14 Poezi nga Gencit- DIELLI I DIMRIT

31
Oct
2025
Autor: Genci Sefa – Lushnja

1

Dimri vjen, por premtimet s’ngrohin dot;
dielli dridhet me dritë të ftohtë;
rreze akulli prekin çdo fletë,
nga heshtja lind veç robëri e plotë.
–
Ngrohtësia s’vjen prej qiellit të ngrirë;
ajo ndizet në gjak e në shpirt;
si prush që në erë s’njeh vdekje,
si frymë që s’e mposht acari i dimrit.
–
Kur nata e gjatë përpin çdo shpresë,
e këngët ngrijnë mbi buzën e tharë,
një zë i lashtë thërret nga malet:
“Mos heshtni! Ndizeni zjarrin, shqiptar!”
–
Asnjë furtunë s’shuhet me pritje;
asnjë dimër s’bart verën mbi shpinë;
veç zemra që digjet, prush i pashuar,
ngre flamuj drite mbi borën e zezë.
–
Ne ngrihemi sërish ndër shekuj;
jo nga dielli që ftohet në acar,
por nga shpirti që s’pranon robëri,
dhe lind liria — si agim mbi zjarr.
——

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

2
KËNGA QË S’U NDAL NË GRYKË
–
(Nazmi Ukzmajli – Dëshmor i Kombit)
–
Në Grykën e Jezercit, ku uji gurgullon,
Ku gurët rrëfejnë për historinë tonë,
Aty lindi kënga që kurrë nuk u ndal,
Në zemrën e Nazmiut ndezi flakën për ideal.
–
Në mërgim n’Gjermani ai s’e pati qetësinë,
Këndonte për nënat, për mallin, Dardaninë,
Këndonte për djemtë që n’shpi s’u kthyen,
Për ata që një ditë do të ngriheshin për lirinë.
–
Thoshte: “Kënga, vëllazën, është si baroti,
Nuk vret, po shpërthen n’zemër të kombit.
Pushka dhe kënga janë gjaku i shqiptarëve,
Ngrihen bashkë për tokën e të parëve.”

-Kur ra Adem Jashari, u drodh mërgimi,
Në zemrën e Nazmiut shpërtheu kushtrimi,
La rehatinë, punën, andrrat që kish ndërtuar,
U kthye në Atdhe – me mall të pashuar.
–
Jezerci e priti me diell n’shpirt,
U rreshtue me shokët n’nji betim të vërtetë:
“Do ta çlirojmë këtë tokë, sado që t’na kushtonë.
Se liria s’vjen me lot, por me gjakun tonë.”
–
Në kasollen e natës, me Ferrin komandant,
Folën për këngën që ka me ushtue gjatë:
“Kur t’bie unë,” tha Nazmiu, “mos qani,
Veç këngën time n’buzë të fëmijëve mbani.”
–
E agimi u çel me krisma e zjarr,
Gryka u mbush me tym e me barot t’artë,
Nazmiu doli përpara – pushkës përballë,
Si shqiponjë e zezë që rrufet i mban gjallë.
–
“Mos u trembni, djem! Liria s’kërkon lot,
Ajo kërkon gjak me nder e me zot!”
Krismat u përzien me këngën e tij,
Derisa plumbi e gjeti pranë shpirtit t’trim.
–
Ra Nazmi Ukzmajli, po s’ra kënga e tij,
E mori lumi me vete për n’det e për bri,
Në çdo verë, kur era n’Grykë fryn me mall,
Dëgjohet një zë – si një këngë që s’ka ndal.
–
Në Abensberg të largët, shokët i këndojnë,
Shoqatën e mbajnë me emrin e tij – n’krenari e nderojnë,
E n’Ferizaj Lapidari ndrin si flakë e pavdekësisë,
Ku çdo vit thirret një fjalë: Lavdi e përjetësisë!
–
Se heronjtë si Nazmi Ukzmajli s’vdesin kurrë,
Ata shndërrohen në këngë, në erë, në flamur.
Në buzët e fëmijëve, n’nji këngë që s’u ndal,
Në Grykën e Jezercit, ai rron i gjallë!
——–
3
Postimi 1 – Kohë të zymta

Parathënie:
“Koha e maskave” Një poezi e ndarë në katër pjesë, është zëri i ndërgjegjes në një botë ku fytyrat
e vërteta humbin nën rrenat dhe mashtrimet.
Një poezi satirike që tregon kohën e mashtrimit, frikës dhe dallavergjisë, por ku shpirti shqiptar mbetet i gjallë.
–
Poezia e parë.
–
Kohë të zymta po kalojmë,
Nuk po dim çka të besojmë,
Është bë ’jeta si telenovelë,
Vendi pa burra shkret ka ngelë.
–
S’ka vlerë fjala e burrnia,
Sot më shumë vlen dallavergjia,
U kthye mashtrimi n’urtësi,
E nga i ndershmi na vjen mërzi.
–
Në krye ngjitet kush turp s’ka,
Gënjen e buzëqesh, grabit sa t’ka.
Drejtësia flet – mallkimi e pret,
Ndërsa trillimi vlerësohet në jet.
–
Besa u shit për një karrige,
Miku tradhton për një “like”,
Kush t’rreh pas shpine, e quajnë “i mençur”,
E kush punon drejt, i thonë prapambetur.
–
Kohë të rënda, kohë të rrejshme,
Drejtësia shkon e verbër, besa e zbehtë.
Djalli vishet me rroba të bardha, bën fytyrë të mirë,
E i ndershmi s’ka vend as në udhë të lirë.
——-
4
Njerëzit e Maskave (Pjesa II)’
–

Sot njeriu s’është ma njeri,
Por maskë që ndërron çdo ditë si veshje,
Në mëngjes të përshëndet me mirësi,
Në darkë t’vret me fjalë e ngërdheshje.
–
Ka mbetë shoqnia n’pazar t’gënjeshtrës,
Ku secili shet çka s’ka në shpirt,
Fjalët janë mjaltë, zemra helm,
Buzëqeshjet – thika në pritë.
–
Rrijnë n’kafene me poza të rreme,
Me fjalë të mëdha e mendje të fshirë,
Nderin e atdhetarinë e kanë me t’bleme,
Por e shesin vëllanë, veç për një lirë.
–
Të ndershmit heshtin, s’u ngel fjalë,
Se s’duan me u bâ si ata,
Ndërsa maskat, sa herë rrëzohen,
Ngriten prapë me mashtrime të reja.
–
Në rrjete – trima me tastierë,
N’jetë reale – frikacakë pa shpirt,
Në zemër s’kanë zjarr as besën e zotit,
Veç etje për emën e lavdi t’kotit.
—
Citat:
“Në rrjete – trima me tastierë, /
N’jetë reale – frikacakë pa shpirt.”
—
Vazhdon…
——

5
·
Vlera të humbura (Pjesa III)
–
Ku janë burrat që s’përkuleshin kurrë,
Që fjala e dhënë vlente si gurë,
Që s’e shisnin nderin për t’ardhura,
E s’bënin be n’emën t’pazareve?
–
Ku janë nënat me zemër t’pastër,
Që mbanin shtëpinë si një kështjellë,
Që rrisnin fëmijë me besë e dashni,
Jo me telefona e mendje t’mbjellë?
–
Sot fëmija mëson prej ekrani,
Jo prej nanës e babës n’sofër,
S’ka ma këngë, as tregim për trima,
Veç filma boshe e zemra të thata.
–
Ka humbë urtia që kish populli,
Fjala “falemnderit” u ba tallje,
E “më fal” s’e thotë kush ma,
Se mendja as zemra s’kanë ma hallë.
–
N’rrugë s’ka ma përshëndetje,
As “mirë se erdhe”, as “si je?”,
Secili vrapon pas interesit,
E njeriut s’i ka mbetë ma Atdhe.
–
Kah t’shkojsh, ndjen nji zymtësi,
Si mjegull që s’të len me pa,
Se është damtue shpirti i kombit,
E po kërkon me gjetë pak dritë e paqe.
—
“Si është damtue shpirti i kombit, /
E po kërkon me gjetë pak dritë e paqe.”
—————
6

A ka shpëtim kjo botë? (Pjesa IV)
–
A ka shpëtim kjo botë që shkon,
Pa ndjenjë, pa turp, pa nder e zot?
Ku fjala vdes në buzë të ftohta,
E e vërteta s’ka më vota.
–
A ka shpëtim, kur trimi hesht,
E frikacaku krenohet me rrenë,
Kur djalli shitet me shpirt të praruar,
E t’urtit i thonë “Njeri i harruar”?
–
Ndoshta një ditë, kur t’vrasim kreninë,
E t’kthejmë n’zemër nderin e dashninë,
Kur t’kujtojmë rrënjët e gjakun tonë,
Atëherë ndoshta shpresa kthehet n’truall.
–
Veç edhe një za në këtë jetë të mbesë,
E shpirti i drejt kurr nuk do të vdesë.
Derisa zemra t’ketë pak zjarr,
Kjo botë s’ka me u shue, por do eci mbar.
–
Se edhe n’errësinë ma t’zezë,
Nji dritë e vogël prapë ndrit diku,
E n’se njerëzia humb n’pazar,
Shpirti shqiptar s’ka për me u shu!
—-
“Se edhe n’errësinë ma t’zezë,
nji dritë e vogël prapë ndrit diku…”
——–
7

LEGJENDA E SHPIRTIT TË DREJTË
–
Disa hedhin gjithçka në erë për nder,
si yje që bien nga qielli për t’ndriçuar të tjerë.
Të tjerë fitojnë botën, por shesin shpirtin,
për pak para e pushtet – turpin e përtypin.
–
Jeta u rrjedh si ujë nëpër duar të ftohta,
dhe kthehet vetëm hije, në skutat e kota.
Për pushtet ngjiten mbi kurriz të shqiptarëve,
djegin, fyejnë e shkelin mbi gjakun e Atdhetarëve.
–
Ata që shesin shpirtin, vetja u ka pëlqyer,
harrojnë se një ditë drita do të ndalet,
dhe çdo hije do t’kthehet kundër tyre,
si fantazmë e kohës – asgjë nuk falet.
–
Ata s’të përbuzin pse s’ke para,
por pse nuk pranon të bëhesh si ata,
nën rrufetë dhe erën që vërshon,
matrapazët e jetës ndershmëria i pengon.
–
Të drejtët në këtë botë lihen mënjanë,
zemra e tyre si pema që sfidon stuhinë,
rritet drejt qiellit, thith diellin e paanë,
dhe s’njeh çmim tjetër veç ndershmërinë.
–
Koha i ngre ata që qëndrojnë pa frikë,
të pathyer, si yje që sfidojnë errësirën,
shkëlqejnë në dritën e përjetshme të shpirtit,
veç ata që kësaj toke ia duan të mirën.
–
Në luginat ku heshtja kujtimet i rrit,
e në malet ku bora mban emra të ndritshëm,
shpirtrat e ndershëm s’flenë, por enden në erë,
si zëra të lashtë që zgjojnë stuhitë,
e çdo hap i tyre kthehet në këngë,
për trimat që kurrë s’u përkulën mbi dhe.
–
Dhe kështu, mes hijeve e dritës,
jeton e pavdekshme historia e shpirtit,
një botë ku dinjiteti s’blihet,
por ndriçon si yll që nuk shuhet kurrë.
——-
8
NË DRITËN E SHPIRTIT
–
Në thellësi të zemrës digjet një zjarr,
që s’e shuajnë stuhitë, as kohë e as varr;
është drita që shndrit mbi plagë e mall,
fjalë e Zotit në heshtje, që kurr s’është ndal.
–
Kur nata bie mbi shpirtin e lodhur,
e hijet kërkojnë ta fshehin dritën,
një fije shprese ndizet n’brendinë,
si fryma që ringjall të vërtetën.
–
S’e mposht errësira atë që beson,
as frika s’e ndal hapin e dritës,
se shpirti i pastër, edhe kur rrëzohet,
ngrihet përsëri n’krahët e qetësisë.
–
Në fund të çdo rruge ka një agim,
që lind mbi dheun e premtimeve të vjetra,
ku njeriu gjen veten – të lirë, të dlirë,
në përqafimin e dritës së vërtetë.
–
E kur të shuhem unë një ditë,
drita s’do shuhet me mua bashkë;
se çdo e vërtetë që lindi në shpirt,
mbetet përjetë – si agim i pashuar.
—

Moto:
Hijet s’mund të mbulojnë dritën,
as gënjeshtra s’mund të fshehë të vërtetën.
——
9

