ENVER HOХНА LETËR DËRGUAR PRESIDENTIT TË SHBA!

01
Dec
2023
Redaksia Pajtohet me Autorin

ENVER HOХНА LETËR DËRGUAR PRESIDENTIT TË SHBA HERRI TRUMANIT NË LIDHJE ME TRAJTIMIN E MIRË QE U BËHET KRIMINELËVE SHQIPTARË TË LUFTËS NGA AUTORITETET ANGLO-AMERIKANE NË ITALI
1 qershor 1945
Shkëlqesë,
Në emër të Qeverisë Demokratike të Shqipërisë kam nderin të vë në dijeninë Tuaj sa vijon:
Komisioni qendror për zbulimin e krimeve të kriminelëve të luftës dhe të armiqve të popullit i kishte kërkuar më 23 shkurt 1945 Komisionit ndërkombëtar për zbulimin e krimeve dhe të kriminelëve të luftës, dorëzimin e një numri kriminelësh shqiptarë të luftës, që ndodheshin në kampet e përqëndrimit të Italisë, si në Bari, Leçe, Salerno e gjetkë. Kjo kërkesë e ligjshme e popullit shqiptar jo vetëm nuk pati përgjegje, por ne vërejmë me keqardhje se kriminelët më të poshtër shqiptarë të luftës, si: Ali Këlcyra, Mithat Frashëri, Abaz Kupi, Kadri Cakrani, Koço Muka, Vehip Runa e shumë të tjerë, në vend që të mbahen në kampet e përqëndrimit dhe të trajtohen si armiq duke marrë parasysh bashkëpunimin e tyre të vendosur me nazistët gjermanë, ata trajtohen në mënyrën më të favorshme dhe lihen të lirë në qytetet e Italisë të vazhdojnë intrigat e tyre
fashiste në dëm të popullit tonë dhe të njerëzimit përparimtar.
Një trajtim i tillë i kriminelëve shqiptarë të luftës, të cilët kanë kryer aq mizori në vendin tonë, nuk mund veçse të habitë popullin shqiptar, i cili ka një besim të patundur në drejtësinë e madhe për të cilën ai ka derdhur aq shumë gjak.
Fakti se këta kriminelë lufte nuk u dorëzohen autoriteteve shqiptare, në bazë të vendimit të Konferencës së Moskës(1), e cila përcakton qartë se çdo kriminel lufte do të gjykohet në vendin ku ai ka kryer krimet e tij, si dhe trajtimi i favorshëm që u bëhet atyre nga autoritetet aleate në Itali, përbëjnë një padrejtësi dhe në të njëjtën kohë një fyerje ndaj popullit shqiptar, i cili ka bërë aq sakrifica për çështjen e përbashkët…
Ju lutem të keni mirësinë të merrni parasysh dhe të rishqyrtoni kërkesat e drejta dhe të ligjshme të popullit tonë.
Kryetari i Këshillit të Ministrave të Qeverisë Demokratike të Shqipërisë Gjeneral-Kolonel
Enver Hoxha
(1) Është fjala për Deklaratën e J.V. Stalinit, F. Ruzveltit dhe U. Çerçillit mbi përgjegjësinë e hitlerianëve për krimet e kryera kundër popujve, që u bë e njohur gjatë punimeve të Konferencës së Moskës të Ministrave të punëve të jashtme (19-30 tetor 1943).
/ marë nga FCB e Partia Komuniste Shqiptare/

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 01/12/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk