FAQJA E ZEZË E POLITIKËS DHE DIPLOMACISË EVROPIANE

27
Sep
2023
Shkruan: Prof.Dr.Abdulla Mehmeti

Analizë
(Diplomacia evropiane rrezikon t’i përgjakë edhe më tej popujt e Ballkanit Perëndimor për shkak të manireve burokratike dhe ngathtësisë së saj)
Politikanët dhe diplomatët e Evropës (që sot artikulohet përmes BE-së) mund të mendojnë edhe më tej se popujt e shteteve ballkanike janë të verbër dhe naivë, sa të mos e njohin të vërtetën, të kaluarën historike dhe realitetin e krijuar në këtë rajon kryesisht me fajin e politikës së gabuar të Fuqive të Mëdha evropiane.
Ata vazhdojnë edhe sot të besojnë se, mundi t’ua shesin ose imponojnë të tjerëve idetë e gabuara, të zbatuara gjatë dy shekujve të fundit, se mund të ketë paqe, siguri dhe progres në këtë rajon, përderisa e tolerojnë e përkëdhelin pushtetin më militarist dhe agresor të rajonit, të Serbisë rusomadhe, e cila edhe sot qeveriset nga terroristët e ish-regjimit kriminal të Millosheviqit, si Vuçiqi, Vulini, Daçiqi, Shesheli e të ngjashëm.
Se mund të sigurohet paqe dhe siguri, marrëveshje e qëndrueshme bashkëpunimi dhe fqinjësi e mirë mes shteteve fqinje të këtij rajoni, me ndërmjetësimin e diplomatëve nga shtetet që edhe pas 20 vjetësh nuk e kanë njohur pavarësinë (dhe sovranitetin) e shtetit të Kosovës, si realitet i domosdoshëm për korrigjimin e padrejtësive historike ndaj shqiptarëve autoktonë, të kërcënuar vazhdimisht nga gjenocidi dhe agresioni serbomadh deri në shfarosje.
Kjo qasje e gabuar e politikës dhe diplomacisë evropiane ndaj regjimit kriminal të Beogradit, jo vetëm që e rrezikon paqen dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor, por i sjell dëme të paparashikueshme edhe vetë Evropës, duke i hapur rrugë ndikimit dhe invazionit rusomadh në gjithë Evropën, sikur të mos ishte e pranishme, aktive dhe e fuqishme politika dhe diplomacia Amerikane, e cila së fundmi ia ndali hovin kërcënimit rusomadh ndaj Evropës dhe ia ndërpreu rrugën terrorizmit ndërkombëtare të Rusisë, si në Ukrainë edhe në vendet e tjera të Evropës Lindore dhe të Ballkanit, ku janë terrorizuar ndër dekada e shekuj me radhë popujt dhe vendet liridashëse, me fajin edhe të politikës dhe diplomacisë proteksioniste të disa shteteve evropiane, të cilat nuk kanë arritur të mësojnë nga e kaluara e përgjakur, nga luftërat, gjenocidet dhe agresionet e kryera nga Serbia dhe Rusia ndaj vendeve dhe popujve të tjerë liridashës, në Gadishullin Ilirik (Ballkan), Evropë dhe në vende të tjera të botës.
Kjo politikë dhe diplomaci, paska dijeni dhe forcë të ndërhyjë për vendosjen e paqes dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor, në të gjitha shtetet tjera të këtij rajoni, por shtiret sikur nuk e sheh djallin e madh të ulur këmbëkryq në mes të rajonit, regjimin kriminal të Beogradit, me lidhjet dhe përkrahjen e hapur politike e fetare, diplomatike e ushtarake nga regjimi terrorist i Kremlinit!
Kjo politikë dhe diplomaci paska njohuri dhe forcë të ndërhyjë në rregullimin e marrëdhënieve mes shteteve fqinje: mes Greqisë dhe Shqipërisë (çështja e Detit), Bosnje dhe Hercegovinës me Serbinë, Malit të Zi me Serbinë, Greqisë dhe Maqedonisë, Bullgarisë dhe Maqedonisë, deri edhe me kushtëzime për ndryshimin e kushtetutës së Maqedonisë, për çështjen e ndryshimit të emrit dhe çështjen e pakicës bullgare, por nuk paska dijeni dhe forcë të ndërhyjë për ndryshimin e kushtetutës së Serbisë, e cila përkundër të gjitha marrëveshjeve ndërkombëtare dhe parimeve themelore të së drejtës ndërkombëtare vazhdon ta konsiderojë territorin e shtetit të pavarur të Republikës së Kosovës, si krahinë autonome e Serbisë, me të drejtën e zbatimit të ligjeve të veta sipas kësaj kushtetute kur të dojë dhe si të dojë në një shtet fqinj, pavarësinë dhe sovranitetin e së cilës e ka konfirmuar edhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë dhe e kanë njohur mbi gjysma e shteteve të botës dhe shtetet më të fuqishme si SHBA, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Italia etj.?!
Nga çfarë ka frikë sot politika dhe diplomacia evropiane? Nga padrejtësitë që u ka shkaktuar popujve dhe vendeve ballkanike gjatë dy shekujve të fundit, nga interesat e veta të sotme gjeopolitike dhe gjeostrategjike, apo nga frika se mos po vërshon llumi i burokracisë së saj, e proteksionizmit dhe marrëveshjeve të fshehta me Kremlinin, deri sa iu afrua rreziku te dera, me fillimin e agresionit të federatës Ruse në Ukrainë, me kërcënim të hapur edhe ndaj shteteve të tjera evropiane, anëtare të BE-së dhe NATO-s?!
E vërteta që duhet t’ua vrasë sytë politikës dhe diplomacisë evropiane, por edhe asaj ndërkombëtare, duhet të rishikohet ndryshe, edhe atë:
1. Si ka mundësi të barazohen interesat e dy shteteve fqinje në tavolinat e bisedimeve me ndërmjetësim të faktorit ndërkombëtar, mes një shteti agresor dhe një shteti viktimë e gjenocidit dhe krimeve të rënda ndaj njerëzimit, në bisedimet për arritjen e ndonjë marrëveshje të qëndrueshme mes tyre për bashkëpunim dhe fqinjësi të mirë, në interes edhe të paqes dhe sigurisë ndërkombëtare?
2. Si ka mundësi të bëhet presion i vazhdueshëm nga faktori ndërkombëtar mbi përfaqësuesit dhe institucionet shtetërore të Republikë së Kosovës, në raport me Serbinë dhe shtetet tjera fqinje, të heqin dorë nga pjesë të territoreve të veta të njohura më parë edhe ndërkombëtarisht në kudër të ish-Federatë së Jugosllavisë, pjesë të së cilës ka qenë edhe Kosova, si edhe Serbia, Mali i Zi, Maqedonia dhe republikat tjera, me kufij të qartë mes tyre?
3. Si ka mundësi në bisedimet me ndërmjetësim të faktorit ndërkombëtar, për arritjen njohjes së ndërsjellë mes dy shteteve të dala nga ish-Federata e Jugosllavisë, për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre, për bashkëpunim dhe fqinjësi të mirë, në interes edhe të paqes dhe sigurisë ndërkombëtare, për ndërmjetësues mes palëve në bisedime të caktohen diplomatë nga shtetet e BE-së të cilat ende nuk e kanë njohur pavarësinë dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës, siç e kanë bërë këtë shumica e shteteve të tjera të BE-së?!
4. Si ka mundësi faktori ndërkombëtarë të besojë në arritjen e ndonjë marrëveshje të mirë e të qëndrueshme mes dy shteteve fqinje, me shumë probleme të ndjeshme të trashëguara nga e kaluara, kur në këto bisedime Serbinë e përfaqësojnë ende kriminelë të luftës, pjesëmarrës në ish-pushtetin kriminal të Millosheviqit, të cilët janë përgjegjës për krime të rënda dhe gjenocid ndaj të gjitha popujve joserbë nëtë shtetet fqinje, sidomos mbi popullsinë e Kosovës?!
5. Si ka mundësi faktori ndërkombëtar në bisedimet për normalizimin e raporteve mes dy shteteve fqinje, mes Kosovës dhe Serbisë, deri në arritjen e njohjes së ndërsjellë, ende ta mbajë në agjendën e këtyre bisedimeve, madje duke ushtruar presion mbi institucionet dhe përfaqësuesit e Kosovës, për çështjen e “Asociacionit të komunave serbe” në territorin e shtetit të Kosovës, kur dihet se çështje të ngjashme kanë qenë burimi i konflikteve dhe luftërave mes Serbisë dhe shteteve të tjera fqinje, si me Kroacinë dhe Bosnje e Hercegovinën, nga të cilat edhe sot nuk mund të gjejë zgjidhje të qëndrueshme paqësore, as palët mes tyre dhe as faktori ndërkombëtar, siç është rasti i asociacionit të komunave serbe në Bosnje dhe Hercegovinë, më vonë i krijuar si problem nga Serbia me shpalljen e njëanshme të këtij asociacioni si “Republika Serbska” ?!
6. Si ka mundësi faktori ndërkombëtar ta detyrojë palën e Kosovës të ulet në bisedime për normalizimin e marrëdhënieve me një shtet i cili edhe aktualisht e mban Kosovën në kushtetutë si krahinë të veten, me një emër tjetër jo kushtetues, si “Kosovë dhe Metohi”, duke mos e konsideruar si shtet të pavarur dhe sovran, i njohur edhe ndërkombëtarisht nga pjesa më e madhe shteteve të botës?!
Përderisa politika dhe diplomacia evropiane në këto kushtet e ndërmjetëson dialogun mes dy shteteve fqinje, mes Kosovës dhe Serbisë (duke përshtatur modele më të sofistikuara dhe duke kërkuar bashkëbisedues lojalë nga pala e Kosovës), duhet të jetë e vetëdijshme se konfliktin mes këtyre dy shteteve e mban të hapur dhe me këtë e kërcënon paqen dhe sigurinë ndërkombëtare me veprimet e saj, për të cilat do të mbetet përgjegjëse përpara historisë.
Nëse do të ndiqeshin këto parime nga faktori ndërkombëtar edhe për kushtëzimin e palës serbe, sipas komunave dhe rajoneve brenda territorit të shtetit të sotëm të Serbisë, ku jetojnë me shumicë banorë të tjerë – jo serbë, do të duhej para faktorit ndërkombëtar të parashtrohej çështje e ekzistencës së shtetit të Serbisë në të ardhmen, kështu siç është sot.
Përmbajtja absurde në kushtetutën aktuale të Republikës së Serbisë, në kundërshtim me parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare dhe vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të OKB-së (shih tekstin në fotografinë e bashkëngjitur!
Poshtëshënim:
Këtë përmbajtje nuk e durojnë shqiptarët dhe askush nga njerëzit me mendje të kthjelltë, prandaj kjo përmbajtje si e tillë është e papërkthyeshme në gjuhën shqipe, për shkak të përdorimit të temave joshkencorë dhe kundërhistorikë!
(24 shtator 2023)
(Këtë shkrim nuk kam mundur ta publikoj më parë për shkak të pengesave në komunikim me publikun)

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 27/09/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk