“Flamuri i Nikollës dhe Shkopi i Gjyshit Adem: Kujtime që më bënë njeri”

29
Jul
2025
Shkruan: Xhemil Zeqiri


Frymëzimi im nga Gjyshi
Që në moshë të vogël, e kam ndjerë thellë lidhjen me rrënjët e mia. Ajo që më ka formësuar si njeri, si qytetar, dhe si shqiptar, janë dy biseda të paharruara me gjyshin tim, Adem Zeqiri. Ai ishte një njeri i mençur, me përvojë jete dhe bindje të palëkundura. Në atë kohë, unë isha vetëm shtatë vjeç, ndërsa ai kishte arritur moshën e urtësisë – 78 vjeç.

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

I. Flamuri më i shtrenjtë se toka
Pas Luftës Nacionalçlirimtare, xhaxhai im, Zeqir Zeqiri, i cili kishte luftuar në Brigadën e 7 Partizane, u kthye gjallë. Ndërkohë, gjyshi im dhe babai, Servet Zeqiri që atëherë ishte vetëm 13 vjeç, punonin arat me qira nga një njeri” Maqedon” me emrin Nikollë, nga fshati Saraqin, pranë Zhelinës – fshatit tonë. Interesante është që fshati ynë dikur quhej Xhelinë, por pas vitit 1945, pushteti sllav ia ndërroi emrin në Zhelinë, si pjesë e një politike më të gjerë për asimilimin e identitetit shqiptar.

Kur pas luftës nisi kolektivizimi i tokës, gjyshi mori djemtë e tij, Zeqirin dhe Servetin, dhe shkoi te shtëpia e Nikollës. Kur u takuan, Nikolla tha me të qeshur: “Grua, bëj kafe se këta janë turq, nuk pinë raki!” Gjyshi reagoi menjëherë: “Jo, jo, shqiptarë jemi! Madje xhaxhai im, Ramadan Zeka, është vrarë në luftë për çlirimin nga osmanët!”

Nikolla nuk nguroi: “Jo, nuk jeni njësoj! Ne jemi shqiptarë, ata kanë qenë okupatorë!”

Gjyshi vazhdoi: “Nikollë, kemi punuar bashkë për vite me radhë në arat tuaja me qira, por ja – shteti ua mori të gjitha!”

“A për atë je mërzitur?” – tha Nikolla duke qeshur me zë të lartë. “Le t’i marrë të gjitha! Flamuri është i imi!”

Kur u kthyen në shtëpi, gjyshi u tha djemve të tij: “E dëgjuat Nikollën? I jep të gjitha, vetëm ta ketë flamurin! Kjo është pasuria më e madhe – flamuri, jo si leckë, por si simbol i të drejtës së kombit.”

II. Emri nuk është vetëm emër
Një ditë tjetër, kur isha fëmijë dhe po luaja me shokë me pisha, kaloi gjyshi pranë nesh me shkopin në dorë. Kishte probleme me shtyllën kurrizore dhe e mbante shkopin si mbështetje. Njëri nga shokët tha: “A e morët vesh? Mbrëmë ujku copëtoi një lopë!”

“Ku?”, pyetëm ne.
“Tek rruga e Bullgarit, në mal,” tha ai.

Gjyshi ndaloi, u kthye dhe tha me zë të prerë: “Mos e dëgjoj më të quani atë rrugë ‘e Bullgarit’! Bullgaria është larg nga këtu! Ajo është rruga e F. Cerovës!”

Na tregoi se ajo rrugë ishte ndërtuar nga shqiptarët gjatë pushtimit bullgar dhe se bullgarët kishin terrorizuar banorët, duke i detyruar me dhunë të punonin në ndërtimin e saj. Emri i rrugës ishte një kujtesë e dhimbshme, por edhe një dëshmi për sakrificën shqiptare.

III. Si më formoi gjyshi im
Këto dy histori më kanë ndjekur si hije e mirë në jetën time. Ato më kanë mbrojtur kur isha në rrezik, më kanë udhëzuar kur isha në mëdyshje dhe më kanë nxitur të qëndroj i drejtë.

Në vitin 1978-79, kur isha vetëm 19 vjeç, u thirra si dëshmitar në një gjykatë, për të treguar të vërtetën rreth vrasjes së një fshatari tonë, Veapit. Thashë vetëm të vërtetën. Por pas tetë muajsh, policia më ndaloi në pikën kufitare të fshatit Grupçin. Më torturuan, më shanë për nënën shqiptare dhe për Enver Hoxhën. Unë nuk isha i përfshirë në politikë, as nuk e njihja mirë atë botë, por diçka më rrinte përbrenda si zë: dy bisedat e gjyshit. Pikërisht ato më bënë që të mos lëkundem. Ato më frymëzuan të bëhem pjesë e lëvizjes politike më vonë.

Përfundim

Gjyshi im nuk ishte burrë i shkolluar, por ishte akademik i shpirtit. Fjalët e tij ishin rrënjë. Dhe sot, kur mendoj për qëndrueshmërinë, identitetin, drejtësinë dhe flamurin, gjithmonë më del para ai – Adem Zeqiri – me shkop në dorë dhe të vërtetën në zemër.

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 29/07/2025

© 2016 - 2026 | DIPLOMACIA.dk