Duke pire kafen e mengjesit.

31
Jan
2024
Shkruan: LUAN QEMAL BACI

Sot ne mengjes heret, i ngritur me heret se cdo dite tjeter te zakoneshme, sepse me duhet te udhetoj per diku larg, dhe bora eshte e shumte kudo, tek kontrollova telefonin per te pare dergesat e miqeve te mi, pashe nje shkrim te mrekullueshem, te derguar nga miku im i nderuar Dilaver Goxhaj, mbi shprehjen e patriotizmit edhe nga nje femer qe “nuk pritej” te vepronte, sic ajo veproj me komanden e larte te pushtuesve te vendit te saj.

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

MIKUT tim te nderuar, zotit Dilaver Goxhaj, i shkrova aty ku me dergoj shkrimin e te madhit francez, Gi De Mopasan, shenim qe deshiroj ta lexojne edhe miq te tjere te mite ketu ne f.b.

Shume e bukur miku im, shume e bukur. Dashuria per atdheun te jepe forcen ne te gjitha situatat, te ve ne ate pike qe te mos pyesesh as per me te shtrenjten qe ka ne bote njeriu, jeten qe jepet e nuk kthehet me!

E keqja eshte se kur jepet jeta per atdheun, pas fitores, ajo jete, gezohet nga horrat dhe qelbesirat, nga mostra, “burra” pa baze morale, prostituta meshkuj, qe i hipin ne qafe popullit, e rrjepin, e vjedhin, e shperdorojne, e c’nderojne, dhe arrijne deri atje sa te behen edhe tregetare te kombit te tyre, sikur te jene pronare te bahces se tyre, sikur te jene ne prone te babes.

Faleminderit shume miku im per kete shkrim te mrekullueshem, te nje patrioti frances, si i madhi, Gi De Mopasan.

Dite te mbare!


30 Janar 2024.

Shkrimi I Gi De Mopasan:
ZONJUSHA Fi-Fi
Tregim nga Gi dë MOPASAN, i cili tregon se deri ku mbrin krenaria e femrës
Mopasani (1850 – 1893) është shkrimtari realist më i madh francez i gjysmës së dytë të shekullit XIX, i cili ka një zotërim të habitshëm të teknikës së tregimit të shkurtër. Tregimi “Zonjusha FiFi” është tregimi më i sukseshëm i botuara më parë në shtypin e asaj kohe. Disa nga novelat dhe tregimet e Mopasanit janë frymëzuar nga patriotizmi i popullit, në mbrojtje të lirisë dhe atdheut. Duke lexuar tregimet e Mopasanit, e ke të qartë mendimin e tij se në fakt ekzistojnë dy Franca (si dhe te ne, dy Shqipëri, dy Kosova): Franca (Shqipëria dhe Kosova) e pasanikëve dhe e pushtetarëve të pasur që janë të zhveshur nga çdo ndjenjë patriotizmi; dhe se vetëm Franca popullore, Franca (Shqipëria dhe Kosova popullore) e njerëzve të thjeshtë të punës, që nuk dinë ç’është buja, e cila është në gjendje të ruaj lirinë dhe atdheun.
X X X
“Majori kont Farlsberg, komandant prusian, po mbaronte së lexuari letrat që i solli posta. Nje filxhan me kafe lëshonte avull mbi një tryezë të njollosur me pije, të djegur me puro, të gërvishur me briskun e oficerit ngadhnjimtar, që nganjëherë, si mprehte lapsin, shkarraviste mbi mobilien e bukur ca numra ose piktura, siç i shkrepej, ndërsa përkundej në ëndërrime.
Si lexoi letrat dhe u hodhi një sy gazetave gjermane që i kishte sjellë ordinance, u ngrit dhe u afrua te dritarja.
Shiu po binte me rrëmbim, një shi normandie, që dukej sikur e lëshonte një dorë e marrë, një shi që bie vetëm në rrethet e Ruenit. Dëgjoi të trokitur, dhe u kthye: ishte ndihmësi i tij, baroni Kelveinshtain, një oficer me gradën e kapitenit.
Majori ishte një vigan, me shpatulla të gjera, me një mjekër të gjatë e të hapur si fresk, që ia mbulonte kraharorin si ndonjë pecetë.
Kapitenit shkurtabiq i vetëtinte fytyra e rruar me kujdes, e cila, kur i binte nganjëherë drita, dukej si e fërkuar me fosfor.
Komandanti i shtrëngoi dorën dhe e rrufiti me një frymë kafenë, duke dëgjuar raportin e vartësit.
Majori, njeri i qetë dhe burrë i martuar kënaqej me çdo gjë; po kapiteni, qejfli i pangopur, që futej vrimë më vrimë për të gjetur fustane, ishte bërë si i xhindosur që jetonte pa femra, mbyllur prej tre muaj në kështjellë, në atë fshat të humbur në vetmi.
Dikush trokiti lehtë te dera, dhe komandanti urdhëroi të hynte Brenda; atëherë u duk një nga ushtarët automatë, i cili u dha të kuptonin se dreka ishte gati.
Në sallën e bukës gjetën të tre oficerët që vareshin prej tyre: një toger, Oto Groslingun; dy nëntogerë, Fric Shënanburgun dhe markezin Vilhelm d’Eirik. Këtij, sapo shkeli në Francë, shokët e tij ia ngjitën emrin “Zonjusha Fifi”. E pagëzuan kështu se e kishte trupin sqimtar e si të shtrënguar në korsi dhe nga fytyra e zbehtë, ku sapo i kishte dërsitur mustaqja, si dhe nga zakoni që kish të shfaqte përbuzjen më të thellë për njerëzit dhe për çdo gjë, duke përdorur në çdo çast shprehjen frëngjishte – “fi, fi donk” (pasthirmë përbuzëse e të ndotit)_ – të cilën e shqiptonte me një vërshëllimë të lehtë.
Oficerët hëngrën bukë pothuajse në heshtje. Pas buke, kur ndezën nga një cigare dhe nisën të pinin si çdo ditë, filluan të flisnin për jetën e tyre të mërzitshme, duke mbajtur në çip të gojës ato pipat e tyre të gjata e me nyja farfurie.
Posa e zbraznin kupën, e mbushnin përsëri me një gjest të lodhur. Po Zonjusha Fifi e thyente gjithnjë të vetën, dhe një ushtar i sillte menjëherë një tjetër.
Një mjegull e dendur tymi pothuajse i mbyste, dhe dukeshin sikur ishin kredhur në atë harresën e zymtë të njerëzve që s’dinë ç’të bëjnë.
Papritmas baroni brofi në këmbë dhe thirri:
• Për emër të zotit!… S’durohet më, duhet të shpikim gjë sendi.
Toger Otoja dhe nëntoger Frici, dy gjermanë, tamam gjermanë me ato fytyra të ngrysura e të vrazhda, iu përgjigjën njëzëri:
• Çfarë të shpikim kapiten?
Ai u mendua disa çaste, pastaj tha:
• Çfarë?…Ja pra, në qoftë se na lejon komandanti, duhet të organizojmë një aheng.
Majori hoqi pipën nga goja:
• Çfarë ahengu kapiten?
• Të gjitha i rregulloj unë, komandant – i tha kapiteni.- Do dërgoj në Ruen Detyrën që të na
sjellë ca zonja; di unë ku t’i gjej. Këtu po gatisim një darkë, dhe i kemi të gjitha të mirat; kështu të kalojmë të paktën një natë të bukur.
Konti Farlsberg ngriti supet dhe bëri buzën në gaz:
• Jeni i marrë, miku im.
Po të gjithë oficerat u ngritën në këmbë, e rrethuan komandantin e tyre, dhe zunë t’i luteshin:
• Mos e pengoni kapitenin, zoti komandant, këtu plasëm nga mërzia.
Më në fund majori lëshoi pé:
• Mirë pra, – tha ai; dhe menjëherë baroni thirri Detyrën, i cili ishte një nënoficer i moçëm, që i
kryente me fanatizëm detyrat.
I ngrirë si statujë, Detyra, dëgjoi udhërat e baronit, dhe pesë minuta më vonë mori karrocën dhe po rendte me të katërta përmes shiut të tërbuar.
Menjëherë një drithërimë i zgjoi të gjithë oficerat: nisën të shpihen e të përtërihen dhe zunë të kuvëndonin.
Të pesë burrat qëndronin së bashku, duke thithur ajrin me lagështirë. Më në fund, toger Frici tha duke qeshur me gjithë zemër:
• Sigurisht, zonjushat që presim nuk do udhëtojnë me kohë të mirë.
Në këtë fjalë e sipër të gjithë u ndanë, dhe cilido shkoi në shërbimin e tij. Kapiteni u mor gjithë ditën me darkën që do shtronin.
Kur u mblodhën përsëri në të ngrysur, nisën të qeshnin se ishin bërë gjithë dritë, si për ditë parade, të rruar, me lëkurën të freskuar me pudër e me livando.
Në ora gjashtë e dhjetë baroni u tha se po ndiente një zhurmë të largët rrotash. Të gjithë u turën te dera dhe, pas një çikë, u duk karroca që po vinte në pikë të vrapit.
Dhe përpara portës së kështjellës zbritën pesë gra, pesë vajza të bukura, të zgjedhura me kujdes nga shoku i kapitenit, Detyra.
Duke qenë të sigurta se do të paguheshin mirë, gratë s’pritën t’u luteshin shumë; dhe me të vërtetë, ato i njihnin prusianët prej tre muajsh që kishin të bënin me ta, kështu, ato përfitonin si nga burrat, si nga rrethanat. “E po zanati” – i thoshnin njera-tjetrës.
Dhe hynë përnjëherë në dhomën e bukës. Kapitenit, që i qeshte nuri, i priti zonjat si mikesha të njohura, duke i pushtuar, duke i puthur, duke u marë erë, duke i matur e peshuar si vajza dëfrimi. Dhe, me qenë se secili nga tre djemtë donte të merrte njërën prej tyre, nuk i kundërshtoi si epror që ishte. Dhe, për të mos lënë asnjë shteg për diskutime, i rradhiti gratë sipas shtatit, dhe iu drejtua më të gjatës dhe i tha me një theks ushtarak:
• Si quhesh?
• Palmera.
Atëherë thirri:
• Numri një, zonjusha Palmera, i caktohet komandantit.
Pastaj shkëputi të dytën, Blondinën, për të treguar se ajo i takonte atij. Otos i fali Armandën, më të trashën; Evën, “Domaten”, ia dhuroi Fricit; dhe më të shkurtërën nga të gjitha, Rashelën, një zeshkane shumë e re, me një sy të zi si njollë mellani, me majën e hundës pakëz përpjetë, ia blatoi oficerit më të ri, Zonjushës Fifi.
Të tre djelmoshat deshën t’i shpinin në çast të gjitha vajzat në dhomat e tyre, gjoja për t’u dhënë furça e sapunë që të pastrohshin, por kapiteni i kundërshtoi, duke u thënë se ato ishin mjaft të pastërta. Ata iu bindën se kishin besim tek eksperienca e tij.
Të gjithë u ulën. Edhe komandanti fluturonte nga gëzimi; vuri në të djathtë Palmerën, në të mëngjër Blondinën, dhe tha duke shpalosur pecetën:
• Patët një ide të shkëlqyer, kapiten!
Pa vonuar, burrat, të dehur nga tulet e atyre grave, që i shikonin, u merrnin erë dhe i trazonin, u turrën mbi to, duke ulëritur e duke thyer pjatat, ndërsa ushtarët po shërbenin në tryezë, pa u turbulluar fare.
Vetëm komandanti mbante dinjitetin.
Zonjusha Fifi e kishte marë Rashelën në gjunjë dhe, pasi ndizej më kot, herë ia puthte flokët e zinj si i çmendur, dhe herë-herë, si egërsirë e tërbuar, i shtyrë nga mania e shkatërrimit, e pickonte aq fort sa ajo ulërinte.
Sollën ëmbëlsirat dhe pemët dhe ia kthyen me shampanjë, dhe filluan të ngrihen një sërë dollish, duke dashur t’i jepnin atij argëtimi një kuptim edhe më të lartë fisnikërie; kapiteni e ngriti për të dytën herë kupën dhe tha:
• Për fitoret që kemi korrur mbi zemrat!
Atëherë u ngrit edhe toger Otoja, i ndezur, i fryrë nga të prët, dhe, i rrëmbyer befas nga patriotizmi alkolik, bërtiti:
• Për fitoret që kemi korrur mbi Francën!
Megjithëse ishin të dehura, gratë heshtën; dhe Rashela i tha duke u dridhur:
• Shiko….ta dish se ka shumë francezë, përpara të cilëve nuk do të guxoje ta thoshje këtë
fjalë.
Po markezi i vogël, që po e mbante në gjunjë, nisi të qeshte, ngaqë e kishte sjellë në qejf vera.
• Ha! Ha! Ha! Mua s’më ka zënë syri francezë të këtillë!…Porsa dukemi ne, ata ua mbathin
këmbëve!
Vajza u egërsua dhe i thirri:
• Gënjen, qelbanik!
Ai ia mbërtheu një herë ata sytë e tij të bardhë, pastaj zuri të qeshte përsëri:
• Ah! Posi, në ta ka ënda, e bisedojmë, bukuroshja ime!…Po të qenë kaq trima francezët, a do të
Ishim këtu ne ?!
Dhe filloi të ndizej:
• Jemi ne zotërinjtë e tyre! …Franca është e jona.
Rashela u hoq nga gjunjët e Zonjës Fifi me një hop dhe u hodh në karrigen e saj. Markezi u ngrit, zgjati kupën e tij gjer në mes të tryezës, dhe thirri përsëri:
• Tonat janë edhe Franca, edhe francezët, edhe pyjet, edhe fushat, edhe shtëpitë e Francës!
Të tjerët, të rrëmbyer nga entusiazmi ushtarak, rrëmbyen kupat dhe thirrën:
• Rroftë Prusia!… – dhe i zbrazën me një frymë.
Vajzat s’bënë zë fare, dhe po rinin gojëkyçur e të frikura. Pushoi dhe Rashela, se nuk guxonte të përgjigjej.
Atëhere markezi i vogël, Zonjusha Fifi, vuri mbi kokën e Rashelës kupën e tij plot me shampanjë, dhe thirri:
• Tonat janë edhe gjithë gratë e Francës!.
Ajo u ngrit aq shpejt, sa kupa prej kristali u derdh mbi kokën e saj si në pagëzim, duke zbrazur verën e artë mbi flokët e zinj, dhe ra përtokë dhe u thye. Gjithë duke e përpirë me sy oficerin që po qeshte, Rashela belbëzoi me një zë të mbytur prej zemërimit:
• Hë, sa për këtë, sa për këtë, jo dhe jo; gratë e Francës nuk do të bien kurrë në dorën tuaj!
Ai u ul që të qeshte më nge dhe u përpoq që t’i fliste me theksin e Parisit:
• Kjo qenka e bukur! Atëhere, përse paske ardhur këtu moj vogëlushe?
Në fillim Rashela heshti, se ishte e turbulluar dhe nuk i kuptoi mirë fjalët e tij; pastaj, sapo mori vesh se ç’desh t’i thoshte, u ndez nga zemërimi dhe ia priti:
• Për mua? Për mua thua? Unë s’jam grua: unë jam kurvë; ju prusianët nuk meritoni gra më të
mira!
Pa i mbaruar ajo fjalët, Zonjusha Fifi i hoqi ca shuplaka të forta; po, tek ngrinte dorën që t’i binte përsëri, Rashela, e tërbuar prej zemërimit që i ziente përbrenda, rrëmbeu në tryezë një thikë të vogël argjendi, dhe aq shpejt, sa në fillim s’e vuri re njeri, ia nguli në grykë, mu në gropëzën ku fillon kraharori.
Markezi i vogël mbeti gojëhapur; një fjalë që po matej ta thoshte, i ngeci në gërmaz, me ca sy të shqyer që të kallnin tmerrin.
Të gjithë lëshuan një ulërimë dhe u ngritën me shamatë, po Rashela i hodhi karrigen ndër këmbë Otos, që u rrokullis përdhé, rendi te dritarja, e çeli, para se ta kapnin, dhe u hodh në erësirë, në mes të shiut që po binte pa pushim.
Pas dy minutash Zonjusha Fifi vdiq. Atëhere Frici dhe Otoja zhveshëm shpatat, dhe deshën të vrisnin gratë, që u ranë në gjunjë. Majori e ndaloi vrasjen me mundim të madh, i mbylli në një dhomë të katër gratë dhe la dy ushtarë që t’i ruanin; pastaj dërgoi gati 200 ushtarë në ndjekje të vajzës së arratisur, i sigurt se do ta shtinte në dorë.
Po Rashelën nuk e gjetën dot.
Kur mësoi këtë ngjarje , gjenerali dha urdhër t’i hidhej guna kësaj pune, që të mos i jepej ushtrisë një shembull i keq, e i dha një dënim disiplinor komandantit; ama, edhe ky dënoi vartësit e tij.
Gjenerali paskësh thënë:
• Kemi ardhur të luftojmë dhe jo të dëfrejmë me gratë e rrugëve.
Të gjithë fshatarët e dinin se ku jetonte atje një vajzë e shkretë , në ankth e në vetmi., e ushqyer fshehurazi prej tyre. Ajo mbeti atje gjersa u largua ushtria gjermane, pastaj prifti, një mbrëmje e shpuri gjer te porta e Ruenit.
Pas ca kohe e nxorri prej andej një patriot pa paragjykime, që e deshi për trimërinë e saj, dhe me që i hyri në zemër, e mori për grua dhe e bëri një zonjë të vyer, si gjithë zonjat e nderuara.” – Gi dë Mopasan
——————–
Marë me shkurtime prej librit: Gi dë Mopasan “Tregime e novela”, Tiranë 1991, f.326 – 339

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 31/01/2024

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk