Aktuale
(Për mëkatet ndaj shqiptarëve të Akademisë Maqedonase të Shkencave dhe Arteve, anëtarët e kësaj Akademi me përkatësi etnike shqiptare, si dhe projektet shkencore të munguara mbi pesë dekada, për historinë, gjuhën, shkencën, kulturën dhe identitetin etnik të shqiptarëve në Maqedoninë Veriore)
Këto ditë është trazuar opinioni vendës, për të mirë, në lidhje me iniciativën e Koalicionit VLEN, i partive politike të shqiptarëve, të cilat aktualisht janë në pushtet, në bashkëqeverisje me koalicionin e partive të bllokut maqedonas të udhëhequr nga OBRM-PDUKM (VMRO) dhe partinë “ZNAM”.
Për arsye që tanimë i dinë shumica e shqiptarëve dhe banorëve të tjerë në Maqedoninë Verore, shqiptarëve vendës u ka munguar një Akademi e Shkencave dhe Arteve, përderisa Akademia e Shkencave dhe Arteve e Maqedonisë Veriore, e cila edhe pas ndryshimit të emrit të saj me ligj, vazhdon edhe më tej ta mbajë parashenjën etnike si “Akademi Maqedonase…”, jo si Akademi e Maqedonisë Veriore, që duhet t’u takojë të gjithë qytetarëve të vendit, pa dallim të përkatësisë etnike, gjuhësore dhe fetare, apo çfarëdo përkatëse tjetër.
Akademia Maqedonase e Shkencave dhe Arteve, me ligj të veçantë është themeluar nga Kuvendi i Republikës së Maqedonisë, në vitin 1967, si institucion shkencor me rëndësi të veçantë për shtetin, zhvillimin dhe afirmimin e popullit maqedonas.
Për 50 vjet me radhë kjo Akademi nuk i ka hapur dyert për shqiptarët vendës, të cilët kanë kontribuar vazhdimisht për financimin e kësaj Akademie nga buxheti i shtetit.
Një pjesë e anëtarëve të kësaj Akademie, me përkatësi etnike të padeklaruar, si shqiptarë ortodoksë, për dekada me radhë as kanë mundura ta deklarojnë lirisht përkatësinë e tyre etnike për shkak të paragjykimeve dhe privilegjeve personale nga pushteti, Aleksandër Matkovski (Mati), Mateja Matevski (Mati) etj., madje as themeluesi dhe kryetari i parë i kësaj Akademie, Blazhe Koneski (Bale Lama Kone), me prejardhje nga një familje e njohur shqiptare ortodokse.
Për herë të parë pas 35 vjet ekzistence, kjo Akademie ia hapi dyert një shqiptari, shkrimtarit dhe studiuesit Luan Starova, profesor i filologjisë romane, në vitin 2003.
Pas kësaj periudhe, anëtarë të Akademisë Maqedonase të Shkencave dhe Arteve, nga radhët e shqiptarëve, janë pranuar edhe prof. dr. Aliu Aliu (nga fusha e letërsisë), prof. dr. Alajdin Abazi (nga fusha e shkencave teknike), prof. dr. Abdilmenaf Bexheti (nga fusha e ekonomisë dhe prof. dr. Izet Zeqiri (nga fusha e ekonomisë).
Me këtë rast vlen të përmendet se, tre anëtarë të kësaj Akademie vinë nga qyteti i Tetovës, nga buron edhe iniciativa aktuale për formimin e Akademisë së Shkencave dhe Arteve e Shqiptarëve në Maqedoninë Veriore.
Pavarësisht se cilat do të jenë pengesat dhe sfidat për krijimin e një Akademie Shqiptare të Shkencave dhe Arteve në Maqedoninë Veriore, shkaqet kryesore duhet të kërkohen te pushteti i derisotëm dhe mendësia rusomadhe e drejtuesve të Akademisë Maqedonase të Shkencave dhe Arteve, përveç nevojës së domosdoshme për studimin e historisë, gjuhës, kulturës dhe shkencave, duke mos pasur asnjë projekt shkencor deri më sot, të miratuar dhe realizuar nga Akademia Maqedonase deri më sot.
Misioni dhe vizioni i një institucioni të lartë shkencor me rëndësi të veçantë për shtetin, siç është Akademia Maqedonase e Shkencave dhe Arteve, sipas ligjit aktual: Akademie e Shkencave dhe Arteve e Maqedonisë Veriore, nuk mund të vlerësohet sipas numrit të anëtarëve të saj dhe përkatësisë etnike të tyre, por sipas projekteve shkencore të realizuara për kulturën, historinë, gjuhën dhe veçoritë dalluese të popujve që jetojnë në atë shtet, të cilët edhe kontribuojnë për financimin e Akademisë dhe institucioneve të tjera të rëndësishme nga buxheti i shtetit.
Për çështje të tjera në lidhje me iniciativën aktuale do të bëjmë fjalë në shkrimet e radhës: pse kjo iniciativë nuk duhet të krahasohet me iniciativën për themelimin e Universitetit të Tetovës, si iniciativë intelektuale dhe projekt kombëtar, jo si iniciativë partiake e një pjese të faktorit politik shqiptar vendës, e kundërshtuar hapur nga partitë politike shqiptare të bllokut opozitar, kush dhe pse mund ta sabotojë këtë iniciativë, për kornizën ligjore dhe mungesën e vullnetit politik të pushtetit, si dhe çështje të tjera të cilat mund ta pengojnë jetësimin e iniciativës për formimin e Akademisë së Shqiptarëve të Shkencave dhe Arteve?
Dhe, çështja e kryesore që duhet t’i preokupojë studiuesit dhe intelektualët shqiptarë është pyetja që u imponohet, e që duhet të gjejnë zgjidhje të domosdoshme: përderisa Akademia e Shkencave e Shqipërisë (Tiranë), Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës (Prishtinë) dhe Akademia e Shkencave dhe Arteve e Maqedonisë Veriore, nuk kanë realizuar deri më sot asnjë projekt shkencor serioz për historinë, gjuhën dhe kulturën e shqiptarëve në Maqedoni, kush duhet ta plotësojë këtë zbrazëti? Sigurisht që jo, Akademitë e shkencave dhe arteve të shteteve fqinje!
Vazhdon…
* Autori është kryetar i Akademisë Shqiptare Amerikane e Shkencave dhe Arteve, me seli në Shkup
(31. 7. 2024)
Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!