NGJITJA E SHQIPONJËS
–
Njerëzit që mbajnë barrët e rënda,
kanë shpinën shkëmb e shpirtin flakë.
Kur tjerët dridhen nën erën e zezë,
ata përkulen veç për me u ngrit më lart.
–
Nëpër furtuna kalisin krahët,
si shqiponja që lind në rrëmbim të erës.
Ajo s’fshihet në degë e kashtë,
po ngrihet në qiell, mbi rrëfen e stuhisë.
–
Mos e kërko rehatinë — ajo ta vret zjarrin,
ta lidh shpirtin në zinxhirë të lehtë.
Kërko forcën, se vetëm në dhimbje,
njeriu bëhet kreshnik i vetvetes.
–
Ngrihu, vëlla, kur pesha t’a shtyp supin,
mos qaj, se loti nuk ngjall trimni.
Çdo plagë që djeg, të rrit shpirtin,
si gjurma në gur — shenjë që s’shlyhet kurrë.
–
Ngrihu në stuhi, me zemër të fortë,
se qielli i lirisë s’hapet për frikacakë.
Vetëm ata që përballin furtunën,
fluturojnë si shqiponja — përjetësisht pa cak.
–
Kur t’lodhet shpirti nën barrën e jetës,
mos kërko rrugë të lehtë, as pushim të shkurtër.
Ngrihu prapë, se stuhitë janë mësues të shpirtit,
vetëm ai që duron, fluturon drejt dritës së pafund.
–
Mos e harro, o njeri me zemër mali:
Forca s’është dhuratë, po betejë me vetveten.
Kur të tjerët bien, ti bëhu si shqiponja,
që gjen lartësinë — në zemër të rrufesë.
—
Moto:
“Si shqiponja në stuhi – përjetësisht për liri.”
——
10
LUANI DHE HIENA

-N’katër anë Hiena, që shtiren si Luan,
Disa thonë Shqiponjë, por as sorra s’jan.
Se drita s’vjen nga britmat e klithjet e mjera,
Por nga heshtja e burrit, që fjalët i ka vlera.
–
Shtiren sikur qeshin, po në shpirt katran,
Bëjnë sikur nxjerrin dhëmbët, por dhëmb s’kan.
Më mirë plagë në ballë me nder,
Se sa kurorë mashtrimi me turp e i mjerë.
–
Hijet të rrethojnë, me buzëqeshje të flasin,
Të përkëdhelin sedrën me egon e “lavdisë”.
Mos u gënje nga duart që të duartrokasin,
Kur zemra e tyre fsheh thikën e tradhtisë.
–
Bëhu ai që je — i drejtë e i gjallë,
Pa maskë, pa frikë, pa trillim.
Fuqia s’lind nga kotësira e fjalë,
Por nga heshtja që përtyp dhimbjen me guxim.
–
-Kur bota të heshtë, mos u mpak,
Ajo s’është lavdi, as kurorë.
Është heshtje frike, që s’guxon të shohë
Dritën e ndershme të shpirtit Arbëror.
–
Luan bëhesh, kur lufton për drejtësi,
Jo kur ulërin për famë në errësirë.
Shqiponjë bëhesh, kur fluturon mbi male për liri,
Jo kur ha nga duar që nuk vijnë aspak era njeri.
–
E kur t’i rrjedh heshtja si lumë prej dritës,
Kur fjala jote peshon si gur në shpirtet e njerëzve,
Atëherë do ta ndjesh nderimin e botës —
Jo në zë, por në dridhjen e shpirtit të saj.
—
Pasthënie
Poezia na kujton se lavdia nuk është në zë e famë,
por në heshtjen e guximshme dhe ndershmërinë
e shpirtit.
Të jesh Luan dhe Shqiponjë do të thotë të ruash dinjitetin, nderin dhe fuqinë e vetvetes.
—
Moto
“Bëhu Luan, jo Hienë; bëhu dritë, jo hijë.”
—————–
11

KURORA E KLLOUNIT
–
Mos ia vër kurorën kllounit,
se jeta shndërrohet në cirkun e rrugës.
Buzëqeshja e tij fsheh kurth e mashtrim,
e heshtja jote mbytet n’zhurmën e turmës.
–
Çdo hap mbi petale të rreme tretet,
krenaria thyhet, zemra mplaket,
qeshja e tij s’është festë, por vrer,
helm që ngadalë shpirtin ta shter.
–
Mos lejo të shkelin në nder,
marioneta kërkushi mbetet çdo herë,
kurora i takon vlerave t’burrnisë,
jo kllounit që luan me mirësinë e njerëzisë.
–
Kurora i takon luftëtarëve t’vërtetë,
që idealin e mbajnë si dritë në jetë,
se drita s’ban vend në shpirt të mbrapshtë,
as n’ballë t’kllounit që nderin e shet.
–
Qëndro i fortë, shqiptar i vërtet,
se cirku s’mund të rrëzojë yjet.
Shpatë në dorë, në rrugën e së drejtës,
se trimi s’bëhet pre e të rremëve t’jetës.
–
Besën në gjak, dritën në sy,
kurora shndrit në fushë e mbi mal.
Veç trimi mban dritën që s’shuhet kurrë,
nderi i tij lartësohet, si yll i rrallë.
———–
12

JETA NUK PRET
–
Jeta — një flakë që s’pritet,
E shkurtër, e turbullt si erë,
Mos e varros të sotmen në harresë,
Mos ju frikëso asaj që vjen nesër.
–
Jeta ikën si lumë i egër,
Mos i vër diga, lëre të rrjedhë,
Se kush e mat me ëndrra të vogla,
E humb veten, e humb çdo shpresë.
–
Ke qenë i zënë gjithë jetën,
Pa folë, pa vepru, pa marrë frymë…
Eh, tani e ndien vonesën në shpirt,
Se s’jetove, veç prite ditën të vijë.
–
Se s’është e lehtë të mësosh jetën,
Duhet një jetë për ta njohë,
Të duash çdo frymë që të jep Zoti,
Çdo hap që lë pas, çdo dritë që sheh.
–
Çdo njeri ka mision në tokë,
Po s’e gjeti, humb në mjegull.
Mos u lidh me dje që shkuan,
Ndërto sot, ëndërro prapë nesër!
–
GUXO! GUXO! GUXO!
Pa frikë, pa dyshim, pa ndalim!
Përballoje stuhinë e ditës,
Qëndro i fortë si shkëmb përballë kohës —
Bëje këtë betim!
–
Sepse veç ai që guxon,
Veç ai që s’e njeh dorëzimin,
E merr jetën që ëndërron,
E kthen frymën në flakë dhe kuptim.
——-
13
Një poemë për tri orët e pavdekshme që ruajnë lirinë e Shqipërisë — vigjilenca, kujtesa dhe shpresa
e brezave.
–
ORËT E LIRISË
–
Tri orë mbi male, mbi fusha e qytete,
sy të pandërprerë që ruajnë Shqipërinë.
Era i sjell këngë të vjetra trimërie,
dhe drita e tyre ndez zjarrin mbi çdo shtëpi.
–
Në qiellin e kaltër valëvitet shpresa,
në çdo shkëmb, në çdo rrugë, në çdo mal,
ato qëndrojnë dhe mbikëqyrin tokën e shenjtë —
tri orët që ruajnë Atdheun nga robëria.
–
E para ndez flakën mbi qytet e fshat,
mos të lërë errësirën të futet në prag.
Në çdo portë, në çdo derë, në çdo rrugë,
ajo mban dritën që zgjat deri në ag.
–
Fytyra e trimave ndriçon nën hijen e saj,
ata që luftuan, ata që ranë,
mësojnë brezat e rinj guximin dhe nderin —
dhe fryma e lirisë nuk shuhet kurrë.
–
E dyta mban kujdes mbi çdo varr trimi,
ku gjaku shkëlqen si yll mbi dheun e shenjtë.
Në çdo tokë të njomë, në çdo rrugë të djegur,
ajo ruan kujtimin e trimave të vërtetë.
–
Në zemrat e bijve që vijnë pas tyre,
ajo zgjon guximin dhe trimërinë e pashuar.
Çdo hap që ngrihet, çdo dorë që punon,
është bekim nga tri orët — udhë e shpresës.
–
E treta vështron horizontin e lirisë,
sytë hapur mbi male, fusha dhe qytete.
Shpresa nuk shuhet, guximi nuk vdes —
ajo mbikëqyr çdo frymë, çdo zemër trimash.
–
Në çdo këmbë lufte, në çdo frymë trimërie,
tri orët qëndrojnë dhe mbajnë flamurin mbi gjithçka.
Në zemrat e brezave që vijnë pas nesh,
ato janë urdhër, forcë dhe kujtesa e përjetshme.
–
Dhe zëri i orëve mbi male ngrihet,
me dritë të trimave zemra s’u tret.
Pa ata që ranë, guximi nuk shuhet,
flamuri qëndron — shpresa kurrë nuk vdes.
Tri orët e Lirisë dhe bijtë krenarë,
bashkë mbajnë Shqipërinë përtej çdo stuhie.
—————

Autor: Genc Sefa – Lushnja
Luftëtar i robëruar në emër të Atdheut

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 31/10/2025

© 2016 - 2026 | DIPLOMACIA.dk