“Analizë strategjike Info: deri 19 gusht 2026”
®Të gjithë të drejtat të rezervuara.Nuk lejohet kopjimi.Mund të shpërndahet me të drejtën e autorit.
Marrëdhëniet midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Federatës Ruse kanë hyrë në një fazë jashtëzakonisht të tensionuar.
Paralajmërimi i Moskës i 18 gushtit 2026, sipas të cilit Londra mund të përballet me “pasoja” për mbështetjen ushtarake që i jep Ukrainës, nuk duhet as nënvlerësuar, por as interpretuar automatikisht si paralajmërim se Rusia ka marrë vendim për të goditur Britaninë.
Dokumentet strategjike, vlerësimet e shërbimeve të inteligjencës dhe analizat e instituteve kryesore perëndimore jpin një tablo më komplekse:
Britania dhe Rusia tashmë ndodhen në një formë konfrontimi nën pragun e luftës së hapur, por ekzistojnë ende barriera shumë të fuqishme politike, ushtarake dhe bërthamore që pengojnë kalimin në një konflikt të drejtpërdrejtë.
1). Çfarë ndodhi më 18 gusht?
Reuters raportoi se Rusia paralajmëroi Londrën për “pasoja” pas një raportimi të The Times se dronë të prodhuar në Britani ishin përdorur për herë të parë nga Ukraina në goditje me rreze të gjatë kundër objektivave brenda Rusisë. Është shumë e rëndësishme të theksohet se Ministria britanike e Mbrojtjes nuk e konfirmoi publikisht përdorimin e këtyre dronëve në sulmet e përmendura.
Pothuajse menjëherë, ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov ngriti nivelin politik të paralajmërimit.
Sipas Reuters, ai deklaroi se Rusia ka të drejtë ta konsiderojë përfshirjen e drejtpërdrejtë britanike në goditje kundër territorit rus si pjesëmarrje në luftë.
Ky formulim ka peshë strategjike.
Ai përpiqet të zhvendosë debatin nga koncepti:
“Britania furnizon Ukrainën”
drejt konceptit:
“Britania po bëhet palë aktive në konflikt”.
Megjithatë, deri tani nuk ekziston informacion publik i verifikuar që Rusia të ketë marrë vendim operacional për një goditje ushtarake kundër territorit britanik.
Kjo është ndarja më e rëndësishme që duhet bërë.
Britania nuk tërhiqet
Përgjigjja politike britanike ishte po aq e qartë.
Kryeministri britanik deklaroi më 18 gusht se Mbretëria e Bashkuar do ta mbështesë Ukrainën “100%” dhe se Londra nuk do të tërhiqet për shkak të paralajmërimeve ruse.
Britania ka deklaruar se synon t’i sigurojë Ukrainës rreth 150,000 dronë deri në fund të vitit 2026, në kuadër të një pakete financimi prej rreth 752 milionë paundësh.
Këtu lind nyja kryesore strategjike:
sa më shumë që armët perëndimore rrisin aftësinë e Ukrainës për të goditur thellë territorin rus, aq më shumë Moska përpiqet të vendosë një vijë politike midis furnizimit me armë dhe pjesëmarrjes në operacione.
Pikërisht kjo vijë është sot një nga zonat më të rrezikshme të përshkallëzimit.
2). Çfarë thotë intelegjenca anglezë MI6?
Vlerësimi publik i drejtueses së MI6, Blaise Metreweli, është veçanërisht i rëndësishëm.
Në fjalimin e saj të 15 dhjetorit 2025 ajo e përshkroi Rusinë si një fuqi agresive dhe revizioniste që jo vetëm vazhdon luftën kundër Ukrainës, por po “teston” Perëndimin në zonën gri, nën pragun formal të luftës.
Sipas saj, instrumentet përfshijnë:
sulme kibernetike kundër infrastrukturës kritike;
dronë pranë aeroporteve dhe bazave;
aktivitete agresive detare dhe nënujore;
zjarrvënie dhe sabotazh të sponsorizuar nga shteti;
propagandë dhe operacione ndikimi.
Kjo është tepër domethënëse.
Nga pikëpamja e inteligjencës britanike, përballja Britani–Rusi nuk është vetëm një mundësi e së ardhmes.
Në disa fusha ajo tashmë ekziston, por zhvillohet poshtë pragut klasik të luftës konvencionale.
3). GCHQ/NCSC: kufiri ndërmjet paqes dhe luftës po turbullohet
Në prill 2026, drejtori i National Cyber Security Centre – pjesë e GCHQ – deklaroi se Britania po operon në një hapësirë që ndodhet “midis paqes dhe luftës”.
NCSC vlerëson se Rusia po transferon jashtë Ukrainës teknikat kibernetike të mësuara në fushën e luftës dhe po i drejton kundër shteteve që Moska i konsideron armiqësore.
Në qershor 2026 NCSC bëri publik edhe një tregues tjetër shqetësues: rreth 75% e incidenteve kibernetike që kishin prekur infrastrukturën kritike britanike gjatë vitit të mëparshëm lidhej me aktorë shtetërorë.
Kjo nuk do të thotë se 75% ishin ruse.
Por tregon shkallën në të cilën konkurrenca ndërmjet shteteve është zhvendosur tashmë në hapësirën kibernetike.
Fronti tjetër: Atlantiku dhe infrastruktura nënujore
Rreziku nuk kufizohet te Ukraina.
Në prill 2026 Britania deklaroi se kishte ndjekur një operacion rus në Atlantikun e Veriut ku përfshiheshin një nëndetëse e klasës Akula dhe dy nëndetëse të specializuara të lidhura me GUGI, Drejtorinë Kryesore ruse të Kërkimeve në Det të Thellë.
Londra i konsideron veçanërisht të ndjeshme kabllot nënujore të telekomunikacionit dhe infrastrukturën energjetike.
Këtu ekziston një nga skenarët më realistë të përshkallëzimit të padëshiruar:
një anije ose nëndetëse ruse afrohet pranë infrastrukturës kritike; marina britanike ndërhyn; ndodh një manovër e rrezikshme, përplasje, përdorim sensori, droni apo arme paralajmëruese; incidenti fillimisht taktik shndërrohet në krizë politike.
Pra, rreziku mund të vijë jo vetëm nga vendimi për të filluar luftën, por nga një incident që askush nuk kishte planifikuar ta kthente në luftë.
4). Doktrina britanike e konsideron Rusinë kërcënimin më urgjent
Strategic Defence Review 2025 e Mbretërisë së Bashkuar e klasifikon Rusinë si një “immediate and pressing threat” – kërcënim të menjëhershëm dhe urgjent.
Dokumenti nënvizon se, megjithëse lufta në Ukrainë ka konsumuar një pjesë të madhe të forcave tokësore ruse, Moska vazhdon modernizimin e forcave të saj dhe ruan aftësi serioze në:
hapësirë, kibernetikë, luftë informative, operacione nënujore, raketa me rreze të gjatë dhe armë bërthamore.
Edhe IISS – International Institute for Strategic Studies vlerëson se Rusia, pavarësisht humbjeve në Ukrainë, mbetet një kërcënim serioz ushtarak për shtetet europiane të NATO-s dhe po rindërton njësi të reja ushtarake.
5).Çfarë thonë shërbimet e inteligjencës Baltike më pranë Rusisë?
Këtu duhet të shmangim alarmizmin.
Shërbimi i Inteligjencës së Jashtme të Estonisë, në vlerësimin e tij publik të 10 shkurtit 2026, deklaron shprehimisht se Rusia nuk ka ndërmend të sulmojë ushtarakisht Estoninë apo një shtet tjetër të NATO-s gjatë vitit të ardhshëm.
Ky është një konstatim jashtëzakonisht i rëndësishëm.
Inteligjenca estoneze nuk thotë se Rusia nuk është e rrezikshme.
Përkundrazi, ajo argumenton se investimet e NATO-s në mbrojtje po e detyrojnë Kremlinin të bëjë llogari shumë të kujdesshme.
Edhe vlerësimi kombëtar i inteligjencës lituaneze për vitin 2026 thotë se, për sa kohë Rusia vazhdon të përdorë pjesën kryesore të burimeve të saj në Ukrainë, aftësia e saj për të krijuar kërcënime të reja ushtarake kundër shteteve të tjera mbetet e kufizuar.
Por raporti paralajmëron se një ulje e presionit perëndimor ose përfundimi i luftimeve që do t’i lironte Rusisë forca të konsiderueshme mund ta ndryshonte këtë ekuilibër në periudhën afatmesme.
CSIS: problemi është më i madh se Ukraina
Jeffrey Mankoff, në studimin e CSIS të 9 korrikut 2026, argumenton se Kremlini e sheh konfliktin jo vetëm si luftë kundër Ukrainës, por si pjesë të një konfrontimi sistemik afatgjatë me Perëndimin euroatlantik.
Kjo shpjegon edhe pse Britania ka një rëndësi të veçantë.
Mbretëria e Bashkuar është:
fuqi bërthamore;
anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit;
një nga fuqitë kryesore ushtarake të NATO-s;
një nga mbështetëset më aktive të Ukrainës;
dhe zotëron aftësi të rëndësishme inteligjence, kibernetike, detare dhe raketore.
Për këtë arsye Moska ka interes ta frikësojë dhe ta frenojë Londrën.
Por pikërisht për të njëjtat arsye, një sulm i drejtpërdrejtë rus kundër territorit britanik do të ishte një hap jashtëzakonisht i rrezikshëm për vetë Rusinë.
6) Faktori bërthamor
Britania dhe Rusia janë të dyja fuqi bërthamore.
Kjo krijon paradoksin klasik të deterrencës:
armët bërthamore e bëjnë një luftë totale më shkatërruese, por njëkohësisht e bëjnë shumë më të kushtueshëm vendimin për ta filluar atë.
IISS dhe RUSI paralajmërojnë se retorika bërthamore dhe operacionet hibride mund të përdoren për të krijuar frikë dhe për të ndikuar llogaritjet politike perëndimore, por kjo nuk është e njëjtë me përgatitjen për përdorim të menjëhershëm të armëve bërthamore.
Prandaj duhet bërë dallim ndërmjet sinjalizimit bërthamor dhe vendimit bërthamor.
Nga të dhënat publike deri më 19 gusht 2026, skenarët mund të renditen kështu:
Rrezik i lartë:
sulme kibernetike, operacione informative, sabotazh, përdorimi i ndërmjetësve, presion ndaj infrastrukturës dhe aktivitete në zonën gri.
Rrezik mesatar: incidente detare, ajrore ose nënujore ndërmjet forcave ruse dhe britanike/NATO-s, veçanërisht në Atlantikun e Veriut dhe zonat e infrastrukturës kritike.
Rrezik më i ulët, por me pasoja shumë serioze:
një goditje e kufizuar ruse kundër një aseti britanik si hakmarrje për një operacion ukrainas që Moska do ta konsideronte të drejtuar drejtpërdrejt nga Londra.
Rrezik aktualisht i ulët:
një sulm konvencional i qëllimshëm kundër territorit të Mbretërisë së Bashkuar.
Rrezik shumë i ulët, por jo teorikisht zero: përshkallëzim deri në përdorimin e armëve bërthamore.
Këto nuk janë përqindje zyrtare të ndonjë shërbimi inteligjence, por një sintezë analitike e burimeve të hapura të cituara më poshtë.

.Ndikimi për Shqiperinë!
Acarimi Rusi–Britani rrit rrezikun për gjithë NATO-n dhe Ballkanin Perëndimor. Për Shqipërinë, kërcënimi më i mundshëm nuk është një sulm i drejtpërdrejtë, por lufta hibride: sulme kibernetike, dezinformim, sabotazh dhe presion politik.
Si anëtare e NATO-s dhe me rëndësi në rritje përmes Kuçovës, porteve dhe Korridorit VIII, Shqipëria do të kishte rol më të madh në një krizë Rusi–NATO.
Kosova mbetet pika më delikate për shkak të tensioneve me Serbinë dhe varësisë nga KFOR-i.
Rreziku ushtarak i drejtpërdrejtë për Shqipërinë mbetet i ulët, por rreziku kibernetik, politik dhe informativ është në rritje, ndoshta dhe në bashkëveprim dhe me Iranin.
9). Përfundim i përgjithshëm
Ngjarjet e 18 gushtit 2026 tregojnë se marrëdhëniet Britani–Rusi kanë kaluar një shkallë tjetër në retorikën e përshkallëzimit.
Por duhet shmangur përfundimi që aktualisht qarkullon në rrjetet e internetit se
“Rusia po përgatitet të sulmojë Britaninë.”
Për këtë, aktualisht, nuk ka prova publike bindëse.
Formulimi më i saktë strategjik do të ishte:
Britania dhe Rusia ndodhen tashmë në një konfrontim të zgjeruar në zonën gri, ndërsa rreziku që ky konfrontim të prodhojë një incident ushtarak serioz është rritur.
Megjithatë, deterrenca e NATO-s dhe sidomos deterrenca ( frenimi ) bërthamore vazhdojnë ta bëjnë një luftë të drejtpërdrejtë Britani–Rusi një skenar shumë më pak të mundshëm sesa lufta hibride, kibernetike, informative dhe detare.
Rreziku më i madh nuk është domosdoshmërisht që Londra ose Moska të vendosin sot: “të fillojmë luftën”.
Rreziku është që një varg veprimesh, kundërveprimesh dhe keqllogaritjesh ta ngjisë krizën, shkallë pas shkalle, deri në një pikë ku kontrolli politik mbi përshkallëzimin bëhet shumë më i vështirë.
1] Reuters, “UK Will Support Ukraine ‘100%’ despite Russian Warning, PM Burnham Says,” August 18, 2026. Reuters raporton paralajmërimin rus, raportimin e The Times mbi dronët dhe faktin se Ministria britanike e Mbrojtjes nuk konfirmoi përdorimin e tyre në goditjet e përmendura.
2] Reuters, “Russia’s Lavrov Says Britain Risks Being Seen as Party to Ukraine War,” August 18, 2026.
3] Reuters, “UK Will Support Ukraine ‘100%’ despite Russian Warning,” August 18, 2026.
4] Ibid. Reuters raporton angazhimin britanik për 150,000 dronë deri në fund të vitit 2026 dhe paketën prej £752 milionësh.
5] Blaise Metreweli, “Speech by Blaise Metreweli, Chief of SIS,” Secret Intelligence Service/Foreign, Commonwealth & Development Office, December 15, 2025.
6] Richard Horne, “NCSC CEO Keynote Speech, CYBERUK 2026,” National Cyber Security Centre, 2026.
7] National Cyber Security Centre, “Hostile States Linked to Three-Quarters of Cyber Attacks Affecting UK’s Critical Systems,” June 17, 2026.
8] UK Ministry of Defence, “Defence Secretary No9 Speech,” April 9, 2026; shih gjithashtu Reuters, raportimin mbi ndjekjen e nëndetëseve ruse në Atlantikun e Veriut.
9] UK Ministry of Defence, The Strategic Defence Review 2025: Making Britain Safer-Secure at Home, Strong Abroad, June 2, 2025.
10] International Institute for Strategic Studies, The Military Balance 2026 (London: IISS, 2026); IISS, “Fortifying NATO’s Eastern Flank,” February 24, 2026.
11] Estonian Foreign Intelligence Service, International Security and Estonia 2026, February 10, 2026.
12] State Security Department of Lithuania and Defence Intelligence and Security Service, National Threat Assessment 2026 (Vilnius, 2026), section “Reduced Western Pressure on Moscow Would Accelerate Russia’s Preparations for Conflict with NATO.”
13] Jeffrey Mankoff, Managing the Long-Term Russian Threat to Europe (Washington, DC: Center for Strategic and International Studies, July 9, 2026).
14] Daniel Salisbury, Radioactive Measures: Hybrid Threats and Nuclear Risks in Europe and Beyond (London: International Institute for Strategic Studies, June 24, 2026); Royal United Services Institute, “Nuclear Deterrence in Shifting Euro-Atlantic Security Architecture,” 2026.
Burim mediatik plotësues: Financial Times, “Russia Warns UK of ‘Consequences’ over Ukraine’s Use of British-Made Drones,” August 19, 2026.