ÇFARË PO NDODH NË KRYESINË E KOMITETIT KOMBËTAR TË VETERANËVE TË POPULLIT SHQIPTAR?!

22
Mar
2023

Shkruan: Gjon Bruçi
Nëpërmjet një shkrimi afishuar në kopertinën e gazetës DITA, marrim vesh së në zyrat e Kryesisë së Komitetit Kombëtar të Veteranëve të LANÇ të Popullit Shqiptar, në Tiranë, ka patur një skandal, që autori i shkrimit e quan “Maskaradë”, “një incident i turpshëm”. Ky shkrim, nuk është i ndonjë gazetari çfarëdo, që kërkon të përdorë skupin gazetaresk. Autori i shkrimit në fjalë është intelektuali i mirënjohur, analisti dhe opinionisti i nivelit të lartë, pedagogu i Universitetit të Nju Jorkut në Tiranë, biri i veteranit të LANÇ, ambasadori i mirënjohur, Prof. Dr. Fatos Tarifa.
Prof. Dr. Fatos Tarifa, jo njëherë ka trajtuar me kompetencë probleme radikale në shtypin qëndror, dhe kryesisht në gazetën Dita, ku është dhe pjesëtar i stafit të gazetës. Por asnjëherë nuk e kemi parë të shkruajë me revoltë të asaj shkalle, sa të përdorë epitete të jashtëzakonshme në sensin negativ, për problemet dhe personazhet që ka trajtuar e analizuar. Ndaj me të drejtë lind pyetja: Cila ishte arsyeja, që Profesori dhe ambasadori e kapërceu kësaj radhe etikën e tij të zakonshme, atë të të folurit e të shkruarit me ligjërata të qeta, duke manifestuar kësaj herë një revoltë të dukshme, shprehur me fjalë të ashpra, që nga titulli i shkrimit, të cilin e emërton: “Maskaradë në Komitetin e Veteranëve”!
Profesor Tarifa, ndryshe nga radhët e tjera, kësaj here ka shkruar shkurt, duke na dhënë një tabllo të vogël, por alarmuese, të një takimi në zyrat e Komitetit Kombëtar të Veteranëve, ku ai me disa shokë intelektualë e profesorë të profileve të ndryshme, kishte shkuar për të ndihmuar në mbarëvajtjen e punës së Organizatës së Veteranëve të LANÇ të popullit shqiptar.
Maskarada në zyrat e Komitetit të Veteranëve, që thotë Profesor Tarifa, lidhet me tentativën e disa prej drejtuesve të këtij Komiteti, për të uzurpuar karriken e Kryetarit, që deri dje e kishte i ndjeri Odise Porodini, ish luftëtar i radhëve të Ushtrisë Nacional Çlirimtare. Siç thuhet në shkrim, ish polici Veli Myftari, në 20 janar 1999 nisi detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, por në 22 nëntor 2000, u shkarkua nga kjo detyrë, dhe madje u dënua me burg për skandalin e pasaportave. Pas lirimit nga burgu, ndonëse ishte i datëlindjes 1952, u pranua në Organizatën e Veteranëve si pasardhës veterani, dhe disa vite më parë arriti gjer në kryesinë e Komitetit Kombëtar. Pas ndarjes nga jeta të Odise Porodinit, Veli Myftari, “me inisiativë” mori frenat e Komitetit Kombëtar të Organizatës së Veteranëve, duke harruar se organizata në fjalë ka edhe disa norma se si vepron për rizgjedhjen e Kryetarit të ri. Pikërisht për këtë qëllim, Profesor Tarifa me shokët Pëllumb Xhufi, Ksenofon Kristafi, Spartak Braho etj., kishin shkuar në zyrat e Komitetit në fjalë, për të dhënë mendimin e tyre në lidhje me organizimin e mbledhjes së Përgjithshme të Kryesisë, e cila do të zgjidhte Kryetari e ri të Komitetit Kombëtar. Por kjo, siç duket, acaroj Myftarin, që ashtu si Alibej i PD-së, pas ndarjes nga jeta të luftëtarit të nderuar, Odise Porodini, kishte përlarë celsat e zyrës, bashkë me karriken e kryetarit, që siç duan të thonë “ia kishte lënë amanet” ish kryetari Porodini.
Kush ka ndjekur si duhet prononcimet e politikanëve dhe pushtetarëve socialistë në lidhje me fatin e Veteranëve të LANÇ dhe të Organizatës së tyre të përmendur, e ka parashikuar edhe “maskaradën” që ndodhi këto ditë, për të cilën na vë në dijeni Profesor Fatos Tarifa. Po japim dy – tri shenja të dukshme që na kanë paralajmëruar këtë “maskaradë” të sotme:
Nëse u kujtohet qytetarëve, ditën kur Kryeministri Socialist Edi Rama, përuroi shtatoren e Kryeballistit Mit’hat Frashëri, midis të tjerave u tha veteranëve pjesëmarrës apo jo në përurim, që të ulnin kokën, se “nuk kishin parë gjë akoma”!
Para dy vitesh, në mos gaboj, po ky kryeministër socialist, që pretendon se mbron LANÇ, bashkë me Lali Erin e Bashkisë së Kryeqytetit, në vend që të hiqnin shtatoren e tradhëtarit Ahmet Zogu në krye të bulevardit, e përforcoi atë me shtatoren e Geraldinës, gruas së tij hungareze, e cila na la trashëgim Lekën e madh dhe pasardhësin, Lekën e vogël.
Siç mund ta dini, sepse shihet më sy të lirë, ndërtesa pesë katëshe e Veteranëve, ndërtuar shumë kohë para viteve nëntëdhjetë, është katandisur në pikë të hallit. Jo vetëm ajo nuk u riparua, por edhe një ashensor që kërkuan veteranët të ngjitheshin në katin e pestë, kryeministri nuk ua rregulloj. Po, pse kjo ndërtesë e selisë së Veteranëve është lënë në pikë të hallit? Shumë e thjeshtë për t’u kuptuar. Le të rrijë ashtu siç është gjer sa të vdesë edhe veterani i fundit i Luftës, dhe pastaj ndërtasa do të shembet për t’u zëvendësuar me ndonjë zyrë të katit të parë, diku në rrethina të kryeqytetit, sepse vendin e saj do ta zënë kullat. . . .
Po kjo gjë ka ndodhur e po ndodh edhe me varrezat e Dëshmorëve të Kombit, ku mjaft varre janë prishur, por nuk bëhen riparime, ose ato bëhen sa për të kaluar radhën dhe shkarkuar fondin që jepet për to. Thuhet se edhe këto varre, ashtu si selia gërmadhë e Veteranëve, në një të ardhme të afërt do të “udhëtojë” andej nga kodrat e Shishtufinës, për t’jua lënë vendin Kullave dhe Vilave të klasës së epërme të shoqërisë.
Por akoma më e thekshme është plani për “modifikimin” e vetë Orgnizatës së Veteranëve të LANÇ. Siç doli gjatë kohës që po lirohej nga detyra ish Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshi, ky i fundit, kur ishte këshilltar i Kryeministrit Rama, i pati sugjeruar atij, që Organizata e Veteranëve të Luftës, të cilës po i “soseshin” veteranët e vërtetë, duhet të bashkohej në një “kasolle” të përbashkët me Organizatën e Veteranëve të Punës.
Ky propozim i fundit ende nuk është realizuar, por gjasat i ka të realizohet. Ndaj dhe nuk është çudi që keta “filat e policisë” në radhët e organizatës së Veteranëve dhe nga pozicionet që mund të akaparojnë në Kryesitë e saj, të realizojnë një ditë variantin e bashkimit të Organizatave të Luftës e të Punës, çka do ta bënte më të manovrueshëm përdorimin e tyre për të gjitha eventet e qeverisjes, që kanë të gjitha ngjyrat, por jo atë të kuqen e gjakut që lanë në luftë Dëshmorët dhe Luftëtarët e LANÇ të Popullit Shqiptar.
Këtë prononcim të shkurtër në shtyp, unë pasardhësi i Veteranit dhe i Dëshmorit të Atdheut, po jua adresoj të gjithë pasardhësve të Veteranëve dhe bijve e bijave të Dëshmorëve, duke i paralajmëruar për rreziqet që i kanosen Historisë së LANÇ, që është dhe do të mbetet krenanaria Kombtare e popullit shqiptar.
Mund të jetojmë në varfëri, siç kanë jetuar brezat tanë paraardhës, por pa krenari Kombëtare nuk mund të qëndrojmë në këmbë. Le ta vlerësojmë këtë thirrje të thjeshtë, dhe t’i dalim ballasi neoballistëve e neofashistëve të rinj e të vjetër, që synojnë të na zhdukin jo vetëm pasurinë, por edhe dinjitetin dhe identitetin si komb!

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 22/03/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk