Djersite trurin me Intervisten dhënë sot për gazetën “Bota Sot”

11
Jun
2025
Me : Gëzim Mekulin

·
Publicisti Gëzim Mekuli, në një përgjigje për “Bota sot”, e ka quajtur largimin e flamurit të UÇK-së nga stadiumi jo një akt të izoluar, por vazhdimësi e një rrënimi sistematik të respektit ndaj luftës çlirimtare. Sipas tij, përçmimi ndaj UÇK-së ka nisur që pas luftës, kur veteranët u lanë pas dore, të plagosurit e të përdhunuarit u neglizhuan, e më pas u kulmua me krijimin e Gjykatës Speciale, të sponsorizuar nga vetë ish-udhëheqësit e luftës.
“Flamuri është përbuzur më herët, në media, në heshtjen e intelektualëve, dhe në cinizmin ndaj simbolikës së çlirimit”, thekson Mekuli, duke e quajtur këtë një proces të gjatë dhe të hidhur të zbehjes së identitetit kombëtar.
“Por për të kuptuar këtë akt, nuk mjafton të ndalemi sall te fotografia; duhet të kuptojmë filmin. Dhe ky film është i gjatë, i hidhur, monoton dhe i mbushur me devijime, tradhti, lëshime ndaj identitetit kombëtar dhe heshtje të organizuar të intelektualëve të kapur nga frika e nga salltaneti.
A është kjo një mungesë respekti ndaj luftës çlirimtare?
Po, po, padyshim që është. Por ky akt nuk është fillimi i mungesës së respektit. Dhe assesi nuk duhet ngushtuar në një veprim të izoluar policor.
Respekti ndaj UÇK-së është rrënuar sistematikisht që nga fundi i luftës më 1999. Lufta çlirimtare filloi të zbehet kur veteranët e vërtetë u lanë pas dore dhe kur numri i veteranëve u fry nga manipuluesit. Ai u shemb kur të plagosurit mbetën pa përkujdesje shëndetësore institucionale, kur të mbijetuarit e të përdhunuarit u (keq)trajtuan si barrë dhe jo si nder. Dhe pastaj, u përçmua haptazi kur u krijua një Gjykatë Speciale një-etnike për të ndëshkuar vetëm luftën e UÇK-së; një gjykatë që u sponsorizua nga vetë ish-udhëheqësit e luftës dhe nga vetë pushteti i asaj kohe.
Flamuri u hoq! Po, por ai ishte poshtëruar dhe larguar shumë më herët
Nuk është flamuri i UÇK-së që u hoq në stadium ai që fyeu rëndë shqiptarët. Flamuri është përbuzur për vite në gojën e analistëve të rekrutuar nga nostalgjia jugosllave, në heshtjen e inteligjencës dhe institucioneve që heshtin para krimit e zhurmojnë para drejtësisë, në cinizmin e atyre që talleshin me simbolikën e çlirimit. Shiko mediat për këto 20 vitet e fundit dhe do të bindeni se si është (mos)respektuar lufta çlirimtare”, shprehet ai.
Tutje, Mekuli thotë se veprimi i policisë shqiptare nuk ishte spontan, por i diktuar politikisht nga elitat në Prishtinë dhe Tiranë.
Ai denoncon klimën politike dhe retorikën mediatike që, sipas tij, e përbuz dhe shtrembëron luftën çlirimtare.
Duke përmendur deklarata tronditëse nëpër studio televizive që e paraqesin UÇK-në si “provokatore të masakrave”, Mekuli kritikon përqafimin e liderëve si Edi Rama me Aleksandar Vuçiqin dhe margjinalizimin e përfaqësuesve që ruajnë dinjitetin kombëtar.
Sipas tij, “Open Balkan” nuk ishte projekt bashkëpunimi, por një skemë për të minuar subjektivitetin politik të Kosovës.
“Ja po ua kujtoj me trishtim që vetëm një ditë para këtij veprimi, në ekranet televizive të Prishtinës, nga goja e analistëve shqiptarë u shqiptua edhe kjo marri: «UÇK-ja e ka shti Serbinë me dalë jashtë kontrollit për me bo masakra me ndërhy NATO. Dihen more kto sene!.»
A mund të ketë përbuzje më t’ madhe ndaj sakrificës së atyre që dhanë jetën? Pra, çfarë vlere ka një flamur në stadium kur kopukët televiziv në Prishtinë e trajtojnë UÇK-në si provokuese për ndërhyrje humanitare dhe jo si forcë çlirimtare?
𝐌𝐨𝐬 𝐤𝐞̈𝐫𝐤𝐨𝐧𝐢 𝐟𝐚𝐣𝐢𝐧 𝐭𝐞 𝐩𝐨𝐥𝐢𝐜𝐢𝐚, 𝐬𝐡𝐢𝐤𝐨𝐧𝐢 𝐭𝐞 𝐩𝐨𝐥𝐢𝐭𝐢𝐤𝐚
Policia shqiptare, ua sigurojë unë, nuk veproi nga qejfi. Ata kryen një urdhër politik. Një urdhër që lind nga një atmosferë e krijuar nga elitat e shthurura politike të të dyja shteteve shqiptare; Prishtinës dhe Tiranës. Pse befasoheni kur e dini se i njëjti Edi Rama, që firmos urdhra të tilla, përqafohet me Aleksandar Vuçiqin në konferenca të tipit «Open Balkan», ndërkohë që përjashton dhe ofendon Kryeminsirin Kurti dhe margjinalizon çdo figurë politike që përfaqëson dinjitetin shqiptar?
«Open Balkan» nuk ishte projekt bashkëpunimi; ishte projekt për zhbërje të subjektivitetit politik të Kosovës. Ishte projekt që më shumë mbështeti “zgjidhje kreative” për Serbinë sesa integrim rajonal të barabartë. Dhe këtë nuk e bënte vetëm Vuçiqi, por bashkë me të edhe Rama, me përkrahjen heshtake të një pjese të kapur të elitës intelektuale të Prishtinës dhe Tiranës”, potencon ai.
Në fund, ai thekson se largimi i flamurit të UÇK-së nga stadiumi është vetëm simbolik i një rrënimi më të thellë politik dhe moral që ka ndodhur ndër vite.
Sipas tij, fajtor nuk është vetëm policia, por një elitë e korruptuar politike që e ka braktisur idealin çlirimtar, duke përmendur figura që, sipas tij, kanë tradhtuar interesat kombëtare.
Ai bën thirrje për një inteligjencë të re shqiptare, të pakapur nga oligarkët dhe interesat e ngushta. Flamuri i UÇK-së, thotë ai, nuk është vetëm simbol, por histori gjaku e sakrifice që nuk mund të largohet nga ndërgjegjja popullore, edhe pse është përjashtuar nga politika e zyrave dhe studiove televizive.
“𝐊𝐞𝐦𝐢 𝐧𝐞𝐯𝐨𝐣𝐞̈ 𝐩𝐞̈𝐫 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐢𝐧𝐭𝐞𝐥𝐢𝐠𝐣𝐞𝐧𝐜𝐞̈ 𝐭𝐞̈ 𝐫𝐞
Shoqëritë nuk ndërtohen nga urdhrat, por nga vizioni. Shteti dhe identiteti nuk mund t’u besohen të korruptuarve dhe klientelistëve. Nuk mund të mbrojë flamurin ai politikani që i fali tokë Malit të Zi. Nuk mund të mbrojë flamurin ai politikani që liqenin e Ujmanit deshi ta quajë “Trump” e ta ndajë më Serbinë e moçme. Ai politikani që themeloj Gjykatën speciale sall për UÇK-në, nuk mund ta mbrojë as përsheshin nga macja e lërë flamurin. Ajo që nuk e ka në zemër flamurin kuq e zi, nuk mund të jetë gardian i flamurit të UÇK-së. Ncuk!
Prandaj, më shumë se kurrë kemi nevojë për edukimin e inteligjencës shqiptare; për një elitë që nuk është e kapur nga oligarkët e Tiranës, Beogradit dhe Prishtinës. Sepse mos prodhimi i kësaj inteligjence është ajo që na sollën në hapësirën shqiptare Thaçin, Mustafën, Hotin, Berishën, Ramën, Vuçiqin, mediat e tyre dhe, e pritshme, edhe aktin e heqjes së Flamurit në stadion.
𝐏𝐨𝐩𝐮𝐥𝐥𝐢 𝐬𝐡𝐪𝐢𝐩𝐭𝐚𝐫 𝐧𝐞̈ 𝐏𝐫𝐢𝐬𝐡𝐭𝐢𝐧𝐞̈, 𝐓𝐢𝐫𝐚𝐧𝐞̈ 𝐞 𝐒𝐡𝐤𝐮𝐩 𝐧𝐮𝐤 𝐞̈𝐬𝐡𝐭𝐞̈ 𝐦𝐞 𝐮𝐫𝐝𝐡𝐞̈𝐫𝐝𝐡𝐞̈𝐧𝐞̈𝐬𝐢𝐧; 𝐞̈𝐬𝐡𝐭𝐞̈ 𝐦𝐞 𝐟𝐥𝐚𝐦𝐮𝐫𝐢𝐧
Mos të harrojmë kurrë, asnjëherë e assesi: populli shqiptar nuk mendon si Edi Rama. Ai është i fyer, i lënduar dhe i braktisur nga këta kopukë politik.
Në zemrat e popullit, flamuri i UÇK-së nuk është send dekorativ, por është histori gjaku dhe sakrifice.
Flamuri mund të hiqet nga stadiumi, por nuk hiqet dot nga ndërgjegjja kolektive.
Konsekuent deri në fund: marrëzia e politikës shqiptare nuk fillon në një fushë futbolli. Ajo ka rrënjë të thella në vitet e pasluftës, në devijimin e idealeve dhe në fyerjen sistematike të kujtesës kombëtare. Flamuri u hoq nga stadiumi vetëm kur tashmë politika e Prishtinës e kishte larguar prej shumë zyrash, shumë mendjesh, organizimesh, shumë ndërgjegjes të blera me frikë, me para apo diplomë false.
Por siç na mëson historia: nuk ka flamur që fshihet përgjithmonë”, përfundon ai për “Bota sot”.

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 11/06/2025

© 2016 - 2025 | DIPLOMACIA.dk