FAKTORI POLITIK SHQIPTAR NË MAQEDONI AS PËR SË AFËRMI NUK I KA KRYER DETYRIMET E VETA

22
Mar
2023

Shkruan: Prof.dr.Abdulla Mehmeti
Shpalime
Këtë duhet ta lexojë secili shqiptar, sidomos politikanët dhe intelektualët e gjeneratave të reja!
Nga gjithë ato që kam përcjellë dhe lexuar, vlerësimet më të sakta për rolin e Universitetit janë ato nga profesor Arsim Bajrami dhe gazetarja Dijana Toska
“Më 1995, pushteti vazhdonte ta dramatizonte funksionimin e UT dhe ta impononte në arenën ndërkombëtare si fillimin e fundit të Maqedonisë. Ato ditë, me marrëveshje ose pa të, 720 profesorë universitarë maqedonas (kundër Universitetit të Tetovës) i dërguan peticion Gligorovit (president i Maqedonisë), me pyetjen dramatike: kah po shkon Maqedonia?!”
STATUSI I POPULLIT SHQIPTAR NË MAQEDONI DHE RËNDËSIA E UNIVERSITETIT*
(Universiteti dhe rëndësinë kulturore e politike të tij për popullin shqiptar në Maqedoninë Veriore)
I.
Përkundër kësaj, disa politikanë, studiues dhe analistë me dije të kufizuara mbi shkencën, filozofinë dhe politikën, flasin për gjëra të vogla, mendojnë dhe bëjnë punë të vogla e të parëndësishme, prandaj edhe nuk i kuptojnë dhe as u pengojnë, statusi juridik-kushtetues dhe politik i pakicës kombëtare i shqiptarëve në Maqedoni, as statusi i gjuhë shqipe, si gjuhë që e flasin 20% e banorëve në këtë shtet dhe as të drejtat e kufizuara me kushtetutë për shkollim në gjuhën amtare vetëm në nivel të arsimit fillor dhe të mesëm, jo edhe arsim të lartë, universitar dhe pasuniversitar.
Ashtu siç i ka udhëheqësit një popull, të cilët i zgjedh vetë, atë fat do ta ketë sot dhe atë do t’ua trashëgojë brezave në të ardhmen.
– Abdulla Mehmeti
(20. XII. 2019)
II.
„Universiteti i Tetovës, padyshim nuk e kishte vetëm rolin akademik, krijimin e një klase intelektuale, por, ishte edhe promotor dhe bartës i përpjekjeve të pareshtura të shqiptarëve për të realizuar të drejtat e barabarta dhe përmirësimin e pozitës kushtetuese të shqiptarëve, që të jetë një komb me të drejta të barabarta shtetformuese në Maqedoni.”
– Prof. dr. Arsim Bajrami, ish ministër i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë i Republikës së Kosovës, profesor i të drejtës kushtetuese në Universitetin e Prishtinës dhe doktor nderi i shkencave i Universitetit të Tetovës.
Tetovë, 17 dhjetor 2016
III.
STATUSI I POPULLIT SHQIPTAR DHE RËNDËSIA E UNIVERSITETIT
“Universiteti i Tetovës do të shënohet me shkronja të arta në historinë e popullit shqiptar të Maqedonisë si Universiteti i parë në gjuhën shqipe në Maqedoni. Përmes tij arriti që të ndërkombëtarizohet çështja shqiptare dhe t’i hapet rruga përparimit të statusit të popullit shqiptar në Maqedoni.”
Dijana TOSKA
RETRO/ 1995
Poqese bëhet një analizë e thukët e domethënies së Universitetit të parë në gjuhën shqipe në Maqedoni, do të shihet rëndësia shumëdimensionale e tij.
Së pari, u tregua ngritja e vetëdijes kombëtare shqiptare dhe vendosmëria që të krijojnë institucione përkatëse për të ruajtur dhe zhvilluar qenien dhe identitetin kombëtar.
