Doli prej shtypit libri “mitet, origjina dhe gjuha e tyre”!

14
Feb
2023

Të dashur miq, që më keni ndjekur e mbështetur prej vitesh në punën time, kam një lajm për ju: sot doli prej shtypit libri im “mitet, origjina dhe gjuha e tyre”.
Ju e dini se etimologjia është motivi i jetës sime dhe nuk mund të shkëputem prej saj.
Puna ime, me ngulm e me përkushtim, më bëri të ndiej kënaqësinë e zbërthimit të fjalëve e të zbuloj gati gjithë parimet e rregullat se si është krijuar fjala.
Në fillim kujtoja se këto rregulla e parime shërbenin për të zbërthyer leksikun e shqipes e të asaj gjuhe, që sot quhet greqishte. Por, kur këto parime e rregulla i zbatova edhe në fjalë të gjuhëve të tjera të familjes së shqipes dhe konstatova se me ato zbërtheheshin po aq lehtësisht sa fjalët greke, kuptova se parimet e rregullat e zbuluara ishin universale dhe kështu ndërtova të plotë “teorinë e embriomorfemave” dhe kuptova se shqipja nuk mund të ishte përndryshe, veçse qendra e gjuhëve të familjes së saj.
Me kohë, ajo që sot e quajnë “familja e gjuhëve indoeuropiane”, do mund të ndryshojë emrin e të quhet FAMILJA E GJUHËVE TË SHQIPES. Natyrisht kjo do marrë kohën e vet. Sado që disa do mund ta quajnë ide të çmendur këtë tezë, askush prej tyre nuk do mund të gjejë një tjetër gjuhë që të jetë referenca e vetme etimologjike për gjithë leksemat e gjuhëve të familjes së shqipes. Mosbesimi është e drejta e kujtdo. Veçse, kundërshtimi do argument dhe të gjitha argumentimet shkencore të çojnë te realiteti i pamohueshëm se shqipja është qendra e gjuhëve të familjes së saj gjuësore.
Aplikimi i TEORISË SË EMBRIOMORFEMAVE te emrat e miteve të së ashtuquajturës “mitologji greke”, më rezultoi se ato i referoheshin gjuhës shqipe. Kjo do të thotë se mitologjitë vinë prej një kohe, ku në botën e njohur prej të parëve tanë, flitej vetëm një gjuhë, shqipja, që përndryshe atbot quhej pellazgjishte.
Fakti, që emrat e miteve motivohen etimologjikisht prej shqipes së sotme, dëshmon se shqipja ka qenë gjuha e paraantikitetit të njohur dhe emrat e miteve janë fiksuar në gjuhën shqipe, sepse ajo ka qenë në një farë mënyre gjuha e përbotshme (e asaj bote që njihnin të parët tanë).
Mitologjitë e njohura botërisht deri sot si greke, rezultojnë të jenë krijuar në gjuhën shqipe e të përkthyera së pari në greqisht dhe pamundësia e greqishtes për të dhënë etimologjinë e saktë, qoftë edhe të emrit të një miti të vetëm, dëfton sa thamë më lartë.
Ndaj kam gëzimin të ndaj me ju lajmin se sot kam në dorë librin e sapo dalë nga shtypi “MITET, ORIGJINA DHE GJUHA E TYRE” i cili, mjafton të më shkruani në mesengerin, watsap a në cel. tim 00355694422130 dhe do bëhet tuaji, kudo që të jetoni, duke ju ardhur me postë.
Libri vjen i botuar në dy gjuhë (shqip e anglisht) me përkthim nga Ilir Marleka dhe me ilustrime me ngjyra.
Në mbyllje duhet të falenderoj përzemërsisht ata, pa të cilët e kisha të pamundur që librin ta nxirrja në dritë, zotërinjtë Arben Kurhaski e Artan Llanaj!
Një falenderim i veçantë edhe për mikun tim Edmond Hajrullaaga, që më mbështeti me një shumë simbolike, por që vinte brendia e një shpirti të madh!
Ju faleminderit të gjithëve!

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 14/02/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk