Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!
Ndodhemi në Fermo në sheshin “ Skanderbeg”për të festuar 10-vjetorin e lindjes së Federatës Kombëtare Shqiptare në Itali “FNAI”, për të kujtuar e nderuar nismëtarët dhe ata që e firmosën në këtë shesh Aktin e Themelimit të saj më 26.05.2015 si edhe përvjetorin e 20-të emërtimit të këtij sheshi.
Nderi për ta drejtuar këtë manifestim të dyfishtë do t’i takonte ideatores, anëtares së Grupit Nismëtar, bashkëthemelueses, sekretares dhe tashmë Financiere e Federatës, patriotes së përkushtuar ing. Erida Çela.
Me himnin italian dhe shqiptar, nisi kjo ceremoni e bukur, në të cilën zonja Erida përshëndeti dhe falënderoi të gjithë të pranishmit, autoritetet e provincës dhe komunës, përfaqësues të shoqatave të ndryshme nga Firenze, Padova, Pordenone, Ravena, Brescia, Trento, Treviso, Fermo, Ancona, San Giorgio, San Benedetto del Tronto, Porto Sant Elpidio, Ascoli Piceno, Pescara, Umbria, Bergamo, Roma, Foligno si edhe miq, dashamirës dhe familjarë të tyre.
– Mirë se vini në këtë shesh të mrekullueshëm me të cilin na lidhin dy përvjetorë të rëndësishëm; 20-vjetori i përurimit të sheshit “Skanderbeg” dhe 10-vjetori i themelimit të Federatës Nacionale të Shoqatave Shqiptare në Itali (FNAI). Pikërisht kjo shoqatë me ish- president Hamit Coragjafi, ish-Zëvendëspresident Granit Mucaj, i cili ishte Kryetar i Grupit Nismëtar dhjetë vjet më parë, të cilët na hapën dyert dhe mundësuan pritjen e delegatëve të Asamblesë së Parë themeluese të Federatës, – u shpreh drejtuesja e ceremonisë Erida Çela. Ajo ftoi Presidentin aktual të shoqatës pritëse “Skënderbeu” zotin Gëzim Zira në mes duartrokitjesh dhe emocionesh të merituara që të fliste për ecurinë e kësaj shoqate, për rolin e saj si organizatore dhe bashkëpuntore historike në këtë ngjarje të madhe për komunitetin shqiptar në Fermo dhe në Itali.
Zoti Gëzim Zira, falënderoi të gjithë pjesëmarrësit dhe me radhë ata që kontribuan në realizimin e ngritjes së sheshit e të bustit të heroit tonë legjendar Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Njëkohësisht falënderoi ata që u angazhuan dhe punuan në vazhdimësi për mësimdhënien e gjuhës shqipe, stafit të tij të përkushtuar në realizimin e mjaft aktiviteteve për komunitetin dhe bashkëpunim me autoritetet vendore në tërësi.
Më pas për këtë nismë dhe miratimin nga komuna të projektit, punës vullnetare të gjithë atyre që punuan për ngritjen e sheshit 20 vite më parë përcolli përshëndetjet e rastit Presidenti i FNAI-t dhe sekretari i shoqatës “Skanderbeg”, zoti Granit Mucaj. Ai falënderoi për ndihmën, mbështetjen e përhershme dhe pjesëmarrjen në këto dy përvjetorë të Presidentes së Komisionit Rajonal për Barazi Sociale në komunën Fermo, dr. Maria Lina Vitturini të Kryetarit të Komunës Fermo, Av. Paolo Calcinaro, Këshilltarit të Komunës Porto Sant Elpidio zoti Enzo Farina dhe Presidentit të Këshillit Komunal dr. Francesco Trasati.
Historikun e rrugëtimit të Federatës e ngritjen e Grupit Nismëtar, e paraqiti të përmbledhur dr. Eris Hoxha, Zëvendëspresident i FNAI-t për momentet më të bukura të themelimit të saj me drejtues të disa shoqatave e intelektualë në fusha të ndryshme të arteve, letërsisë, historisë, albanologjisë etj.
Përpjekjet dhe vështirësitë e shumta në tokë të huaj, ishin pjesë e frymës patriotike të një bashkëpunimi me sakrifica për të qenë së bashku, për të punuar së bashku në ngritjen dhe mbrojtjen e një institucioni shoqëror mbi bazën e shoqatave pjesëmarrëse si përfaqësuese e vetme e autoritare e komunitetit mbarë shqiptar në Itali.
Pikërisht 10 vjet më parë, më 26.04.2015 në këtë shesh që mban emrin e princit, heroit legjendar të kombit tonë, simbol i identitetit dhe unitetit tonë, u firmos edhe Akti i Themelimit.
– Në këtë përvjetor, – shtoi zoti Eris Hoxha, – ne si Këshill Drejtues i Federatës, falënderojmë të gjithë ata që e ideuan, formuan, bashkëpunuan dhe vazhdojnë të kontribuojnë për realizmin e aktiviteteve tona në shërbim të komunitetit shqiptar, për integrim dinjitoz dhe bashkëjetesë me popullin Italian.
Në manifestim përshëndeti edhe studiuesi Mark Pal Nikaj, drejtues të shoqatave si edhe ish-firmëtar të Aktit të Themelimit.
Me këtë rast nga Presidenti i FNAI-t z.Granit Mucaj i bëri një falenderim të posaçëm kandidatit për eurodeputet zotit Muharrem Salihu, për xhestin e tij fisnik dhe për mbështetjen ndaj rolit të Federatës në jetën shoqërore e kulturore duke vlerësuar me titullin “Anëtar Nderi i Federatës”
Më tej për këto dy jubile, shoqata Skanderbeg kishte organizuar një Drekë Festive me valle, këngë, recitime, përshëndetje e vlerësime, të cilën e drejtoi Sekretaria e Federatës FNAI dr. Ninfa Pema. Festa vazhdoi me momentin e daljes së dy tortave me simbolet e 20-vjetorit të sheshit Skanderbeg dhe të 10-vjetorit të themelimit të Federatës. Njërën tortë e preu dr. Beskida Aliaj, bashkëpunëtore e Federatës për problemet e pensioneve dhe drejtuese e sindikatave italiane INAS, CISL për pensionet e italianëve në Shqipëri, e cila vinte nga Tirana.
Prerja e tortës tjetër u krye nga Presidenti i Shoqatës “Shqiponja” në Bergamo & Brescia zoti Jasin Dauti, i cili 60 vjetorin e tij të lindjes e kremtoi së bashku me ne, miq,kolegë e mësues të nderuar, si; Neat Marku, Abdula Bufi, Silvana Muco Dogani, Saliko e Marial Hodo, poeti Vasil Kovi me të shoqen Marjeta si edhe të gjithë autoritetet nga Provinca e Komuna Fermo, Komuna Sant Elpido . Historikisht që nga ngritja e sheshit “Skanderbeg” nuk ka munguar asnjëherë ndihma e grupit vullnetar të Mbrojtjes Civile Rajonale të drejtuar nga zoti Filippo Berttini. me të cilët kam qënë pjesë e këtij grupi prej më se një viti në tërmetin e 2009-s në Provincën Aquila.
Më duhet të citoj edhe ata që na ndihmuan të sistemoheshim në tavolina, anëtarët e stafit të shoqatës “Skanderbeg” zonja Sadete Tabaku, Halit Ajazi dhe Mustaf Mustafa, Zëvendëspresident, i shoqatës.
Si autor i këtij shkrimi falenderoj personalisht aktivistë e drejtues të shoqatave aderuese, të cilët udhëtuan nga larg për të festuar së bashku dy përvjetorët. Faleminderit miqtë e mi Alfred Perlala, Artan Bakiasi së bashku me zonjën e tij, Gjovalin Gjergji, Ndriçim Kërcuku, Agim Xhureta, Jasin Dauti, Ninfa Pema, Erida Cela, Eris Hoxha, Ilir Ibrahimi, Belul Shehu,Melhana Murati e Dedin Paci për kontributin dhe mbështetjen tuaj në kurorëzimin me suksese të dy përvjetorëve. Faleminderit prof. Ndue Shabaku për ndihmesën tënde në Grupin e Punës dhe hartimin e programit. Falenderoj të gjithë ata që me përkushtim vendosën gurin e parë në shtëpinë e FNAI-it, ata që e vlerësuan dhe vazhdojnë ta vlerësojnë rolin përbashkues ndërmjet shoqatave në një organizatë të vetme shoqërore që i përgjigjet realitetit si një zë i fuqishëm i Mëmëdheut për të gjithë bashkëkombasit tanë që jetojnë në Itali.
Mirupafshim në përvjetorë të tjerë !
Petrit Aliaj.
President i nderit i Federatës FNAI.
Tri Archi Fermo Italy.
15.06.2025
Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!