Ndërsa Cloudflare ra globalisht, Flutura Kusari dhe Adriatik Kelmendi e fajësuan qeverinë, duke shitur paranojë për klikime, sikur Kurti kontrollon serverët botërorë nga Prishtina.
Nëndor – 18 – 2025
Ishte ditë me shi në Londër kur interneti nisi të shembej. Jo i gjithi, vetëm aq sa të na kujtonte se sa pak prej tij e shohim vërtet. X nuk hapej. Disa faqe të tjera më shfaqnin një faqe gabimi që dukej si lutje e koduar: “internal server error on Cloudflare’s network”, pastaj sikur thonin me tonin e një terapisti të dobët të provoj “pas disa minutash”. Letterboxd u drodh. Down Detector, faqja që duhet të na tregojë kur gjithçka bie, ra vetë. Për disa orë, rrjeti magjik ngjante me një skelet të papërfunduar e të ndriçuar nga rrufe të ç’rregullta.
Në prapaskenë, faqja e statusit të Cloudflare murmuriste në fushën e korporatave. “Cloudflare është në dijeni dhe po heton një problem që mund të ndikojë klientë të shumtë.” Një “zgjidhje” u “implementua”. Shërbimet po “rikuperoheshin”.
Diku, një ekip inxhinierësh të rraskapitur mundohej t’i qetësonte tridhjetë për qind të kompanive të Fortune 100. Historia ishte e thjeshtë në plan teknik. Një kompani që qëndron mes përdoruesve dhe faqeve kishte hasur në gurë që s’mund t’i kapërcente.
Pastaj telefoni më shpërtheu me fotografime statusesh nga Kosova.
Ndërsa Cloudflare përpiqej ta rikthente gjysmën e botës online, në Facebook-un e populluar në gjuhën shqipe u shfaq një avari krejt tjetër.
Ja ku ishte Flutura Kusari, juristja që vitet e fundit është vetëshpallur roje e lirisë së medieve, duke publikuar me ton konspirativ¹ se problemet e qasjes në internet mund të vinin nga qeveria e Kosovës.
Pastaj u shfaq edhe reagimi i Adriatik Kelmendit nga Klan Kosova, një nga propagandistët më këmbëngulës të oligarkisë së Devollëve, që e këndonte të njëjtën këngë².
Nuk ishte faj i Cloudflare, sipas tyre. Ishte “faji i qeverisë”. Koreografia ishte thuajse elegante në cinizmin e saj.
Ky është momenti kur pritet të thuash se ishte keqkuptim. Një panik i çastit. Një reagim i shpejtë ndaj gabimeve në ekran. Do t’ishte ngushëllim, por nuk do t’ishte e vërtetë. Kush i ka ndjekur këto personazhe, e ka parë modelin shumë kohë para këtij defekti global. Çdo problem teknik, çdo ngecje burokratike, çdo gabim serveri kthehet në materie për të njëjtën narrativë. Në verzionin e tyre, qeveria reformuese³ në Prishtinë është armiku. Ndërkohë që burimet reale të pushtetit, oligarkët, mediat e kapura dhe rrjetet që i ushqejnë këto taktika, zhduken si fantazma nga skena e këtyre.
Nga Londra shikoja dy ndërprerje që zhvilloheshin paralelisht. Ajo e Cloudflare ishte globale dhe e mërzitshme. Ajo në Facebook-un shqiptar ishte lokale dhe helmuese.
Cloudflare, siç tha një profesor britanik, është “mburojë interneti”. Filtron sulme dhe shpërndan përmbajtje në planet. Klientët e saj janë X, Spotify, Zoom dhe një listë e pafund biznesesh të mëdha. Qendralizimi ofron efikasitet. Por rrezikun e parashikojnë edhe fëmijët. Kur të bie mburoja, gjithçka prapa saj del lakuriq.
Kosova i ka mburojat e veta. Jo kabllo e serverë, por një rrjet i dendur mediash dhe fytyrash të OJQ-ve që e shesin veten si “mbrojtës të lirisë së shprehjes” dhe “vlerave evropiane”, por që në praktikë janë shpërndarës të interesave të disa pak njerëzve shumë tokësorë. Kur ky rrjet dështon, nuk humbim faqe interneti. Humbim realitet.
Një nga nyjet e këtij rrjeti është Flutura Kusari. Dhe unë kam shkruar për të me muaj⁴.
Në letër ajo është juriste e lartë⁵ në ECPMF⁶ dhe pjesë e komitetit europian anti-SLAPP⁷. Supozohet se Zonja Kusari do t’i mbrojë gazetarët nga paditë e fuqishme që synojnë t’i shuajnë zërat kritikë. Në praktikë, këtë peshë e ka përdorur vetë ajo si një shkop, në një përpjekje për t’i heshtur kritikët kundër saj.
Në korrik shkrova⁸ për padinë e saj të dështuar kundër qytetarit Mentor Llugaliu. Faji i tij nuk ishte ngacmim, as kërcënim. Ishte kritikë. Komente satirike në rrjetin facebook. E quajti “Mickoja”. Për këtë Kusari ngriti kallëzim penal për përndjekje.
Ligji në Kosovë është i qartë. Neni 182 kërkon sjellje që shkakton frikë të vërtetë ose kërcënim të sigurisë. Prokuroria Themelore hapi dosjen, pa emocione, pa spektakël. Nuk kishte kontakt. Nuk kishte kërcënim. Nuk kishte krim. E hodhi poshtë. Apeli e konfirmoi. Çështja duhej të vdiste aty.
Por Kusari nuk është pala e zakonshme. Para se prokurorët të prisnin qetësisht faktet, ajo nisi ta ndërkombëtarizonte pakënaqësinë e saj. IFEX, Index on Censorship, IPI dhe vetë ECPMF nxorën deklarata që e paraqisnin ankesën e saj si kauzë botërore të lirisë së shprehjes. Nuk ishin spontane. Ishin të orkestruara. U përdorën si presion moral mbi sistemin.
Kur as kjo nuk funksionoi, ajo vendosi t’i turpërojë prokurorët me emra. Kushtrim Zeka dhe Shkëlzen Brahimi⁹. OJQ-të e afërta me Kusarin publikuan¹⁰ deklarata identike që kërkonin “vlerësim të performancës” së tyre. Në Kosovë, ku reputacioni është franga e parë e pushtetit, ky është kërcënim i pastër.
Kjo nuk është transparencë. Është presion i hapur ndaj drejtësisë.
Në shtator 2023, kur paramilitarët serbë sulmuan në Bajë dhe vranë një polic të Kosovës, kritika e saj nuk shkoi në drejtim të Serbisë. Shkoi në drejtim të qeverisë së Kosovës. Në qershor 2025, kur sistemi i ngrohjes në Pallatin e Drejtësisë dështoi, Kusari nuk e kritikoi burokracinë, por Ministrin e Brendshëm.
Por kur Devolli e paditi BIRN-in për t’i heshtur gazetarët, ajo heshti¹¹. Kur Osservatorio dhe EurActiv zbuluan censurën sistematike brenda Klan Kosovës¹², ajo heshti. Heshtja e saj nuk është neutrale. Është kompas.
Klan Kosova është qendra e këtij ekosistemi. KK, nuk është media. Është bunker oligarkësh. Gazetarët raportojnë se nuk lejohet të prekin skandalet e Devollëve. Kur SHBA i vuni embargon Comodita Home¹³, aty mbretëroi heshtja. Kur shteti kërkoi që Klan Kosova të respektojë rendin kushtetues dhe të rregjistrohet siç duhet pasi u gjet se ishte regjistruar në përputhje me kushtetutën e Serbisë, televizioni u kthye në megafon të Devollëve kundër qeverisë.
Brenda këtij mjedisi, më shumë se një punonjës e ka konfirmuar marrëdhënien e ngushtë të Flutura Kusarit me Kushtrim Gojanin, fytyrën e Klanit. Një fotografi e shkrepur fshehurazi në bufenë e televizionit e tregon Kusarin me Gojanin, në periudhën më të tensionuar të përballjes me qeverinë. Moderatorë të stacionit e kanë pranuar në heshtje se lexojnë tekste që tingëllojnë si kopje e narrativave serbe. Kusari nuk ka asnjë bezdi lidhur me këtë.
Pastaj vjen Cloudflare.
Kusari dhe Kelmendi e panë këtë si mundësi politike. Statusi i Cloudflare thoshte qartë se gabimi ishte në rrjetin e tyre. Por këta dy këmbëngulën se faji ishte në Prishtinë. Ishte teori konspirative e gatshme për konsum.
Hannah Arendt shkroi se subjekti ideal i sundimit autoritar është njeriu te i cili kufiri mes faktit dhe trillimit zhduket. Në Kosovë, ky kufi fshihet çdo natë nga ekranet që i shërbejnë një grushti pasanikësh të bashkërenduar edhe me interesat e Serbisë.
Cloudflare do të analizojë defektin e vet me gjakftohtësi. Arkitektët e rrjeteve do të flasin për largimin e personelit nga puna dhe pika të tjera dështimi.
Por, Kosova nuk e ka atë luks.
Aty, dështimi i lulëzimit të vërtetës nuk është aksident.
Në fund, e gjithë kjo histori nuk flet për Cloudflare. Flet për një vend ku disa njerëz mezi presin që bota të ketë një defekt që t’ia ngulin qeverisë në mur. Një avari globale u shndërrua në armë lokale vetëm sepse Flutura Kusari dhe Adriatik Kelmendi kanë nevojë të përhershme për fajtorë të gatshëm. Faktet nuk u shërbejnë atyre, prandaj i anashkalojnë. Realiteti nuk u mjafton, prandaj e shtrembërojnë. Dhe publiku ngelet i bombarduar nga një propagandë që funksionon pa pushim, edhe kur bota bie për arsye që nuk kanë asnjë lidhje me Kosovën. Nëse kjo është një provë për gjendjen e debatit publik, atëherë s’ka pse t’i frikësohemi padive apo cenzurës. Mjafton një keqfunksionim i rastësishëm, një status i pamenduar dhe dy emra të etur për narrativë, që e vërteta të shuhet më shpejt se çdo server i rënë.
E tani, mbetet vetëm pyetja e hidhur: kush ka më shumë fuqi sot, infrastruktura globale apo fantazitë e tyre politike?
Dhe pse, çdo herë, fiton fantazia?


Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!
