Shkruan: Gëzim Mekuli
Ajo është e infektuar. Gazetara shqipe vuan nga mossinqeriteti, gënjeshtra, cektësia dhe mungesa serioze e rëndësisë. Simptomat e kësaj gazetarie janë: skandalet, Botoksi, shfrytëzimi, personalizimi, manipulimi, smira, paraja, luksi, biznesi, konfliktet dhe trullosja e publikut.
Si pasojë e gazetarisë dogmatike, opinioni publik po budallakizohet; fuqia e politikës së shëndoshë po dobësohet. Infeksioni ka përfshi lajmin dhe ka dëmtuar besueshmërinë në Gazetari. Sëmundja ka pezmatuar debatet televizive dhe ka prekur keq analistët e shkretë.
Gazetaria e Tiranës dhe e Prishtinës është e sëmurë rëndë; Ajo nuk ka plotësuar kërkesat kryesore profesionale dhe, nuk ka njohuri të mjaftueshme për të kuptuar rolin e saj si aktore politike. Thënë ndryshe: Gazetarët shqiptarë, shumica prej tyre, janë një bandë pacientësh që si lëmoshë u është falë një pjesë goxha e mirë e fuqisë politike – dhe kjo punë është serioze për hapsirën tonë publike dhe është kërcënuese për jetën e secilit nga ne.
Pse e them këtë të dashur lexues,
Po, unë e akuzoj gazetarinë e sëmurë shqipe sepse kjo po e shmang vëmendjen publike nga çështjet politike në personifikim të politikanëve dhe po e çon publikun tek ‘bigbrotherizimi’ i jetës; dekadenca kulturore e sociale.
Është bërë zakon i gazetarëve shqiptarë, që sapo një politikan të jetë shprehur në publik, këta menjëherë fantazojnë një interpretim autoritativ të politikanit dhe pyesin se “çfarë po ndodh brenda kokës së tij” dhe se “çka në të vërtetë, është duke u përpjekur për të arritur ai”.
Gazetarët e infektuar kapen më shumë për personin, intrigat dhe lojërat e tij, sesa për atë, që në fakt është duke ndodhë me ne si qytetarë, si komb e si individ: p.sh.: çështjet politike, ekonomike, argumentet, hajnia, krimi, dilemat, dështimet…
Populli është i preokopuar me çështjen, jo me lojën e gazetarëve të sëmurë. Shikuesit televiziv, lexuesit e dëgjuesit, duan të kenë gazetarë të cilët paraqesin zgjidhjet të problemit, e jo të shkruajnë për veshjen, për Botox, për stolitë, për synetitë, martesat, shtatzanitë dhe veçoritë e “VIPAVE.”
Cka po sajon kjo gazetari?
Politikanët po qelben, përdorimi i fjalëve në publik po budallakohet dhe njerëzit janë më pak të angazhuar në politikë sesa që ishte dashur të jetë.
Gazetarët shqiptarë duhet ta dinë se nuk janë spektatorë të lojës politike. Ata janë edhe lojtarë aktiv, të cilët vendosin në skenë lojën politike dhe, janë ata që po bashkëndihmojnë për të krijuar realitetet e rrejshme politike. Këta janë aktorë (të sëmurë) politik. Vështrues janë më pak por, këta pacientë, njëkohësisht, po kontrollojnë edhe mediat e tyre. Si pasojë populli po bëhet më budalla dhe më dekadent. Sepse mungon edhe njohuria për mediat, për retorikën si shkencë dhe për komunikimin.
Pse e them këtë e pse mendoj kështu ?
Atë, që gazetarët shpesh nuk e shohin, është se këta e kanë tërhequr vehten në përbuzje. Sondazhet dhe reagimet e qytetarëve na tregojnë se përbuzja ndaj gazetarëve dhe medias është një fenomen po aq i përhapur në shoqërinë tonë sa edhe përbuzja ndaj politikanëve që e sunduan Kosovën për 21 vjet.
Të nderuar lexues,
Për një debat më të mirë politik në Tiranë e Prishtinë do të duhej:
– Shfuqizimin e diktaturës së opinionistëve/analistëve. Le të kemi më pak gazetarë-specialistë, të cilët do t’i tregoni popullit “të vërtetën” me lugë çaji.
– Hedhja në plehra e shumë udhëheqësve të emisioneve debatuese, që paguhen me mijëra euro nga grupet e ndryshme të interesit.
– Bërja e disa lloje të programeve të lajmeve dhe të debateve. Të krijohet hapësirë dhe kohë për debatet me mundësi për arsyetime e argumentime të mëtejshme publike për çështjet më komplekse kombëtare.
– Ribërja e disa programeve televizive, të cilat kanë të bëjnë për të gjitha çështje politike, çfarë palët mendojnë rreth tyre, e jo për politikanët dhe lojërat në mes tyre.
Më shumë debat për media në media. Është koha e fundit që gazetarët të zgjasin mandatin e tyre për kritikën dhe të jenë, gjithashtu, kritik për gazetarë të tjerë.
Në fund fare; Politikanët e ndershëm vështirë se do ta rimarrin fuqinë e tyre që e dorëzuan dhe, gazetarët e sëmurë kurrë nuk do ta pranojnë se ata kanë një rol djallëzor e me plot sherr në politikë.
Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!