Eugen Cakolli nga Kosova Democratic Institute…!

12
Nov
2025
Shkruan: Vudi Xhymshiti


Në këtë postim, Eugen Cakolli nga Kosova Democratic Institute / Transparency International Kosova, propozon një mënyrë tjetër për të kuptuar rezultatin elektoral. Jo sipas numrit të komunave të fituara por sipas numrit të banorëve që jetojnë në ato komuna.
Në pamje të parë kjo tingëllon si një qasje elegante një përpjekje për të parë përtej shifrave të thata. Por shpejt kuptohet se këtu nuk kemi të bëjmë me analizë në kuptimin kritik të fjalës. Kemi një zhvendosje të këndvështrimit. Dhe kjo zhvendosje nuk është e pafajshme.
Problemi është i qartë. Banorët nuk janë votues. Dhe votuesit nuk janë të njëjtë në zgjedhjet lokale dhe në ato qendrore. Një kryetar komune nuk është pronar i bindjeve politike të komunitetit të tij. Komuna nuk është territor partiak. Nuk është fushë me gardh. Është një hapësirë ku jetojnë njerëz që mendojnë ndryshe dhe votojnë më ndryshe varësisht kohës. Por mënyra si paraqitet analiza është një ftesë për ta harruar këtë.
Kjo është një teknikë që njihet mirë në vende ku politika nuk kërkon ta shpjegojë veten por të duket e pashmangshme. Kjo manovër quhet prodhimi i konsensusit të rremë. Ideja është e thjeshtë. Nuk e bind popullin. Thjesht e krijon përshtypjen se populli është tashmë i bindur. Mjafton të thuash shihni sa shumë njerëz janë nën këtë administrim. Dhe e lë mashtrimin që të bëjë pjesën tjetër. Sepse mendja e njeriut është ndërtuar të ndjekë shumicën imagjinare. Një shumicë e hamendësuar mund të bëhet shumë më e fuqishme se një shumicë reale.
Kjo teknikë është përdorur gjerësisht në hapësirat e propagandës ruse ku numrat nuk shpjegojnë por imponojnë. Ku shifra nuk përshkruan botën por e riformaton atë në mënyrën si duhet parë. Nuk është e nevojshme të akuzojmë ndokend si agjent. As nuk është e ndershme ta bëjmë. Ajo që është e rëndësishme është të kuptojmë se forma e vetë arsyetimit është ajo që ka rëndësi. Nëse e lejojmë logjikën të rrëshqasë nga vota tek popullsia nga zgjedhja tek territori atëherë fillojmë të flasim për politikë si administrim të trupave njerëzorë dhe jo si proces të vullnetit qytetar.
Dhe aty fillon rrëshqitja. Ngadalë. Pa britma. Pa shfaqje të mëdha. Thjesht përmes një ilustrimi të bukur grafik. Një kolonë më e lartë se një tjetër. Një ngjyrë që shfaqet si më e fuqishme. Një sugjerim i heshtur se është më e sigurt të rrethohesh me fituesin.
Kjo nuk është analizë. Kjo që ka bërë Eugen Cakolli nga KDI, është ndërtim i rrejshëm i një realiteti të ri. Një ftesë për të hequr dorë nga dyshimi. Dhe demokracia nuk funksionon pa dyshim. Nuk funksionon pa distancë kritike. Pa pyetjen e thjeshtë që qëndron gjithmonë në fund të tryezës: Kush po përpiqet të më bindë dhe për çfarë.
Këtu nuk jemi duke diskutuar një gabim teknik. Jemi duke parë një zhvendosje të heshtur të mënyrës se si kuptohet fuqia politike. Dhe një shoqëri që e pranon këtë zhvendosje pa pyetje fillon të humbasë një pjesë të vetes. Sepse politika atëherë nuk është më zgjedhje. Është fat i paracaktuar.
Në këtë moment duhet vetëm një fjali e qartë dhe e qetë. Popullsia nuk është votë. Territori nuk është mbështetje. Shifra nuk është bindje.
Dhe politika nuk është një hartë zt Cakolli. Është një akt i mendimit.
Dhe këtu vjen ajo që është më e dhimbshme për t’u thënë. Zoti Cakolli, ju flisni nga një institucion që pretendon të mbrojë transparencën. Emri që mbani është garanci për publikun se fjala që del prej jush është e lirë nga ndikimet politike. Por kur përdorni peshën morale të Transparency International për të prodhuar një mashtrim politik, atëherë nuk jeni më analist. Jeni zëdhënëz i një narrative të sajuar, pra të rreme. Dhe kjo nuk është çështje preferencash ideologjike. Nuk është turp ta mbështesësh një parti. Turp është të gënjesh për të. Turp është ta paketosh gënjeshtrën e maskuar si analizë. Turp është ta tradhtosh besimin e publikut duke u shitur si i paanshëm, ndërkohë që ngadalë e ftohtë dhe me qetësi, punoni për të prodhuar bindje që nuk dalin nga mendja e qytetarëve, por nga marrëveshjet e zyrave të errëta që kanë plaçkitur këtë vend për njëzet vjet. Çdo rresht që shkruani dhe çdo grafikë që keni ndarë në murin tuaj zt Cakolli është një shenjë. Jo e kapjes suaj personale, por e kapjes së gjuhës. Të mendimit. Të vetë mënyrës se si qytetari formon bindje. Dhe kur një shoqëri e humb këtë, nuk voton më. Ajo dorëzohet

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 12/11/2025

© 2016 - 2025 | DIPLOMACIA.dk