DËNIMI I BERISHËS? TEPËR E VËSHTIRË, NË MOS E PAMUNDUR!

08
Dec
2023
Shkruan: Gjon Bruçi


Gazeta SOT, 8 Dhjetor 2023
Sali Berisha, alias “Arturo-Ui” shqiptar
Sali Berisha, alias “Arturo – Ui” shqiptar, është personazhi më i inkriminuar në historinë e vjetër e të re të Shqipërisë. Kjo tashmë dihet nga të gjithë. E gjitha rruga e tij politike e shtetërore, që nga dalja në skenë në fund të viteve nëntëdhjetë, me repartin naziskin të vetquajtur “Partia Demokratike” e gjer më sot, ka qenë e mbetet një rrugë e shtruar me krime. Gjëma e vitit 1997, që shembi Shqipërinë; Grushti i shtetit i vitit 1998; “Bomba atomike” e Gërdecit; Si dhe vrasjet makabre të 21 janarit 2011 të katër qytetarëve të pafajshëm, – janë “stacionet” më të dukshme të krimeve të Berishës. Por midis këtyre “stacioneve” kriminale të dukshme, Ci-Vi-ja e Berishës regjistron me dhjetra e qindra krime e prapaskena në dëm të individit, të popullit e të vendit, sa nuk ka dosje të mund t’i nxëjë. Të gjitha këto, janë të mjaftueshme për ta dërguar personazhin tonë në bankën e akuzës dhe dënimin shembullor të tij.
A duhet, dhe a mundet të realizohet ky gjykim e dënim i tij?
Shunmica e qytetarëve është e bindur se Berisha duhet të dënohet, por kur vjen puna për mundësinë e këtij dënimi, organeve kompetente, përfshi dhe organet e reja të Drejtësisë, iu belbëzon goja e ju bën lak gjuri . . . Për pasojë, Sali Berisha, edhe sot pas 33 viteve, qëndron si “kaposhi” midis tufës së tij politike, duke kakarisur si demokrat i flaktë e lider i demokracisë shqiptare. Madje ka disa ditë që po vë në lojë edhe “burrninë” e SPAK-ut e të GJKKO, të cilët nuk po munden t’i japin atij, as letër-thirrjen e thjeshtë, për të dëshmuar para tyre për disa allishverishe të bëra me kompleksin sportiv “Partizani” gjatë “mbretërimit” të tij si kryeministër në vitet 2005 – 2013.
Lind pyetja: Ku qëndron sekreti që ky “Neron” modern, apo “Arturo-Ui” i Lulelakrës shqiptare, qëndron i paepur përpara drejtësisë, dhe pse kjo e fundit, domethënë Drejtësia, e përkëdhël si ta kishte “mandarinin” e saj?! Sjelljet e ditëve të fundit në lojën “thirr, e mos u paraqit”, tregon se SPAK dhe GJKKO, edhe pse e kanë kapur çështjen nga bishti, nuk po munden ta vënë problemin në “udut”. Themi se është kapur çështja nga bishti, sepse allishverishet e klubit shumsportesh “Partizani” janë tepër minore, përpara krimeve që ka bërë personazhi ynë “karizmatik”. SPAK-u, GJKKO, apo çdo organ tjetër gjyqësor, nga më i thjeshti, do ta kishin të majftueshme të ndalonin në katër “stacionet” kryesore të krimeve berishiane: Në gjëmën e vitit 1997, në Grushtshetin e vitit 1998; Në “bombën atomike” të Gërdecit, dhe në Vrasjet makabre të 21 janarit 2011. Madje, edhe vetëm njëri prej këtyre stacioneve kriminale, siç ishte ai i “21 janarit 2011”, ku gjithçka është filmuar e shikuar nga pjesa dërmurese e shqiptarëve, do të mjaftonte për të ekuilibruar më dënimin maksimal, gjëmat maksimale që Berisha ka realizuar në këta 33 vjet.
Por, a mundet “Drejtësia e Re dhe e Reformuar” ta realizojë drejtësinë e vërtetë, për këtë personazh?
Jo, mendoj se nuk mundet. Po shpjegohem me radhë sipas “stacioneve kriminale” të mësipërme: Në vitin 1997, kur situata kishte arritur në prag të Luftës Civile, autori i saj me emrin drithërues “Berishë”, bëri gati bagazhet për t’u larguar nga hakmarrja popullore. Por një telefonatë e ardhur nga “përtej Adriatikut”, e ndali mënxyrën e liderit “demokrat”. Një grup nga Partia Socialiste, të përbërë nga R. Mejdani, P. Majko, N. Dokle dhe B. Fino, i shkuan Saliut në zyrë dhe e qetësuan. Ky i fundit, anulloi arratisjen “alla zogolliane”, sepse pak ditë më prapa, një “amnisti” e rekomanduar nga jashtë dhe miratuar nga brënda, dosjes së zezë të ‘97-tës iu vendos kapak i zi, kapak që nuk është hapur asnjëherë, dhe siç tha i ndjeri ministër Zhulali, nuk do të hapet kurrë. Këtë lojën e qetësimit të Berishës, e ka pohuar publikisht i ndjeri Bashkim Fino, ish kryeministër i “Qeverisë së Pajtimit Kombëtar“ dhe deputet i parlamentit shqiptar.
Për Grusht-shtetin e vitit 1998, ish kryeministri Meta, guxoi dhe e mori Berishën disa orë në Rajonin e Policisë së Kryeqytetit, por telefonata nga Amerika, Italia dhe Gjermania, e liroi mënjëherë “prenë” e Metës. Këtë na e pohon në një emision televiziv të vitit 2021, apo 2022, ish Ministri i Jashtëm i asaj kohe, Paskal Milo.
Le të hidhemi tashti tek “Bomba e Gërdecit: Gjer sa plasi kjo bombë, ka mundësi që Berisha të mos e dinte se ku bie Gërdeci. E themi këtë sepse “Gërdeci” lidhej me Pentagonin, dhe as Saliu, e as shokët e tij, nuk mund ta “kruanin” me Pentagonin, i cili merrte fishekët shqiptarë, për të furnizuar afganët, a thua se vetë Amerika nuk kishte fishekë e bomba. . . Sigurisht edhe në këto kushte, dënimi përfshinte edhe Saliun, si Kyeministër, por fill pas Gërdecit, kur sosëm dhe municinet e fundit të ushtrisë, vendi ynë me kryeministër Berishën, u bë anëtar i NATOS, dhe pak më vonë, BE liberalizoi vizat. . . .
Masakra e 21 Janarit 2011 dhe roli i Berishës
Më i vështiri për t’u kapërcyer, ishte 21 Janari. Disa orë pas asaj ngjarje makabre, Saliu doli në konferencë shtypi, me një pamje si fantazmë e dalë nga varri. Por, pasi kalun një apo dy ditë, ai shpejt e mori veten. Ju kujtua se ndërkombëtarët i kishin transmetuar një mesazh që “me çdo mënyrë të ruante stabilitetin”, nga ndonjë “shpërthim” i mundshëm i mijëra socialistëve që Lideri i tyre, Rama, kishte nxjerrë në rrugë dhe para Kryeministrinë. Kuptohet se ndërkombëtarët kishin më problem “stabilitetin” se sa “demokracinë”. Këtë “mesazh”, siç pohon vetë autori në një emision televiziv të vitit 2019, ia kishte përcjell bash Shefi i SHIK-ut të asaj kohe. Tjetër punë pastaj që mesazhin në fjalë, Saliu për arsye “teknike”, nuk arriti ta realizonte në kohën optimale, kur demontruesit ishin pranë derës së KM, por disa minuta më vonë, kur ishin larguar dhe po sodisnin të qetë ndërtesën qeveritare.
“Ja pra, që “krisma nuk ka patur”, – ishte batuta e oficerit madhor Italian tek filmi ynë artistik, “Lulëkuqet mbi mure”. Pikërisht se mori zemër nga mesazhi i ndërkombëtarëve, pas disa ditëve, Berisha bëri deklaratën e drejtpërdrejtë, ku tha se, nëse Rama me shokët e tij do të përsërisë “sulmin mbi selinë e KM, do të vras jo katër, por katër qind, madje edhe vetë Ramën”.
Hetimi dhe dënimi i Berishës
Konkluzioni: Asnjë gjykatës, qoftë dhe ata të SPAK-ut e të GJKKO, nuk mund të përballen gjer në fund me Berishën, i cili, siç cekëm më sipër, në veprën e tij të zezë, nuk ka qenë vetëm, por i mbështetur e i nakatosur si me kundërshtarët e tij politik brenda vendit, ashtu dhe me këshilltarët e tij ndërkombëtarë, që e mbështesnin për të mbajtur pushtetin, me detyrën e shembjes së Shqipërinë Socialiste me të gjitha arritjet e saj, detyrë të cilën, për fatin e keq të popullit e realizuan me “sukses”. Pas kësaj, ata kërkuan ta hidhnin “limonin e shtrydhur”, por Saliu nuk është limon që shtrydhet, por ferrkaçe që të ngjitet e nuk të shqitet kollaj nga këmbët..
Në këto kushte, cili prokuror apo gjykatës, qoftë edhe i SPAK-ut, do të provojë të përsërisë “Falkonen” e komshiut?! Kur rruga më e mirë është tollovitja e gyqeve me disa krime “të aneksit”, që nuk çojnë peshë, dhe me dënimin e vartësve të shkallës së dytë e të tretë të atyre që kanë drejtuar e dreqnuar fatet e shqiptarëve gjatë këtij tranzicioni të tmerrshëm ,me emrin fallso “demokratik”. Por nuk është vetëm rreziku i përsëritjes së “Falkones”, por dënimi i krimeve të Berishës, do të nxirrte më bythë jashtë gjithë fasadën e “demokracisë borgjeze”, që është emetuar e propaganduar gjatë këtyre viteve në vendin tonë. Dhe kjo nuk duhet të ndodhë.
Theksoj për të disatën herë, se “Piramida e krimit dhe korrupsionit” në vendin tonë, ia kalon Piramidës së Keopsit. Ajo mund të shembet, vetëm duke i hequr “Çatinë”, çka do të bënte të shkërmoqej si një piramidë prej rëre. Mirëpo këtë, nuk mund ta bëjë asnjë organ i shtetit borgjez, që i ka themelet mbi krimin dhe korrupsionin. Ajo është mundësi dhe detyrë e qytetarëve, që përbëjnë forcën e vërtetë të përmbysjeve revolucionare.

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 08/12/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk