër po zvogëlohet. Disa familje nga Brezna shpërngulen në vitin 1942, për shkak të zjarrit që kaplon një pjesë të këtij fshati.
Dikur, mbas Breznës, në vendin e quajtur Vërtishtë (Vërtejshta, S.E.), ka ekzistuar një fshat i vogël. Banorët e këtij katundthi kanë qenë “latinë – katolikë”. Këta banorë i kanë vrarë Turqit, përveç një banori, i cili arrin të shpëtojë dhe të ikë në viset e Mavrovës, përkatësisht në Leunovë. Në Vërtishtë akoma gjenden themelet e një kishe dhe pllaka varri. Tani këtu, në këto terrene të konsiderueshme ka kullota”.
Banorët e Breznës ndahen në këto fise: – Çuture (Çuturovci, 3 shtëpi) – të parët e të cilëve kanë jetuar në Breznën e Vjetër. Pas shkatërrimit të këtij vandbanimi, ngulmohen në Breznën e sotme. Nga fisi Çuture, ka familje të shuara. – Jorgët (Jorgovci, 14 shtëpi), të cilët ndahen në Smilkovci (Smilkët) dhe Siljanovci (Siljanët), me prejardhje nga Llazaropolja e Galiçnikut. Atje, i pari i tyre, Jorgo ka patur shumë bagëti dhe ka qenë familje 70 anëtarëshe dhe familje shumë e pasur. Për këtë arsye në këtë shtëpi janë ndaluar shpesh “Turqit” dhe, njëherë kanë kërkuar që t’u shërbejnë gratë e shtëpisë. Jorgo largon bagëtinë dhe plaçkat e shtëpisë, dhe vet atë mbrëmje qëndron me gruan e tij në atë natë bashkë me turqit, të cilët u dehën tërë natën, kurse, para se me zbardhë drita, i vë flakën shtëpisë dhe ikë bashkë me të shoqen në Otushishtë. (Mendohet se dhentë i ka strehuar te vendi i quajtur Pështerë – Otushishtë, S.E.). Më vonë turqit e hetojnë dhe, ky detyrohet që, përsëri të ndërrojë vendin e, në këtë rast në do shkurrnajë të Sharrit- në vendin që quhet Kallugjeri (Kallugjeroo) ose Te Krefin Ahët (Vleçi Buka) në atarin e Otushishtës, përkatësisht Tearcës. Ky vend ka qenë tejet i pyllëzuar dhe shumë i fshehtë. Këtu, Jorgët kanë jetuar 18 vjet, ku kanë lindur shumë fëmijë, sidomos djemë, të cilët nuk i kanë pagëzuar. Dikur, një banor i Breznës (nga fisi, Çuturë) duke u future thellë në pyllin e dendur dhe të paqasshëm, në kërkim të lopës së humbur, gjen banorët e “panjohur”, me të cilët lidh kumbari apo “vëllazërohet”, dhe – i merr për të banuar në Breznë. Jorgët në Breznë kanë patur një stërgjysh shumë të pasur që, e kanë thirrë me llagapin: “Qeha”. Ai ka ruajtur 400 dele, 100 krerë dhi dhe kafshë tjera (Gi(e)ga , gjallë, 64 vjet —-T(h)oma —-Çetan —- Qahaja. Nga ky fis, ka të shpërngulur familje në Tetovë (7 ), Shkup (3), Sofi (6) , Rumuni (4). – Milevci (15 shtëpi – nga Miletina), – Matovci (Mati – nga Mati i Shqipërisë, 11 shtëpi). Festë familjare: Mitrovdan (Ditën e Dhimitrit). I pari i këtij fisi që ka ardhur në Breznë, ka qenë Mitrashku (Mani, gjallë, 60 vjeç (v. 1947), —- Vasili —-Tofili —-Mitrashku). Nga ky fis, ka patur një stërgjysh që ka qenë shumë i pasur, dhe ka poseduar 300 dele, 100 krerë dhi dhe kafshë tjera, që, verës ka ngritur stan (baçillë) në një osoj të Sharrit.
Nga ky fis ka të shpërngulur familje në Tetovë (6), Leshkë (1), Shkup (2), Beograd (2) , Rumuni (3).
Në Breznë ka edhe një fis me emrin Bi’ollovci (7 shtëpi). Gjuro (5o vj.—Krsto —Mlladen —Millosh
Llagapin Bi’olloi (Bulli), fisi e merr nga i par i fisit, me ç’ra,st kur është ndërtuar Kalaja e Abdyrrahman Pashës, fshatarët e Breznës kanë prerë dru gështenje dhe këto trupa të përgatitur për “deme”, i tërheqnin me buaj e bollica dhe i çonin deri në Balltepe. Breznaliut , i cili tani mban llagapin “Bualli”, gjatë rrugës, i ngordhë njëri buall. Atëherë, ky – si ngarës i buajve (pasi që ishte edhe korpulent dhe shumë i fuqishëm), hy vet në jarem dhe, bashkë me buallin tjetër, tërhjek zhagëz demet e gështenjave – deri te Kalaja e Pashait të Tetovës. Prandaj, që nga kjo vaki, i mbetet edhe nofka : B u ll.

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 15/01/2024

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk