Imagjinoni për një çast që jemi në Paris. Imagjinoni që një anëtar i Akademisë së Shkencave të Francës nuk ka botuar asnjë vepër shkencore për 40 vite rresht. Imagjinoni që ky anëtar, në vend që të japë dorëheqje me dinjitet, zgjidhet dy herë kryetar i akademisë dhe mban në duar një institucion që duhet të jetë udhëheqës i kërkimit shkencor në vend.
Jo. Sepse në një vend me institucione të shëndetshme, media, publiku dhe komuniteti shkencor do reagonin fuqishëm. Do të ndodhte një hetim publik. Do kërkohej transparencë, përgjegjësi dhe dorëheqje e menjëhershme. Akademikët aktivë do ngriheshin në protestë. Do kishim tituj në gazetat prestigjioze si Le Monde apo Mediapart. Akademia nuk do mund të mbijetonte moralisht as 24 orë pas zbulimit të një skandali të tillë.
Në Shqipëri kemi një realitet ndryshe: Kryetari i Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi, është anëtar i saj që prej afro 40 vjetësh. Sot ai drejton këtë institucion me të njëjtat parime që e udhëhoqën në kohën e komunizmit – në thelb pa asnjë reformë reale. Dhe më tragjikja: pa asnjë vepër të rëndësishme shkencore në dekada.
Akademia e Shkencave e Shqipërisë nuk është më një tempull i dijes, por një bunker ideologjik që vepron kundër interesit të kombit shqiptar. Ajo ka promovuar dhe vijon të mbrojë teza që në thelb janë shërbime ndaj narrativave serbosllave për historinë dhe gjuhën e shqiptarëve.
Revista më prestigjioze në botë, Science, botoi para dy vitesh një artikull shkencor ku thuhej qartë se gjuha shqipe është folur pandërprerë për 6000 vjet.
Vetëm dy ditë më vonë, dy profesorë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dolën në një televizion kombëtar dhe pohuan se shqipja është vetëm 1500 vjeç – pikërisht teza e përhapur nga shkolla serbe e gjuhësisë për të minuar autoktoninë shqiptare në Ballkan.
Akademikë të tjerë të kësaj akademie kanë promovuar teorinë absurde se e ëma e Skënderbeut ishte serbe, një tjetër shpikje e akademisë serbe e viteve ’80.
Ndërkohë, përballë një kërkimi të ri dhe metodologjie që synon të vendosë gjuhën shqipe në qendër të familjes indoeuropiane, kjo akademi mbyll sytë dhe veshët. Shtatë herë kam kërkuar oponencë shkencore për teorinë time mbi embriomorfemat, e cila ka zënë vend në disa universitete perëndimore dhe ka arritur në tryezat e inteligjencës artificiale.
Jo vetëm që nuk kam marrë përgjigje. As një rresht zyrtar.
Kjo nuk është vetëm neglizhencë. Ky është sabotim i dijes, sabotim i së vërtetës shkencore, dhe mbi të gjitha: sabotim i vetë kombit shqiptar.
Në Francë, kjo do quhej skandal kombëtar. Në Shqipëri, kjo është “normalitet institucional”.
Ndaj nuk është e tepruar të thuash: Akademia e Shkencave e Shqipërisë punon sot jo për të ardhmen e kombit, por për të mbrojtur mitet e falsifikuara të së shkuarës. Dhe kjo nuk është më vetëm çështje shkencore. Është çështje identiteti, sovraniteti dhe drejtësie kombëtare.
Koha për heshtje ka mbaruar. Koha për llogaridhënie ka ardhur.