DISA SHKRIME TENDENCIOZE RRETH ORGANIZATËS “KUSHTRIMI I LIRISË”

14
May
2025
Shkruan: Elmaz Ademi


Pse gjithë kjo tendencë negative për ta paraqitur organizatën “Kushtrimi i Lirisë” si organizatë
periodike deri në mosekzistim?
Instituti i Gjuhës, Kulturës dhe Qytetërimit Shqiptar “Josif Bageri” – Tetovë, në Buletinin
“Philosophica”, Ismet Jonuz Krosi boton kumtesën “Rafi Halili – Kolos i lëvizjes kombëtare”. Në
faqen 29 shkruan, citoj:
“Menjëherë pas daljes nga burgu, inkuadrohet në Organizatën ‘Marksistë Leninistë të
Shqiptarëve në Jugosllavi’, organizatë kjo që nxirrte organin e saj me emrin ‘Liria’. Formon
degën e kësaj organizate në Tetovë dhe i vë emrin ‘Kushtrimi i Lirisë’. Vazhdon më poshtë:
Në vjeshtë të vitit 1981, Rafiu ua tha hapur shokëve nga Kosova, se është kundër platformës
rreth kërkesës ‘Kosova Republik’, e cila nuk i përfshin të gjitha trojet shqiptare që janë nën
Jugosllavi.”
Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup, Skender Hasani dhe
bashkëpunëtorët e tij, në librin: “Zhvillimet Kulturore-Historike të Shqiptarëve në Maqedoni,
gjatë shekujve XIX–XX”, në faqen 450 shkruan, citoj:
“Në shtator të vitit 1972, në Tetovë u zbulua një grup (shtatë anëtarë), i cili në vazhdimësi
vepronte armiqësisht nga pozita e nacionalizmit dhe iredentizmit shqiptar. Organizator dhe
drejtues i grupit ishte Rafi Halili – student, dhe anëtarë ishin Gafur Loku – student, Elmaz
Xhemali Ademi – student, Rushit Refet Nesimi – student, Nasuf Abdilreshat Dauti – bujk, Ajet
Sali Ademi – punëtor në kombinatin e tekstilit në Tetovë, Daut Adili – nxënës i shkollës së
mesme.”
Kurse në faqen 455 është titulli: Organizata ilegale “Kushtrimi i Lirisë” – Tetovë
Formimi i organizatës
Kjo organizatë ilegale është formuar në mars të vitit 1981 në Tetovë. Themelues ishin Rafi
Halili, një nacionalist dhe irredentist i dënuar shqiptar, Bejtulla Ademi dhe Xhevat Ademi –
studentë të Universitetit të Prishtinës, me banim në Tetovë. Mbledhjen themeluese e mbajtën në
mars të vitit 1981, formuan një organizatë ilegale të quajtur “Kushtrimi i Lirisë”, me atë rast
bënë betimin dhe pak më vonë formuan celula ilegale në fshatin Reçicë e Madhe dhe në
gjimnazin “Kiril Pejçinoviq” në Tetovë.
Agim Sulejmani, në librin me titull: “Disa letra në dorëshkrim nga Rafi Halili”, botuar më 2025,
në faqen 102 thekson deklaratën e Rudina Zeqirit, e shkëputur nga intervista që ia ka bërë Rafi
Halilit, ku thotë:
“Me rastin e riorganizimit të organizatës ‘Kushtrimi i Lirisë’, si degë të OMLK-së, ata dhanë
betimin…”
Kurse në faqen 103 shkruan:
Citoj:
“Pas daljes nga burgu, kontaktet me shokët e GRK-së, i cili në ndërkohë veç ishte shndërruar
në OMLK, i mbante drejtpërdrejt Rafi Halili, i cili disa herë është takuar me Hydajet Hysenin
dhe shokë drejtues të OMLK-së, duke bërë bashkimin e plotë të dy organizatave revolucionare – OMLK-së dhe ‘Kushtrimi i Lirisë’.”
Kurse në faqen 106 shkruan:
“Pikërisht në bazë të konsultave paraprake me drejtues të OMLK-së dhe situatës së krijuar pas
arrestimeve masive të vitit 1981, e shtynë Rafi Halilin që të mos priste derisa të krijoheshin
lidhjet e reja me shokët në Kosovë, por të vepronte duke organizuar degën e OMLK-së në trojet
shqiptare nën Maqedoni, degë të cilën e quajti me emërtimin e vjetër të organizatës politiko
ushtarake ‘Kushtrimi i Lirisë’, në drejtimin e së cilës u emërua Rafiu bashkë me Bejtulla
Ademin dhe Xhevat Ademin.”
Cilën nga këto shkrime ta marrim si të vërtetë? Shkrimin e Ismet Krosit, ku thotë se pas burgut
Rafiu u bë anëtar i OMLK-së, por nuk pranonte platformën e saj për Kosovën Republik, e cila nuk
i përfshin të gjitha trojet shqiptare nën Jugosllavi? Shkrimin e Skender Asanit, për të cilin në vitin
1972 Organizata “Kushtrimi i Lirisë” ishte grup, kurse në vitin 1981 u bë organizatë?
Edhe më skandaloze është shkrimi i Rudina Zeqirit, e cila shkruan se pas daljes nga burgu
kontaktet me anëtarët e OMLK-së i mbante drejtpërdrejt Rafi Halili, i cili disa herë është takuar
me Hydajet Hysenin dhe shokë të tjerë të OMLK-së, duke bërë bashkimin e plotë të organizatave
revolucionare OMLK-së dhe “Kushtrimi i Lirisë”. Zonja nuk e di se Rafiu pas daljes nga burgu
nuk ka qenë i lirë në lëvizje. Kemi të dhëna se Rafiu është takuar me Hydajet Hysenin një,
eventualisht dy herë. Gjatë takimit është biseduar për ndihmë reciproke, për shkëmbim reciprok të
informatave dhe shkëmbim përvojash. Sipas Rudina Zeqirit, Organizata “Kushtrimi i Lirisë” paska
qenë si një sheqerkë në xhepin e Rafiut dhe ja jep Hydajet Hysenit si diçka që nuk e do më. Edhe
po të kishte ndodhur me të vërtetë bashkimi i dy organizatave, ajo do të bëhej me kushte. Atëherë
OMLK-ja do të duhej ta ndërronte emrin e të quhej Organizata Marksiste-Leniniste e Trojeve
Shqiptare nën Jugosllavi, dhe dega e saj do të quhej: Dega e Organizatës Marksiste-Leniniste e
Trojeve Shqiptare nën Jugosllavi. Sepse, sipas autores, organizata “Kushtrimi i Lirisë” u shkri.
Akademia kushtuar Rafi Halilit, e organizuar nga Universiteti i Tetovës – kumtesën e dërguar nga
Mehmet Hajrizi, njëri nga kryesorët e OMLK-së, e lexoi vetë Rudina Zeqiri – nuk theksohet
askund se Organizata “Kushtrimi i Lirisë” është degë e OMLK-së. Një gjë të tillë nuk kam hasur
të theksohet as në shkrimet e Hydajet Hysenit apo Jakup Krasniqit. Nga mbiu gjithë kjo
gënjeshtër?!
Agim Sulejmani, në librin e tij “Rexhep Malaj – Zjarr lufte që nuk shuhet”, ka një vizatim ku
Rexhepi është i varur me kokë poshtë, që simbolizon torturën çnjerëzore të pushtetit jugosllav.
Krenohet me të, se pas gjithë atyre torturave çnjerëzore nuk pranoi asnjë sekret të organizatës dhe
nuk dha asnjë emër të ndonjë shoku. Pse këtë recetë Agimi nuk e përdor edhe për Organizatën
“Kushtrimi i Lirisë”, ku anëtarët e saj, 10 vjet me radhë, mbajtën sekret emrin e organizatës?
Organizata “Kushtrimi i Lirisë” ishte organizatë çlirimtare dhe kontributin që e jepte anëtari i saj,
sado i vogël që të ishte, e vlerësonte njëlloj si kontributet e mëdha. “Kushtrimi i Lirisë” nuk ishte
organizatë matrapazësh, ishte një organizatë që ja dridhte themelet Jugosllavisë. Siç shihet, këto
shkrime nuk janë të motivuara nga veprimtaria e organizatës “Kushtrimi i Lirisë”, por të paguara
nga xhepi i dikujt që ka për qëllim degradimin e organizatës dhe vetë Rafi Halilit.
I pyesim këta njerëz: A ka pasur shokë Rafi Halili, me të cilët është konsultuar për marrjen e
vendimeve me rëndësi të veçantë?
Si pjesëmarrës në themelimin e Organizatës “Kushtrimi i Lirisë”, në shumë vepra e kam theksuar
se organizata është themeluar në prill të vitit 1972, në Prishtinë, rruga Ganimete Tërbeshi.
Pjesëmarrës: Rafi Halili, Gafur Loku, Elmaz Ademi, Muhamet Saliu dhe Xhevahir Aliu. Si i tillë
do të mundohem të paraqes disa argumente të dokumentuara të cilat do ta vërtetojnë veprimtarinë
e pandërprerë të Organizatës “Kushtrimi i Lirisë”, që nga themelimi deri në ditët e sotme.
Në veprën “Rafi Halili dhe Organizata ‘Kushtrimi i Lirisë’”, e botuar nga Instituti i Historisë
“Ali Hadri” – Prishtinë, janë të publikuara shumica e anëtarëve të organizatës me fotografi
dhe me emër e mbiemër, të sistemuar nëpër qelula. Janë të njohura dhe të dokumentuara
veprat e kryera nga organizata. Janë të njohura dënimet që i kanë marrë, është i njohur
qëndrimi dinjitoz në burgun e Idrizovës, njohja me anëtarë të organizatave nga Kosova, etj.
Pas përfundimit të burgut, aktivitetet vazhduan. Agim Sulejmani, në librin e tij “Disa letra në
dorëshkrim nga Rafi Halili”, në faqen 67 shkruan:
“Kontakti i një përfaqësuesi të Organizatës ‘Kushtrimi i Lirisë’, Elmaz Ademi, me pseudonimin
Shpëtimi, me një përfaqësues të Grupit Revolucionar të Kosovës, me pseudonimin Bashkimi, u
realizua më 15 tetor 1976, pak kohë pas daljes së Elmazit nga burgu i Idrizovës. Ky kontakt ka
qenë i planifikuar dhe organizuar nga Rexhep Malaj dhe Rafi Halili prapa grilave të burgut të
Idrizovës.”
Në tetor të vitit 1978 del nga burgu edhe Rafi Halili. Në nëntor të po atij viti, në shtëpinë e Elmaz
Ademit takohen: Rafi Halili, Gafur Loku, Rushit Nesimi, Elmaz Ademi, Ajet Ademi. Në takim
merret vendimi për vazhdim të aktivitetit por me taktikë të ndryshuar. Do të paraqes disa nga
dokumentet e shërbimit sekret, që vërtetojnë veprimtarinë e pandërprerë të organizatës.
Dokumenti I – Raporti i bashkëpunëtorit “Sharr”
Raporti i bashkëpunëtorit “Sharr” me numër evidentues 38, dërguar më 26 janar 1979 Sektorit të
Sigurimit Shtetëror – Sektorit III dhe IV, pranë Drejtorisë së Sigurimit Shtetëror në Tetovë, lidhur
me takimin e tij të fundit me Gafur Lokun, njërin ndër udhëheqësit e organizatës “Kushtrimi i
Lirisë”. Pra, më 1979 theksohet për herë të parë emri i organizatës nga bashkëpunëtorët e sigurimit.
Dokumenti II – Shkresë zyrtare
Shkresa zyrtare e inspektorit të policisë Hisen Musliu, me numër evidentues 362 e datës 14 mars
1982, dërguar Sigurimit të Shtetit, përmes të cilës i informon se nga lidhja operative ka marrë këtë
informacion:
“Lidhja Operative na informon sa vijon: Pas burgosjes së vëllezërve Ametali dhe Alirami Veliu,
kushëri të Rafi Halilit, një apo dy ditë më vonë, në shtëpinë e Gafur Lokut u mblodhën: Rafi
Halili, Elmaz Ademi, Rushit Nesimi dhe Gafur Loku. Gjatë bisedës Rafiu i luti dhe u sugjeroi
shokëve që të ikin për në Shqipëri apo në Belgjikë. Pasi e dëgjuan bisedën, asnjëri nga
pjesëmarrësit nuk e pranoi sugjerimin e Rafiut. Për këtë, Rafiu ua zuri për të madhe shokëve të
vet. Pasi nuk gjetën gjuhë të përbashkët për t’u larguar, Rafiu u përshëndet me ta duke u thënë
se ky është takimi i fundit me ta. Nga ky qëndrim i Rafiut besojmë se afishet e shpërndara gjatë
‘IFTAR-I’ dhe ‘IFTAR-II’ janë vepra të Rafi Halilit, Elmaz Ademit, Rushit Nesimit dhe Gafur
Lokut.”
Dokumenti III – Shkresë zyrtare
Shkresë zyrtare e inspektorit të Policisë Sekrete, Hisen Musliu, dërguar Sekretarit për Sigurim
Shtetëror në Tetovë.
Nr. EV. 401
Tetovë, 16 mars 1982
Sd. 04. 2011 I2052
Aksioni “Repriza”
Lënda: Momente interesante nga korespondenca
Më 9 mars, Rushit Nesimi i dërgon letër Elmaz Ademit nga fshati Poroj, ku mes tjerash pyet:
“Gafuri dhe familja e tij si janë? Nga Rafiu si janë? Kuptova se ke qenë në vizitë te familja
e tij. Hyremi më ka shkruar, por për të pak më tregon.”
Dokumenti IV – Aksioni policor “Repriza”
Aksioni Policor “Repriza” ndaj Gafur Lokut, i zhvilluar më 30 prill 1982, në burgun hetimor në
Shkup.
Nr. EV. 206
Shkup, maj 1982
Aksioni “Repriza”
Personi: Gafur Loku
Aksioni përshkruan një natë hetimore ndaj Gafur Lokut. Në këtë dokument përshkruhen torturat
çnjerëzore ndaj tij. Torturat kanë qenë aq të tmerrshme, sa e detyrojnë Gafurin t’i sulmojë policët
për t’i hapur rrugën për t’u hedhur nga dritarja. E gjithë kjo torturë bëhej që Gafuri ta pranonte
takimin që ka pasur më 9 mars të vitit 1982 me Rafi Halilin.
Aksionin e fundit bashkë me Rafi Halilin e kemi pasur në vitin 2001, kur jemi radhitur në radhët
e UÇK-së në Kalanë e Tetovës.
Ka me dhjetëra e qindra dokumente që vërtetojnë veprimtarinë e pandërprerë të Organizatës
“Kushtrimi i Lirisë”. Pas kthimit të Rafiut nga Kosova, ai nuk pati nevojë as të bëjë riorganizimin,
e as krijim të ndonjë dege të ndonjë organizate tjetër, por bëri zgjerimin e organizatës me anëtarë
të rinj dhe filloi ta përgatisë popullin për një demonstratë të njëkohshme me atë që do të bëhej në
Kosovë. Në këtë kohë, Rafiu kishte një bindje të fortë se do të ketë ndryshime të mëdha në dobi të
çështjes shqiptare, prandaj edhe e publikoi emrin e organizatës “Kushtrimi i Lirisë”, i bindur se do
të ketë jehonë dhe ndikim më të madh në popull.
Të shkruash për Rafi Halilin dhe organizatën “Kushtrimi i Lirisë”, Instituti i Trashëgimisë
Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, si dhe Instituti i Gjuhës, Kulturës dhe Qytetërimit
Shqiptar në Tetovë, së pari është dashur t’i marrin e t’i studiojnë 2400 faqe dosje të Rafi Halilit, si
dhe po aq faqe dosje të Gafur Lokut, Elmaz Ademit, Rushit Nesimit. Të kontaktonin me anëtarët
e OMLK-së, me anëtarët e KL, të marrin opinionin e familjarëve të Rafiut, Gafurit e të tjerëve, e
në fund të nxjerrin një gjykim të drejtë, e jo të shkruajnë, siç thotë populli, “Ja futin si kau pelës”.
Po Ismet Krosi dhe Rudina Zeqiri, në momentin kur e kanë intervistuar Rafi Halilin, a e kanë pasur
parasysh gjendjen shëndetësore të Rafiut?
Porojë, Tetovë 12 maj 2025

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 14/05/2025

© 2016 - 2025 | DIPLOMACIA.dk