Si është e mundur që të arrijmë deri në këtë pikë, duke vepruar në mënyrë kaq jonjerëzore, johumane dhe anti-kombëtare, kur është në pyetje realiteti ynë i hidhur kombëtar?
Që nga momenti kur analisti politik i sigurisë dhe ushtaraku, Dritan Goxhaj, doli në emër të Këshillit Organizativ të protestës së 23 qershorit, nisën sulme të ashpra kundër tij.
Këto sulme nuk kishin të bënin me veprimtarinë apo argumentet e Dritanit, por, sipas mendimit tim, synonin të largonin vëmendjen e opinionit publik kombëtar dhe ndërkombëtar nga çështjet thelbësore. Filluan shpifjet, trillimet dhe insinuatat, duke sulmuar një figurë që shumë shqiptarë e konsiderojnë hero të gjallë.
Dritan Goxhaj, vjen nga një familje me tradita të spikatura patriotike. Gjyshi i tij ishte ndër partizanët e parë të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare (1941–1944), ndërsa babai i tij, kolonel në pension, ishte njëri nga komandantët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe njëri prej bashkëpunëtorëve të rëndësishëm me NATO-n gjatë fushatës së bombardimeve kundër forcave serbe.
Kam vërejtur se, ne shqiptarët dhe veprimtarët politikë dhe ushtarakë jemi ndarë në dy kampe:
Në njërën anë janë ata që shpifin dhe trillojnë kundër Dritan Goxhajt dhe babait të tij, duke arritur deri aty sa ta quajnë edhe mercenar në luftën e UÇK-së, ndonëse, ai njihej me nofkën Komandant, “Shpëtim Golemi”. Nëse analizohen me kujdes personat që sulmojnë familjen Goxhaj, vërehet se shumë prej tyre, duke zhvarur pasuritë e popullit e të atdheut, janë bërë multi-milionerë, ndërsa, po këta ztr, nuk kanë folur pothuajse asnjëherë kundër politikave të Ibrahim Rugovës apo kundër veprimeve të PDK-së, LDK-së dhe AAK-së, të cilat, sipas kritikëve atdhetarë të tyre, kanë ndjekur politika të dëmshme për Kosovën.
Ata, nuk reaguan, kur klasa politike Kosovës ia humbën mijëra hektarë tokë në marrëveshjet kufitare me Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi.
Nuk i kundërshtuan Marrëveshjet që parashikonin krijimin e Asociacionit një-etnik të komunave me shumicë serbe dhe nuk i mbështetën veprimet e “Qeverisë Kurti”, për t’i dhënë fund ndikimit të strukturave paralele serbe dhe grupeve kriminale në veri të Kosovës, të udhëhequra nga Milan Radojiçiq.
Poashtu, nuk kanë kritikuar qëndrimet e Kryeministrit Edi Rama, i cili e ka quajtur Aleksandar Vuçiqin “vëlla” dhe ka bërë deklarata që kanë ngjallur polemika për veriun e Kosovës. Gjithashtu, propozimi i tij për një Konferencë ndërkombëtare për Kosovën është parë nga shumë shqiptarë si një nismë që mund të dëmtojë interesat kombëtare e të tjera…
-Prandaj, lind pyetja: pse gjithë kjo zhurmë kundër familjes Goxhaj, një familje që, shumë atdhetarë e atdhetare veprimtarë të dëshmuar në luftë e në paqe, e konsiderojnë pjesë të nderit dhe historisë së kombit shqiptar, me origjinë nga Golemi i Gjirokastrës?
-Nga ana tjetër, figura të njohura të politikës, të luftës dhe të jetës publike shqiptare kanë dalë në mbështetje të Dritan Goxhajt. Ndër ta përmenden ish-Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, kolonel Bislim Zyrapi, analistët politikë Dr. Sadri Ramabaja, Ilir Kulla, Gjon Bruçi, Fadil Shyti dhe shumë personalitete të tjera, të cilët kanë kundërshtuar publikisht akuzat dhe shpifjet ndaj familjes Goxhaj,-e, në veçanti ndaj Dritan Goxhajt.
Në një shoqëri demokratike, kritika është e domosdoshme; por, ajo duhet të mbështetet në argumente, jo në shpifje, fyerje apo diskreditim personal.
Kam folur dhe kam shkruar pikërisht për këtë dobësi të publicistikës sonë, mirëpo edhe këtu dua të përsëris; debati publik fiton vlerë, vetëm atëherë kur zhvillohet mbi bazën e argumenteve të së vërtetës, të respektit për kontributin bardh e zi të secilit dhe secilës.
03. 07. 2026


Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!
