“FSHATI OLIMPIK” I PRAPAMBET RAMËS!

05
Oct
2024
Shkruan: Ali Sh Mehmeti


Dëgjova intervistën e përfaqësuesit të “Arkitektit 12 milionësh të Prishtinës” Astrit Nixha, kryetarit të Komunës së Prishtinës Prapambet Rama dhe Ministrit Hajrullah Çeku. Tema Lojërat mesdhetare Prishtina 2030.
Të parët na shpjeguan projektin megaloman për “fshatin olimpik” në Bërnjicë (edhe pse nuk bëhet fjalë për olimpiadë), 7 kilometra nga Prishtina, kostoja minimale e ndërtimit të cilit nuk mund të jetë më e ulët se një miliardë, kurse fondi i siguruar është 253 milion euro. Nuk na treguan sa është kostoja maksimale?! Thanë se për inspirim dhe model kishin fshatin olimpik nga Barcelona! Mund të imagjinoni se çfarë “ngjashmërie” mund të ketë ndërmjet një qyteti me 3,8 miliardë euro buxhet vjetor dhe qytetit tjetër me 0,123 miliard euro ose 123 milion, pra 31 herë më i madh. Për “ngjashmëri” tjera as mos të flasim. Ato mund ti dinë vetëm ata që kanë vizituar ndonjëherë Barcelonën.
Fshati do shtrihet në 60,2 hektarë ku vetëm 55%, ose 33 hektar do të përdoren për objekte sportive dhe rekreative. Pjesa tjetër për objekte shërbimi (lexo biznesi) dhe akomodimi.
Brenda fshatit olimpik kishin paraparë sallën për lojërat me dorë, që nënkuptojnë basketbollin, hendbollin dhe volejbollin. A e dinë këta që mu në qendër të Prishtinës ekziston Pallati i Rinisë i ndërtuar me vetkontribut tonin dhe prindërve tanë, ku ekzistojnë dy salla të tilla, ku mund të zhvillohen lojërat me dorë? Mjafton të rinovohet salla e madhe që aktualisht shërben sikur parking!
Është paraparë edhe pishina me përmasa olimpike, që është e domosdoshme për këto lojëra. Sigurisht që nuk e dinë gjeneratat e tyre që në kuadër të Pallatit të Rinisë ishte ideuar edhe pishina olimpike dhe salla për patinazh, që do duhej të ndërtohej në pjesën ndërmjet Pallatit të Rinisë dhe kodrës së Arbërisë, që aktualisht shërben sikur parking. Kështu do kompletohej projekti fillestar i kësaj qendre, që nuk është qëllim në vetvete! Qëllimi është që kjo pishinë të jetë e arritshme për të gjithë qytetarët e Prishtinës, gjatë gjithë vitit, sidomos për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme, edhe pas përfundimit të këtyre lojërave, ku do mund të organizohen kurset e notit. Përndryshe, pishina në Bërnjicë nuk do mund të shfrytëzohet gjatë vitit që do ishte mëkat i madh. Me kurse të notit për fëmijë do shpëtohet edhe ndonjë jetë që po humbet çdo vit nëpër ujëra të ndryshëm.
Nga ana tjetër, Ministri Çeku thotë se ky”fshat olimpik” është projekt i komunës së Prishtinës dhe nuk ka të bëj me projektin e ministrisë që parasheh përfshirjen edhe të qyteteve tjera në Lojërat mesdhetare, që do të thotë se parashihet ndërtimi edhe i objekteve përkatëse nëpër qytete tjera të Kosovës. Madje ky koncept i decentralizimit është paraparë edhe në dokumentacionin përkatës kur është konkurruar për të fituar të drejtën e organizimit të Lojërave mesdhetare dhe nuk lejohet kurrfarë ndryshimi.
Kryetari i Prishtinës Prapambet Rama nuk tha asgjë të hajrit sepse kohën e vet e shfrytëzoi për fushatë elektorale duke kritizuar qeverinë. Lojërat mesdhetare deshi ti përvetësoj sikur të Prishtinës dhe të vetmin argument e kishte se ato quhen “Lojërat mesdhetare Prishtina 2030”. Sikur nuk e di se të gjitha lojërat apo edhe olimpiadat quhen sipas një qyteti edhe pse mbahen në disa qytete. Madje një pjesë e këtyre lojërave “tona” do mbahet edhe në Durrës, kurse “fshati olimpik” do të shtrihej në vetëm 30% të tokës komunale, pra, në 18 hektarë nga 60,2.
Për të qenë i bindshëm, Prapmbet Rama e tha vetëm një të vërtet, se këto objekte sportive i duhen Prishtinës me ose pa Lojëra mesdhetare! Sigurisht që i duhen, por jo 7 kilometra larg Prishtinës, sepse atje nuk mund ta përdorin fëmijët dhe rinia pas përfundimit të këtyre lojërave dhe jo në emër të sportit të ndërtohen objektet biznesore.

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 05/10/2024

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk