Diplomacia.dk

Fshehja e duarve që të gjuajtën, paraqet mjerimin kolektiv

Afrim Morina

Përgjigje në pamfletin politik të Ibrahim Xhemajlit: – “Mjerim intelektual…”
Ibrahim Xhemajli në pamfletin politik për recensimim tim të librit të Xhemil Zeqirit “Arsyetimi të qonë pranë së vertetës”, në të cilin janë botuar artikuj nga vitet tetëdhjeta e këtej, në gjuhën shqipe e daneze, duke mos pasur argumente për autorin, i përvishet shkrimit të një pamfleti politik, ku në thumb të kritikës do të jem unë, kryesisht dhe të tjerët që kanë punuar në atë libër. “Veprimtari e intelektuali” Ibrahim Xhemajli, do të zgjohet nga gjumi letargjik, pas një çerek shekulli, kur artikulli në fjalë, botohet për herë të parë. Pse mu tash zgjohet dhe kritikon, në plan të parë veprimtarët e njëmend të çështjes kombëtare?! Ka mjerim më të madh se, kur një “intelektual atdhetar” nuk di të dallojë rolin e autorit nga recensenti, redaktori, lektori, botuesi?! Ky është kulmi i marrisë, kulmi i njohurive elementare për rolin e autorit të librit. Kjo jep për të kuptuar, se sa ka qenë “veprimtar i çështjes kombëtare” në vitet e mërgimtarit, të cilin as e kam njohur e as e kam parë diku. Për herë të parë e hasa te libri në fjalë dhe unë nxjerr në boks atë që e thotë autori Xhemil.

Të më sulmosh mua, e jo autorin, ka një shpjegim tjetër logjik, sepse ai mllef ndaj meje ka një kuptim tjetër, kuptim i pëshpëritjeve nëpër kuloara, që mundohen me hijet e veta të tejkalojnë kohët e veprimtarisë dje dhe sot. Këtë përfundim e nxjerr nga fillimi i pamfletit politik, sepse autori ka njohuri për veprimtarinë time, ilegale e legale, ka njohuri për rrethin tim, ka njohuri për përballjet e mia me të tjerët, për të mbrojtur historinë që ka ndodhur. I yshtur nga ky rreth, në emër të një recensimi të një libri, që ka vetëm pjesën e cituar nga autori, nuk di si ta manifestojë, se nuk e kanë trajnuar si duhet, kur duhet të bëjë kundërshtime pamfletike me ngjyrë politike, se, edhe ata që e kanë yshtur, janë mjeranë e të dobët intelektualisht, pa kredo morale, për t’u përballur përmes argumenteve me të kaluarën. Dyshimi im buron me atë që autori Xhemajli nis shkrimin pamfletik, tek veprimtaria ime gjysmë ilegale në kuadër të UNIKOMB-it, kur ua kam çjerrë maskat larove, kuislingëve, rrahagjoksëve, heshtakëve dhe frikacakëve, publikisht, e, pa frikë, mu sikur ata që vepronin në mërgatë. Edhe pse mundohen ta heshtin atë periudhë, sepse u mungojnë guximi e argumentet për ta hedhur poshtë atë epokë, prandaj përdorin “mjerani intelektual”- Ibrahimin.

Ja si do të fillojë Xhemajli këtë pamflet politik:
“Ish kryetari i UNIKOMB-it Afrim Morina, një “alamet” intelektuali, në një parathënie libri më paska vesh një vepër tradhtie. Pse? Nuk e di as unë”.
Të besojë që nuk di gjë, sepse kjo fjali nuk është burim i njohurive tua rreth veprimtarisë së partisë që kam udhëhequr në vitet e më të vështira dhe kjo shpjegon dhe arsyeton mendimin tim, që je një figurë shahu, në këtë lojë të fëlliqët, që shpërfaqin veprimtarinë “patriotike” tënde dhe të tyre. Por ja që nuk ia kanë dalë, sepse kanë zgjedhur një lojtar pa ndjenja sportive, një intelektual pa sens diturie, një pamfletist politik, pa njohuri themelore, sepse të tillë janë dhe t’i mbetesh një mjeranë dallkaupi, që mezi ke pritur dikush ta kujtojë dhe të ndihmojë në shkruarjen e pamfletit politik.

Pamfletisti vazhdon:
“Me sa mora vesh Afrimi qenka marrë edhe me gazetari dhe si i tillë duhet ta di se parim bazë i gazetarit është verifikimi i informatës, nga do që vije.”
Sa është gëzuar ky “intelektual” kur ka zbuluar se jam marr edhe me gazetari në vitet shtatëdhjeta. Por, atij nuk i kanë treguar, se me 1976 më është marr e drejta e publikimit të emrit, mu për shkak të trajtimit të temave të guximshme intelektuale, për të vënë në pah realitetin rreth gjendjes së shqiptarëve në atë kohë. “Mësuesit“ e tij dalin edhe më të padijshëm, për ta zhytur këtë mjeranë në baltën e historisë, se edhe ashtu është, se gazetaria hulumtuese dhe recensimi i një libri kanë dallime të mëdha. Recensenti ka përpara një libër dhe jep mendimin rreth shkrimit apo shkrimeve përbrenda ballinave të tij, ndërsa gazetari hulumtues, për të cilën kam dëshmuar në kohën kur jam marr me të, i qaset problemeve, në fushën që ka për qëllim hulumtimin. Në këtë drejtim nuk e kam kryer misionin tim, për shkaqet që i ceka më lartë, por që me një guxim dhe seriozitet të shtuar, kam vazhduar në politikë dhe në shkrimet tjera, që kanë rezultuar me katër herë burgosje, me njëzetetetë vepra të shkruara (publicistikë, letërsi – të gjitha zhanret, filozofi politike dhe gazetari hulumtuese, përmes intervistave të imagjinuara).
Nuk është libri i parë që i kam bërë redaktimin apo recensimin, besoj se nuk do të jetë as i fundit. Mendimet që i kam dhënë rreth librave, janë pritur mirë edhe nga kritika e intelektual, por jo nga tabori yt.
Nuk e kam ndërmend të zgjatëm më tepër, në fund të fundit, më duket humbje kohe të merrem me ty, por për të kthyer përgjigje më shtynë të paguximshmit, e, të pamoralshmit, që fshihen pas teje.
Prishtinë, 11.11.2022

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

GJERGJ KASTRIOTI

Kategoria:

Botuar: 30/11/2022

© 2016 - 2023 | DIPLOMACIA.dk