Bugar Osmani e krahason Ali Ahmetin me Zelenskin!

27
Jan
2023

Shkruan: Medai Shaholli

Në tubimin e para dy ditëve me militantët e tij integristë në Shipkovicë nënkryetari i DUI-t Bugar Osmani, ka krahasuar Ali Ahmetin me Zelenskin, duke e bërë lidhshmërinë e tyre kur takoi për herë të parë Aliun në Shipkovicë me uniformë më 2001 dhe takimi me Zelenskin para disa ditësh gjatë një vizite që Bugari ynë bëri në Ukrainë.

Sipas Bugar Osmanit te të dy ai ka parë në sytë e tyre ‘dashurinë për popullin’!

Ky është krahasimi më banal që bën ministri ynë sharlatan dhe puthadorë për liderin e tij, krahasim që nuk qëndron pasi shefit të tij i atribuon kontribute të pamerituara gjatë konfliktit të 2001, duke ia përveshur ato merita që nuk i takojnë.

Të flasësh me superlativa për komandantin dezertor Ali Ahmeti, duhesh nisur nga faktet dhe argumentet për merita që i atribuohen pa të drejtë.
Le të shohim ku qëndrojnë këta dy liderë!
Ali Ahmeti nxiti konfliktin e 2001, për interesa të tij dhe të pushtetit sllavomaqedon (si duket me një marrëveshje sekrete mes tyre), duke i mashtruar luftëtarët e tij se po luftojnë për liri dhe barazi në Maqedoni.
Pas 6 muaj konflikti dhe përleshje me branitellët sllavomaqedonë më 2001, përmes të krismave të armëve ai krijoi butaforinë e rrejshme të fitores duke dorëzuar armët me pretekstin e realizimit të aspiratave kombëtare për liri dhe barazi të shqiptarëve në Maqedoni.

Miratimi i MO nga strofkulla e tij rrëzë Malit Sharr, duke pranuar një status përdhosës për gjuhën dhe identitetin shqiptar si 20%, është ‘meritë dhe peshqesh’ nga Ali Ahmetit dhe nga liderëve partiakë si Imer Imeri dhe Arben Xhaferi, të cilët nënshkruan aktin e tradhtisë së lartë të kapitullimit pa kushte duke pranuar me MO një status të dorës së dytë për shqiptarët.

Zelenski është komandanti që nuk dezerton dhe nuk shkel mbi idealin e luftëtarëve ukrainas që luftojnë për çlirimin e tokave të tyre të okupuara nga agresorët rusë.
Zelenski po lufton gati një vit me një superfuqi siç është Rusia dhe nuk pranon të nënshkruaj armëpushim dhe kapitullim përderisa agresorët rusë nuk largohen por mbajnë të okupuara territore të Ukrainës përmes agresionit dhe ndërhyrjes ushtarake.

Ky është komandanti dhe presidenti trim i vendosur ukrainas Zelenski, që nuk pranon asnjë kompromis deri më tani me territoret e okupuara, në këmbim të paqes në krahasim me dezertorin tonë Ali Ahmeti, i cili pranoi një status përçmues për gjuhën shqipe si gjuhë e 20%, në emër të paqës të cilën na e shiti si arritje e madhe historike e lirisë dhe barazisë të shqiptarëve me MO.

‘Loja e madhe shpërblyese’ e dezertorit Ali Ahmetit ndaj shqiptarëve është devijimi i vullnetit politik të luftëtarëve të tij se me miratimin e MO nuk i solli lirinë dhe barazinë e shqiptarëve por solli në pushtet Ali Ahmetin, ku ai për dy dekada broçkullit për arritje të mëdha të shqiptarëve dhe për zyrtarizimin e gjuhës shqipe me miratimin e ligjit për gjuhët që do të thotë ligj për pakicat, ku me të jevgjërishtja u bë e barabartë me shqipen dhe jo shqipja me sllavishten.

Ku qëndron krahasimi i Ali Ahmetit me Zelenskin këtu?
Komananti ynë dezeror kapi armët gjasme për liri dhe përdori luftëtarët e lirisë si mish për top për 20% e turpit dhe dorëzoi armët para Branitellëve jo për faktin se luftëtarët shqiptarë të UÇK-së nuk kishin moral të lartë për të luftuar për liri, por u mashtruan nga komandanti i tyre se gjoja ishte realizuar kushti për liri dhe barazi në ‘drzhavën Severna’ për shqiptarët.

Krahasimi i Ahmetit dhe Zelenskit nuk qëndron pasi njëri lufton për lirinë e atdheut të tij ndërsa tjetri dezertoi dhe nënshkroi kapitullimin, duke pranuar një status inferior dhe nënçmues për shqiptarët.

Krahasimi i Bugar Osmanit mes Zelenskit dhe Ali Ahmetit është propagandues, demagogjik dhe joreal, për më tepër ai krahasim është virtual dhe imagjinar.

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 27/01/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk