DISA FJALË PËR SHQIPTARËT DHE NAIM FRASHËRIN, NË PËRVJETORIN E LINDJES SË TIJ

25
May
2023

/ Nha arkivi/
Shkruan: Prof.Dr.Abdulla Mehmeti
Çka duhet të mësojmë sot nga jeta e Naimit dhe veprat e tij?
Sot, më tepër se kurrë duhet ta ripërsëritim se, Naimi jetoi dhe e përfundoi jetën e tij në Stamboll, kryeqytetin e Perandorisë Osmane, por ai gjithë jetën e shkriu për kombin, gjuhën dhe Shqipërinë, jo për Perandorinë Osmane, e cila në historiografinë tonë njihet si pushtuese dhe sunduese e egër ndaj shqiptarëve, pavarësisht se shqiptarët përbënin një nga kombet më të fuqishëm që e qeverisën atë perandori, me shumë kryeministra, gjeneralë, guvernatorë anekënd kësaj perandorie dhe dijetarë që i sollën famë asaj dhe Turqisë së mëvonshme.
Naim Frashëri, edhe pse jetoi në zemrën e kësaj perandorie, me veprimtarinë e tij atdhetare, frymëzimin dhe drejtimin e Lëvizjes së Rilindjes Kombëtare, së bashku me dy vëllezërit e tij, Samiun dhe Abdylin, si dhe me dhjetëra rilindës të tjerë, ia vunë vulën lëvizjes për çlirim kombëtar dhe krijimin e shtetit kombëtar, Shqipërisë së pavarur.
Naimi ka dhënë shembullin e një patrioti e dijetari të madh edhe përmes krijimtarisë së tij letrare. Njëra nga dy poemat e famshme të tij ,,Qerbelaja” trajton temë fetare, ndërsa poemën tjetër ,,Historia e Skënderbeut” ia kushtoi kryeheroit tonë dhe luftës heroike të popullit shqiptar kundër pushtimeve të Perandorisë Osmane.
A mund të gjejmë një shembull të tillë mes shkrimtarëve, studiuesve dhe dijetarëve shqiptarë të kohës sonë? Dhe mos harrojmë, Naimi jetoi dhe krijoi në kryeqytetin e Perandorisë Osmane, ndërsa shumë shkrimtarë, studiues dhe dijetarë të kohës sonë, jetojnë në kryeqytetet shqiptare, ose në zemër të Evropës dhe shiten më fetarë dhe më atdhetarë se Naimi, ndërsa shkruajnë dhe punojnë kundër besimeve fetare të shqiptarëve dhe kundër interesave tona kombëtare, fatkeqësisht.
Këtu dhe qëndron rëndësia e porosive të Naimit, të përcjellura përmes veprave të tij, sidomos përmes poemave ,,Qerbelaja” dhe ,,Historia e Skenderbeut”. Askush më qartë se Naimi nuk i ka paraqitur figurat e urryera të çështjes së shenjtë fetare dhe sidomos, figurat e urryera të renegatëve shqiptarë, fatkeqësisht nga soji dhe gjaku i Skenderbeut dhe i yni, si Ballaban Pasha, Hamzë Kastrioti, Mojsi Golemi dhe të tjerë, farra e të cilëve siç duket është shtuar mes nesh deri në ditët e sotme, si farrë hithërrash që sa më shumë ua pret kokën, aq më tepër shtohen.
Sa më tepër t’i lexojmë veprat e Naimit, aq më lehtë do të mund t’i identikojmë dhe luftojmë renegatët, shtrembëruesit dhe përçarësit e sotëm të besimeve fetare dhe të çështjes sonë kombëtare, këta mohues të Zotit e të Atdheut.
(25 maj 2017)

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 25/05/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk