1).Njeriu që la gjurmë të pashlyera
Në historinë e një kombi ka njerëz që nuk shkruajnë vetëm faqet e jetës së tyre, por lënë gjurmë të pashlyera në kujtesën e të tjerëve. Ata nuk janë të shumtë. Janë të rrallë, të jashtëzakonshëm, si gurët e çmuar që i rezistojnë kohës. Një ndër ta është Dr. Petraq Kalemi, i cili nuk ishte vetëm një drejtues, por një shkollë më vete e ndershmërisë, e disiplinës dhe e mençurisë njerëzore. Ai përfaqësonte atë lloj lidershipi që sot duket i humbur: drejtuesin që nuk mbështetej te propaganda, te ideollogjia, por te puna; që nuk jetonte për privilegje, por për shërbim; që nuk njihte servilizmin, por e përçmonte atë.
Në figurën e tij u bashkuan dy kohë: koha e sistemit të kaluar, ku ai u formua e punoi me ndershmëri, dhe fryma e kohës së re, ku ai mishëroi vlerat e demokracisë dhe lirisë, më përpara se të vinte vetë sistemi i ri. Prandaj, Petraq Kalemi është jo vetëm një individ i nderuar, por një figurë e dyfishtë, një urë midis epokave, ku përkushtimi ndaj punës dhe drejtësisë nuk u lëkund kurrë.
2). Një jetë e lidhur me shërbimin për njerzit
Dr. Petraq Kalemi, me origjinë nga Lunxheria e Gjirokastrës, u dallua që në bankat e shkollës për seriozitet e rezultate të shkëlqyera. Me diplomimin si agronom, ai e kuptoi se dija e tij nuk ishte pronë personale, por një armë për të ndihmuar zhvillimin e komunitetit.Ai mori doktoraturën në atë disiplinë. Në çdo vend që punoi – në Libohovë, Mallakastër, Fier, Mirditë apo Krujë – ai nuk u mjaftua me postin. Për të, detyra ishte mision.
Kur drejtoi fermën “Çlirimi” në Fier, tregoi se si vizioni dhe puna konkrete mund të kthejnë një strukturë bujqësore në model kombëtar. Në Mirditë,si drejtes i komitet Ekzekutiv përballë vështirësive të një zone të ndjeshme, diti të mbajë ekuilibrin mes autoritetit dhe respektit, duke fituar zemrat e komunitetit. Ndërsa po në këtë detyrë në Krujë, ai nuk u bë thjesht drejtues, por u bë pjesë e qytetarisë krutane, duke lënë gjurmë të pashlyera në kujtesën e saj.
3).Lideri që mishëroi dy epoka
Shumë drejtues të kohës së tij e shikonin postin si barrë të pushtetit; Petraqi e shihte si detyrim të shërbimit. Shumë të tjerë udhëhiqeshin nga frika apo interesi; Petraqi udhëhiqej nga drejtësia dhe arsyeja. Shumë i përshtateshin rrethanave; Petraqi ishte i patjetërsueshëm në karakterin e tij burrëror.
Kjo e bën atë një figurë të veçantë: më i avancuar se koha e tij. Në një sistem ku shpesh sundonin intrigat, ai zgjodhi ballafaqimin e hapur. Në një shoqëri ku përgojimi ishte armë, ai e çarmatoste duke përballur palët sy për sy. Në një realitet ku fjala kishte peshë politike, ai zgjodhi të jetë fjalëpak dhe punëshumë. Ishte një “disiplinues” që nuk frikësonte, por nxiste kurajo dhe nisjative; një drejtues që nuk kërkonte adhurim, por përgjegjësi.
4). Simboli i ndershmërisë dhe i modestisë
Figura e Dr.Petraq Kalemit është monument i një tipari që sot mungon: ndershmëria e papërkulur. Ai nuk lejonte që emri i tij të përlyhej nga korrupsioni, nga thashethemet, nga abuzimi me detyrën. Në një kohë kur kishte ndonjë drejtues që shpesh e shikonte veten mbi ligjin, Petraqi ishte shembull i njeriut që jetonte nën ligjin e dhe me ligjin e ndërgjegjes së vet,pa bërë dallime për askënd.
Motoja e tij ishte e qartë: “Çfarë kam bërë unë për njerzit ne sherbim të atdheut dhe jo çfarë ka bërë atdheu për mua.” Kjo nuk ishte thjesht fjalë, por mënyra si jetonte.
Në çdo hap të karrierës, ai nuk mendonte se si të ngjitej më lart, por si të jepte më shumë. Ishte shkëlqim i thjeshtësisë: një burrë që dinte të ishte mësues i disiplinës, por edhe nxënës i përjetshëm i jetës.
5). Një trashëgimi që nuk shuhet
Sot, kur flasim për lidership, shpesh përfytyrojmë figura që shfaqen në ekrane, por që nuk lënë gjurmë në zemrat e njerëzve. Petraq Kalemi është e kundërta: ai nuk kërkoi lavdi, por la një trashëgimi të gjallë në kujtesën e atyre që e njohën.
Në Krujë, ai mbetet si kujtim i gjallë i një kohe kur aparatet shtetërore frymëzoheshin nga ndershmëria e një individi.
Në Mirditë, ai la pas vetes imazhin e një drejtuesi që bashkonte autoritetin me respektin.
Në Fier e Mallakastër, ai dëshmoi se punëtori i palodhur mund të jetë më i fuqishëm se çdo ideologji.
Ky është Petraqi: një burrë që mishëroi dy epoka, që jetoi me dinjitet në kohën e kaluar, por që hodhi farën e vlerave demokratike të ardhshme.
6).Një figurë e rrallë, e papërsëritshme, e pazëvendësueshme.
Në horizontin e historisë shqiptare, figura e Dr.Petraq Kalemit ngrihet si yll i pashuar i njeriut të punes simbol i organizimit dhe ndershmërisë. Ai nuk ishte thjesht njeri i detyrës, por njeri i misionit. Nuk ishte thjesht drejtues, por udhëheqës me karakter burrëror e me shpirt sakrifice. Në një kohë ku drejtuesit shpesh humbnin dinjitetin e tyre, Petraqi e ruajti të plotë; në një epokë ku morali shpesh fshihej pas interesave, ai e ngriti si flamur.
____
Si studiues dhe si qytetar por dhe shok i pa ndarë me Petraqin e ndjej detyrimin më të madh për të thënë dhe pohuar me bindje se Dr.Petraq Kalemi është shëmbëlltyra e një modeli udhëheqës që nuk përsëritet më.
Ai është kujtimi i një kohe të shkuar, por edhe një mësim i përjetshëm për të tashmen dhe të ardhmen.Kuader, drejtues dhe burrë shteti mund të lindësh por veshtire të bëhesh, i tillë ishte i lindur, Dr.Peraq Kalemi. Nderim dhe respekt për këtë figurë madhore.
Petraqit i uroj jetëgjatësi sa t’i dojë zemra dhe pleqëri të mbarë. Pavarësisht fatkeqësisë së madhe që përjetoi para një viti, me humbjen e bashkëshortes së tij të dashur, Mimozës – e cila e shoqëroi me përkushtim në çdo vend ku ai punoi dhe jetoi gjatë detyrave të tij – kam bindjen e plotë se Petraqi do të mbetet stoik, ashtu siç ka qenë gjithnjë në jetë dhe në punë.
____
Autori i shkrimit: Kol Marku
Golem 17.Gusht 2025


Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!
