Ç’MË DUHET MUA, SE Ç’BËJ UNË ?!

06
Sep
2023
Shkruan: Gjon Bruçi


-Gazeta SOT, 6 Shtator 2023-
Titullin e shkrimit e mora nga një batutë e Ushtarit të Mirë Zhvejk, personazh i romanit me të njëjtin titull, i shkrimtarit çek, Jarosllav Hashek, përkthyer në gjashtëdhjetë gjuhë të botës. Përmbajtja e romanit, – një koleksion i papërfunduar i incidenteve absurde të një ushtari të luftës së Parë Botërore. Shkak për t’u rikthyer tek Zhvejku, u bë fjalimi i Kryeministrit tonë në Asamblenë e PS të datës 4 Shtator 2023. Batutat që ai hodhi, apo përsëriti në atë fjalim, kishin mjaft ngjashmëri me Zhvejkun historik, i cili, ashtu si Don Kishoti dhe personazhe të tjerë të mesjetës së hershme e të vonë, na çfaqen edhe sot, kur jemi në dekadën e tretë të shekullit XXI.
Fjalimi prej 90 minutash, i Kryeministrit Rama, mbajtur në mbledhjen e shumëpritur të Asamblesë së Partisë Socialiste, kishte vetëm dy probleme: Turizmin me sukseset e mahnitshme, dhe Drejtësinë, me shenjat e dukshme të një suksesi të shpejtë e të plotë. Për të parën, me një ligjëratë super, afishoi para “asambleistëve” socialistë sukseset në fushën e turizmit, sektor që këtë vit e ka çuar namin e Shqipërisë edhe në kontinentin më të largët. Mijërat e turistëve nga të katër anët e botës u lëshuan kësaj vere mbi resurset turistike shqiptare, duke fryrë jo pak xhepat e qytetarëve nëpërmjet qerasë së bujtinave, resorteve, hotel-hosteleve dhe konakëve të fshatarëve. Paralel me këtë arritje sinjifikative, kryeministri Rama nuk nguroi të na tregonte edhe për arritjet e Drejtësisë së re, që përmblidhet tek SPAK dhe organet e tij hetimore e gjyqësore.
Për të parën, për turizmin, nuk mund të kemi ndonjë rezervë të dukshme, përpos asaj, se ndërsa të ardhurat e tregtarëve, bisnesmenëve dhe atyre që patën në përdorim asete të turizmit, të ardhurat e këtij viti ishin në rritje. Por nga ana tjetër, qytetarët e thjeshtë, për arsye të rritjes së çmimeve, jo vetëm nuk e shijuan “turizmin e vendit të tyre”, por ndjenë lehtësim të dukshëm në xhepat e leckosur.
Ndërsa ajo puna e Reformës në Drejtësi”, që kryeministri e privatizoi si sukses e meritë të tij e të partisë që drejton, po të gjykohet me paanësi e seriozitet, na del një “lëvozhgë arre pa thelb”. Është e vërtetë se ishte PS dhe Rama, që e “iniciuan” Reformën në drejtësi, por këtë e bënë vetëm nga fundi i mandatit të dytë, dhe nën shtytjen e ndërkombëtarëve. Nga ana tjetër, përveç kartonave jeshil, që ngritën deputetët e gjithë palëve me “shenjën” e Ambasadorit Donald Lu, gjithçka tjetër e arritur deri tani nga SPAK-u dhe anekset e tij, është meritë e ndërkombëtarëve. Vërtet Partia Socialiste dhe kryetari i saj Edi Rama e inicioi “Reformën në Drejtësi”, duke menduar se do të mund ta fuste atë në çadrën e vet. Dhe ç’është e vërteta diçka arriti. Zëvendësi i tij, disa orë para “arrestimit” nga SPAK, “çau ferrën” drejt “Botës së Lirë”, nga ku na përshëndet, duke na zgërdhirë dhëmbët si mefistoteli. Vetë deklarata përmbyllëse e Ramës, për këtë çeshtje, se “Unë nuk do ta pengoj drejtësinë në punën e saj”, le për të kuptuar, se nëse do të ketë mundësinë, do të bëjë të kundërtën.
Ndonëse nga asambleistët e PS por edhe qytetarët që e ndiqnin nëpërmjet ekranit të televizorit, pritej që fjalimi i Ramës të trajtonte edhe disa tema të tjera, tepër të rëndësishme, që lidhen me ekonominë, mbrojtjen, arsimin, kulturën, shëndetësisë, problemet sociale, etj. dhe sidoms ato të korrupsionit e krimit të organizuar, pas 1 orë e 30 minuta, Rama i mbylli fletët e fjalimit, dhe në një letër të veçantë, komunikoi ndryshimet e kabinetit qeveritar, i cili përfshinte gjysmën e tij. Për shkurtim kohe, apo për efekt sekreti shtetëror, lista e emërimeve të reja, ashtu si dhe lista e atyre që largoheshin nga ekipi qeveritar, ishin krejt të “thata”, pa asnjë motiv shkarkimi apo emërimi, çka ngjante me një lojë shahu, kur ndeshja përfundon “remi”, e ku nuk mund as të gëzohesh e as të hidhërohesh për rezultatin. Kjo e fundit, e motivacioneve shkarkuese e ngarkuese, la me gisht në gojë si asambleistët, ashtu dhe medjen, analistët dhe friendsat e tyre.
Por fjalimi i Ramës para Asambleistëve të Partisë së tij, na la të gjithëve me gisht në gojë. Sidomos për batutat e tij “zhvejkiane”, të përsëritura deri në bezdi, se “Unë nuk mbaj përgjegjësi për ata që vjedhin pas kurrizit tim”, batutë e cila konkuron suksesshëm, me personazhin simpatik e kontravers të Jarosllav Hashekut. Po, pse Rama e përsërit këtë batutë, sa herë i duhet të prononcohet për arrestimet e vartësve të tij në qeveri e në Bashkitë e partisë së tij, apo për skandalet e tjera në radhët e pushtetarëve? Sepse ajo batutë, tashmë ka zënë vend në shoqërinë shqiptare, ashtu siç kanë zënë vend batutat e Ushtarit Zhvejk në letërsinë botërore. Ai e përsëriti batutën në fjalë, fuqishëm dhe disa herë, në fjalimin e tij para asambleistëve socialistë, sepse, ishte i sigurtë që asnjëri prej tyre nuk do të pipëtine, apo të bënte ndonjë grimasë bezdisëse ndaj Kryetarit Mao, me falni Kryetarit Rama. Si nuk u ngrit një socialist, një analist, një prokuror, një gjykatës, apo një qytetar i thjeshtë e t’a pyesë “Zhvejkun” tonë: Mirë për ata që vjedhin “prapa teje”, nuk mbake përgjegjësi, po për ata që vjedhin “para teje”, a mbani përgjegjësi zoti Kryeministër?!
Zhvejku i Hashekut, ishte një ushtar i thjeshtë, ndaj batutat e tij, e shumta çorodisnin një togë, apo kompani ushtarësh, po kur është fjala për një Kryeministër, rreziku e dëmi qindfishohet, sepse ka të bëjë me fatet e një vendi e të një populli të tërë. Dhe për të konkretizuar këtë dëm “të mohimit të pohimit”, që përdor kryeministri Rama, le të sjellim një fragment autentik të fjalës së tij, në pragun e marrjes së pushtetit në vitin 2013. Materiali është marrë nga një video, tekstin e së cilë po e japim këtu më poshtë;
“ . . . Ne nuk ndërruam sistem që Refineria e Ballshit të punojë 30 ditë në vit. Nuk ndërruam sistem që nga Albpetroli të dalë zero kontribut për buxhetin e shtetit dhe për shoqërinë tonë në vit. Ne nuk e ndërruam sistemin që ta japim naftën me konçesione, nga të cilat përfitojmë si shtet minimumin e të drejtës sovrane. Asnjë vend tjetër që ka naftë, nuk ia lejon dot vetes këtë, që qeveria e Shqipërisë i ka imponuar këtij vendi dhe kësaj shoqërie, të konçesionojë një pasuri kombëtare strategjike, siç është nafta, dhe nga këto konçesione të përfitojë minimumin e të drejtës sovrane. Nuk e ndërruam sistemin për të mbërritur në këtë pikë të hallit, ku Shqipëria të mos përpunojë dot asnjë ton naftë, të çojë jashtë 1 milion ton naftë që nxirren jashtë çdo standarti, jo në formën e shfrytëzimit të burimit, por në formën e grabitjes së burimit. Dhe ndërkohë që eksporton 1 milion ton naftë, importon 650 mijë tonë në vit, me dyfishin e çmimit që fiton nga eksporti. Ku është parë kjo?! Kjo mund të shihet vetëm në një vend të shitur, të tradhëtuar, të braktisur nga ata që e qeverisën për ta sulmuar, për ta vjedhur, për ta rrënuar!”. (Fjala mbyllet me duartrokitje frenetike).
Pas këtij fjalimi të dhjetë viteve më parë, pyetja shtrohet: Ç’bëri Rama gjatë 10 viteve qeverisjeje me industrinë e naftës? Ç’farë ndodhi me “Albpetrolin”? Po me Patos-Marinzën, me Kuçovën, me Delvinën . . ?! Më në fund, ç’është bërë e ç’po bëhet me Shpiragun, ku prej dhjetë viteve, heton, zbulon, shpon e shfrytëzon kompania “SHELL”, e ku shqiptarët nuk dinë asnjë shifër, asnjë plan, e asnjë marrëveshje për “arin e zi” të Shpiragut, që sipas Ramës, do të na nxjerrë në selamet? Këto pyetje kanë mbetur pa përgjigje prej dhjetë vitesh, dhe vijojnë të mbeten të tilla. Madje as planifikohet t’u jepet përgjigje, përveç batutës: “Ç’më duhet se ç’them, e se ç’bëj unë”!
Po e mbyll me atë që e shënova më lart: Një ushtar si puna e Zhvejkut të Hashekut, mund të çorodisë e prishë rregullin e një togë apo kompanie në paqe dhe në luftë. Ndërsa një “Zhvejk:” në krye të qeverisë prish, çorodit e shkatërron jetën e një vendi dhe të një populli të tërë. Ndaj është e nevojshme, madje e domosdoshme, që “doktorët” e politikës e të psikologjisë, duhet të mblidhen e ta ndihmojnë Kryeministrin tonë, të mos shkaksë në rolin e Zhvejkut, sepse ka rrezik të bëhemi të gjithë të tillë, dhe atëhere, “romani” i jetës së shqiptarëve do të bëhet një roman satirik, si ai i Zhvjekut të shkrimtarit Jarosllav Hashek. Dhe kjo do të ishte fatale.

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 06/09/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk