Dilaver Goxhaj – Komandant Shpëtim Golemi: Heroi që meriton të shpallet “Nder i Kombit”!

29
Oct
2025
Shkruan: Xhemil Zeqiri


Kur vullnetarët e lirisë ndëshkohen, ndërsa servilët shpërblehen – padrejtësia bëhet plagë kombëtare!

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Sa padrejtësi duhet të durojë ky komb që të mësojë të nderojë bijtë e vet më të mirë?
Dilaver Goxhaj, i njohur me emrin e luftës Komandant Shpëtim Golemi, është një ndër figurat që prej shumë vitesh duhet të ishte shpallur “Nder i Kombit”.
Ai nuk kërkoi poste, as lavdi; ai nuk u shty nga interesa, por nga ideali i çlirimit dhe bashkimit kombëtar.

Ky burrë, bashkë me të birin Dritan Goxhajn, erdhi vullnetar nga Shqipëria londineze për t’u bashkuar me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
I frymëzuar nga mësimet e Enver Hoxhës për mbrojtjen e Atdheut dhe nga qëndresa e Adem Demaçit për bashkim kombëtar, ai mori pjesë në luftën e shenjtë për liri.
Para flamurit kuq e zi, dha besën shqiptare për bashkimin e trojeve, për një Shqipëri të lirë e të bashkuar.

Por çfarë ndodhi më pas?
Sot, në vend që të nderohen, këta burra janë lënë në harresë.
Shqipëria londineze hesht. Kosova zyrtare hesht.
E më keq akoma – Komisioni Shtetëror i Kosovës ua ka ndalur pensionin e veteranit vullnetarëve nga Shqipëria londineze!
A mund të ketë padrejtësi më të madhe se kjo?
Ata që erdhën nga shteti amë, që dhanë jetën e gjakun për çlirimin e Kosovës, sot trajtohen si të huaj, si të padëshiruar!
A është ky shpërblimi që meriton gjaku i derdhur për liri?

Pse vallë tek institucionet tona ende mungon meritokracia kombëtare?
Pse shpërblehen servilët dhe harrohen idealistët?
Pse duhet të nëpërkëmben ata që luftuan për një ideal të pastër kombëtar, ndërsa lavdia dhe privilegjet u takojnë atyre që s’e kanë ndier kurrë frymën e pushkës e të sakrificës?

Është koha të thuhet hapur:
Dilaver Goxhaj – Komandant Shpëtim Golemi dhe të gjithë vullnetarët e ardhur nga Shqipëria janë krenaria e kombit shqiptar!
Ata nuk luftuan për para, as për pushtet – por për flamurin kuq e zi, për nderin e Atdheut dhe për bashkimin kombëtar.
Kush nuk i nderon këta burra, nuk nderon vetë kombin!

Koha është që Shqipëria dhe Kosova të ndreqin këtë padrejtësi historike, të rivlerësojnë figurat e luftës që dhanë gjithçka për Atdheun dhe të rivendosin drejtësinë kombëtare në vend të hipokrizisë politike.

Sepse pa nder për luftëtarët e lirisë, nuk ka as dinjitet kombëtar, as të ardhme për shqiptarinë!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 29/10/2025

© 2016 - 2026 | DIPLOMACIA.dk