Për hir të së vërtetës dhe vetëm të vërtetës.
Dëshiroj të bëj të qartë dhe pa asnjë mëdyshje se, pas publikimit të një emisioni në Rubikon me Adriatik Kelmendin, Vehbi Kajtazi ka shpërndarë mes shumë gënjeshtrash edhe këtë: pretendimin se libri Zgjohu i Albin Kurtit është financuar nga Blerim Devolli. Ky pretendim është krejtësisht i pavërtetë dhe një shpifje pa asnjë dëshmi konkrete.
Në këtë emision, ku kjo temë u përmend, ndonëse isha i njohur me çështjen, kërkova më shumë informacion për të sqaruar të vërtetën. Për këtë arsye, kam kontaktuar z. Xhemil Zeqiri, i cili më konfirmoi qartazi se informacioni i transmetuar nuk është i saktë.
Pavarësisht faktit që nuk kisha dyshime të mëparshme, ky kontakt më ka ndihmuar ta sqaroj plotësisht këtë çështje dhe më ka bindur edhe më shumë se pretendimet e bëra në emision nuk përputhen aspak me realitetin. Arsyeja që më shtyu të hetoj më tej ishte pikërisht ndjekja e këtij emisioni, që më nxiti të kërkoj më shumë detaje për të konfirmuar të vërtetën.
Për këtë arsye, dëshiroj të hedh poshtë çdo spekulim apo keqinterpretim të mundshëm në lidhje me këtë çështje dhe të konfirmoj publikisht se informacioni që po ndaj tani është i vërtetë dhe i verifikuar.
Më shqetëson fakti se si dikush, në këtë rast një gazetar, i cili duhet të njohë mirë rregullat e etikës profesionale, mund të përhapë gënjeshtra dhe të merret me spekulime pa asnjë fakt. Në gazetari, detyra themelore është informimi i saktë dhe bazimi në prova konkrete, dhe jo në shpifje apo fjalë të pabazuara.
Pikërisht për këtë dua të theksoj se z. Xhemil Zeqiri është financuesi i këtij libri, me mjetet e tij vetanake, për të mundësuar botimin dhe daljen në dritë të këtij projekti. Andaj, ju lutem të mos përhapni më dezinformime, sepse me këtë mënyrë nuk arrini asgjë. Çështja nuk është te shuma që është kontribuar, as për të thurur lavdata për z. Xhemil Zeqiri, por theksoj se nuk është aspak profesionale të gënjesh dhe t’ia mohosh kontributin dikujt me shpifje të tilla.
Për të gjithë ata që dëshirojnë ta verifikojnë këtë çështje, mund të kontaktojnë drejtpërdrejt z. Xhemil Zeqiri, një atdhetar dhe figurë e njohur nga Tetova, i cili jeton dhe vepron në Danimarkë. Ai është i gatshëm të konfirmojë gjithçka që unë po deklaroj këtu.
Në përfundim, kërkoj nga të gjithë ata që kanë përhapur këtë gënjeshtër, që të tërhiqen nga pretendimet e tyre dhe të respektojnë të vërtetën. Publiku meriton informacione të sakta dhe të paanshme.
Me respekt,
Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!