Çfarë zbulon kjo situatë në veri të Kosovës!

11
Jun
2023


Shkruan: Sonila Meço

08/06/2023
Paska qenë Grali i Shenjtë brenda një casus belli të përhershëm. Ka pritur me durim Serbia çastin fatlum ku mund të rindizte prushin e ruajtur me aq kujdes për të marrë atë që e ka obsesionin e vet historik, Kosovën.
Por megjithëse në historinë e re, prej 10 vitesh, një marrëveshje mes Beogradit e Prishtinës nuk guxonte të shkonte deri tek Asosacioni, duke shmangur rindezjen e tundimeve të forta, tashmë Albin Kurti e ka vendosur mbi tryezën ndërkombëtare atë “përvëlim”, që nuk duhej të ish lejuar të prushonte, së pari nga ata që fituan luftën, por nënvlerësuan paqen.
Përtej kësaj, kryeministri shqiptar sot krejt pa asnjë dijeni të shqiptarëve, parlamentit, institucioneve dhe Kosovës zyrtare (lexo Kryeministrit Albin Kurti) ka dërguar një propozim për Asosacionin e Komunave Serbe në Kosovë.
Sipas tij (dhe vetëm kaq dimë) ky propozim i është dërguar Presidentit francez Macron dhe Kancelarit gjerman Scholz.
Rama sot deklaroi: “Dje i kam përcjellë Scholz dhe Macron një draft të asosacionit, për të cilin kam vënë në dijeni BE dhe SHBA, është punuar nga ekspertë europianë dhe amerikanë, gjë që është bërë pikërisht në rast se do të vinte kjo ditë, kur palët, dhe në këtë rast për mua i pakuptueshëm është pozicioni i Kosovës dhe jo i Serbisë.” dhe se “Kërcënimi për Kosovën është zero, që nga vitit 1999, është një kërcënim që ekzsiton vetëm në mendjen e politikanëve të Kosovës, që duan ta përdorin për politikën e brendshme. Serbia nuk ka mundësi që ti prekë Kosovës një qime floku.”
E para, kjo është si një përpjekje si ajo e atij, që pasi nuk bind dot askënd i bën lëmsh. Kush e ka hartuar draftin, europianë, amerikanë? Po pse e dorëzon dhe merr atributin e dorëzuesit Rama? Mos është në krye të ndonjë institucioni ndërkombëtar part time dhe nuk e dimë? Pse merr përsipër një detyrë kryeministri shqiptar pa ia kërkuar kush, përvetëson autorësinë dhe e mban sekret si të flitet për një festë surprizë për ditëlindjen e një ministri?
E dyta, që Asosacioni ishte aty si karta e fundit në Pokerin e Vučić me ndërkombëtarët këtë e di çdo shqiptar edhe me njohuri të mangëta gjeopolitike. Ndërkombëtarët kurrë nuk kanë ditur të garantojnë nëse zbatimi i Asosacionit nuk formon një Republika Srpska në Veri të Kosovës. As i dërguari i posaçëm amerikan Gabriel Escobar nuk e garantoi dot pak ditë më parë në intervistë për Die Presse austriak. Atëherë nga i paska garancitë Kryeministri Shqiptar se kjo nuk ndodh dhe se nje zbatim i Asosacionit pa kujdesin dhe miratim sa më të gjerë prej Kosovës së pari nuk do të shkaktojë situata të ngjashme me Bosnien e Qipron? Po sikur teksti mos qe i duhuri? Po sikur aty të prushonte algoritmi që shpie tek forcimi i pretendimit serb për Kosovën? Kush e garanton këtë, Rama? Vërtetë? Rama i Ballkanit të Hapur dhe “neutralit” në kohën e planit të shkëmbimit të territoreve? Atij që desh hodhi në gjyq Haradinajn? Apo që s’la media ndërkombëtare pa telendisur Kurtin?
E treta, patjetër Rama kupton Serbinë, por pse e ka të vështirë të kuptojë Kosovën për rrjedhim? Serbia nuk e lëshon Kosovën, konflikte të tilla ka disa Europa si çibanë. Dhe tek njëri madje kujdeset mos të afrohet as Amerikë e as Europë vetë Erdogani në Qipro. Dhe këtë ndërkombëtarët e dinë mirë. Rama e Vučić edhe më mirë. Atehëre pse nuk e kupton Kosovën kryeministri ynë? Mos donte të thoshte nuk e kuptoj Albinin, që nuk zgjedh sqetulla me parfume orienti e oksidenti nga ku të sigurojë pushtet të përjetshëm?
Dhe mbi të gjitha ku e ka kryeministri shqiptar merakun, të na e thotë publikisht: nuk ka besim se ndërkombëtarët e hartojnë pa ndërhyrjen e tij një draft për Asosacionin? Nuk ka besim tek amerikanët? Nuk ka besim tek kosovarët? Ka lobistë më të fortë se Blinken, Macron e Scholz?
Apo synon ndonjë Nobel Paqeje a drejtimin e ndonjë institucioni ndërkombëtar dhe i duhet një kontribut sado modest në procesin e paqes në Ballkan???

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 11/06/2023

© 2016 - 2023 | DIPLOMACIA.dk