Analizë politike
EDHE NË KËTO ZGJEDHJE NË MAQEDONINË VERIORE, SHQIPTARËT NUK DO TË FITOJNË ASGJË MË SHUMË SE PËRQINDJA E PARACAKTUAR NGA PUSHTETI
(Ëndrra e kandidatëve shqiptarë për kryetar shteti do të përfundojë më 24 prill, për t’i përgatitur votuesit e tyre më 8 maj të votojnë për kandidatët e koalicioneve të partive joshqiptare, si gjithmonë.)
Kur flasim ne, që shprehim mendimet tona ndryshe nga ato të drejtuesve të partive politike dhe të pushtetit, shpresoj të mos i mërzitim lexuesit, sepse ne nuk pretendojmë asgjë më tepër se sa ta themi të vërtetën, pa pasur asnjë interes për veten tonë. Kjo nuk duhet të kuptohet as si kritikë, as pretendim për t’ua prishur dyzenin subjekteve politike dhe individëve, që marrin pjesë në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të radhës në Maqedoninë Veriore.
E vërteta është se, në këtë shtet nuk ka pasur asnjëherë dhe ende nuk mund të ketë zgjedhje të lira dhe demokratike, për shkaqe të njohura, për të cilat kemi shkruar vite me radhë. Këtë të vërtetë duhet ta dinë qytetarët e vendit. Pushtetet jodemokratike, me politikanë dhe pushtetarë të korruptuar, kuptohet se nuk e lëvizin as gishtin e vogël të dorës në lidhje me shqetësimin e qytetarëve, aq më pak për paraqitjen e së vërtetës ndryshe nga një grusht i vogël individësh, të cilët nuk mendojnë sikurse ata që gëzojnë privilegje të mëdha për vite me radhë nga ky shërbim që ia bëjnë pushtetit.
Edhe pse kësaj radhe faktori politik shqiptar është rreshtuar në dy taborë, koalicione të mëdha të partive politike, të pozitës dhe opozitës, për arritjen e qëllimeve të veta, për ta mbajtur pushtetin ose për ta fituar atë, janë faktorë të tjerë që i diktojnë rezultatet e këtyre zgjedhjeve, nuk janë dëshirat dhe ambiciet e drejtuesve të këtyre partive politike dhe koalicioneve të tyre.
Për këtë lojë janë të përgatitur me kohë edhe pjesëmarrësit në zgjedhje, deputetët e ardhshëm dhe kandidatët shqiptarë për president të shtetit, pa asnjë preferencë për të kaluar në balotazh, sidomos janë të njoftuar mirë liderët e partive të tyre, si pjesë e marrëveshjeve politike, me të cilat paraprakisht definohet fati i këtyre zgjedhjeve, e ardhmja e shtetit dhe qytetarëve të tij.
Ndër arsyet kryesore pse në Maqedoninë Veriore nuk mund të ketë zgjedhje demokratike, të lira dhe të drejta, është numri jo i saktë (falsifikimi) i banorëve, numri i përgjithshëm votuesve (me lista të falsifikuara) dhe i gjithë procesi zgjedhor, sidomos mungesa e vullnetit politik për ndryshimin e njësive zgjedhore (të pa balancuara), si dhe pamundësia e votimit me lista të hapura, si e drejtë legjitime e qytetarëve për zgjedhjen e përfaqësuesve të tyre, jo të kandidatëve të imponuar sipas listave të partive politike.
Më rëndësishme në gjithë këtë farsë politike të zgjedhjeve, është moslejimi i shqiptarëve vendës ta tejkalojnë përqindjen prej 20 – 25%, të deputetëve (afër 30 mandate deputetësh nga numri i përgjithshëm prej 120 deputetëve sa ka Parlamenti i Maqedonisë Veriore.
Bartësit kryesorë të listave në njësitë zgjedhore, edhe nga pala shqiptare, edhe kësaj radhe janë po ata që kanë marrë pjesë në votimin e Kodit zgjedhor, edhe në miratimin e rezultateve të regjistrimit të fundit të popullsisë (2021), edhe miratimin e Listës së përgjithshme të votuesve (të falsifikuar), si edhe miratimin e ndryshimeve të fundit kushtetuese të vitit 2019, ku popullsia shqiptare ende definohet si pakicës dhe qytetarë prej 20%, madje edhe sipas Marrëveshjes kornizë të Ohrit, e cila me propozimin të faktorit politik shqiptar është përfshirë në Preambulën e Kushtetutës së këtij vendi, një nga gabimet fatale për të ardhmen e shqiptarëve në Maqedoninë Veriore.
Pse duhet të presin qytetarët shqiptarë (votuesit) se kjo gjendje mund të ndryshojë kësaj radhe, kur fatin e tyre e kanë vulosur për gjatë kohë vetë përfaqësuesit politik të tyre?!
(13 prill 2024)
Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!