“DITARI I GAZETARIT SHQIPTAR NË BEOGRAD” Libër – ditar nga Fahri Musliu
Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!Shkruan: Demir Reshiti
Gazetari dhe publicisti i njohur Fahri Musliu, këto ditë ka ribotuar librin e titulluar “Ditari i gazetarit shqiptar në Beograd (janar-qershor 1999)”.
Në këtë libër -ditar, autori ka prezantuar periudhën janar – qershor 1999, periudhë e cila shënon ngjarjet më të dhimbshme, por njëherësh edhe më heroike të popullit shqiptar të Kosovës, i cili po ballafaqohej me reprezaljet më të tmerrshme dhe torturat nga forcat ushtarake-policore dhe paramilitare serbe.
Libri përbëhet nga tri pjesë. Në pjesën e parë, të titulluar “Baticat dhe zbaticat e jetës”, autori e përshkruan atmosferën në Beograd dhe përjetimet e tij, si njëri nga shqiptarët e paktë që kishin mbetur në Beograd gjatë periudhës së luftës në Kosovë dhe të fushatës së bombardimeve të NATO-s ndaj Serbisë, Malit të Zi dhe caqeve ushtarake e policore serbe në Kosovë, deri në kthimin e tij në Prizren, më 24 qershor 1999, dhe takimin me familjen e të afërmit.
Pjesa e dytë përbehet nga një përmbledhje e raporteve ditore qe autori ka bërë për “Zërin e Amerikës”, ku pasqyrohet situata politike në Serbi që nga fillimi i janarit deri më 24 mars të vitit 1999, dhe angazhimet e përpjekjet e faktorit ndërkombëtar, në radhë të parë të SHBA-ve e të BE-së, por edhe Rusisë për zgjidhjen e problemit të Kosovës me mjete politike e diplomatike, të cilat nuk dhanë sukses.
Në pjesën e tretë “Shtojca” janë përfshirë disa dokumente të rëndësishme politike e diplomatike të asaj kohe, që lexuesit por edhe publikut të gjerë i prezantohen për herë të parë, përfshirë edhe Marrëveshjen e Kumanovës, dhe Rezolutën 1244 të KS të OKB.
Musliu e fillon këtë “Ditar…” më 9 janar 1999, me një raport, në të cilin pasqyrohen reagimet e qarqeve politike të Beogradit ndaj vrasjes së tre policëve serbë dhe rrëmbimit të tetë ushtarëve jugosllavë nga ana e pjesëtarëve të UÇK-së.
Dhe, prej kësaj dite, e deri më 22 mars kur edhe kanë marrë fund përpjekjet diplomatike ndër-kombëtare për ta evituar ndërhyrjen ushtarake të NATO-së ndaj Serbisë, në mënyrë kronologjike përshkruhen zhvillimet dramatike të ngjarjeve në këtë periudhë, përkatësisht reagimet e politikës serbe por edhe të opinionit publik ndaj këtyre zhvillimeve. Në këtë pjesë të ditarit, janë pasqyruar edhe reagimet e mediave serbe ndaj zhvillimeve në këtë periudhë, me theks të veçantë luftën, që po zhvillohej në Kosovë.
Baticat dhe zbaticat shpirtërore…
Pjesa e “Ditarit…”, të cilën autori e ka titulluar “Baticat dhe zbaticat shpirtërore”, nis më 24 mars 1999, datë kjo kur sekretari i përgjithshëm i NATO-së i asaj kohe, Havier Solana, i ka dhënë urdhër kryekomandantit të NATO-së Wesley Clark, për ta filluar fushatën ajrore kundër Jugosllavisë.
Prej kësaj date, pothuajse çdo ditë (me ndonjë ndërprerje të shkurtër), në mënyrë kronologjike autori i përshkruan deri në hollësi ngjarjet e asaj periudhe, përjetimet emocionale, shqetësimin e tij për familjen, shokët dashamirët dhe mbarë popullin shqiptar, që ishte bërë viktimë e krimeve të paskrupullta të falangës serbe në shenjë hakmarrje për bombardimet e forcave të NATO-së.
Janë vërtetë rrëqethëse dhe emocionuese për-shkrimet që autori u bën në këtë ditar kontakteve të rralla nëpërmjet bisedave telefonike apo letra-ve me familjarët dhe kolegët e tij, por edhe takimet me kolegët gazetarë dhe politikanë serbë, një pjesë e të cilëve bashkëjetojnë me shqetësimet e autorit.
Një letërkëmbim me të bijën e tij Valbonën, e cila së bashku me pjesën tjetër të familjes gjatë kësaj periudhe ka mbetur e bllokuar në Prizren, të cilën autori e prezanton në libër, e bën këtë ditar shumë interesant dhe ndez emocione te lexuesi.
Autori ka publikuar gjithashtu disa fjalime të liderëve politikë serbë të asaj kohe, të cilët i janë drejtuar popullit nëpërmjet mediave serbe, fjalime këto, në të cilat paraqitet urrejtja patologjike serbe ndaj shqiptarëve dhe faktorit ndërkombëtar që kishte vendosur t’u jap krah shqiptarëve në luftën e tyre për liri e pavarësi.
Interesante janë edhe bashkëbisedimet e autorit me qytetarë të thjeshtë serbë, e sidomos me taksistët, të cilët ai i paraqet si njohës më të mirë të zhvillimeve, mbase edhe për shkak të natyrës së tyre të punës.
Kërcënime të vazhdueshme anonime nëpërmjet telefonit, që i drejtohen autorit nga persona anonimë, solidarizim të kolegëve dhe miqve të tij serbë, gatishmëria e tyre për t’i ofruar mbrojtje autorit dhe familjes së tij në Prizren…, paraqesin një segment tjetër interesant të këtij ditari, që autori e përshkruan deri në detaje.
Ditari përmbyllet më 24 qershor 1999, pra pas plot 90 ditësh ankthi e tmerri, të cilat i ka përjetuar autori, por me një fund të gëzuar, takimin e tij të befasishëm dhe pa paralajmërim me familjen e tij në Prizren, përqafimet e gjata dhe plot mall me më të dashurit e tij…dhe konstatimi më i drejtë i autorit se “të gjithë po e fillojnë një jetë të re!”.
Në shtojcë, autori ka botuar një letër dërguar miqve shqiptarë nga ana e 20 organizatave joqeveritare serbe, e cila mban datën 16 prill 1999, si dhe një shkrim të autorit Dushan Janjiq, i cili shpreh dhimbjen e tij për vrasjen e akademikut Fehmi Agani, të cilin Janjiq e quan viktimë të urrejtjes etnike.
Libri “Ditari i një shqiptari në Beograd”, krahas vlerave të pakontestueshme dokumentare dhe historike, pasqyron edhe një humanizëm të lartë njerëzor dhe një dramë psikologjike të zhvilluar në hapësirë dhe kohë, në të cilën personazhet janë realë dhe bashkëvuajtës e bashkautorë me personazhin kryesor, në këtë rast me gazetarin dhe publicistin e njohur Fahri Musliu.
Fahri Musliu ka lindur më 1948 në fshatin Zaplluxhe të Opojës (komuna e Sharrit), ku ka kryer shkollimin fillor. Gjimnazin e ka kryer në Prizren, ndërsa studimet për gazetari në Beograd, ku edhe ka jetuar e punuar për rreth katër dekada.
Me gazetari ka filluar të merret qysh më 1968, si bashkëpunëtor i gazetës “Rilindja” dhe i radio Prishtinës. Në vitin 1985 ka filluar punën si korrespodent i rregullt nga Beogradi i gazetës “Rilindja”. Bashkëpunoi edhe më shumë gazeta e revista tjera shqipe në Kosovë, si dhe me gazetat “Borba”, “Nasha Borba” e “Danas” të Beogradit dhe “Vjesnik” të Zagrebit. Prej majit të vitit 1993 –2005 ka punuar si korrespondent
i seksionit shqip të “Zërit të Amerikës” nga Beogradi, kurse në qershor të vitit 2005 kalon në Radiotelevizionin e Kosovës (RTK) si korrespondent i rregullt nga Beogradi, ku punoi deri në pensionim më 2013. Gjatë kësaj kohe, nga 2008-2012 bashkëpunoi edhe me redaksinë shqipe të Radios BBC.
Përveç me gazetari, merret edhe me publicistikë dhe përkthime.
Librat e botuar: “Tunelet e tmerrit” (bashkautor me Ibrahim Osmanin), Prishtinë. 1992; “Gjykimet e pengjeve” -2002, Prizren; dhe serbisht “Montirani procesi protiv kosovskih Albanaca” (Proceset e montuara kundër shqiptarëve të Kosovës), Beograd, 2007; “Zyber Kryeziu – Baca, atdhetar i paepur i Opojës”, Prizren, 2006;
“Ditari i një shqiptari në Beograd” (Janar – Qershor 1999), Prizren, 2006, dhe serbisht (Dnevnik Albanca u Beogradu), më 2007; “Shthurja e nyjës së Kosovës – shikimi nga dy anë” (bashkautor me Dragan Bajnac), (shqip, serbisht, anglisht), Beograd, 2005; “Masakra e Suharekës” (shqip në Prizren e serbisht në Beograd), 2010; “BEKIM FEHMIU – Odiseu i Kosovës”, Prizren, 2015 dhe botimi i
dytë i plotësuar, 2021; “Më quajnë Bekim Fehmiu” (libërth), biografi e shkurtër me ilustrime e aktorit Bekim Fehmiu, Albas, Tiranë, 2022.
Libra të përkthyer:
“Dialogu shqiptaro-serb” I (shqip-serbisht), Beograd. 1997.
“Dialogu shqiptaro-serb” II, (shqip-serbisht) Beograd, 1998.
“Prej autonomisë deri në vetëvendosje”, (autor Milenko Markoviq),
Beograd, 1998.
“Pikëpjekjet e dallimeve” (grup autorësh), Beograd, 2002.
“Toleranca dhe parimet religjioze” (grup autorësh), Sarajevë, 2005.
“Prej Kosovës në bregdetin e Adriatikut”, udhë-përshkrime nëpër tokat
shqiptare, Branisllav Nushiq, SHB Naimi, Tiranë, 2021.
“Shqipëria dhe Jugosllavia 1917-1928” Paskal Milo (dorëshkrimi tek
botuesi).
Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!