Çfarë do sjell 8 maji për shqiptarët?

07
May
2024
Shkruan: Medai Shaholli


Shqiptarët e “Severnës” kanë të rreshtuar tashmë subjektet e tyre politike në dy tabore për zgjedhjet e 8 majit, mes Frontit Europian dhe VLEN-it, ku secili formacion politik shkon në këto zgjedhje me ambiciet e tyre për ta fituar këtë garë, si tapi dhe garancë e besueshmërisë së shqiptarëve për njërin nga taboret e tona, por edhe si “carte blanche dhe laisse passer” e përfaqësimit të taborit fitues nga kampi shqiptar në qeverinë e re të koalicionit.
8 maji për të dy taboret është dita fitores së njërit krah ndaj tjetrit dhe jo shpresa e shqiptarëve për një të ardhme më të mirë. Ndryshimi dhe integrimi në proceset europiane nuk varet vetëm nga vota shqiptare por edhe nga kampi shumicë.
Gatishmëria e votuesve sllavo-maqedon është joshpresëdhënëse për faktin se kjo gatishmëri shkon për ta votuar forcën politike të së djathtës nacionaliste të quajtur VMRO, e cila ka deklaruar se nuk do të pranojë shantazhin bullgar për ndryshimet kushtetuese.
Ndërsa shqiptarët në këtë arenë të përballjes politike janë ndihmesë dhe “rrota rezervë” për qeverinë e koalicionit. Në mbrëmjen e 8 majit, sipas burimeve të mirëinformuara nuk duket se do të kemi në horizont ndryshimin që paskësh filluar me VLEN-in dhe as vazhdimin e rrugës europiane të Frontit Europian, por bllokimin e rrugës europiane dhe zhgënjimin e qytetarëve shqiptarë, për faj të kryeneçsisë së komitëve dhe votuesve të kampit tjetër që nuk duan rrugën e integrimeve europiane por një rrugë tjetër qorre.
Pas 8 majit, premtimet e dy taboreve shqiptare nuk duket se do të ngjallin shpresë për ndryshimin e shumëpritur pa presionin e fuqishëm ndërkombëtar ndaj komitëve të Mickos, për të hequr dorë nga rruga qorre.
Dy taboret tona politike me rastin e ndryshimeve kushtetuese pas zgjedhjeve nuk e kanë ngritur fare çeshtjen e përcaktimit inferior të shqiptarëve në preambulën e kushtetutës, ku aty bëjmë pjesë “në një thes” në grupin e pakicave dhe jo si sllavo-maqedonët, avangard të shtetit dhe të pushtetit si komb i vetëm i “drzhavës Severna”.
Sa i takon fshirjes së nofkës së 20%, të dy taboret tona sikur janë marr vesh që përdhosja ndaj identitetit tonë gjuhësor të lihet për njëherë tjetër, ku prioritet mbeten eurointegrimet sepse gjuha shqipe pret ditë më të mira në agjendën e së ardhmes.
Ndërsa pala maqedone
po për çeshtjen e gjuhës dhe identiteti të tyre kombëtar nuk mendonte kështu si sharlatanët dhe demagogët tanë, kur u vu në pikëpyetje identiteti i tyre gjuhësor dhe kombëtar si kusht i bullgarëve për hapjen e negociatave me BE-në por, deklaruan se heqim dorë nga integrimet para interesave kombëtare.
Ndaj, shpresa e shqiptarëve pas 8 majit duket e zymët me këtë gatishmëri të servilizmit nga ana e taboreve tona se kush më parë do të bëhet pjesë e qeverisë së koalicionit, pa asnjë kusht ndaj pabarazisë dhe përdhunimit të identitetit kombëtar të shqiptarëve në kushtetutë me rastin e ndryshimeve kushtetuese.
Padyshim se në qeverinë e re të koalicionit taboret tona (cilido që do të hyjë në qeveri) do të vazhdojnë të luajnë rolin pushtërues të vasalit para despotëve komitë të premierit të ri Micko.
Dhe ndryshimi nuk mund të vijë duke pranuar rolin e vasalit në qeveri por, duke mbajtur qëndrim partneriteti të denjë si përfaqësues të popullit.
Në rast se shumica nuk respekton pakicën brenda koalicionit atëherë largimi nga koalicioni do të ishte përgjegjësi morale e aktit politik atdhetar të subjektit politik shqiptar, për shkak të devijim dhe shmangies së përgjegjësisë dhe angazhimit programor të premierit në qeverinë e koalicionit, fakt që subjektet politike shqiptare nuk e kanë vënë në sprovë asnjëherë edhe pse janë injoruar dhe anashkaluar nga vendimet e njëanëshme të qeverisë.
Por, despotët e pushtetit ilaçin me këta liderë sharlatanë shqiptarë të luhatur dhe lojal e kanë gjetur përmes ofertës së qokave dhe llokmave të pushtetit që shpërndan kuzhina qeveritare për barkëderrat shqiptarë, ku për hir të ladutërisë për të kollofitur e pasuruar sa më shpejt të jetë e mundur pjesëmarrjen në qeveri e shohin si rast që nuk duhet huqur dhe jo si marrje përgjegjësie për t’i shërbyer qytetarëve.
Mu për këto leverdi joshëse rrufjanët tanë të oborrit qeveritar kanë miratuar heshturazi përçmimin dhe përdhosjen kombëtare të paktën në këto dy dekada si pozitë edhe opozitë shqiptare në qeveri dhe në parlamentin e “drzhavës”.
Shqiptarëve u duhet një parti e shqiptarëve për shqiptarët, ku do guxojnë t’i thonë si Mickos edhe Dhimos, se pa barazinë e shqiptarëve me sllavo-maqedonët nuk do të ketë qeveri as “drzhavë”!
Se pa realizimin e barazisë dhe pa statusin e barabartë të shqiptarëve në kushtetutë nuk do të garantojmë të ardhme për atë “drzhavë” që ruan dhe mbron supremacinë vetëm për sllavo-maqedonët përmes kushtetutës njëetnike dhe ligjeve.
Ne nuk kemi pse ju shërbejmë si paterica për të mbajtur mbi kurrizin tonë “drzhavën” që shtyp dhe përdhos identitetin tonë kombëtar.
Kjo do të ishte forca politike atdhetare (që nuk e kemi) në shërbim të kombit dhe jo këta demagogët që na premtojnë ndryshimin dhe eurointegrimet për të cilat nuk kanë në dorë asgjë tjetër veç “çelësave të kashtës”!
☆ ☆ ☆ ☆
P.S.
Le të mbetet ky shkrim në arkiv si bast i fituar pas 1 apo dy vitesh, për të dëshmuar se statusi i shqiptareve në preambulë dhe 20% i famshëm do të ngelen aty si gur varri për shqiptarët, falë qëndrimit servil te vasalëve tanë në qeverinë e koalicionit apo në opozitë!

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 07/05/2024

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk