Dritan Goxhaj dhe Dhoma Speciale e Inkuizicionit

08
Aug
2023
Shkruan: VIKTOR MALAJ

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

“Forma më e keqe e padrejtësisë është drejtësia e rreme”

Platoni

– Publicitet –

Kur mora vesh lajmin se shtetasi shqiptar Dritan Goxhaj ishte burgosur në Shqipëri me urdhër të së quajturës Gjykatë Speciale e Hagës për krimet e supozuara gjatë luftës çlirimtare që populli shqiptar i Kosovës dhe Ushtria e tij bënë kundër pushtuesve, torturuesve, vrasësve dhe përdhunuesve serbë në vitet 1998-1999, mendova se zotëria i lartpërmendur do të ketë vrarë dikë.

Pastaj e qortova veten, pasi logjika të thotë se një shtetas shqiptar nga Tirana, një pilot dhe atdhetar i provuar nuk mund të kishte pasur arsye të kryente një vepër të tillë kriminale. Lajmet e mëvonshme e informuan opinionin se z. Goxhaj, i cili së bashku me babanë e tij, z. Dilaver Goxhaj morën pjesë vullnetarisht dhe kontribuuan në shpëtimin e popullit nga dhuna shtetërore serbe, qenka burgosur sepse në shkrime publicistike apo intervista televizive qenka shprehur kundër të të ashtuquajturave Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Përveç kësaj qenka arrestuar edhe se paska përmendur emrat e disa banorëve që mendohet se mund të jenë dëshmitarë të akuzës në çështjen penale që po gjykohet në Hagë kundër ish-drejtuesve të lartë të UÇK-së.

Për ata që mendojnë e besojnë se drejtësia e kërkuar dhe e dhënë nga të huajt është përherë drejtësia e duhur, e ndershme dhe e saktë, ky arrestim tingëllon i pabesueshëm dhe revoltues. E pabesueshmja revoltuese na ndihmon të kujtojmë mësimin e historisë së vjetër e të re se drejtësia, sidomos ajo në çështje me interes ndërkombëtar, është dhe mbetet po aq “e drejtë” sa politika dhe politikanët që janë nismëtarë, organizatorë dhe drejtues të saj në skenë apo prapaskenë.

Në mënyrë të veçantë, nuk mund të pritet drejtësi nga institucione të akuzës dhe gjykimit, të cilat janë ngritur me iniciativën dhe presionin e individëve, qarqeve apo institucioneve politike të një apo më shumë shteteve, që janë propozuar e ngritur jo nga ndjeshmëria njerëzore për drejtësi apo dhimbjet për viktimat e pafajshme, por janë ngritur dhe dirigjohen për të “balancuar” interesa dhe marrëdhënie gjeopolitike, për të kënaqur kancelari apo qeveri të veçanta të sotme në interes të raporteve politike të së nesërmes.

Një institucion i tillë, krejt artificial, i panevojshëm, i gabuar dhe hipokrit është edhe e quajtura Dhomat Speciale të Kosovës, të cilat mund të jenë gjithçka dhe të kujtdo, por të Kosovës kurrsesi. Nuk janë institucione juridike të Kosovës. Nuk janë të tilla sepse janë ngritur nën presionin e pashembullt të kancelarive perëndimore, nën presionin që më të fuqishmit i bëjnë të voglit, të dobëtit dhe të varfrit, për interesat e veta.

Ato nuk janë institucione të Kosovës pasi u ngritën gati 20 vjet pas ngjarjeve dhe, mbi të gjitha, u ngritën për të ndëshkuar drejtuesit e një ushtrie që u krijua dhe veproi brenda territorit të vendit të vet dhe për të mbrojtur popullin e vet. Ato nuk janë institucione të drejtësisë së Kosovës sa për shkak se selitë e tyre ndodhen jashtë Kosovës, aq edhe se asnjë hetues, prokuror apo gjyqtar i tyre nuk është nga Kosova dhe as i jep llogari popullit apo institucioneve kosovare.

Dhomat Speciale të Kosovës u ngritën pas paraqitjes në institucionet politike evropiane në vitin 2010 të një raporti “investigues” të bërë nga një politikan zviceran me emrin Dik Marti (Dick Marty), i cili pretendonte se kishte gjetur prova të mjaftueshme që vërtetonin trajtimin çnjerëzor të popullit gjatë Luftës në Kosovë, si dhe trafikimin e organeve njerëzore të kryer në një fshat të krahinës së Matit (në Shqipëri) nga UÇK-ja.

Edhe pasi trafikimi i organeve u provua se ishte një sajesë dhe gënjeshtër me bisht e brirë, raporti vazhdoi të qëndronte dhe të bëhej pretekst për krijimin e Dhomave Speciale.

Sipas informacioneve mediatike ky institucion ka hetuar dhe është duke shqyrtuar akuzat kundrejt katër ish-drejtuesve të UÇK-së në Hagë. Sipas akt-akuzës, të katër “kriminelët” paskan qenë pjesë e një “Ndërmarrjeje Kriminale të Përbashkët”. Nuk do shumë mend për të kuptuar, pavarësisht përrallave që tregojnë herë pas here prokurorët apo zëdhënësit e këtij institucioni, se politikisht kjo është minim me mjete juridike i asaj që ishte vërtetë UÇK-ja, i misionit dhe objektivit të saj të arritur.

Njëherësh është një bombë shkatërrimtare që hedh në erë të gjitha arsyet dhe arsyetimet që vendet kryesore perëndimore i paraqitën opinionit ndërkombëtar për të përligjur bombat që hodhën mbi ushtrinë dhe institucionet e shtetit pushtues serb në vitin 1999.

Nga pikëpamja juridike, edhe një jurist i shtetit më të prapambetur të botës e di se kur një grup individësh akuzohen për “Ndërmarrje Kriminale të Përbashkët” kjo do të thotë se anëtarët apo drejtuesit e kësaj “organizate kriminale” janë marrë vesh qysh përpara për të kryer krimet për të cilat akuzohen dhe, madje, kryerja e këtyre krimeve ka qenë qëllimi kryesor, nëse jo i vetëm, i krijimit dhe veprimtarisë së tyre. Nuk mundet që drejtuesit e një grupimi politik, ushtarak apo ordiner të kenë qenë drejtues të një “Ndërmarrjeje Kriminale të Përbashkët”, ndërsa gjithë pjesëtarët e tjerë të atij grupimi të jenë atdhetarë, heronj dhe njerëz fisnikë që kanë pasur si qëllim ndalimin e dhunës shtetërore dhe arritjen e lirisë e të pavarësisë së vendit dhe popullit të vet.

Në kuptimin figurativ, luftërat pushtuese janë si sëmundjet vdekjeprurëse, ndërsa luftërat çlirimtare janë ilaçet kundër këtyre sëmundjeve. Si çdo ilaç, edhe lufta çlirimtare ka ekseset dhe efektet e veta anësore. A mos duhet që për shkak të efekteve anësore të mos e përdorim fare këtë “ilaç” apo të dënojmë “mjekët” që e kanë shpikur dhe ata që e kanë rekomanduar përdorimin e tij?!

Po të gjykojmë me logjikën dhe pasionet e grupit akuzues të prokurorëve të Hagës, atëherë pas Luftës së Dytë Botërore, Çurçilli, Stalini dhe Rusvelti do duhej të merrnin dënime kapitale për pasojat tragjike dhe të jashtëzakonshme që sollën bombardimet e Forcat Aleate kundër Gjermanisë në zonat civile të qyteteve. U vranë mijëra civilë të pafajshëm dhe u shkatërruan pasuri të mëdha të kulturës dhe artit që i përkisnin mbarë njerëzimit.

A ka pasur eksese dhe krime gjatë luftës dhe a mund ta kenë pësuar edhe njerëz të pafajshëm? Sigurisht që po. Historia e njerëzimit nuk njeh rast të “luftërave të pastra”. Ekseset janë të padëshiruara dhe, njëkohësisht, të pashmangshme. Por, që të akuzohen katër ish-drejtuesit e UÇK-së që ndodhen të arrestuar në Hagë për çfarë mund të kenë bërë individë apo njësi të veçanta të ushtrisë së tyre, do të duhej që të gjendet dhe paraqitet në gjyq ndonjë platformë politiko-ushtarake, e nënshkruar prej tyre, e cila parashikon, udhëzon dhe urdhëron vrasjet apo torturimet e të gjithë atyre që nuk i ishin bashkuar kauzës dhe ushtrisë së tyre. Nëse gjatë luftës janë ndaluar, arrestuar, burgosur apo asgjësuar individë që iu përkasin të gjitha bashkësive fetare, etnike, politike apo krahinore, atëherë konkluzioni është i thjeshtë pasi shkaku i trajtimeve të tilla nuk ka qenë përkatësia e tyre, por dyshimi real apo i hamendësuar se ata ishin vënë në shërbim të pushtuesit serb. Dhe nuk ka kurrfarë çudie që në Kosovën e 1999, ashtu si kudo e kurdoherë në botë gjatë luftërave, dhe jo vetëm, individë të ndryshëm vihen në shërbim të pushtuesit, duke i dhënë atij informacione apo duke u rreshtuar me armë në krah të tij.

Me logjikën dhe arsyetimin e palës akuzuese të Hagës, edhe z. Zelenski i Ukrainës do të mund të penalizohet nesër për dhjetëra apo qindra vrasje që kanë ndodhur në Ukrainë qysh nga fillimi i luftës, vrasje civilësh të thjeshtë e deri kryetarë bashkish që besohej se po i shërbenin pushtuesit rus.

Të vijmë tani tek akuzat dhe arrestimi i z. Dritan Goxhaj. Shprehjen e mendimeve dhe konsideratës për Dhomat e Specializuara të Kosovës, si dhe përmendjen e emrave të disa shtetasve kosovarë si dëshmitarë të mundshëm në gjyqin që po zhvillohet në Hagë, prokuroria dhe gjykata përkatëse e kanë cilësuar (klasifikuar) si krim. Këtu lindin hamendje dhe pyetje: Pse disa shtetas kosovarë të futur në listat e dëshmitarëve të akuzës janë shpërndarë nëpër Evropë deri ditën që do të thirren në gjyq? A janë këta individë dëshmitarë të vërtetë dhe okularë të ngjarjeve, urdhrave apo porosive që kanë dhënë të pandehurit? Meqë, prej këtyre dëshmitarëve ka ndonjë që është përdorur edhe në gjyqe të mëparshme kundër ish-drejtuesve të UÇK-së, mos kemi vallë të bëjmë me “dëshmitarë të marrë me qira”, të sajuar apo të paguar nga ata që UÇK-në e patën paraqitur në opinionin ndërkombëtar si “organizatë terroriste” dhe, rrjedhimisht, luftën çlirimtare si “ndërmarrje kriminale e përbashkët”?!

A janë ballafaquar këta dëshmitarë me të akuzuarit gjatë procesit hetimor apo ruhen si “surprizë” për seancat gjyqësore, duke iu hequr mundësinë të arrestuarve të mbledhin prova nëpërmjet avokatëve të tyre, prova që mund të rrëzojnë pretendimet e dëshmitarëve, që mund të provojnë mosqenien e tyre në vendngjarjet e përmendura, apo qenien e tyre të mëhershme në listëpagesat e pushtuesve serbë? Detyrë e kujt është ruajtja e anonimitetit të dëshmitarëve, detyrë e gjykatës dhe palës akuzuese apo detyrim i qytetarëve dhe gazetarëve të lirë, siç është z. Dritan Goxhaj?! A e dinte vërtetë z. Goxhaj se këta dëshmitarë ishin shpallur anonimë nga gjykata në Hagë dhe, nëse po, kush e kishte njoftuar atë për këtë fakt?

Nga pikëpamja juridike lind dyshimi se pala akuzuese e ka mbështetur akuzën dhe provimin e fajësisë së të pandehurve vetëm në thëniet e dëshmitarëve dhe beson se lëkundjet apo mosparaqitja e ndonjërit prej tyre në gjyq mund t’i “turpërojë” prokurorët për ngritjen e akuzave mbi prova të rreme. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, gjatë shekullit të kaluar janë akuzuar dhe dënuar me burg të përjetshëm apo kanë shkuar në dhomat e gazit qindra shtetas amerikanë bazuar vetëm në thëniet e dëshmitarëve. Pas zbulimit dhe përdorimit të analizave krahasuese të ADN-së është provuar se ishin dënuar njerëz të pafajshëm.

Shumë prej tyre humbën jetën “ligjërisht” në emër të drejtësisë, ndërsa të tjerë kaluan nga 30-40 vjet nëpër burgje. E pra, këta fatzinj qenë akuzuar e dënuar nga Xhek Smithët e sotëm, të cilët i vënë në shpinë nga tridhjetë apo dyzet akuza edhe ish-Presidentit Donald Tramp dhe në fund iu shfryhen të gjitha. Në SHBA dhe disa vende perëndimore shtypi ka botuar sekrete që dëmtojnë rëndë sigurinë kombëtare, por gazetarët apo publicistët që ia kanë njoftuar opinionit nuk janë arrestuar, ngaqë sekretet shtetërore, duke përfshirë edhe gjëra shumë më pak të rëndësishme siç janë emrat e dëshmitarëve në një proces penal, duhen ruajtur nga ata që i kanë dhe jo nga ata që hulumtojnë.

Duke pasur parasysh sa më sipër, shteti shqiptar nuk duhet kurrsesi ta ekstradojë qytetarin e pafajshëm Dritan Goxhaj dhe, nga ana tjetër, të quajturat Dhomat e Specializuara të Kosovës që veprojnë në Hagë, duhet ta lirojnë atë burrë, dhe jo vetëm, nga akuzat absurde.

Duhet ta bëjnë këtë në qoftë se nuk duan të mbeten në histori si “Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale”.

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 08/08/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk