FISI I LASHTË SHQIPTAR – BULGËRI, ÇFARË LIDHJE MUND TË KETË ME QYTETIN E LASHTË ILIR TË TRAKISË DHE KATUNDIN E RAJONIN ME KËTË EMËR NË BULLGARINË JUGLINDORE TË SOTME?

13
Dec
2022

Shkruan: Prof.Dr. Abdulla Mehmeti
29 tetor 2022
Diskutime historie

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Mbi prejardhjen e fisit të lashtë shqiptar – Bulgëri, rajonit dhe katundit (në lashtësi qytet) me këtë emër në Traki (Bullgaria e sotme), kultin e Lisit Trojan dhe traditën e lashtë të vallëzimit në prush.
Çfarë kanë thënë studiuesit deri më sot? A kanë lidhje mes vete këto vendbanime dhe banorët e tyre të lashtë? Cilat janë arsyet për hapjen e diskutimeve shkencore dhe thellimin e studimeve në lidhje me këtë temë? Çfarë sekreti ruajnë në vete kulti i Lisit Trojan dhe tradita e lashtë e vallëzimit në prush, e ruajtur me përkushtim dhe sakrifica nga banorët e Bëllgarit të Trakisë deri në ditët e sotme? A kanë lidhje mes tyre, fisi Bullgëri dhe katundi Bëllgari, me etnonimin Bullgar dhe emrin e vendit – Bullgari? A mund të jenë dy emërtime me prejardhje (etimologji) dhe kuptime të ndryshme, emri Vollgarë/Vollgari – Bullgarë dhe Bullgari – Bulgër/Bulgjër, të ngatërruar, përzierë dhe njëjtësuar më vonë, apo janë me prejardhje (rrënjë) të njëjtë?
Në lidhje me këtë, nuk pretendojmë të japim mendime të pabazuara, pa analizë të hollësishme dhe shterimin e sa më tepër burimeve historike, prandaj, secili që ka interesim mund të ndihmojë në zgjidhjen e kësaj enigme, ndoshta qëllimisht të ngatërruar dhe të fshehur deri më sot.
I.
“Bulgëri është një fis historik shqiptar dhe krahinë fisnore në rrethet e Lezhës dhe Mirditës të Shqipërisë veriore. Është një nga katër bajrakët tradicionalë të Malësisë së Lezhës, krahas Kryezezëve, Velës dhe Manatisë.
Gjeografia
Territori fisnor i Bulgërit shtrihet përgjatë brigjeve të lumenjve të poshtëm Fan dhe Mat, nga Miloti deri në Rubik. Në perëndim kufizohet me krahinën fisnore Manatia, në veri me krahinën fisnore Kryezezi, në lindje me krahinën fisnore të Kthellës dhe në jug me lumin Mat. Vendbanimet e tyre kryesore përfshijnë Fang, Bërzana, Fierzë, Rasfik dhe Bulgër (sot Katundi i Vjetër).
Etimologjia
Emri fisnor dhe toponimi Bulgër (dhe forma e tij dialektore lokale Bulgjër) rrjedh nga shqipja bujgër që i referohet Lisit Trojan (maqedonas*) – Quercus trojana, i cili rritet me bollëk në rajon. Marin Barleti e etiketon rajonin si mons Bulgari në veprën e tij, me formën Bulgari që ka të ngjarë të përfaqësojë formën origjinale të toponimit në shqipen e vjetër pasi zanorja e patheksuar /a/ më vonë do të reduktohej në /ë/, duke krijuar format moderne të Bulgër, Bulgjër, etj.
Historia
Fshatrat Bërzana dhe Rasfik (Fiku) janë të dy në defterin osman të vitit 1467 si prona hass-ı mir-liva në vilajetin e Dimitri Gjonimës. Bërzana kishte vetëm një familje të vetme të përfaqësuar nga Peter Mirdida, ndërsa Rasfik kishte gjithsej gjashtë të përfaqësuar nga kryefamiljarët e mëposhtëm: Mëhill Suma, Lazar Stojani, Dimitri Kasini, Gjon Balkosi, Lazar Plasha, dhe Benk Bardi.
Në vitin 1640 rajoni përshkruhet se i përkiste Dioqezës së Krujës dhe kishte gjithsej 364 banorë. Ndodh si toponimi Bulgari në vitin 1866 me një popullsi të vlerësuar prej 97 familjesh. Në vitin 1905 llogaritet të kishte 110 familje dhe në vitin 1918 122 familje me 769 banorë. Bulgëri është një fis katolik, si pjesa tjetër e Malësisë së Lezhës, dhe iu bashkuan fisit të Mirditës në vitin 1818 bashkë me fiset e tjera të malësitë e Lezhës.”
II.
Bëllgari* është një fshat në Bullgarinë Juglindore, në komunën e Carevës, Rajoni i Burgasit. Në të kaluarën njihej si Vulgari (Vurgari, kurse nga grekët njihej si: българи, Bullgari). Edhe rajoni më i gjerë përreth njihet me këtë emër – Bëllgari.
Fshati është një nga katër fshatrat e fundit nestinarë në Bullgari (shih, nestinaria: rituali i lashtë i vallëzimit mbi prush). Fshati Bëllgari ndodhet në pjesën lindore të malit Stranxha.
Ndodhet në shpinë të sheshtë të një kodre, e rrethuar nga tre anët me lugina të thella, 17 km nga qendra komunale e Carevës, 39 km nga Tërnova e Vogël dhe 79 km nga qendra rajonale e Burgasit. Në zonën përreth ka pyje të dendur ahu dhe dushku.
Emri i lashtë i fshatit Bëllgari mendohet se ka qenë Urguri, sipas fisit protobullgar*, që e ruante kalanë e lashtë që ndodhej aty pranë.
Në dokumentet osmane, fshati shfaqet për herë të parë në vitin 1454 – një vit pas pushtimit të Kostandinisë. Më pas, në gjysmën e dytë të shekullit të 17-të, shfaqet në regjistrat tatimorë të Anhialës.
Ja çfarë kanë thënë studiuesit bullgarë për këtë vendbanim të lashtë në Traki:
„Mendoj se gërmimet e pezulluara të kalasë pranë fshatit Bëllgari duhet të vazhdojnë. Kjo është një kështjellë e bukur bullgare. Rreth 100 m të murit të kalasë janë pastruar. Kalaja është trake sepse është e ndërtuar me muraturë të thatë. Ka ekzistuar edhe në mesjetë, dhe kjo nuk është rastësi. Dihet se aty ishte vendosur një garnizon ushtarak (protobullgar). Prandaj fshati mori emrin e njohur Bulgari. Dhe të dhënat që kemi për të tregojnë se Bulgari ishte një qytet edhe më i madh se Ahtopol në një kohë. Në regjistrat e para turke përshkruhej me 206 familje, ndërsa në Ahtopol ishin 139 (edhe kjo është shumë). Në të njëjtën kohë Sofja, Vidini, Tërnova kishin nga 220 familje. Krahasoni sa i madh ishte vendbanimi Bulgari. Edhe Goro Gorov pranon se vendbanimi ishte i banuar nga bullgarë të veçantë – të fortë, të shëndetshëm dhe ishte një qendër e fuqishme vendbanimi në Stranxha. Imagjinoni, 206 familje dhe secila me 7-8 fëmijë. Kështu që edhe Bulgari duhet të gërmohet dhe duke pasur parasysh që natyra përreth është e pacenuar, fshati do të bëhej një vend i mrekullueshëm turistik. Vëmendje duhet t’i kushtohet edhe këtyre kapelave të çuditshme, të cilat janë shumë të vjetra. Informacione të vlefshme shkencore mund të nxirren nga eksplorimi i fortesës.“
– Prof. Bozhidar Dimitrov, historian dhe politikan nga Bullgaria, drejtor i Muzeut Historik Kombëtar Bullgar, doktor i shkencave të historisë, autor i monografive dhe artikujve të shumtë në fushën e historisë bullgare.
* Në afërsi të këtij vendbanimi, katundit Bëllgari në Traki, ndodhet një vend i quajtur “Dushku shekullor”. A mund të jetë kjo një rastësi, apo lidhet me kultin e lashtë të Lisit Trojan? A mund të lidhen kuptimet në këtë rast, për banorët e këtij rajoni në lashtësi, për të cilët thuhet se kanë qenë me tipare të veçanta, të fortë, të qëndrueshëm, rezistues ndaj pushtuesve të huaj (disa herë gjatë historisë janë shpërngulur me dhunë nga pushtuesit dhe vendbanimi i tyre është djegur e shkatërruar)? Kështu karakterizohen edhe vetitë e Lisit Trojan, i cili rritet kryesisht në toka të thata gurore, vetëm në viset ku kanë jetuar banorët e lashtë pellazgë-ilirë?
** Pse banorët e katundit dhe rajonit Bëllgari të Trakisë e kanë ruajtur me kaq përkushtim e fanatizëm kultin e shenjtërisë së Shën Kontandinit ilir të Dardanisë dhe të ëmës së tij Shën Helenës (me sakrificën në vallëzimin mbi prush), ndëkohë që kjo nuk është veçori dalluese e popullsisë tjetër bullgare (kjo traditë është ruajtur vetëm në 4 katunde në gjithë Bullgarinë e sotme)?!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 13/12/2022

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk