17 POEZIT Nga GENCI- DHIMBJE E GJAKUT, DRITË E SHPRESËS

26
Nov
2025
Nga: Genci Sefa – Lushnja


1-
Në malet e larta, ku gjaku vlon si zjarr,
zemrat përplasen n’dritë, si çekiç mbi varg.
Britmat e trimave ngjiten n’qiell të dlirë,
si zogj të pavdekësisë që fluturojnë të lirë.
–
Në fushat e djeguna, ku ranë trima të pa shoq,
gjaku flet me dheun – “mos e harro, o shok!”
Nëpër gurë e shkrepa rrjedh zani i tyre,
si këngë e lirisë që s’mbytet në hije.
–
Nga dheu i plagosun lind drita e re,
si agim që shpërthen prej shpirtit për ne.
Kënga e trimave s’ka mur as kufi,
si bubullimë që zgjon zemrat për Liri.
–
Shqiponja e zezë, mbi krahët e shqipes,
merr frymë në stuhinë e gjakut të djeshëm.
Ngrihet mbi re, mbi diell, mbi male,
me shpresën që ndriçon çdo zemër shqiptare.
–
Kujtojeni gjakun që rrjedh si amanet,
kujtojeni zemrat që s’u ndalën kurrë.
Ruajeni flakën – shenjën e shenjtë,
se liria paguhet me shpirt e me gjak të zjarrtë.
–
Në çdo varr dëshmori ka dritë që s’shuhet,
në çdo lot nëne një dhimbje që lulëzon.
Breza do ndërronin, por zemra qëndron,
në flakën e Atdheut pavdekësia pushon.
–
Dhe kur era fryn mbi malet e Arbnisë,
tingëllon si lahuta që thërret ajkën burrnisë.
Aty ku ka gjak, aty lind shpresa e Liria,
aty ku ranë trimat – ngrihet e madhe Shqipëria.

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

10 Nëntor 2025.
—————-
2-
TOKA QË FLISTE ME PLAGË
–
Ishte nata e gjatë, me erë varresh,
Qielli i rëndë, si mall i pa shuar.
Fushat rrinin heshtur mbi gjak e gurë,
Tokës i flisnin plagët – rrëfimet s’pushuan kurrë.
–
Në gjurmë të vjetra, ku hije endeshin,
Fjalët e heronjve kumbonin si këngë.
Nën hije ullinjsh, në kasollen e vjetër,
Trimat mbanin dritën e një zjarri të shenjtë.
–
Shqiponja e zezë fluturonte mbi flamur,
Zemrat e plagosura s’qanin, por këndonin.
Në çdo gur që prekje, një zë dilte prej dheut:
“Mos harro, o bir, kush ta la këtë tokë me gjak!”
–
Kulla e vjetër rrinte me plagë në ballë,
Duke pritur zërin e burrave që s’kthehen.
Në hije maleve, mbi shkrepa e varre,
Shpirtrat e trimave rrinë si flakë që nuk shuhen.
–
E liria, si grua me sy të lodhur e të bukur,
Mbante mbi supe dritën e një agimi të vonë.
Nga thellësia e dheut, një zog u ngrit i heshtur,
Dhe shpresa ngjitej ngadalë, si këngë mbi mal.
–
Brezi i ri, me duar të bardha e të ngrohta,
Rindërtonte ëndrrën që gjaku ia kish trashëguar.
Në gërmadha rritej bari i parë i gjelbër,
Si fjala “Liri” që s’vdes në këto troje kurrë.
–
Në rrugët e djegura dëgjohej hapi i parë,
Fëmijët qeshnin mbi baltën e mbetur.
E toka që fliste me plagë mori frymë thellë,
E liria buzëqeshi – e lodhur, por krenare.
–
Në kazanët e flakëve u pjek buka me dorë,
Nënat thurnin ninulla, trimat mbanin flakën.
Çdo gjurmë e dheut këndonte për lavdi,
Dhe çdo gur mbante emrin e një heroi të ri.
–
Mbi malet e larta, ku era s’pushon,
Shpirtrat e të rënëve kumbonin me zë të thellë.
E toka që fliste me plagë heshti për pak,
Se nga gjaku i saj lindi një brez i ri —
Dritë e maleve shqiptare ndriçoi përsëri,
Me zemra që mbanin guxim, flakë dhe krenari.
—
Burgu Idrizovës, 11 Nëntor 2025.
———————
3-

FLAMURI QË S’U UL KURRË
–
Në qiell t’Shqipnisë valon me dritë,
flamuri ynë me gjak e britmë.
Në çdo mal, në çdo përrua,
rri si shpirt që kurrë s’u shua.
–
Në gurët e lirisë rri gdhend betimi,
me shqiponjë n’dorë – pushka e trimi.
Era e maleve ia puth krahët,
drita e shekujve i shëron plagët.
–
Në fusha ku ra një djalë i ri,
rri flamuri – betim për liri.
Ai s’u ul, s’u tret, s’u gjunjëzua,
e ngre çdo zemër që me të u besatua.
–
Në çdo hap, në çdo shteg që ngjitet,
rri një kujtim që s’vdes, por ndizet.
Në diell e borë, në stuhi e shi,
ai flet me zë: “Jam unë – Shqipni!”
–
Kur fryn një erë prej fushës së lashtë,
ngrihet kënga me lahutë të artë:
“Mos e ul kurrë, o bir i Arbërit,
flamurin tonë me shqiponjë të zjarrtë!”
–
Në çdo shkëmb, në çdo varr që hesht,
rri një kujtim që s’vdes, por ndrit.
Pa gjakun e tyre, pa flakën e shenjtë,
s’do kishte dritë, as mëngjes në vend.
–
Kur stuhitë përplasen në det,
ai qëndron me shpirt të vërtet.
S’u ul asnjëherë, s’u përkul kurrë,
flamuri i gjakut – i burrit burrë.
–
Në majë të kohës, mbi gur t’Atdheut,
rri si besë – e përjetë e dheut.
Me emna trima, me varg e gjak,
ai s’u dorzue – qëndroi në flakë!

Burgu i Idrizovës, 12 Nëntor 2025
————-
4-

SHQIPËRI, TOKA QË QAJMË PARATHËNIE
–
Në këtë poemë jam përpjekur të shpalos dhimbjen, nderin dhe besën e një kombi që ka mësuar të rilindë përmes plagëve.
“Shqipëri, Toka që Qajmë” nuk është vetëm poezi, por një thirrje e shpirtit shqiptar –
një vajtim për mëmëdhenë që lëndohet nga të huajt e bijtë e vet, por që nuk përkulet kurrë.
–
Kjo vepër ngërthen kujtesën historike të kombit,
nga robëria te ringjallja, nga tradhtia te besa,
duke u ngritur në një himn për nënën tokë
dhe bijtë e saj të përjetshëm.
Çdo varg është një plagë dhe një lutje; çdo fjalë,
një kushtrim për shpirtin shqiptar të papërkulur.
—
Oh, Shqipëri, nënë e plagosur nga qielli,
sa shekuj t’kanë djegur, e dëshmon toka e dielli.
Nga Malësia në Janinë, prej Kruje në Çamëri,
çdo gur mban pushkë, çdo varr mban histori.
–
Të dogjën të huajt, të shitën bijtë,
ty të rrahën furtuna, të vodhën shtëpitë.
Në çdo lis të malit, në çdo gur të rrugës,
tingëllon britma e lirisë, ofshama e të vrarëve.
–
Të lidhën me zinxhirë, ta ndanë truallin,
me thikë në hartë ta prenë fatin.
Por asnjëherë s’u përule, moj tokë e shenjtë,
nga gjaku yt mbinë male, prej plagës doli liria.
–
Nga Plava në Prizren, nga Vlora në Shkodër,
çdo gjysh la amanet: “Mos harro kush je!”
Në duar t’trimave flamuri u ngrit,
si diell mbi plagë që kurrë s’u fik.
–
U gëzuam për pak – menduam se erdh ajo ditë,
kur shqiponja të fluturonte pa zinxhirë, pa frikë.
Por u kthyen hijet e vjetra me kostum të ri,
me fjalë të buta, e në zemër tradhti.
–
Rrugëve të botës pa shpresë humbi rinia,
varret u shtuan, u zverdhën fushat e lirisë.
Në vend të flamurit – u ngrit lakmia,
në vend të besës – sundon marrëzia.

Sot, Shqipëri, s’të vranë me pushkë, por me ligje,
që shkelin nderin, gjakun dhe rrënjët e fiset.
Në kuvende pa zë të popullit,
shiten kufijtë dhe nderi i kombit.
–
Nga librat e fëmijëve zhduken emrat e heronjve,
po shuhet historia e gjyshërve tanë të varreve.
Po thonë se s’ka më nënë e s’ka më baba,
as burrë e grua, as komb,
as flamur, as “Amaneti i të parëve.”
–
Ligje të ftohta si gur varri bien mbi sofrat,
e shtëpitë shqiptare zbrazen nga gjuha,
nga fëmijët, nga votra.
Tani në vend të emrave, kemi “gjinira”,
pa rrënjë, pa atdhe, pa kujtesë, pa fjalë të mira.

Malet ulërijnë, lumenjtë rrjedhin gjak,
era përçon mallkime, kujtime e hije pa fund.
Në çdo gur po hesht historia e thyer,
dhe toka që fliste me zë –
sot qan si nënë e zhgënjyer.
–
Por jo, Shqipëri – s’je e mbaruar.
Edhe pse varret janë plot, ti s’je shuar.
Flamuri yt mbi plagë valon, hesht,
por s’u përkul kurrë,
si gjaku i djemve që s’flenë, por rrinë rojtarë në gurë.
–
Trimat e tu flasin në këngë e në erë,
nga Prekazi në Vlorë, nga Presheva në Epir.
Në çdo plagë është një dritë, në çdo lot një shpresë,
në çdo gjak të derdhur rilind një brez i lirë.
–
E ndoshta sot qajmë, por jo si të mundur,
por si bij që s’duan ta shohin nënën të humbur.
Nga dhimbja do lindë përsëri besa e lirisë,
si feniks mbi hirin e këtij kombi të shenjtë.
–
Oh, Shqipëri – toka ime e dhimbjes,
në çdo plagë, çdo varr, çdo fjalë të heshtur,
qëndron bukuria e përjetshme e shpirtit tënd.
Ne të qajmë, por nuk të harrojmë kurrë.
–
Për ty betohemi, o nënë që qan në heshtje,
se gjaku i djemve s’do të shuhet në rrugë të huaja.
Do ta ngremë përsëri flamurin e nderit,
në çdo zemër që rreh shqip e pa frikë.
–
Për ty betohemi, se do ta mbrojmë fjalën “Atdhe”,
kur të tjerët e fshijnë nga librat dhe nga gojët.
Do ta ruajmë nënën, do ta ruajmë babën,
siç ruhet shenjtëria në gurin e varrit.
–
Për ty betohemi, se kurrë s’do të përkulemi,
as nën ligje që mohojnë gjakun tonë.
Do t’i mësojmë fëmijët të thonë: “Jam shqiptar!”
me zë të pastër, me zemër të dlirë, me besën e parë.
–
Dhe kur një ditë era e lirisë të fryjë përsëri,
nga Shkodra në Janinë, nga Ulqini në Prevezë,
ti, Shqipëri, do të ngrihesh si nënë prej varrit –
me krahë të bardhë, me zemër të re, me zë që s’vdes!
—
Kjo poemë është një amanet për ne dhe për brezat ne ardhshëm:
të ruajnë historinë, nderin dhe shpirtin e papërkulur të Shqipërisë,
duke u bërë një udhërrëfyes për dashurinë dhe krenarinë kombëtare.
—
✍️ Autor: Genc Sefa – Lushnja
Luftëtar i robëruar në emër të Atdhedashurisë – Burgu i Idrizovës, 13 Nëntor 2025
——-
5-
HESHTJA QË NGRIHET
–
Heshtja ngrihet – e rëndë, e thellë,
i bërtet zemërimit nën lëkurë,
thërret indiferencën që s’është më këtu,
në një botë që flet, po s’dien kurrë.
–
Zihen me fjalë hijet e kohës,
ka dhimbje, ka luftë në çdo kujtim,
plagë të vjetra hapen nën dritë,
e gjaku përzien tokën me trishtim.
–
As fitues, as humbës s’ka mbetur,
veç njerëz të lodhur nga kujtimi i gjallë,
nga heshtja që ngjitet mbi male të shpirtit
e bie si gur në thellësi, pa fjalë.
–
Të mos harrohen kurrë, as fjala, as gjaku,
as hapat e lodhur mbi dheun e butë,
i them kohës: “Ndal pak udhëtimin tënd —
të të shoh në sy, të kërkoj një lutë…”
–
… të vërtetën i kërkoj kohës.
Vazhdon…..
Burgu Idrizovës, 14 Nëntor 2025.
—–
6-
GJAKU I GURIT
–
Guri mban erën e betejave të vjetra,
hesht, por në heshtje flet me dheun,
një pikë gjak – si yll në terr,
i ndrit kujtesës udhën e shpirtit tonë.
–
Në çdo thërrime – një emër, një plagë,
një frymë që s’u tret në harresë.
Guri s’plaket, s’e vret as koha,
ruan në damarët e vet besën e vjetër.
–
Një fjalë e pathënë rri mbi pluhur,
një britmë e heshtur endet në erë,
gjaku i gurit s’thahet kurrë,
është kujtesë, është flamur, është vlerë.
–
E prek me dorë dhe ndien rrahjen,
si zemër që s’ka pushue kurrë,
nën çdo hap të njeriut të gjallë
rri një dëshmi – gjaku i gurit.
—
Burgu Idrizovës, 15 Nëntor 2025.🦅🇦🇱
Vazhdon……
——————–
7-
LIRIA QË S’U MBARUE
–
Erdhi nata mbi male e fusha,
po toka rri e patundur, plot me shpirt.
Zani i lirisë s’ka heshtë kurrë,
edhe kur mbi ne vërshonin hije të rënda.
–
Çdo hap i njeriut, çdo frymë, çdo betim
shkrep si dritë mbi terrin e së keqes.
Plagët nuk i shuan koha,
as frika s’i fik flakët e shpirtit.
–
Ne ecëm këmbë zbathur mbi gurë,
por zemrat mbajtën armët e besës.
Liria s’u mbarue — rritet në çdo përpjekje,
në çdo sakrificë, në çdo gjak të derdhur.
–
Toka i ruan gjurmët tona,
por mbi to rritet shpresa e gjallë.
Edhe kur errësira duket e pafund,
në horizont ndizet flaka e një lirie që s’u mbarue.
—
Burgu Idrizovës, 16 Nëntor 2025. 🦅🇦🇱
Vazhdon…..
————–
8
RAPSODI E PËRMENDORES SË HARRUAR
–
Janë mbledhë burrat, dorë për dore,
në emër t’Atdheut të ngrejnë përmendore.
Për trimat që ranë, për martirët e lirisë,
t’i nderojmë me një gur – kujtim i pavdekësisë.
–
Kambanat ranë, pushka s’u dëgjue,
populli dha lekë, martirët me i nderue.
Pasardhësit krenarë, me shpresë në sy,
për djemt që s’u kthyen kurrë prej lufte n’shpi.
–
Por ditët kaluen, vitet u tretën,
përmendorja s’u pa, veç fjalët mbetën,
e n’vend të gurit – një faturë e gjatë,
me shpjegime t’flliqta e ndërgjegje të ngratë.
–
Në emër të Atdheut – vjedhën pa ndrojtje,
nën hijen e flamurit – bënë pasuri,
e ndërsa populli rri në lot e mall,
ata pinë verë, tue përmendë “ideal”.
–
Oh, gurët që s’u çuen, janë dëshmi,
të një turpi që rëndon mbi burrni,
se përmendorja s’ngrihet me të mjerë,
po me shpirt të pastër, me besë e nder.
–
Dhe një ditë, kur historia të flasë,
n’faqe të librit emrat do t’i plasë,
jo si heronj, po si turp i fisit,
që vodhën dritën – e lanë pas terrin e pistë.
–
-Atëherë, mbi varret e djemve të vrarë,
s’do rriten lule, po heshtje e tharë,
se gjaku s’duron mashtrim mbi gjak,
as lakmia s’falet – popullit me i hy në hak.
—
Autor: Genc Sefa – Lushnja
–
Kjo rapsodi i kushtohet të gjithë atyre që,
në emër të patriotizmit, mbushin xhepat e tyre, ndërsa populli pret një gur nderimi për bijtë e vet.
—————–
9-

KOHË QË RRI MBI PLAGË
–
Koha rri mbi plagë si hijet mbi male,
nuk flet, por ndien çdo rrjedhje gjaku;
në çdo gur, në çdo pemë të thyer
rrëfehet historia e qëndresës së pafund.
–
Hapet kujtesa — një plagë e re lind,
një frymë e vjetër ngrihet prej dheut;
ne e ndiejmë: të heshtur, të padukshëm,
por me peshë mbi çdo hap të njeriut.
–
E kaluara dridhet mbi të tashmen,
e ardhmja vështron heshtjen me kujdes;
dhe ne ecim mes plagëve që mbajnë emra,
duke i thënë vetes: “Mos harro…”
–
Koha nuk i fshin plagët,
ajo veç i mbledh në thellësinë e vet,
që t’i shohësh, t’i ndiesh, t’i kuptosh…
dhe të mësosh të ecësh me to.
—
Autor: Genc Sefa – Lushnja
Burgu Idrizovës, 18 Nëntor 2025. 🦅🇦🇱
Vazhdon…..
———————-
10-

JETA NËN HIJE E DRITË
–
Në shtëpi të thyer, mes pluhurit dhe hirit,
jeta ecën me hapa të ngadaltë, por të vendosur.
Fëmijë që qajnë, pleq që ndiejnë heshtjen,
por gjithsesi frymë e gjallë, që kërkon diellin.
–
Hije e djeshme rri mbi gjurmët e tyre,
por drita shfaqet mes gërmadhave të shpirtit.
Çdo plagë ka rrëfimin e vet,
çdo dhimbje lind një kujtesë të pathënë.
–
Njerëzit ngrihen, i kthejnë duart tokës,
duke marrë forcë nga rrënjët që s’u thyen.
Jeta nuk ndalet, edhe kur terri duket i pafund,
ajo gjen mënyrën të thithë dritën në çdo qelizë.
–
Në çdo buzëqeshje të fshehur,
në çdo sy që ndriçon pavarësisht hijeve,
ndjen fuqinë e një lirie të vogël,
dhe besimin që asgjë nuk shuhet përfundimisht.
—

Burgu i Idrizovës, 19 Nëntor 2025.
Vazhdon….
———
11-

AMANETI I BREZAVE
–
Dëgjomë, brezi i ri,
shkruaje amanetin mbi gurë e erë:
çdo hap që merr mbi dheun e Arbërit,
bëje me zemër, bëje me nder.
–
Brezat e shkuar lanë gjurmë gjaku,
lot e pluhur mbi fushat tona,
por gjithçka që dhanë — e dhanë për ty,
si flamur që digjet e në heshtje qëndron.
–
Mos harro plagët, mos harro zërat,
mos e lerë errësirën t’i fshijë kujtimet.
Në çdo frymë, në çdo rrahje zemre
rri amaneti i brezave:
të mos harrosh, të mos dorëzohesh,
të mbash zjarrin e lirisë e të nderit.
–
Bëhu ti mbajtësi i flakës,
që ndrit mbi kodra, mbi male, mbi varre,
deri kur koha t’i mbledhë të gjithë,
por kujtimi i tyre
të mos shuhet kurrë.
—

Burgu Idrizovës, 20 Nëntor 2025. 🦅🇦🇱
—
Vazhdon…..
——————
12-

KOHA E RE (EPILOG)
–
Dhe erdhi koha e re mbi male e fusha,
me dritë që thyhet mbi gjurmët e së shkuarës.
Njerëzit ecin, të lodhur por të fortë,
duke marrë frymë nga kujtesa që s’u shua.
–
Gjaku, plagët dhe betimet e vjetra
nuk janë vetëm hijet e së kaluarës,
por udhërrëfyes për çdo hap të ardhshëm,
drita që ndriçon rrugën e brezave.
–
Mbaj zemrën të hapur, mbaj nderin të gjallë,
sepse liria nuk është dhuratë,
është flakë që duhet mbajtur
me dorë të sigurt e shpirt të fortë.
–
Koha ndryshon, por kujtesa qëndron,
dhe ne ecim mbi tokë, mbi gurë, mbi plagë,
me besim se çdo hap, çdo frymë, çdo betim
i bashkon të shkuarën me të ardhmen…
–
…dhe kështu lind një kohë e re,
një kohë që rri mbi plagë, mbi gjak, mbi kujtesë,
por gjithmonë me shpresë, me dritë e me nder.
—
PAS’THËNIE E AUTORIT
–
Këto poezi lindën mes hijes dhe dritës sime –
aty ku koha heton shpirtin dhe njeriu përballet
me të vërtetat që nuk ikin.
I shkrova që të mos humbasin zërat e heshtur,
plagët që flasin dhe besa që mbijeton mbi gurë e histori.

Në këto vargje rri e vërteta ime:
se jeta ecën, edhe nën hi, edhe nën gur,
por gjithmonë drejt dritës.
—
Me postimin e poezisë “Koha e re (Epilog)”
mbyllet ky cikël me shtatë poezi:
1. Heshtja që ngrihet
2. Gjakut i gurit
3. Liria që s’u mbarue
4. Koha që rri mbi plagë
5. Jeta nën hije e dritë
6. Amaneti i brezave
7. Koha e re (Epilog)
—

Burgu i Idrizovës, 21 Nëntor 2025.
———————
13-

DITA E ALFABETIT
Fluturimi i Fjalës Shqipe
–
Sot fluturon fjala mbi fusha e male me besë,
më e lashta, gjuha jonë, që si diell ndriçon.
Një germë e vogël mbarti dhimbje e shpresë,
u mbajt fshehur në shekuj, por sot na bashkon.
–
Në Manastir u mblodhën trima mendjendritur,
me laps dhe zemër, me guxim e shpresë.
Ringjallën gjuhën e ëmbël, që ishte në të fikur,
që kombi e fjala shqipe përjetë të mos vdes.
–
Çdo shkronjë flet për rrugë të mundimshme,
për emra të harruar, për sakrifica të dhimbshme.
Mes errësirës shekullore e shkollave të fshehta,
fëmijët mësuan gjuhën si thesare të shenjta.
–
Zëri ynë s’u shtyp, s’u fik në errësirë,
sot këndon në gjuhën shqipe, ëmbël me dëshirë.
Çdo fjalë është fitore mbi heshtjen dhe rrezikun,
çdo germë një flamur që sfidon armikun.
–
O bij të shqipes, në këtë ditë të shenjtë,
nderoni frymën e atyre që luftuan për fjalë.
Sepse alfabeti nuk është vetëm germë në letër,
është shpirt i kombit, ku takohen brezat me etër.
–
Për ata që lanë jetën për të mbrojtur gjuhën,
për librat e djegur, për lapsin e humbur,
për emrat e harruar që veç toka mban kujtime,
çdo shkronjë sot flet, çdo fjali i thotë nderime.
—
Burgu i Idrizovës, 22 Nëntor 2025.

14-
NËN DRITËN E SAJ
–
Kush ta ndjen rrahjen e zemrës,
para se ta dëgjosh vetë?
Kush t’i largon stinët e errëta,
e kthen përsëri dritën në jetë?
–
Kush t’i ngroh duart me mirësi,
edhe kur fjala s’ka dalë?
Kush rri zgjuar mbi ëndrrat e tua,
me lutje që ngjiten në mal?
–
Kush t’i sheh sytë kur ke frikë,
e t’i kthen prapë shpirtit shpresë?
Kush t’i fal të gjitha forcat,
e veç me buzëqeshje qetëson një vjeshtë?
–
Sa herë rruga bëhet gurë
e nata mbi supe rëndon,
kush t’i prek supet si dritë
dhe thotë: “Mos u dorëzo, bir a bijë, kurrë!”
–
Lum kush ka një zemër të tillë,
që s’ka krahë, por fluturon lart.
Sa herë bota të duket e ftohtë,
ajo ndez ngrohtësinë në shpirtin tat.
–
E në ditën kur zërat bien
e çdo hije t’ka kapluar,
ajo qëndronte si hënë mbi ballin tënd,
Nëna, që ditë e natë rrinte zgjuar.
—
Dedikim:
Kjo poezi është për të gjitha Nënat që rrinë zgjuar për fëmijët e tyre,
dhe veçanërisht për Nënën time, që ndonëse nuk është më pranë meje,
mbetet gjithmonë dritë dhe strehë në shpirtin tim.
Burgu Idrizovës, 23 Nëntor 2025.
———-
15-
NË QELINË KU S’NDALET ZEMRA
–
Edhe sonte s’më merr gjumi,
n’qeli të ftohtë, në errësirë.
Nji kujtim mendjen ma shkundi,
e m’çoji pashpirt, pa mëshirë.
–
Mbi mure heshtja varet plumb,
as frymë s’dëgjohet n’korridor;
veç hapat e natës si ushtimë
ma trazojnë zemrën përmbi dorë.
–
Diku shkruhen emrat e harruar,
përtej murit, dritat ende s’jan shuar;
por në mua vlon gjaku i Arbërisë,
si prush që s’ftohet prej acarit t’qelisë.
–
E di: liria s’asht dhuratë,
as jeta rrugë pa plagë e dhimbë;
por n’këtë qeli ku rrin terri,
mendja ime shndrit si shkëndijë.
–
Dhe s’dridhem; jo! S’ia kam frikën,
as natës, as prangave që kërcasin;
se shpirtin tim s’e ka mposht kush,
që prej ditës kur për flamur u ngjita monopatit.
–
Përtej kësaj dere me hekura të rënd,
qëndron nji tokë, e ëmbël si ëndërr;
ajo m’mëson si t’rrij i fortë n’vetmi,
dhe mos me u mposht kurrë në robëri.
–
Ndaj le të vijë nata me të gjitha
hijet e saj që më vërsulen;
asnjë nuk m’ban më të dobët,
përkundrazi, më ngrihet shpirti n’kulëm.
–
Se s’ka qeli që mbyll betimin,
s’ka terr që e mbyt nji të vërtetë;
atë që njeriu ia flet vetes,
për Atdhe – për dritë – për jetë.
–
Dhe sonte prap s’po m’vjen gjumi,
por kjo s’asht mallkim, as plagë që vlon;
asht kambanë që m’thërret prej brendësisë,
me mos me u nda prej rrugës së lirisë.
–
Kështu, n’qeli ku muret heshtin,
ku acari hyn si bishë e egër,
unë rri e shkruaj në zemër gurë:
Liria lind prej gjakut të Atdheut,
e njeriut që s’u mposht kurrë.
—
Burgu Idrizovës, 24 Nëntor 2025
——————
16-
KUR NJERIU HUMB, POR ZEMRA NUK RRËZOHET
–
-Shumë gjëra kam humbur në këtë jetë të trazuar,
por kurrë s’u ula, kurrë s’u bëra hi.
Disa u vodhën prej luftës, disa prej kohës dëshpëruar,
e disa rrëshqitën prej duarve pa kuptuar si.
–
Humba rininë në pluhurin e luftës për liri,
por shpirtin, që forcohej pas çdo plage, kurrsesi.
Dhimbja u bë shok i heshtur, që rrinte pranë meje,
por kurrë s’ma theu zemrën, betejë pas beteje.
–
Humba shëndetin ndër krisma e ndër rrëke,
por zjarri m’qëndroi si flamur i ndezur për atdhe.
Kur je në luftë, nuk matet dhimbja;
matet vetëm qëndrimi — dhe unë qëndrova.
–
Humba gëzime të vogla me fëmijën tim,
çaste që s’i kthen as forca e Zotit.
Veç drita e tyre rri n’sytë e mi si kujtim,
si flakë që ndriçon e heshtur udhën e lotit.
–
Humba babën… e pastaj nënën…
bashkë me ta, humba diellin edhe hënën.
Në heshtjen e gjatë të burgut,
ku koha nuk kishte krah me u ngritë,
muret u bënë dëgjues të përjetshëm
të zërave që zemra i ruante në dritë.
–
Humba lirinë — një herë për flamur,
e një herë tjetër, se flamurin nuk e lashë kurrë.
Koha m’u kthye në lum të ngrirë, të turbullt, skëterrë,
por unë mbeta i drejtë, pa u thyer, pa u shterrë.
–
Lashë fëmijën tim prapa, me mall të patreguar,
dhe kjo plagë prek më thellë se çdo humbje tjetër.
Se zemra e një babai nuk është gur pa dhimbsuri,
edhe kur bota rrokulliset pa plan e pa qetësi.
–
Shumë humba… por jo veten.
Shumë më mungojnë… por shpirtin e mbaj gjallë.
Se burrat qëndrojnë edhe kur plagët i rëndojnë
dhe ecin përpara plot dinjitet, e nuk ankojnë.
–
Prandaj sot nuk flas si ai që u përkul,
por si ai që rrugën e mbajti në këmbë pa u lakuar.
Si ai që dhimbjen e shndërroi në zjarr të pashuar,
e prej saj mori forcë e motivë për të vazhduar.
–
Dhe nëse nesër jeta s’më fal asgjë, s’dua t’ia di,
unë prapë do rri në këmbë, si gur i palëkundur n’stuhi.
Se njeriu humb, por zemra nuk rrëzohet kurrë
është zjarr i shenjtë, që mban njeriun gjallë —
edhe kur bota bëhet pluhur.
—

Burgu Idrizovës, 25 nëntor 2025
——————–
17-

MIDIS HIJESH
–
Nëpër qeli më ndjek një hije,
S’e dalloj, po s’më lë rehat…
Majtas lodrojnë dreqër e hafije,
Djathtas shpërthejnë djaj çdo natë.
–
Rrotul shtratit rrin një mjegull,
Si demon që pret me marrë hak:
Gjysma e errësinës plot me hije,
Gjysma tjetër helm e gjak.
–
Ngre një libër, qelia nxihet,
Letra dridhet si qenie gjallë:
Nëpër faqe shkruejnë hijet,
Nëpër mendje çapiten djaj.
–
S’di kah t’ia mbaj n’këtë murlan,
As me plasë, as me marrë frymë:
Majtas kercasin hije e shejtan,
Djathtas qeshin djaj mbi krye.
–
Ndal, më thonë — e s’kam ku ndalem,
Ec — më thërrasin — drejt për muri;
N’mes t’tyne rri me shpirt të ngrehun,
Si n’Kumanovë, ku dreqi prit na vuri.
–
Por prap e madhe kjo zemër ime,
S’e tremb nata, rob as faj:
Majtas le t’lusin hijet e mbrame,
Djathtas le t’rrotullohen dreqër e djaj.
Unë n’mes, me besë e kryelartësi,
I gjallë — e i fortë në çdo stuhi.
—
Autor: Genc Sefa – Lushnja!
Luftëtar i robëruar në emër të Atdhedashurisë!
Burgu i Idrizovës, 26 Nëntor 2025.

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 26/11/2025

© 2016 - 2026 | DIPLOMACIA.dk