Ahmet Qeriqi: Cilat marrëveshje i kishin nënshkruar me Serbinë e Pashiqit, Ahmet Zogu, Esad Pashë Toptani, Ceno beg Kryeziu?
Ky studim nuk po ribotohet me qëllim të demaskimit apo demonizmit të arritjes së ndonjë marrëveshjeje të Kosovës me Serbinë, sepse sot raportet shqiptare-serbe nuk janë si ato të kohës së Esad Pashë Toptanit, Ahmet Zogut, të Fadil Hoxhës e të Ali Shukriut. Faktori shqiptar në Ballkan sot është shumëfish më i fortë më i mobilizuar dhe më i fuqishëm sesa ishte në të kaluarën. Qëllimi i risjelljes së kujtesë të tradhtisë së madhe kombëtare të Ahmet Zogut e Esad Pashës, e disa të tjerëve ka të bëjë me faktin se shtatorja e Ahmet Zogut ndodhet në qendër të Tiranës dhe pikërisht për këtë duhet të botohen shkrime e studime, me qëllim të freskimit të kujtesës dhe mos-harrimit të së kaluarës, gjithnjë duke sjellë fakte e dëshmi të cilat janë kokëforta dhe nuk i nënshtrohen të ashtuquajturit rishkrim e ritushim të historisë, në kushte dhe rrethana të tjera, sikur ndodh sot.
Nuk është për t’ u çuditur përse Beogradi nuk heq dorë nga Kosova, edhe pas luftës tonë fitimtare dhe pas humbjes së turpshme të ushtrisë dhe policisë serbe në Kosovë. Mendësia kolonizuese dhe hegjemoniste serbe pretendon me çdo kusht ta rikthejë, në mos pushtimin klasik në Kosovë, atëherë “epokën” e liberalizmit të ashtuquajtur politik, të kohës së bashkim vëllazërimit, kur mjerisht jo vetëm politika zyrtare marionete e Kosovës, por edhe një pjesë e hutuar nga radhët e popullatës shqiptare ishte bërë digë e fuqishme e bashkim vëllazërimit dhe jugosllavizimit, përbashkësisë me Serbinë, duke “lidhur” fatin me popujt sllavë, me të cilët nuk i lidhte asgjë e përbashkët, as gjuha, as kultura, as feja, përveç armiqësia e pandërprerë gjatë 13 shekujve të kaluar.
Shumë vjet pas luftës në Kosovë, ish klasa e klonuar e bashkim vëllazërimit ende i ka mbetur besnike politikës së moçme të jugosllavizmit, dhe kurrsesi nuk po mund të pajtohet me humbjen dhe dëbimin e përjetshëm të sundimit serb nga Kosova. Në dukje kemi të bëjmë me një shëmti të sëmurë, morbide, por në esencë pas tërë kësaj fshihet edhe një dredhi tipike e sundimtarëve serbë të Beogradit dhe vasalëve të tyre shqipfolës, të cilët i kemi me bollëk në vendin tonë, meqë 87 vjet të sundimit mizor serb e kanë bërë të veten.
Një segment i bashkëpunimit të disa bajraktarëve shqiptarë me serbët ka ekzistuar në kohë dhe rrethana të caktuara, madje qysh në të kaluarën jo aq të afërt. Dihen lidhjet antishqiptare që ka pasur me Serbinë, Esad Pashë Toptani, Ceno Beg Kryeziu, Ahmet Zogu, sikur është edhe marrëveshja për vasalitetin e plotë të Shqipërisë e nënshkruar nga Pashiqi dhe Zogu në gusht të vitit 1924 dhe e publikuar shumë vonë.
Të shohim cilat kushte i parashihet Marrëveshja Nikolla Pashiç – Ahmet Zogu e gushtit të vitit 1924 )….
Kjo marrëveshja theksonte:
“1. Shqipëria impenjohet t’i bashkohet Jugosllavisë me bashkim personal.
Kryetar i shtetit shqiptar do të jetë Ahmet Zogu, që më vonë do të njoh dinastinë Karagjorgjeviq.
Qeveria Jugosllave, me gjithë mjetet diplomatike dhe ushtarake, do të njoh Ahmet Zogun si kryetar shteti …dhe i atribuon me një herë një kontribut vjetor të shtetit.
Ministria e Luftës Shqiptare do të anulohet dhe Shqipëria heq dorë që të ketë një ushtri Kombëtare.
Shqipëria do të mbajë një xhandarmëri aq të fortë sa të mbaj qetësinë e brendshme të vendit për të ndaluar e shfarosur çdo lëvizje të ngritur kundër Ahmet Zogut dhe kundër regjimit të vendosur prej tij.
Në këtë xhandarmëri do të bëjnë pjesë edhe oficerë rus të ish ushtrisë të Gjeneralit Vrangel që tashti ndodhet në Jugosllavi. Qeveria Jugosllave do të mbajë atë xhandarmëri me mjete financiare dhe armë.
Në xhandarmëri mund të hyjnë për të shërbyer edhe oficerët jugosllavë dhe të tjerë që qeveria Jugosllave do të pranojë në interes të dy vendeve.
Midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë do të stabilizohet një bashkim doganor në bazë të së cilës akordohet liri e plotë e importimeve dhe eksportimeve të mallrave të dy vendeve. Edhe transiti nëpërmes kufijve të dy vendeve do të jetë i lirë për ushtarët e dy vendeve. 9. Përfaqësuesit e jashtëm Jugosllavë do të ngarkohen edhe për interesat e Shqipërisë, e cila heq dorë që të mbajë zyra diplomatike dhe konsullata të saja jashtë shtetit.
Qeveria shqiptare duhet të deklarojë pranë Konferencës të Ambasadorëve në Paris që tërheq pretendimin e saj për sovranitetin mbi Manastirin e Shën Naumit dhe Lokalitetet e Vermoshit e Kelmendit që mbeten në zotërimin e Jugosllavisë.
Kisha Ortodokse Shqiptare do të tërhiqet nga Patriarku i Kostandinopojes dhe të bashkohet Hierarkisë Ortodokse të Beogradit, kështu dhe Myftinia Myslimane Shqiptare, do të varet nga ajo Jugosllave.
Qeveria shqiptare do të heqë dorë nga një politikë ngushtësisht kombëtare dhe nuk do të interesohet për elementin shqiptar jashtë kufijve të veta. Ajo impenjohet veç kësaj që të mos pranojë në tokën e saj kosovarët dhe elemente të ditur dhe të dyshimtë dhe segmentet e tyre kundërshtare të politikës jugosllave.
Për çdo koncesion që Shqipëria do të bëjë vendeve të tjera, ajo është e detyruar të marrë pëlqimin nga Jugosllavia.
Në qoftë se Jugosllavia është në luftë me Bullgarinë dhe Greqinë, Qeveria Jugosllave, do të ketë të drejtën të rekrutojë në Shqipëri një ushtri prej 25 mijë vullnetarësh me qëllim për t´i përdorur në frontin bullgaro-grek. Në rast gjendje lufte midis Italisë dhe të Greqisë kundrejt Shqipërisë, ushtria, jugosllave do të ketë të drejtë të okupojë gjithë tokën shqiptare për t’i siguruar kështu Shqipërisë gjithë tokën e saj nga invadimi eventual italian ose grek.
Qeveria Shqiptare nuk mund t´i deklarojë luftë asnjë shteti pa pëlqimin preventiv të Jugosllavisë.
Ky traktat është sekret dhe nuk mund të zbulohet e të shtypet pa pëlqimin e dy palëve”.) ( Shyqri Hysi: Marrëveshja Nikolla Pashiç – Ahmet Zogu e gushtit të vitit 1924 )….
Marrëveshja Nikolla Pashiq – Esat Pashë Toptani e 17 shtatorit të vitit 1914
Pasi që me dëshirën e zotit të dy popujt, serb dhe shqiptar e banojnë një territor, vetvetiu janë të detyruar nga ngjarjet historike të jetojnë në paqe dhe miqësi, të ndihmohen reciprokisht dhe bashkërisht të mbrohen. Që të plotësohet dëshira e zotit dhe urtësia politike, paria – përfaqësuesit e të dy popujve janë pajtuar ta bëjnë këtë marrëveshje:
1 Serbia dhe Shqipëria lidhin midis tyre paqe të përjetshme dhe miqësi. Do t´i shmangen si njëra ashtu edhe tjetra që të mos ofendojnë dhe dëmtojnë interesat dhe nderin e palës tjetër.
Serbia dhe Shqipëria marrin mbi vete detyrë dhe obligime, që prej tani mos të bëjnë marrëveshje me cilin do shtet tjetër në dëm të interesave dhe zhvillimit të palës tjetër, dhe kurrë me askënd mos të bëjë marrëveshje kundër mikut dhe aleatit të vet.
Serbia merr mbi vete obligim ta ndihmojë rregullimin e Shqipërisë në frymën e vetive popullore dhe të nevojave të kombit shqiptar, duke pasur parasysh veçoritë e fiseve që janë zhvilluar gjatë historisë.
Po ashtu Serbia merr mbi vete obligim ta ndihmojë formimin e Këshillit Kombëtar Shqiptar, ku do të jenë të përfaqësuara të gjitha fiset. Këshilli do të ketë fuqi ligjdhënëse dhe do t´i emërojë gjyqtarët e popullit.
Të dy palët janë dakorduar që për sundimtar të Shqipërisë ta njohin atë shqiptar, të cilin do ta zgjedhë Kuvendi i madh popullor i përbërë nga dy përfaqësues të fiseve më të mëdha dhe nga një i fiseve më të vogla.
Nëse do të zgjidhet Esat Pasha, ose çdo shqiptar tjetër i aftë dhe i denjë, atëherë të dy palët obligohen që bashkërisht t´i nxjerrin tre kandidatë dhe atë që do ta zgjedhë Këshilli i madh popullor, atë ta njohin dhe ta përkrahin të dy palët.
Për t´u siguruar miqësia e përjetshme dhe aleanca midis Serbisë dhe Shqipërisë, ata që tani janë dakorduar për doganën e përbashkët, mbrojtjen e përbashkët, përfaqësinë e përbashkët ndaj vendeve tjera si dhe për mjetet e përbashkëta të komunikacionit.
Nëse e kërkon nevoja, për ruajtjen e miqësisë dhe aleancës së përbashkët si dhe kontakteve të drejtëpërdrejta për mbrojtjen e të dy shteteve, do të themelohet me kohë një trup i përbashkët që do të kujdeset për zhvillimin dhe ekzistimin e enteve të përbashkëta.
Krerët shqiptarë marrin mbi vete obligim se në territorin e vet nuk do të durojnë kurrfarë agjitacioni kundër Serbisë dhe qetësisë së saj, dhe se do t´u lejojnë të krishterëve predikimin e lirë të besimit dhe mësimit në dialektin me të cilin flasin.
Kufiri definitiv midis Serbisë dhe Shqipërisë do të caktohet nga një komision që do të përbëhet nga një numër përfaqësuesish serbë e Shqiptarë.
Shqipëria merr mbi vete obligim se nuk do t´i kundërshtojë Serbisë në ndërtimin e hekurudhës së Adriatikut deri në Durrës, pasi që kjo të marrë obligim që t´ua kompensojë pronarëve për tokën që ua merr për nevoja të hekurudhës.
Që të mund t´i paguaj shpenzimet rreth sendërtimit të kësaj marrëveshjeje Serbia obligohet të japë nga 50. 000 dinarë në muaj, deri sa të zgjidhet sundimtari. Pasi të zgjidhet ky, do të bëhet një marrëveshje e posaçme për pagesën e shpenzimeve për nevoja të enteve të përbashkëta.
Ushtria serbe nuk guxon të kalojë kufirin serbo – shqiptar, po ashtu edhe ushtria shqiptare, ose njerëz të armatosur, nuk guxojnë të kalojnë në tokat e Serbisë.
Kjo marrëveshje është arritur tani midis përfaqësuesve të Serbisë dhe përfaqësuesit të Shqipërisë Esat pashës, kurse më vonë do të vërtetohet nga sundimtarët e Serbisë dhe të Shqipërisë, kur të zgjidhet ky.
Përfaqësuesi i Shqipërisë, Esat Pasha, pranon mbi vete obligimin se nuk do të punojë asgjë kundër përmbajtjes së kësaj marrëveshjeje dhe se gjithnjë në marrëveshje dhe me besnikëri do të punojë me përfaqësuesin e Serbisë, pa marrë parasysh se kush do të caktohet nga ana e Serbisë.
Në Nish, më 4 (17) shtator 1914.
Në emër të Shqipërisë dhe të popullit shqiptar Esat Toptani. Teksti i marrëveshjes është shkruar në turqisht me shkrim arab, kurse nënshkrimi i Esatit është në latinisht. Po ashtu një kopje është edhe në serbisht.
Marrëveshja Toptani- Jovanoviq, më 27 qershor 1915
I Qeveria mbretërore serbe do të veprojë në atë drejtim, që asnjë fuqi e jashtme mos ta pushtojë Shqipërinë, dhe nuk do ta lejojë copëtimin e saj, por ajo të mbetet si tërësi shtetërore, e cila për jetë do të jetë në aleancë dhe bashkësi me Serbinë në bazë të marrëveshjes së mëparshme, si dhe në bazë të dispozitave të këtij protokolli.
II Pasi që kufijtë midis Serbisë dhe Shqipërisë nuk janë të natyrshëm, por janë vendosur sipas dëshirës së Austrisë e cila ka dëshiruar të krijojë konflikte dhe shqetësime të përhershme midis këtyre dy shteteve fqinjë. Kufiri i tanishëm do të përmirësohet, kështu që Serbisë do t´i takojnë Pogradeci me rrethet e Gollo Brdos, Malësia e Dibrës, Luma dhe Hasi deri në Spaç. Derisa ky kufi i ri të mos caktohet nga fuqitë ndërkombëtare, Serbia në viset e përmendura do të mundet me vendos pushtetin e saj.
III Ekselenca e tij Esat pashë Toptani do ta kryejë sa më parë organizimin e pushtetit në Shqipëri, do të formojë komuna, nahi (rrethe) dhe qarqe, duke pasur parasysh sa të jetë e mundur ndarjen e vendit nëpër fise. Do të emërojë për nëpunës njerëz të vet e miq të Serbisë. Serbia do t´i vejë në dispozicion njerëzit e saj për këtë punë.
IV Ekselenca e tij Esat pasha do të fillojë menjëherë organizimin e ushtrisë dhe xhandarmërisë. Për udhëheqës dhe instruktorë të ushtrisë dhe xhandarmerisë qeveria mbretërore serbe do të vejë në dispozicion njerëz të vet, si dhe një numër të konsideruar xhandarësh.
V Pasi ta kryejë organizimin e komunave, rretheve dhe qarqeve E.T Esat pasha do të fillojë zgjedhjet e deputetëve për kuvend dhe do të kujdeset që në Asamble të vijnë njerëz të besueshëm dhe ithtarë të tij dhe të Serbisë. Në këtë punë Serbia do ta ndihmojë Esat pashën.
VI Po sa të bindet se e ka shumicën e ithtarëve E.T Esat pasha do të konvokojë mbledhjen e Asamblesë, e cila do ta zgjedh për sundimtar me titull princ.
VII Sa të zgjedhet për princ, Esat pasha do t´i paraqesë Asamblesë projekt Kushtetutën e Shqipërisë, e cila më herët do të përgatitet në marrëveshje me qeverinë mbretërore të Serbisë. Pasi që Asambleja ta aprovojë Kushtetutën, Esat pasha do ta formojë qeverinë nga njerëzit që përkrahin idenë e bashkimit serbo – shqiptar.
VIII E.T Esat pasha obligohet që pas kësaj, në momentin e përshtatshëm ta aplikojë në jetë, me anë të Asamblesë unionin real me Serbinë, sipas të cilit Serbia dhe Shqipëria do të kenë ushtri të përbashkët, union doganor, përfaqësues të përbashkët jashtë vendit, entet e përbashkëta të tregtisë dhe komunikacionit, një sistem financiar dhe bankën popullore. Gjyqet, arsimi, punët fetare, taksat dhe të ardhurat tjera të dedikuara për nevoja të enteve të veçanta shqiptare, do të jenë thjesht shqiptare.(Esat pasha do të mundet lirisht të qeverisë me punët e brendshme).
IX Deri sa të arrihen këto, Esat pasha do t´i marrë në duar të veta të gjitha doganat, kurse për drejtor do ta pranojë një nëpunës të doganës serbe, i cili tani do ta zbatojë sistemin turk, e më vonë do ta rregullojë doganën sipas ligjeve serbe, që të mund t´i dakordojë legjislacionin doganor serb.
X Pasi të kryhen të gjitha këto që u përmendën, do të realizohet unioni doganor. Nëse më vonë nuk aprovohet marrëveshje e re, që me të ardhura doganore e të tjera të përbashkëta të plotësohen shpenzimet e përbashkëta (ushtria, përfaqësitë jashtë vendit etj), të ardhurat doganore do të ndahen sipas destinimit të mallit, pasi të heqjen shpenzimet e regjisë.
XI Që të mund të sigurohet komunikacioni sa më i plotë ekonomik midis Serbisë dhe Shqipërisë, Esat pasha do të kujdeset që më vonë t´i përshtatë shpenzimet monopolike dhe të taksave në atë mënyrë që të dakordohen me ligjet serbe mbi monopolet dhe taksat (brenda mundësive).
XII Me kërkesën e E.T Esat pashës qeveria mbretërore serbe do t´i vejë në dispozicion ekspertët që do t´i ndihmonin ta zbatojë dhe përsosë organizimin e qeverisjes dhe të enteve të nevojshme për shtetin shqiptar.
XIII Për të bërë të mundur një komunikacion sa më të fortë midis Serbisë dhe Shqipërisë, menjëherë do të fillojë ndërtimi i rrugës prej kufirit serb gjer në Elbasan, e prej andej një vijë do të shkojë për në Durrës, kurse tjetra për në Tiranë.
XIV Ndihmën që qeveria mbretërore serbe ia ka dhënë, ose pas tashti do t´ia japë Esat pashës, shkon në llogari të borxheve të Shqipërisë.
XV Gjatë kohës së punëve të përmendura (gjersa të gjitha punët mos të kryhen), ushtria serbe do të mbetet në Elbasan, eventualisht edhe në Tiranë. Kur të paraqitet nevoja e të lejojnë kushtet, ajo në marrëveshje me Esat pashën dhe komandantin e ushtrisë serbe do të ndërmarrë ndjekjen dhe shpartallimin e kundërshtarëve të vet dhe të Esat pashës, duke bërë lëvizje sipas marrëveshjes reciproke.
XVI Nëse E.T Esat pasha heton se Italia mendon ta okupojë Durrësin, menjëherë për këtë do ta lajmërojë qeverinë mbretërore serbe dhe do të thërras ushtrinë mbretërore serbe, që në emër të tij ta okupojë Durrësin, para se Italia ta bëjë këtë.
XVII Nëse E.T Esat pasha e sheh të nevojshme të kërkojë një numër ushtarësh serb, të cilët si xhandarë do t´i mbajë në Durrës, komandanti i ushtrisë serbe do t´i vejë në dispozicion.
Kryetari i qeverisë Esat Pasha
Edhe kjo marrëveshje është shkruar në turqisht me shkrim arab, si dhe në gjuhën serbe. Në këtë marrëveshje Esat pasha me dorë të vetë e ka shkruar këtë vërejtje: ”Qukësi do të mbetet jashtë kufirit të përmendur, dmth mbetet i Shqipërisë.”
Esat Toptani është mbase ndër të vetmit tradhtarë, të rangut të lartë, i cili mori plumbin, në momentin e duhur nga atdhetari dhe revolucionari, Avni Rrustemi. Plumbin në ballë e kishte marrë edhe ambasadori i Jugosllavisë në Pragë, Ceno beg kryeziu. Ahmet Zogu me shputën e tij dhe me arkën e Shtetit kishte ikur përgjithmonë nga Shqipëria dhe kishte vdekur përgjithmonë edhe në historinë e lavdishme të popullit shqiptar.
Marrëveshja e Ceno beg Kryeziut me Qeverinë jugosllave
Disa të dhëna jo sa duhet të njohura për opinionin tonë lexues, lidhur me studimin e historianit, Zhivko Avramovski të titulluar: “Aksioni i Qeverisë jugosllave kundër regjimit të Zogut në Shqipëri përmes Ceno Beg Kryeziut (1926/1927)”. Ky studimi i historianit Zhivko Avramovski është botuar për herë të parë në “Gjurmime Albanologjike II”, në Prishtinë, në vitin 1965.
Cili ishte Ceno beg Kryeziu, sipas Zhivko Abramovskit
Ceno begu ishte djali i Hysein beg Kryeziut, i lindur në Gjakovë nga familja feudale e kryezinjve, që i përkisnin fisit të Bizhuzve. Shkollimin e kishte kryer në Turqi, ndërsa me rastin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912, Ceno begu iu bashkohet radhëve të Esat Pashë Toptanit, i cili për veprën e tij tradhtare në shërbim të Jugosllavisë vritet në Paris, nga heroi i kombit, Avni Rrustemi.
Në kohën derisa Esad Pashë Toptani kishte ndarë për vete Shqipërinë e mesme, ndërsa veriun ia premtonte Jugosllavisë, e jugun Greqisë, Ceno begu ishte kryetar i rrethit në Krumë. Në vitin 1918 emërohet kryetar komune në Gjakovë, si njeri tejet i besuar i forcave okupatore jugosllave, pasi që serbëve iu kishte kryer shërbime edhe gjatë kohës së fundit të sundimit turk. Me qëllim për të përfituar favore politike, martohet me motrën e Ahmet Zogut.
Në kohën e Revolucionit Demokratik të Fan Nolit, në qershor të vitit 1924, Ceno begu së bashku me Ahmet Zogun dhe disa oficerë si: Marka Gjoni, Zef Ndoci, Maliq Bushati, Luigj Shantoja, Tafë Kaziu e të tjerë, ikin në Jugosllavi, ku kërkojnë azil politik për një kohë të caktuar dhe ndihmë ushtarake, për t’u rikthyer sërish në Shqipëri.
Marrëveshja e Pashiqit me Zogun në Beograd
Duke qenë në pozitë inferiore, Ahmet Zogu gjatë qëndrimit në Beograd, lidh një marrëveshje me Nikolla Pashiqin. Të gjitha pikat e kësaj marrëveshjeje, të lidhur në gusht të vitit 1924, ishin poshtëruese, fyese dhe diskredituese për kombin dhe shtetin shqiptar. Në pikën e parë të marrëveshjes thuhet: Shqipëria angazhohet t’i bashkohet Jugosllavisë me bashkim personal. Kryetari i shtetit shqiptar do të jetë Ahmet Zogu, që më vonë do ta njohë dinastinë e Karagjorgjeviqëve. Në radhët e xhandarmërisë së Shqipërisë të ketë edhe një xhandarmëri serbe, ku do të bëjnë pjesë edhe oficerë rusë e të tjerë. Qeveria jugosllave do ta mbante atë xhandarmëri me armë dhe mjete financiare. Ahmet Zogu ndër të tjera obligohet që të mos interesohej për elementin shqiptar jashtë kufijve të vetë. (Arkivi Qendror i Shtetit, fondi 251, dosja 105, viti 1924, interpretuar nga libri i Faton Mehmetajt Veprimtaria kriminale e “Dorës së Zezë” serbe në trojet shqiptare, Prishtinë, 2004,f.207).
Intervenimi i mercenarëve serbë e pro serbë kundër Qeverisë Demokratike të Nolit, në dhjetor të vitit 1924
Me qëllim të interevnimit ushtarak në Shqipëri, Ahmet Zogu bisedon me gjeneralin Terziq, i cili ishte komandant i Zonës së tretë Ushtarake në Shkup. Merecenarët kryesorë në këtë shtab ishin: Ceno beg Kryeziu, Gjilardi, Muharrem Bajraktari, Abdurrahim Krosi, Llesh Topallaj e të tjerë. Ata u shpërndanë për të rekrutuar mercenarë me nga 4 napolona flori në muaj. Mercenarët vinin nga Gjakova, Prizreni, Peja, Dibra etj.( cituar sipas Faton Mehmetajt).
Asokohe Bajram Curri informohej nga Gjakova se, Ceno Crnogllaviqi, ka sjellë 1 milionë e gjysmë dinarë, i cili ka fillue t ua shpërndajë mercenarëve. Përveç kësaj ushtria jugosllave ka pru edhe armë e municion, të cilat do t u shpërndahen njerëzve që po regjistrohen.
Më 4 dhjetor Ceno begu ishte nisur në Gjakovë, me një shumë të konsiderueshme të hollash. Ai, me shumë sukses po organizonte mercenarë. Më 8 dhjetor 1924 Prefektura e Kosovës në Shqipëri njoftonte se forcat mercenare do të mësyjnë. Topat janë me ngjyrë të bardhë dhe janë nën komandën e Gjon Fushës. Edhe Alush aga do të mësyjë nga Topojani, Muherrem Neziri nga ana e Morinës përmbi Kukës dhe i vëllai i Ceno begut do të mësyjë nga Zogaj dhe nga Qafa e Prushit… Bahri Begolli ka shkrue 500 veta ( mercenarë). Të gjitha këto fuçina janë nën komandën e Ceno begut. Topxhinjtë janë ushtarë të serbit ( cituar sipas librit Veprimtaria kriminale….. shkruar nga Faton Mehmetaj).
Për shkak të meritave të tij në likuidimin e kundërshtarëve politikë dhe në vrasjen e Bajram Currit, në dimrin e vitit 1925, Ceno begu gradohet kolonel dhe emërohet komandant i Garnizonit ushtarak në Shkodër. Ndërkohë, Ahmet Zogu e emëron ministër të Punëve të Brendshme.
Asokohe pasi kishte kryer me sukses detyrat kundër kombit, Ceno beg Kryeziu, njoftonte Aleksander Karagjorgjeviqin dhe Nikolla Pashiqin, se kishte likuiduar Bajram Currin, Luigj Gurakuqin, Zija Dibrën e të tjerë.
A po e shihni, e mbajta premtimin, i mbyta vetë Gurakuqin, Bajram Currin, Zija Dibrën,( radi nasheg i vasheg mira) për paqen tonë dhe Tuajën
( Ora e Shypnisë, cituar sipas F. Mehmetaj).
Përçarja në mes të Ahmet Zogut dhe Ceno beg Kryeziut
Pasi që Ahmet Zogu kishte konsoliduar pushtetin e tij represiv, për të përfituar masat, dhe për të larë me aq sa ai mendonte se mund të lahej turpi i bashkëpunimit me Beogradin, ai vendos t’i ndërpres marrëdhëniet me Jugosllavinë, duke kalkuluar afrimin e mundshëm, por edhe të sigurt me Italinë. Mirëpo këtë veprim e kundërshton tinëzisht Ceno beg Kryeziu, i cili ishte agjent i fshehtë i shërbimit jugosllav. Ai kishte denoncuar edhe të deleguarin special të Beogradit në Tiranë, Branko Llazareviq, të cilin Pashiqi e tërheq nga Tirana. Bashkëshortja e Llazareviqit, asokohe kishte zbuluar se Ceno begu ishte agjent i Beogradit dhe përmes atyre të dhënave të besueshme e kishte denoncuar publikisht.
Raportin lidhur me këtë zbulim e kishte dërguar në Beograd më 16 qershor të vitit 1926 ministri i Ushtrisë dhe i Marinës, z. Diniq.
Pasi kishte mësuar këtë lajm, Ahmet Zogu propozon që Ceno beg Kryeziu të dërgohet ambasador i Shqipërisë në Beograd. Duke qenë se Ceno beg Kryeziu qe zbuluar, ai shpreh shqetësimin e tij për largim nga Shqipëria, në një kohë kur lakmonte se me mbështetje ushtarake nga Jugosllavia do t ia rrëmbente pushtetin Ahmet Zogut.
Ceno begu ambasador i Shqipërisë në Beograd
-Ti e di se në prezencë të Ahmet Zogut kam qenë i detyruar t’i pranoj të gjitha. Unë nuk kam guxuar ta refuzoj agremanin, dhe sikur të mos e pranoja këtë, Branko Llazareviqi do të më denonconte para Zogut. Më vonë Branku më jep agremanin, duke kërkuar nga unë që kur të shkoj në Beograd të punoj për të.
-Dhe çfarë bëri Beogradi me atë agreman?- pyet Diniqi.
-Me të jam varrosur, sepse të gjitha depeshet e mia të fshehta i janë dërguar Italisë. Çfarëdo të ndërmerrja nesër në Shqipëri, ata do të reagonin, sepse në depeshet Tuaja vërtetohej se jam njeriu juaj besnik. Ndërsa në sytë e nacionalistëve shqiptarë, unë kam humbur shumë, sepse pas atyre depesheve të gjithë nacionalistët shqiptarë tani më konsiderojnë si agjent të Serbisë.
. Në pyetjen e Diniqit se a është ende Ceno begu “ai i moçmi” dhe a mund të llogarit ende në shërbimet e tij për Beogradin, Ceno begu përgjigjet:
-Beogradi më ka shkatërruar, por unë betohem në atë, që është më e shenjtë, betohem në eshtrat e babait tim, se kundër Beogradit kurrë nuk do të veproj. Tash mund ta them këtë, ndërsa deri në cilën kohë Beogradi mund të llogaritë në mua, për këtë as do të flas, as do të shkruaj, sepse kam frikë, pasi që këtu te ju edhe gratë i dinë fshehtësitë. Nëse mund ta shoh edhe një herë Shkelqësinë tij të nderuar, Kralin, vetëm atij do t’ ia bëj të ditur ndjenjat që ushqej për të dhe mendimet e mia.
Ky dialog është interpretuar nga studimi i historianit Zhivko Avramovski titulluar Aksioni i Qeverisë jugosllave kundër Ahmet Zogut përmes Ceno beg Kryeziut, botuar në gjuhën serbe, në Gjurmime Albanologjike 2, Prishtinë 1965, f. 233.
Ahmet Zogu kundër Ceno Beg Kryeziut, prishja e marrëdhënieve shtetërore Shqipëri-Jugosllavi
Duke ditur mirë dhe duke dyshuar thellë në bashkëpunimin e Ceno begut me Beogradin, Ahmet Zogu përmes një preteksti diplomatik, meqë nuk posedonte leje të rregullt qëndrimi, burgos përkthyesin, (dragomanin) Vuk Gjurashkoviq, tek i cili gjenden të gjitha dokumentet komprometuese për Ceno begun. Burgosja e Gjurashkoviqit nxit disa nota protestuese të Beogradit drejtuar Tiranës, me kërkesë që Gjurashkoviqi të lirohej përnjëherë dhe t’i kërkohej falje për një veprim të tillë. Ahmet Zogu, meqë asokohe kishte trashur miqësinë me Italinë, tanimë nuk i frikësohej Jugosllavisë. Më 12 qershor të vitit 1927 Jugosllavia ndërpret të gjitha marrëdhëniet me Shqipërinë dhe kërkon tërheqjen e personelit të Ambasadës. Ceno begut nuk i shkohej në Tiranë. Gazetat shkruanin se ai do të kërkonte azil politik në Jugosllavi.
Ceno beg Kryeziu, më 15 korrik të atij viti, me rastin e nisjes për në Durrës jep një deklaratë për shtypin jugosllav, në të cilën thuhej:
-Me zëmër të thyer po e lëshoj Beogradin. Ju e dini sesa kam punuar për të mos ardhur deri te ndërprerja e marrëdhënieve diplomatike… Por edhe pas të gjitha këtyre që kanë ndodhur, ju lutem, shënojeni, se edhe më tej mbetem miku juaj besnik, ashtu sikur kam qenë gjithmonë, dhe shpresoj se së shpejti do të jem në Beograd.
Pas kësaj deklarate, e cila u botuar në gazetën “Politika” të 15 korrikut të vitit 1927, Ceno begu nga Dubrovniku arrin në Durrës.
Rivendosja e marrëdhënieve dhe vrasja e Ceno begut në Pragë
Njëzet ditë më vonë katër fuqitë e mëdha: Anglia, Italia, Gjermani dhe Franca detyrojnë Shqipërinë ta lirojë nga burgu Gjurashkoviqin, ndërsa detyrojnë edhe Jugosllavinë që ta tërheqë notën, e cila çoi në ndërprerjen e marrëdhënieve bilaterale në mes të dy vendeve. Më 4 gusht 1927, rivendosen marrëdhëniet në mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë. Ambasador i Shqipërisë në Beograd emërohet Tahir Shtylla, njeriu që kishte zbuluar lidhjet e Ceno begut me Beogradin, ndërsa në Tiranë emërohet ambasador, Milivoje Milçiç. Pas rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike, ambasadori i Shqipërisë Tahir Shtylla premton se së shpejti në Beograd do të kthehet Ceno begu, i cili ndërkohë kishte shkuar në Pragë, ku do të dorëzonte letrat akreditive për Çekosllovakinë dhe ku pritej të emërohej ambasador.
Më 14 tetor të vitit 1927, derisa po dilte nga një restorant i Pragës, Ceno begun e vret me revole, studenti, Alkibijad Bebi, një bursist shqiptar, i cili kishte ndjekur dhe kishte ndjekur hap pas hapi Ceno begun edhe gjatë qëndrimit të tij në Beograd, duke u paraqitur si kandidat për t’ u regjistruar në ndonjë fakultet. Agjentët serbë e kishin arrestuar si të dyshuar mirëpo e kishin liruar në mungesë të fakteve, meqë ai nuk e zbulon qëllimin e tij. Pas kryerjes së atentatit në Pragë, Alkibijad Bebi nuk ikë, por iu dorëzohet organeve policore. Në pyetjen për se a e kishte kryer atentatin dhe kush qëndronte pas tij, ai përgjigjet:
E kam vrarë Ceno begun, sepse ai është serbofil, i cili ka bërë përpjekje për t’ia shitur Shqipërinë Jugosllavisë.
Pashiqi kishte planifikuar dhe organizuar hakmarrjen për mikun e tij besnik dhe të devotshëm. Kishte gjetur në Kosovë një bastard tjetër, të cilin e kishte paguar me dukat, dhe të cilin e kishte dërguar me aeroplan special në Pragë. Me ndihmën e agjentëve çekë, agjentët serbë e kishin futur në sallë Zijah Vushtrrinë, apo Zeqirin ( sipas Avramovskit), për të cilin thuhej se kishte qenë truproje e Ceno begut. Në kohën kur kishte filluar seanca e gjykimit kundër Alkibijad Bebit, i cili nuk e kishte ndërruar deklaratën as para trupit gjykues i afrohet afër me revolen e mbushur, vegla e verbër e Pashiqit. Derisa Alkibijad Bebi para trupit gjykues ripohonte se veprën e kishte kryer nga patriotizmi dhe jo i shtyrë nga askush, në një moment, vegla çorre e Pashiqit nxjerr revolen dhe para trupit gjykues vret Alkibiad Bebin. Autoritetet jugosllave intervenojnë tek autoritetet çekosllovake dhe përnjëherë e lirojnë nga arresti vrasësin, të cilin nën masa të rrepta sigurie e kthejnë në Kosovë, për të kryer edhe shërbime të tjera bastarde. Ahmet Zogu dërgon njerëzit e vet, dhe nga Praga e sjell në Tiranë motrën e vet dhe djalin e Ceno begut.
Shyqri Hysi: Marrëveshja Nikolla Pashiç – Ahmet Zogu e gushtit të vitit 1924.
Skënder DEMALIAJ: Konferenca e Bujanit – Ngjarje e ndritshme në historinë e Kosovës.
Gazeta 55″, 13. 5. 1999).
Radio-Kosova e lirë “Nostalgjikët e Titos, edhe 25 vjet pas vdekjes, i mbesin besnikë rrugës së bashkim vëllazërimit”.
Zhivko Abramovski: “Aksioni i Qeverisë së Jugosllavisë kundër regjimit të Zogut në Shqipëri, përmes Ceno Beg Kryeziut”, Gjurmime Albanologjike, II, Prishtinë, 1965.
Dokumenti sekret AVII mikrofilm në IDN raporti i Diniqit etj.
Politika, Beograd, 15 korrik 1927.
AVII, 17, 61g, 1, 14, Elaborat “Albanija izmedu dva rata”
Faton Mehmetaj: “Veprimtaria kriminale e “Dorës së Zezë” serbe në trojet shqiptare”, Prishtinë, 2004.