ÇMIMI ME TË CILIN U FITUA LIRIA E SHQIPËRISË NGA FASHIZMI

14
May
2025
Shkruan: Dilaver Goxhaj


Është e konfirmuar se Lista e plotë e deshmorëve në radhët e popullit shqiptar, të rënë gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, gjatë viteve 1939-1944, është: 28.110 vetë. Prej tyre:
– Dëshmorë sipas listave të formacioneve partizane: 9.470;
– Shtetas antifashistë shqiptarë, të pushkatuar nga nazifashistët e bashkëpunëtorët e tyre: 6.436;
– Të asgjësuar nga gjermanët në 23 kampe përqëndrimi (Mat’hauzen, Greqi, Itali, Poloni, Prishtinë, Zemuni në Jugosllavi, Manastir dhe Strugë në Maqedoni: 11.200;
– Nëse i shtojmë kësaj liste edhe 205 dëshmorë italianë që iu bashkangjitën UNÇSH, kemi 28.315 dëshmorë.
– Poppullsia e Shqipërisë në 1939 ka qenë 1.100.0002). Gjatë periudhës 5 vjeçare të luftës çlirimtare na u vranë dhe u gjymtuan 7,3 për qind e popullsisë3), që do të thotë 80.300 banorë; Ndërsa në librin e V.I. Dr. Evgeniev “Mjezhdunarodno-provovoje regurilovanie reperacii poslje vtoroj mirovoj vojni”, M.1950, jep shifrën 7,1% në dëme njerëzore (78.100 banorë. (mesatre=80.000).
Vlen të theksohet se prej kontigjentit prej 28.110 dëshmorë shqiptarë, 600 prej tyre kanë rënë për çlirimin e Kosovës, nga radhët e 20.000 partizanëve të Divizioneve të V e të VI të UNÇSH, të cilët e çliruan qytetin e fundit të Kosovë, Pejën dhe gjithë Kosovën, më 16 nëntor 1944, ndërkohë që Tirana dhe gjithë Shqipëria nuk qe çliruar ende, po ashtu dhe Federata Jugosllave.
Nëse nuk do të ish çliruar Kosova nga Ushtria Nacinalçlirimtare e Shqipërisë, e cila shkoi me urdhër të Komandantit të Përgjithshëm, Gjeneral Kolonel Enver Hoxha, ajo do të ishte çliruar nga Ushtria e Kuqe, gjë që, pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, popullsia shqiptare në Kosovë do të ishte shpërngulur. Kjo, konform vendimit të Kartës së Atllantikut, e datës 14 Gushtit 1941, e cila ishte shpalosja e një Marreveshje e bërë mes Presidentit të SHBA, Ruzvelt, dhe Kryeministrit te Anglise, Uinston Çurçillit, Kartë, të cilën me 24 Shtator te vitit 1941 e nënshkroi edhe Stalini në emër të Bashkimit Sovjetik.
Lind pyetja: Pse do ishte shpërbërë Kosova?
Përgjigjen na e jep Historiani nga Kosova, Ali Hadri, në librin e tij të titulluar “Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare në Kosovë, 1941-1945”, (Prishtinë, 1971, f.321-322), i cili shkruan: “Pas kapitullimit të Italisë fashiste, pushtuesit gjermanë në Kosovë filluan mobilizimin e vullnetarëve për formacione të mëdha SS-e, për “Shqipërinë e Madhe”. Për organizimin e këtyre njësive SS-me shqiptarë nga Kosova, u angazhua qeveria kuislinge e Tiranës e përbërë nga ballisto-zogistët, me në krye Rexhep Mitrovica, si dhe Komiteti Qëndror i Lidhjes së Dytë të Prizërenit, e kryesuar nga Bedri Pejani, i cili, i shkroi Hitlerit dhe Himlerit, duke u propozuar që të formohej Korparmata SS-e me shqiptarë. Por më në fund u vendos të formohej, së pari, Divizioni SS “Skënderbeg” në Kosovë, dhe gjer në 25 Shtator 1944 u rekrutuan 11.398 shqiptarë SS të Kosovës.”
Për këtë divizion SS me shqiptarë i ishte propozuar Hitlerit, edhe nga udhëheqësi i trupave SS në Ballkan, të cilën e konfirmon Guvernatori i Hitlerit për Ballkanin, Herman, në librin e tij “Detyra ime në Shqipëri, e jashtëzakonshme”, (Tiranë, 2017, f.176-177), i cili shkruan: “Në vitin 1944, mora nga Hitleri fuqi të plota të organizoja benda kufijve të vendit, për luftën kundër partizanëve, divisionin alpin SS “Skendërbeg”… me Vendqëndrim në Prizëren.”
Nëse nuk do kishte shkuar UNÇSH në Kosovë, shpopullim i saj do bëhej në Mbledhjen e Jaltës, në Shkurt 1945, në Konferencën e Tre të Mëdhenjve, midis Ruzveltit, Stalinit dhe Çurçillit, konform Kartës së Atllantikut, sipas së cilës: ato popullsi apo shtete të vegjël, që i ishin bashkuar Blllokut Fashist Romë-Berlin-Tokio do të shpërbëheshin. Këtë e konfirmon edhe historiani Artur C’onte, në librin e tij “Jalta dhe ndarja e botës”, (Tiranë, 1995), si dhe historiani Juri Korolkov, në librin e tij “Kështu ka ndodhur”, (Tiranë, 1974).
Shembuj konkretë të vënies në jetë të atij vendimi, në Jaltë, prej SHBA-BS-dhe Anglisë, ishin: Rumania, të cilës iu shkëput një republikë e tërë, Moldavia, e cila iu dha BRSS, kurse Transistia iu dha Ukrainës; u shpërngulën 10 milionë gjermanë nga Prusia e Krakovia;u shkëputën Sudetët nga Çekosllovakia; nga Hungaria u shkëput një pjesë, duke ia dhënë Ukrainës, si dhe Vojvodina që iu dha Jugosllavisë; Galicia iu shkëput Polonisë dhe iu dha Ukrainës; ndërsa pjesa më e madhe e Çeçenisë u shpërngul në Siberi, etj.
Mirëpo, Shqipëria gjatë shekullit XX ndihmoi për herë të dytë për çlirimin e Kosovës, por këtë radhë prej fashizmit të ri serbo-sllav, gjatë viteve 1998 – 1999, duke shkuar 170 vullentarë, midis të cilëve edhe kuadro profesionistë ushtarakë cilësorë, të cilëve iu besuan funksione me përgjegjësi të rëndësishme, përfshi edhe mbajtjen e bashkëveprimit 78 ditor, 24 mars deri 10 qershor 1999, midis Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me Aviacionin e NATO-s, bashkveprim të cilin Komandanti i NATOs, Gjenerali Uesli Klark, e vlerësoi “Bashkëveprimi më i mirë në historinë 50-vjeçare të NATO-s”, të cilët nderuan jo vetëm Akademitë tona Ushtarake, por edhe vetë Republikën e Shqipërisë.
Njëkohësishtë, në vitet 1999-2001, shkuan edhe rreth 30 vullnetarë të tjerë nga Shqipëria në dy luftra tjera në trevat shqiptare në Ballkan, në Kosovën Lindore dhe Maqedoni, për të drejtat e tyre kombëtare.
Nga radhët e këtyre 200 vullnetarëve, në këto tre luftra shqiptare në Ballkan, gjatë viteve 1998-2001, rreth 30% e tyre ranë dëshmorë.
Por, këta 200 luftëtarë prej Republikës së Shqipërisë, nuk shkuan me vendim të Qeverisë së Shqipërisë, si në rastin e vitit 1944, por vullnetarisht. Dhe për kontributin e këtyre vullnetarëve, në këto 3 luftra shqiptare, unë kam informuar gojarisht 3 Presidentë të Republikës tonë, si dhe dy Shoqatat e Veteranëve të LANÇ-it, përveç prezantimeve të disahershme në shtyp, botime dhe në mediat vizive. E MEGJITHATË, asnjë lloj nderimi për këta luftëtarë nga të gjitha institucionet e Republikës së Shqipërisë, ngjashëm si qeveria Zogiste me vullentarët që shkuan në Luftën e Spanjës; përfshi edhe Organizatat e Veteranëve të Shqipërisë, e cila nuk i njeh këta 200 vullnetarë as si veteranë; edhe pse 200 vullnetarët në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të asaj Kombtare në Maqedoni dhe në UÇPMB shkuam për çlirimin e gjysmës së kombit shqiptar! Kurse, Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve të LANç-it i njeh dëshmorët e rënë nga radhët e këtyre 200 vullnetarëve në këto tre luftra shqiptare, që do të thotë: të vrarët – Njihen, të gjallët –Jo!
Ndërkohë që, ish-Presidenti Bujar Nishani dekoroi rreth 400 ish-kolaboracionistë dhe diversantë nga radhët e 12 mijë grupeve terroriste diversioniste gjatë intervencionit të huaj gati 10–vjeçar imperialisto-kapitalist kundër Shqipërisë socialiste, Nëntor 1944-Dhjetor 1953, të përzgjedhur prej kontigjentit kolaboracionist i “Mërgatës së Qyqeve”.
Dhe ndaj atij akti antihistorik nuk ka pas fare reagime!
Kjo, ndoshta për faktin se është Parlamenti dhe Qeveritë e këtyre tre dekadave “demokratike” që kanë ligjëruar dhe financojnë dy Organizata Veteranësh, pretendente se përfaqësojnë veteranët e Luftës Antifashiste Nacionalçlire, të cilat grinden mes veti si SHEMRAT. Në këtë rast kemi të bëjmë me një vendim qeveritar që bie ndesh me të vërtetën historike të asaj lufte, duke e shtrëmbëruara atë, ngaqë indirekt na thuhet: Lufta Nacionalçlirimtare në Shqipëri ka qenë Luftë Civile(!)
Gjithashtu, vlen të theksohet një fakti tjetër me rëndësi historike, kur dy shtetet aktualë Shqiptare, nuk shfrytëzuan rastin ideal për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Kjo ngjarje e shënuar ndodhi në Konferencën e Rambujesë, më 18 Mars 1999, kur u nënshkrua Marrëveshja e Rambujesë midis Kosovës dhe Serbisë, ku zonja Medlin Ollbrajt përdori veton, duke shtuar një pikë të veçantë në atë Marrëveshje, në të cilën shkruhet: “Tre vite pasi të ketë mbaruar lufta në Kosovë, të zhvillohet referendum për vetëvendosjen e popullit në Kosovë”.
Por, për fat të keq, kanë kaluar 26 vite nga përfundimi i asaj Lufte Çlirimtare në Kosovë, prej10 Qershor 1999 e deri sot, asnjë Institucion Shtetërore si dhe asnjë forcë politike shqiptare, si në Kosovë, ashtu dhe në Republikën e Shqipërisë, nuk e kanë kërkuar zhvillimin e këtij referendumi!
Megjithatë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës pritën 8 vite nga mbarimi i luftës në Kosovë, që Shqipëria dhe Kosova t’u kërkonin zhvillimin e atij referendumi. Si rrjedhojë, SHBA e humbën durimin. Prandaj Presidenti Bush, i riu, mori rrugën dhe erdhi në Shqipëri, dhe jo rastësisht në ditën e përvjetorit të 8-të, të çlirimit të Kosovës, më 10 Qershor 2007, duke shpallur njohjen e Pavarësisë së Shtetit të Kosovës! Duke na e lënë turpin në derë.
Por mund të thotë dikush, se Republika e Shqipërisë e ka njohur Republikën e Kosovës qysh në vitin 1992. Po, por ajo ishte njohje e statusit të Republikës së Kosovës në kuadrin e ish-Federatës Jugosllave; ndërsa në 10 Qershor 1999, Kosova është shkëputur pas një shekulli pushtim nga Serbia. Kjo datë është çlirimi dhe pavarësia e vërtetë e Kosovës.
Mirëpo, edhe kur, më 1 Qershor të vitit 2022, ndodhi që për herë të parë Republikës së Shqipërisë iu besua kryesimi i Këshillit të Sigurimit të OKB-së, asnjë institucion shtetëror i Shqipërisë dhe as i Kosovës nuk e shfrytëzuan edhe këtë rast ideal, për të vendosur zhvillimin e atij referendumit për vetëvendosje prej popullit në Kosovë! Çfarë emëri mund t’i vëmë këtij mosinteresimit prej Kosovës dhe shtetit amë, Shqipërisë, për zhvillimin e këtij referendum, të urdhëruar nga SH.B.A.
Për këtë bashkim kombëtar, na ka ardhur indirekt në takim edhe Rusia, ku vetë Presidenti i Rusisë, Putini, ka deklaruar jo më pak se dy herë: “Çështja e shkëputjes së Krimesë nga Ukraina, është e ngjashme me shkëputjen që i bëri NAO-ja Kosovës nga Serbia.”
Gjithashtu, edhe shefi i diplomacisë ruse, Sergei Lavrov, në Samitin e OSBE-së në Shkup, më 30 nëntorn dhe1 dhjetor 2023, ku morrën pjesë 57 diplomatë të vendeve anëtare të organizatës, midis të tjerave deklaroi: “Që paqja në Ballkanin Perëndimor të mos varet shpesh në fije të perit, ka vetëm një zgjidhje: kufijt shtetërorë të vendosen sipas përbërjes nacionale të tyre”.
Dhe, çuditërisht, Shqipëria dhe Kosova vazhdojnë të heshtin!
Gjithashtu, në muajin Prill të këtij viti, në kontaktet diplomatike mes Rusisë dhe SHBA, Rusia u ka vënë SHBA kushtin që: Nëse SHBA i njeh Rusisë bashkimin e Krimesë, atëhere Rusia do t’u japi të drejtën SHBA të bëjnë kërkime për naftë e gaz në Krime.
Për ne, kjo do të thotë, se Rastësia është bashkuar me Mundësinë që, Republika e Shqipëtrisë t’u lutet SHBA që, dhe ato t’i vënë kusht Rusisë, që ajo të njohi bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, para se t’i njihet Krimeja Rusisë.
Por, për fat të keq, diplomacia e jonë, si në Kosovë edhe në Shqipëri, bëjnë sikur nuk i dëgjojnë dhe nuk i kuptojnë këto kambanë të mëdha!
Me këtë rast, i propozoj kësaj Organizate t’u imponohet Institucioneve shtretërore për këtë lutje-kërkesë tek SHBA.
Shënim: Referuar në Sesionin Shkencor “Kontributi i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare Shqiptare në luftën kundër nazi-fashizmit”, organizuar prej Organizatës së veteranve të LANç-it”.
Tiranë, më 6 Maj 2025

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 14/05/2025

© 2016 - 2025 | DIPLOMACIA.dk