Në dritën e lajmit se Kryeministri i Shqipërisë ka vendosur t’i delegojë të gjitha prokurimet publike një sistemi inteligjence artificiale të quajtur “Diella”, ndjej detyrimin qytetar e profesional të sqaroj (aq sa njoh) opinionin publik mbi pasojat e këtij akti.
1. Ligjshmëria e vendimit:
Ligji nr. 162/2020 “Për Prokurimin Publik” përcakton se autoritetet kontraktore dhe organet e tyre janë të vetmet të autorizuara të administrojnë dhe vendosin mbi tenderat publikë. Delegimi i këtyre kompetencave te një entitet që nuk ka status juridik, siç është një program inteligjence artificiale, përbën shkelje flagrante të ligjit.
Në këtë kuptim, çdo kontratë e nënshkruar mbi bazën e një vendimi të tillë është e pavlefshme juridikisht dhe cënon drejtpërdrejt buxhetin e shtetit.
2. Pasojat ekonomiko-shoqërore
Një akt i tillë rrezikon:
– Paralizimin e sistemit të prokurimeve, pasi çdo palë kontraktore mund të anulojë marrëveshjet e lidhura mbi një bazë të paligjshme;
– Rritjen e korrupsionit, sepse mungesa e përgjegjësisë juridike të një AI-je e bën procesin të pakontrollueshëm;
– Humbjen e besimit te shteti, duke krijuar destabilitet social dhe politik.
3. Përgjegjësia e Kryeministrit:
– Sipas Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, Kryeministri mban përgjegjësi për veprimtarinë e qeverisë dhe aktet e saj.
Në këtë rast, ai është drejtpërdrejt përgjegjës për një shkelje ligjore që ka pasoja të rënda mbi jetën ekonomike dhe shoqërore të vendit. Përgjegjësia e tij është:
-Politike, para Kuvendit dhe opinionit publik;
– Administrative dhe penale, nëse prokuroria konstaton elementë të shpërdorimit të detyrës sipas Kodit Penal.
4. Nevoja për reagim institucional
– Është detyrë e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) dhe e institucioneve të kontrollit të ligjshmërisë të hetojnë menjëherë këtë vendim dhe të marrin masat e duhura për mbrojtjen e interesit publik.
-Vetëm nëse konstatohet paaftësi mendore e Kryeministrit për të ushtruar funksionet e tij, mund të shqyrtohet ndërhyrja mjekësore psikiatrike. Por në kushtet aktuale, ky është mbi të gjitha një problem ligjshmërie dhe përgjegjësie shtetërore, jo mjekësore.
-Kapitalizmi që kalon në rrugë të pashkelura do na shpjerë në një humnerë më të thellë se ajo ku na shpuri socializmi i rrugëve të pashkelura.
Shkatërrimi i shtetit shqiptar është strategji e kulluar e Beogradit për të rizaptuar Kosovën dhe kjo bëhet shumë më e lehtë me një Shqipëri të telikosur
Përfundim:
Delegimi i prokurimeve publike një inteligjence artificiale është një akt i paligjshëm, me pasoja të rënda për ekonominë dhe shoqërinë shqiptare.
Në këtë situatë, prokuroria, Kuvendi dhe shoqëria civile duhet të reagojnë me forcë për të mbrojtur shtetin e së drejtës dhe parimet e demokracisë. Heshtja është baraz me bashkëfajësi.


Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!