Së dyti, me funksionimin dhe zhvillimin e UT-së, në mënyrë simbolike dhe praktike, filloi sendërtimi i synimit të shqiptarëve të Maqedonisë për të fituar statusin e elementit shtetformues.
Së treti, si kurrë më parë, partitë politike shqiptare dhe intelektualët shqiptarë, të përkrahur nga tërë populli, treguan unitet dhe aftësi organizimi për të realizuar me sukses synimet e veta.
Së katërti, u dëshmua se shqiptarët e kësaj treve kanë kuadro të kualifikuara, të afta dhe të gatshme për të ngritur Universitet.
Së pesti, u dëshmua vullneti dhe përcaktimi i rinisë shqiptare për të vazhduar studimet universitare, e më tepër se gjysma e tyre janë vajza shqiptare.
Pastaj, doli në pah vitaliteti, gatishmëria për sakrifica dhe, deri diku, potenciali ekonomik e material i shqiptarëve për të përballuar nevojat dhe vështirësitë.
Së fundi, tash qëndron rëndësia e bindjes së vet opinionit maqedonas dhe atij ndërkombëtar, përkundër propagandës shumëvjeçare, që mohonte këto vlera, se shqiptarët janë popull i qytetëruar, i aftë dhe i përgatitur për t’u rreshtuar në radhët e popujve të qytetëruar të Evropës.
Dhe, gjithsesi, në këtë kontekst, duhet shikuar edhe nervozizmin nacionalist të palës maqedonase edhe nga interesimi dhe përkrahjet çdo ditë e më të mëdha të faktorit ndërkombëtar ndaj çështjeve të të drejtave të pamohueshme shqiptare.
Pala maqedonase, pas ngjarjeve tragjike në Tetovë, por edhe sot e kësaj dite, po përpiqet ta bindë faktorin ndërkombëtar për veprimet e ndërmarra në Reçicë të Vogël (për vrasjet, maltretimet, arrestimet e shqiptarëve), se shqiptarët nuk kanë nevojë për Universitet të tyre dhe se ata lirisht mund të studiojnë në dy universitetet maqedonase, pa treguar se vetëm 2 për qind studentë shqiptarë mund të studiojnë aty, pastaj se UT-ja, kryekëput, është projekt politik, që ka për qëllim federalizimin e Maqedonisë, përkatësisht krijimin e “Shqipërisë së Madhe”.
Mirëpo, për ngjarjet në Reçicë të Vogël, interesim të jashtëzakonshëm shfaqën organizmat e ndryshëm ndërkombëtar, jo pse u vra një shqiptar apo pse shqiptarët kanë nevojë për arsimim, por pse tendosja e marrëdhënieve ndëretnike mund ta desatabilizonin Maqedoninë dhe me këtë edhe tërë rajonin.
Prandaj, kjo frikë i detyroi përfaqësuesit diplomatikë, të akredituar në Maqedoni dhe, jo vetëm ata, të fillojnë bisedat intensive, së pari me palën shqiptare e, më pas, edhe me atë maqedonase.
Pala shqiptare në këto biseda shpjegonte se UT funksionon në bazë të planprogrameve si dy universitetet maqedonase, me të vetmin dallim se aty mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe. Pala shqiptare kërkoi pareshtur për të biseduar me palën maqedonase lidhur me arsimin e lartë të shqiptarëve, si një projekt që kërkon qasje të përbashkët e serioze, trajtim shkencor e human nga ana e shtetit, por ky debat nuk u pranua. Pushteti vazhdonte ta dramatizonte funksionimin e UT dhe ta impononte në arenën ndërkombëtare si fillimin e fundit të Maqedonisë.
Ato ditë, me marrëveshje ose pa të, 720 profesorë universitarë maqedonas i dërguan Gligorovit peticion, me pyetjen: kah po shkon Maqedonia?
Burimet diplomatike, pas këtyre bisedave, thonë se organizmat e ndryshme ndërkombëtare propozuan në fund një zgjidhje kompromisi. Që në Tetovë Qeveria e Maqedonisë të lejojë hapjen e një Akademie Pedagogjike, ndërsa shqiptarët të heqin dorë nga UT. Ky kompromis ende është në fuqi, por nga asnjëra palë ende nuk ka deklarime publike lidhur me të.
Ministri gjerman, Klaus Kinkel, mbajti në Shkup një takim të veçantë me përfaqsuesit shqiptarë. Ky gjest i Kinkelit i tregoi qartë palës maqedonase se Gjermania kujdes të posaçëm i kushton çështjes shqiptare në Maqedoni, e sidomos se përkrah përparimin e të drejtave të shqiptarëve për identitetin e tyre kombëtar, kulturor e arsimor.
Edhe Butros Gali, sekretar i përgjithshëm i OKB-së, në raportin e tij të fundit, sinjalizoi qartë Maqedoninë se cilave çështje ajo duhet t’u kushtojë kujdes të posaçëm. Të përkujtojmë se vend meritor në raportin e Galit, por edhe në të gjitha raportet e tjera relevante të organizmave të ndryshme ndërkombëtare, u jepen UT dhe përparimit të të drejtave të nacionaliteteve në Maqedoni. Gali thotë se një universitet në gjuhën shqipe në Maqedoni është i domosdoshëm dhe më se i nevojshëm.
Koordinatori i Konferencës për ish-Jugosllavinë, Gert Ahrens, duke folur për çështjet e pazgjidhura të arsimit të shqiptarëve, u përpoq të qetësonte palën maqedonase, duke thënë se çështja e arsimit shqip nuk prejudikon zgjidhjet politike, pra as federalizimin.
Ballkani ose do të demokratizohet në të gjitha sferat, sipas kritereve bashkëkohore e të civilizuara, ose do të jetë i dënuar me vetëshkatërrim. Tash, pothuaj, gjithçka varet nga veprimi, organizimi, koha dhe mënyra se si do të veprojë dhe si do t’i shtrojë problemet subjekti politik shqiptar i Maqedonisë. Ai, para së gjithash, në këto çaste ka nevojë për ndihmë dhe përkrahje të sinqertë e konkrete nga Shqipëria e Kosova, e aq më parë kur argumentet dhe përkrahja e faktorit ndërkombëtar janë në anën e tyre.
Universiteti i Tetovës do të shënohet me shkronja të arta në historinë e popullit shqiptar të Maqedonisë si Universiteti i parë në gjuhën shqipe në Maqedoni. Përmes tij arriti që të ndërkombëtarizohet çështja shqiptare dhe t’i hapet rruga përparimit të statusit të popullit shqiptar në Maqedoni.
* Shkëputur nga libri “Maqedonia në Gazetarinë Time”, Dijana Toska
IV.
Bota shqiptare ka njerëz të mençur, ka dijetarë, vizionarë, strategë, por nuk ka politikanë dhe pushtetarë të zotët. Kjo është dëshmuar sidomos te shqiptarët në Maqedoni, të cilët me gjithë atë mbështetje të fuqishme nga popullsia vendëse, me kapacitete intelektuale, me sakrifica të mëdha, edhe me luftë të armatosur, për tri dekada me radhë, partitë politike të derisotme, politikanët dhe pushtetarët shqiptarët nuk kanë arritur ta ndryshojnë as edhe një nen (48) në Kushtetutën e Maqedonisë, me të cilin kufizohet e drejta e arsimimit të shqiptarëve në gjuhën amtare, në nivel të arsimit fillor dhe të mesëm, dhe sidomos nuk kanë arritur as për një nuancë ta ndryshojnë statusit juridik-kushtetues të shqiptarëve, që trajtohen pakicë kombëtare, sikurse romët, serbët, turqit, vllahët, boshnjakët dhe grupet tjera etnike.
(21 mars 2023)

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 22/03/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk