Dritë-hijet e “nacionalistit” Abaz Kupi, sipas arkivave shqiptare e angleze

25
Dec
2023
Shkruan: Jovan Bizhyti


Abaz Kupi, njihej dhe si Bazi i Canes (Abazi i Jovan Bizhyti Hasanit). Ishte ushtarak dhe aktivist i çështjes kombëtare. I lindur në Krujë në 1892, ai në karrierën e tij si ushtarak, u bë me influencë në gjithë këtë trevë të Shqipërisë së Mesme. Në periudhën e pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste, kur ushtria italiane zbarkoi në Durrës në 7 prill 1939, Abaz Kupi organizoi rezistencën antifashiste në luftime për 36 orë, ku dha jetën dhe dëshmori, Mujo Ulqinaku.
Veprimtaria e tij si ushtarak, nisi që në fillimet e shekullit të XX-të, ku ai në bashkëpunim me Esat Pashë Toptanin e qeverinë e tij të Durrësit në vitin 1914, u angazhua me parinë e Krujës, në përballjen me lëvizjen fshatare të Shqipërisë së Mesme, të udhëhequr nga Haxhi Qamili. Mbas formimit të Qeverisë së Sulejman Delvinës dal nga Kongresi Historik i Lushnjes në 1920, ai bashkë me Bajram Currin dhe Ahmet Zogun, morën pjesë në luftën e Koplikut në Shqipërinë e Veriut, kundër ushtrisë Serbo-Malazeze që tentonte pushtimin e Shkodrës.
Gjatë revolucionit demokratik të Qershorit 1924, Abaz Kupi qëndroi neutral, duke mos u përfshirë në qeverisjen e Fan Nolit. Rrëzimin nga froni dhe dëbimin e Ahmet Zogut, ai nuk e priti mirë. Dihet, që pa kaluar gjashtë muaj, në dhjetorin e vitit 1924, Zogu me ndihmën e Serbisë dhe të grupeve paramilitare mercenare, u rikthye sërish në pushtet. Ai, i mbështetur nga një ushtri mercenarësh, të përbërë nga rreth 1000 trupa ushtarë jugosllavë, po ashtu dhe nga rreth 1000 trupa ushtarë shqiptarë nga krahinat e pushtuara jugosllave, si dhe rreth 500 matjanë të arratisur bashkë me Ahmet Zogun, nisën marrshimin drejtë kufirit shqiptar, nën drejtimin e Gjeneralit Vrangel, oficer i ushtrisë Cariste, i cili pasi humbi luftën civile në Rusi, kaloi me forcat e tij në Jugosllavi si mercenar i paguar. Bashkë me të ishin dhe 40 oficerë rusë të bardhë. Këto forca ushtarake marshuan drejt Tiranës për të rikthyer Ahmet Zogun në fronin e pushtetit.
Me këtë ushtri mercenarësh, Ahmet Zogu ishte përgatitur seriozisht për fitore dhe kështu ndodhi. Në dhjetor 1924, ai u rikthye sërish në pushtet, duke rrëzuar qeverin e demokratit Fan Stilian Noli dhe pa humbur kohë, nisi “gjuetinë e shtrigave” ndaj kundërshtarëve fanolistë. Një pjesë e mirë e tyre bashkë me Fan Nolin dhe nacionalistë të tjerë, morën arratinë jashtë atdheut.
Në fillimet e vitit 1925, kapiteni Prenk Pervizi, mbështetës i Ahmet Zogut, e afroi Abaz Kupin me Zogun, të cilin ai e ngarkoi me detyrën e komandantit të xhandermarisë së Krujës, me gradën Kapiten. Më pas mori gradën Major dhe shërbeu në Durrës nga viti 1934. Në ditët e agresionit fashist Italian kundër Shqipërisë në 7 prill 1939, Abaz Kupi ndodhej në Durrës dhe udhëhoqi qëndresën e forcave antifashiste ushtarake të Durrësit, qëndresë e cila e shndërroi atë në ikonë të kohës.
***
Pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste, Abaz Kupi si dhe shumë nacionalistë të tjerë antifashistë, u largua si emigrant në Stamboll, Turqi. Familja e tij, bashkëshortja, djemtë, vajzat dhe motrat, pushteti fashist Italian i interrnoi në Himarë.
Në fillimet e Luftës së Dytë Botërore, kur Britania e Madhe hyri në këtë luftë antifashiste mbarë kombëtare, lindi nevoja e krijimit të rezistencës antifashiste dhe në Shqipëri, ku midis të tjerëve edhe Bazi i Canes (Abaz Kupi), u kthye nga Turqia në Jugosllavi, në Beograd, i pritur nga Gani Kryeziu. Në Beograd, ai u takua dhe me dy oficerë madhorë britanik, Kolonel Stirling dhe Kolonel Dayrell Oakley Hill. Me ndikimin e tyre dhe përkrahjen e Ambasadës Angleze në Beograd, Abaz Kupi kaloi në Shqipëri për t’iu bashkuar rezistencës antifashiste shqiptare. Ai u bashkua dhe me nacionalistët e tjerë si, Myslim Peza, Mustafa Gjinishi e tjerë dhe u angazhuan në organizimin e Konferencës së Pezës në 16 shtator 1942, duke u zgjedhur dhe anëtar i KANÇl., nën emrin tashmë të njohur, “Fronti Nac.Çl.”.
Abaz Kupi, mori pjesë dhe në mbledhjen e Mukjes në gusht 1943, ku u tentua për një marrëveshje të Frontit Nac.Çl. me përfaqësuesit e organizatës së Ballit Kombëtar, për një luftë të përbashkët kundër fashistëve Italian për shpëtimin e Shqipërisë. Siç njihet nga historia, në këtë mbledhje nuk u arritë kompromisi i nevojshëm dhe vendimet e saj u hodhën poshtë nga Enver Hoxha dhe Këshilli Antifashist Nac. Çl. Mbas kësaj, Abaz Kupi nisi të mbaj një qëndrim të lëkundur dhe herë-herë edhe oportunist në qëndrimet ndaj pushtuesve. Këto qëndrime ai i shfaqi dhe pas krijimit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nac.Çl. të korrikut 1943, ku ai ishte zgjedhur dhe anëtar i atij shtabi.
Ndërkohë, ai kish tentuar edhe të largohej nga radhët e Frontit Nac.Çl. Kryesia e Këshillit të Përgjithshëm, e kish thirrur disa herë për të dhënë spjegime, por ai nuk ishte paraqitur.
Major Abaz Kupi në Shtabin e Pergjithshëm të ushtrisë Nac.Çl.
***
Po kush ishte në të vërtetë Abaz Kupi?
Nga dokumentet e Inteligjent Servisit Anglez të zbuluara vite më pas shkruhet se: “Abaz Kupi është rekrutuar si agjent i anglezëve që në vitin 1941, kur është kthyer nga Turqia dhe qendroi përkohësisht në Beograd me ndihmën e oficerëve britanikë”. Ai, qysh në fillimet e karrierës së tij në vitin 1914, u vu në shërbim të Mbretit Princ Vidi dhe më pas shërbeu si mbështetës e bashkëpuntor i xhelatit, tradhëtarit Esat Pashë Toptanit. Në vitin 1917, gjatë luftës së I-rë Botërore, u lidh me ushtrinë austriake në veri të vendit. Në vitin 1925, pas kthimit në pushtet të Ahmet Zogut, u vu në shërbim të tij, ku u shpërblye me emërimin si komandant i Xhandermarisë në Krujë dhe u shqua sidomos, për masakrrën kundër demokratëve të opozitës fanoliste. Më pas, në vitin 1941, u vu në shërbim të anglezëve si agjent, të cilët e sollën në Shqipëri nga Stambolli, për t’a përdorur për qëllimet e tyre. (H. Luçi, sipas dokumenteve angleze, gazeta Dita, 07 tetor 2019).
Duke parë përhapjen e luftës antifashiste Nac.Çl. në vend, Abaz Kupi hyri në këtë lëvizje duke pranuar se gjoja do të luftonte kundër pushtuesve fashistë dhe kuislingëve. Në fakt, qëllimi i padronëve dhe i tij, ishte t’a dëmtonin Frontin Nac.Çl. nga brenda, duke mos pranuar programin politik të PKSH, ku në fakt ai, sidomos pas korrikut 1943, nuk shkrepi më asnjë pushkë kundër pushtuesve e tradhëtarëve të vendit. Fronti antifashist Nac.Çl. e demaskoi Abaz Kupin me një deklaratë të bërë në dhjetor të vitit 1943, duke e hedhur jashtë radhëve të tij. Abaz Kupi doli me fytyrën e tij të vërtetë, si mbështetës i Monarkisë së Zogut dhe si agjent i Inteligjent Servisit Anglez.
Fronti Nac.Çl., sipas programit politik të PKSH, tërhoqi në radhët e tij shumë patriotë e nacionalistë për t’u bashkuar me lëvizjen Nac.Çl., sipas detyrave që shtroi dhe Konferenca e Pezës, ku ishte pjesëmarrës dhe Abaz Kupi, që ishte zgjedhur në forumet drejtuese të Frontit Nac.Çl dhe më pas në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë Nac.Çl. Por mesa u duk, ai hyri i maskuar në këtë veprimtari, si agjent i Inteligjent Servisit Anglez, për t’a dobësuar luftën Antifashiste Nac.Çl. të udhëhequr nga PKSH. Padronët më pas, nuk donin që ai të kompromentohej me lëvizjen komuniste, ndaj e tërhoqën duke krijuar Legalitetin, në prag të Operacionit të Dimrit që organizuan pushtuesit gjermanë në vitet 1943-44, kundër luftës Nac.Çl. dhe Shtabit të saj të Përgjithshëm.
Në këto kushte, Kryesia e Këshillit të Përgjithshëm Nac.Çl. në një mbledhje të jashtëzakonshme në 7 dhjetor 1943, aprovoi një Rezolucion mbi përjashtimin e Abaz Kupit nga Këshilli i Përgjithshëm dhe nga Fronti Nac.Çl. Ja si shkruhet në rezolucion:
”Këshilli i Përgjithshëm Nac.Çl. konstaton se anëtari i kryesisë së këtij këshilli, Abaz Kupi, ka nisur të largohet fare nga lëvizja e jonë që nga kapitullimi i Italisë dhe nga Konferenca e Dytë Nac.Çl. Ai dhe përpara mbante një pozitë jo të qartë dhe përfaqësonte një tendecë pak a shumë oportuniste. Abaz Kupi ka bërë kurdoherë në radhët tona një politikë personale, një politikë bajraku, që është në kundërshtim me karakterin nacional demokratik popullor të lëvizjes sonë. Ai ka sabotuar organizimin e këshillave Nac.Çl. në ato rrethe ku ka influencë personale si, në Mat e Krujë. Ai kurrë nuk e ka patur rëndësinë e një lufte të paprerë dhe të organizuar. Të gjitha këto, e afronin me Ballin dhe me elementët oportunistë. Nën rrogoz nisi punën për shpalljen e Legalitetit dhe një marrëveshje me Ballin Kombëtar të Mit’hat Frashërit dhe me Qeverinë e Mitrovicës. U thirrë tri herë pranë kryesisë për të dhënë hesape mbi qendrimin e tij, më së fundi erdhi në kryesi të bisedonte si përfaqësues i Partisë së Legalitetit dhe nuk pranoi asnjë nga fajet e tij që e shpunë jashtë Frontit Nac.Çl.” (Rezolucion i KPNÇl. Dosja 49, viti 1943).
Në atë kohë situatat po zhvilloheshin me shpejtësi. PKSH po punonte për zbatimin e direktivës së Kominternit, “Për krijimin e frontit të bashkuar Nac. Çl. me të gjitha forcat politike, pavarësisht nga pikpamjet e tyre ideologjike”. Por situata filloi të marë drejtim tjetër. Balli Kombëtar, nisi t’i angazhojë fuqitë e tij të armatosura në bashkëpunim me pushtuesit gjermanë, kundër ushtrisë Nac.Çl.. me këto qendrime e veprime, u bashkua dhe Abaz Kupi, i cili me ndihmën dhe të disa oficerëve të aleatëve britanikë, krijoi organizatën e Legalitetit, me qëllim që të rivendoste regjimin monarkist të Ahmet Zogut. U lidh dhe me pushtuesit gjermanë, duke i shpallur luftë Frontit Nac.Çl. dhe Partisë Komuniste Shqiptare. Në verën e vitit 1944, Abaz Kupi kur pa se lufta Nac.Çl. po përparonte drejtë fitores për çlirimin e plotë të Shqipërisë, mundi të arratisej jashtë vendit me ndihmën e pushtuesve gjerman dhe të oficerëve anglez. (Dokumente të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nac.Çl., viti 1970).
Abaz Kupi
Sipas dokumenteve të arkivës angleze, komandanti supreme, Gjenerali Herry Maitland Uillson, i cili në 5 shtator 1944 deklaron: “Po, Abaz Kupi ka qenë miku ynë dhe ne duhet t’a sjellim këtej”. Më pas dhe Gjenerali anglez Gammel dha urdhër për të shpëtuar Abaz Kupin. Për këtë u organizua një operacion ushtarak, ku u dërgua një mjet detar anglez, që e mori Abaz Kupin në grykëderdhjen e Bunës. Pra, ai u largua nga Shqipëria në prag të fitores së luftës, në 24 tetor 1944.
Abaz Kupi, me forcat nacionaliste të legalitetit, nuk dha asnjë kontribut në luftë kundër pushtuesve gjermanë, Kjo, veç qëndrimit të tij oportunist dhe bashkëpunues me armikun, u justifikua dhe me faktin, se nuk u mbështetë me armatime dhe municione nga aleatët britanik. Aleatët në dokumentet e tyre theksojnë, se Abaz Kupi dhe forcat e legalitetit hynë me vonesë në operacionet e luftës kundër gjermanëve, por dhe për të penguar mundësinë e ndonjë lufte civile në shkallë vendi, sepse si Abaz Kupi me legalistët edhe Balli Kombëtar, mbanin qëndrim armiqësor ndaj Frontit Nac.Çl. dhe ushtrisë partizane të udhëhequr nga PKSH.
Pra, kundër ushtrisë Nac.Çl. dhe luftës së saj çlirimtare ndaj pushtuesve nazi-fashistë, u përdorën jo vetëm operacione armike, që bënë të gjitha përpjekjet për t’a mposhtur këtë luftë, por dhe partitë dhe grupimet e tjera politike nacionaliste si Balli Kombëtar dhe Legaliteti me Abaz Kupin në krye, përdorën çdo manovër të maskuar e sabotuese, deri dhe bashkëpunim të hapur me armikun për kundër Frontit Çlirimtar, kundër ushtrisë partizane Nac.Çl. dhe luftës së saj heroike, por në çdo orvajtje, dështuan me turp.
Ushtria partizane antifashiste dhe Fronti Nac.Çl., patën mbështetjen masive të popullit, sepse bënin një luftë të drejtë çlirimtare kundër pushtuesve, me në krye patriotët dhe atdhetarët e vërtetë, që e donin atdheun, e donin popullin dhe lirinë e pavarësinë e vendit. Abaz Kupi e tradhtoi këtë ideal, duke u përfshirë në radhët e bashkëpuntorëve me nazizmin dhe të kolaboracionistave.
Në emigracion, ai u aktivizua në “Komitetin Shqipëria e Lirë”, me President Mit’hat Frashërin, ku organizonin herëpashere misione ushtarake sekrete me banda kriminale nga emigracioni, për destabilizimin e regjimit komunist në Shqipëri, të cilat dihet tashmë që u asgjësuan rast pas rasti nga forcat mbrojtëse dhe populli shqiptar. Në vitin 1968, Abaz Kupi në dëshpërim e sipër, u vendos në SHBA dhe në 1976, u nda nga jeta.

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 25/12/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk