Fjala e rastit e kryetarit të Akademisë Shqiptare Amerikane të Shkencave dhe Arteve, me seli në Shkup, Prof. Dr. Abdulla Mehmeti

04
Jul
2024
Shkruan: Akademik Abulla Mehmeti

Fjala e rastit e kryetarit të Akademisë Shqiptare Amerikane të Shkencave dhe Arteve, me seli në Shkup, Prof. Dr. Abdulla Mehmeti, në akademinë solemne për 4 Korrikun, Ditën e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës:
Të nderuar pjesëmarrës,
Të dashur miq,
Sot, këtu në Shkupin tonë historik, na ka tubuar një ditë e madhe feste, 4 Korriku, në 240 vjetorin e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Kjo datë gjithkund në botë i bashkon zemrat e popullit amerikan, por na bashkon edhe ne shqiptarëve kudo që jemi, për ta festuar këtë datë të rëndësishme të shtetit dhe popullit mik amerikan, aleatit tonë më të rëndësishëm në të gjitha përpjekjet tona për liri, barazi dhe dinjitet kombëtar.
Me këtë rast, nga ky vend dua t’ua përcjellim mesazhin tonë të fuqishëm, në emrin tim dhe të Akademisë Shqiptare Amerikane të Shkencave dhe Arteve, me seli në Shkup, si dhe të Akademisë tonë simotër, me seli në Nju Jork të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me në krye profesor Skender Kodrën, se do t’i jemi përherë mirënjohës shtetit dhe kombit amerikan, për kontributin e madh në interes të realizimit të aspiratave liridashëse të kombit tonë, ruajtjen dhe forcimin e vlerave të demokracisë, lirisë, paqes, stabilitetit dhe progresit të përgjithshëm në botën e sotme.
Ne shqiptarët i jemi mirënjohës shtetit dhe kombit amerikan për zërin e ngritur përgjatë të gjitha kthesave të mëdha të historisë, në mbrojtjen e qenies sonë; u jemi mirënjohës për jetë të jetëve për mbrojtjen e të drejtave tona të nëpërkëmbura në të gjitha forumet ndërkombëtare, ku është vendosur fati i kombeve dhe shteteve; u jemi mirënjohës për përkrahjen e luftës çlirimtare dhe pavarësinë e shtetit të Kosovës; u jemi mirënjohës për mbështetjen e pa rezervë të lirive dhe të drejtave kombëtare të shqiptarëve në Maqedoni, sidomos në përpjekjet për sigurimin e të drejtës për arsimim të lartë në gjuhën amtare, me themelimin e Universitetit të Tetovës; si dhe të për kontributin e çmuar në të mirë të kombit tonë edhe në ditët e sotme, në përpjekjet tona për integrime euroatlantike, ruajtjen e vlerave perëndimore dhe sigurimin e vendit të merituar të kombit shqiptar në familjen e madhe të popujve të përparuar të botës.
Sot, në këtë festë të madhe të shtetit dhe kombit amerikan, u drejtojmë një porosi miqve tanë amerikanë edhe popullit shqiptar, ta ruajmë dhe forcojmë këtë miqësi në të mirë të paqes dhe progresit, në të mirë të vlerave demokratike, për një të ardhme më të lumtur, më të begatshme dhe të dinjitetshme për të gjithë popujt e botës.
Gëzuar 4 Korriku, Dita e Pavarësisë së SHBA-ve!
Të rrojë miqësia shqiptare amerikane!
Zoti i bekoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës!
Zoti e bekoftë kombin shqiptar!
Shkup, 4 korrik 2016
/ Nga Arkivi/

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 04/07/2024

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk