/ Ribotim/
Shkruan: Xhemil Zeqiri
13.02.2010
Fillimisht, shtroj pyetjen; çfarë po ndodhë me shqiptarët në ish-Republikën jugosllave të Maqedonisë? Kjo pyetje ka qenë dhe po bëhet gjithnjë e më aktuale prej pavarësisë së këtij shteti artificial.
-Dihet mirëfilli se gjatë sundimit të ashtuquajtur socialist në atë sistem të dhunës e të mashtrimit; shqiptarët kishin pak të drejta dhe ato të drejta iu garantoheshin me Kushtetutë, dhe ishte e keqja se, në praktikë ato të drejta kurrë nuk u realizuan, dhe në fakt ndaj shqiptarëve pushteti titist zhvillonte një politikë të shtypjes e të diskriminimit në të gjitha sferat e jetës.
Me pranimin e pavarësisë dhe me ndërrimin e Kushtetutës “demokratike”, shqiptarët i humbën të gjitha ato të drejta dhe nga trajtimi shumicë; që në fakt ishin, sipas politikës maqedonase u bën “brenda natës” minoritet.
Këto ndryshime ndodhën dhe për shkak ndërrimit të sistemit politik dhe të situatave të krijuara në Kosovë dhe në Shqipërinë Nënë.
Përpjekjet e luftës ilegale, që udhëhiqeshin nga organizatat ilegale shqiptare me në krye shtetin shqiptar, para viteve 90-ta, objektivat politike ishin që, shqiptarët si hap i parë drejt lirisë dhe ribashkimit të tyre të barazoheshin me popujt tjerë në ish-Jugosllavi, Ballkan dhe Evropë, në aspektet nacionale, ekonomike, politike, ushtarake e të tjera fusha të jetës.
Këto përpjekje u përkrahën zyrtarisht pa rezerva nga shteti amë.
Siç theksova më lart, me ndryshimin e sistemit në rajonin tonë ndryshuan dhe kërkesat e drejta të shqiptarëve dhe ndryshuan dhe format e kërkesave të tyre. Pas shumë vitesh, natyrisht që u bë e domosdoshme dhe ndryshimi i kësaj lufte.
Vendin e kërkesave për barazi nacionale; sociale, ekonomike , ushtarake e të tjera që i shërbejnë përparimit dhe zhvillimit tonë, këto kërkesa u zëvendësuan me kërkesat e një lufte ideologjike, sipas orekseve dhe llojeve të partishmërisë, pastaj sipas ideologjisë e orekseve të sekteve fetare, konsideroj që, pikërisht këtu qëndron e gjithë fatkeqësia jonë që politikanët shqiptarë, pavetëdijshëm apo pa dashje ranë në grackat e armiqve tanë shekullorë. Dhe, natyrisht tani jemi dëshmitarë të kohës se si po zhvillohen ngjarjet, në dëm të çështjes sonë gjithëkombëtare.
Pra, përçarjet partiake në trojet tona, të nxitura nga politikanët që ishin shkolluar në shkollën e Kumrovcit i devijuan kërkesat tona.
…Dhe, e tërë filozofia e tyre dinake qe: të injorohen kërkesat e drejta gjithëkombëtare dhe të kalohet në kërkesa të tjera sekondare, siç janë integrimi ballkaniko-evropian e të tjera…
Dhe , i tërë potenciali i kësaj lufte u drejtua kundër partive e grupimeve politike brenda-shqiptare dhe jemi dëshmitarë se këto marrëzira po ndodhin deri sot: -ja, PD-ja dhe PS-ja, në Shqipërinë administrative, PDK-ja, me AAK- në Kosovë, dhe PDSH-ja, kundër BDI-së, në Maqedoni.
Pra, e keqja qëndron në faktin se, partitë shqiptare nuk po merren me zgjidhjen e çështjes shqiptare, por me ngatërrimin edhe më tej të kësaj çështjeje apo me cinizëm tiranik; po përpiqen për harrimin e saj. Dihet mirëfilli se të tëra këto probleme i krijuan dhe po i krijojnë liderët politikë dje “në krye” me I. Rugovën, kurse tani me në krye – të pakrye të Sali Berishës.
Kemi ardhur në gjendje të tillë që, edhe pas tri luftërave të zhvilluara ne shqiptarët nuk arritëm dot që të vendosim një politikë të drejtë gjithëkombëtare.
Por, megjithatë jam i shtrënguar të theksojë që, faji kryesor i kësaj politike të prapë anti-kombëtare duhet të kërkohet në shtetin amë-Shqiperinë, sepse, që prej kur u formua PD- ja nga Sali Berisha shqiptarët janë në konflikt n´mes veti e jo me pushtuesit e tokave tona.
Mjerisht, po këtë rrugë të pakrye e ka ndjekur kurdoherë dhe rahmetlia Ibrahim Rugova me LDK-në e “famshme” të tij; po këtë rrugë po e ndjekin tani dhe pasuesit e tij. Duke bërë këtë, i kanë bërë dhe janë duke iu bërë shërbime të mëdha Serbisë dhe shteteve të tjera sllave. Pa dashur këtu t´i rehabilitoj as t´i mbrojë as kundërshtarët e tyre “opozitarë”, apo aleancistë.
Mendoj se, pa u ndryshuar situata në Shqipëri, në favorin e shqiptarëve drejt unitetit brenda-shqiptar; nuk do të ndryshojnë as situatat e konflikteve partiake dhe fetare ndër-shqiptare.
I druaj më së keqes sepse, nuk po kanë të ndalë këto konflikte ideologjike; partiake dhe fetare dhe mund marrin përmasa të paparashikuara që bartin në vete rreziqe të mëdha për Shqipërinë Etnike.
Me këtë rast po e theksoj një shembull: këtë ashtuquajtur, “pavarësi” e Kosovës, nuk po e njohin as kështu siç është e gjymtuar siç është, gjithë ato shtete me fe islame, për faktin se siç gjykojnë ata: sepse, ne jemi miq me amerikanët dhe evropianët, pra jemi aleatë me anti-islamistët; kurse, në anën tjetër Izraeli nuk e njeh Kosovën, duke na quajtur ne shqiptarëve fundementaistë islamikë, e të tjera pengesa të ngjashme po kemi ne, si komb.
Ja, pra sa keq na ka zhytur kjo politikë aspak e mençur e politikanëve të sotëm.
Për t´u përmirësuar e për të marrë së mbari kjo politikë, që deri tani është me atribute të errëta antikombëtare; që, qe njëzetë vjet po udhëhiqet nga këto parti që përmendëm më lart doemos duhet t´ua bëjmë ADN- n, pra, t´ua kontrollojmë gjakun e liderëve politikë, sepse sipas mendimit tim –këtu, nuk është diçka në rregull…
Ndonëse, për këtë jam i vetëdijshëm se është ca e vështirë të bëhet sepse, Shqipërinë tani po e sundon me mashtrime e dhunë mafia e klanit të Zemunit dhe e klanit të Fazlliqit, për të cilin pa hezituar Saloja e thotë hapur se e kam mik.
Ndërsa, njëkohësisht nuk ngurron t´i kërcënon opozitarët që edhe ju keni lidhje biznesi me të…
Ndërsa, si pasojë e kësaj maskarade politike, kudo në trojet tona etnike, UNMIK-u dhe EULEX-i, si miq të përbetuar të Serbisë, po sundojnë po ashtu me mashtrime e dhunë në Kosovë.
Prandaj, kombi ka mbetur realisht-fatkeqësisht, pa një udhëheqje të fuqishme që do ta drejtonte drejt fitoreve dhe përparimit e ribashkimit të shtetit shqiptar.
Një opozitë të fuqishme shikuar nga aspekti i aspiratave gjithëkombëtare, konsideroj se, padyshim është Lëvizja Vetëvendosje; mirëpo nëse kjo lëvizje vizionare dhe sypatrembur nuk do ta ketë përkrahjen e duhur të të gjithë shqiptarëve, mund të themi se, sot o nesër çështjen shqiptare po e merr lumi.
Kur i shtojmë kësaj plus politikën anti-shqiptare, eksperimentale kinseglobaliste ballkanike dhe më tej… që “aleatët besnikë” evropianë e kanë për qëllim vetëm shkatërrimin e kombit më të lashtë dhe njëkohësisht më të ri në Evropë.
Por, tani e shtroj pyetjen që secilit shqiptar atdhetar; duhet t´ia vret ndërgjegjen: a mund ta durojmë gjatë këtë gjëmë që po i kanoset kombit tonë?! A mund të mos bëjmë diçka të mirë për atë të uruar Shqipëri-siç thoshin rilindësit tanë të mëdhenj?!
O, sot o kurrë!
Atdheu në rrezik!
Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!