GËZUAR 21 SHKURTI – DITA NDËRKOMBËTARE E GJUHËS AMTARE!

21
Feb
2023

Shkruan: Prof.dr.Abdulla Mehmeti
Gjuha shqipe është ndër gjuhët më të lashta të botës, pasardhëse e vetme e drejtpërdrejtë e pellazgjishtes dhe ilirishtes dhe bën pjesë në gjuhët e veçanta të botës, të cilat nuk janë pjesë të asnjë familje të gjuhëve të gjalla.
Sot, gjuhën shqipe e flasin mbi 30 milionë shqiptarë në botë, ndërsa e kuptojnë edhe së paku 20 milionë të tjerë, banorë me rrënjë shqiptare në shtete të ndryshme të botës, të asimiluar ndër shekuj në kombe të tjera, një pjesë e të cilëve jetojnë në trojet e veta etnike, në disa shtete ballkanike dhe në shtete të tjera përreth.
Gjuha shqipe është gjuhë zyrtare në katër shtete, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë Veriore dhe në disa pjesë të Italisë.
Gjuha shqipe bën pjesë në 30 gjuhët më të njohura të botës, të cilat nuk rrezikohen nga zhdukja, sipas të hulumtimeve të UNESCO-s.
(21 shkurt 2021)
Që nga viti 1999, kur UNESCO e shpalli 21 Shkurtin si Ditë Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare, çdo vit në mbarë botën organizohen manifestime në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, me qëllim të ruajtjes dhe promovimit të gjuhëve amtare. Në vitin 2007, kjo ditë është pranuar si ditë ndërkombëtare edhe nga Asambleja e Kombeve të Bashkuara.*
Data 21 shkurt është caktuar për të përkujtuar ditën (1952) e vrasjes së disa studentëve të Universitetit në Daka, me origjinë Bengale, të cilët u vranë nga policia pakistaneze pse protestonin për të drejtën e gjuhës së tyre bengale, që të pranohet si gjuhë zyrtare.
Gjuha është pjesë e pandashme e identitetit të një populli. Me anë të gjuhës shprehet shpirti dhe kultura e një populli. Gjuha e një populli, zhvillimi i saj, e folmja e tij, dashuria ndaj saj dhe promovimi i sa,j tregon, në fakt, kulturën që mbretëron brenda pjesëtareve të atij populli dhe asaj shoqërie.
Gjuha jonë shqipe ka një traditë të lashtë e të pasur. Formula e Pagëzimit (1462) e Pal Engjëllit nuk e shënon fillimin e shkrimit shqip, siç pretendojnë disa studiues, por ka një lashtësi shumë më të hershme.
Deri më sot gjuha shqipe ka pasur një rrugëtim që shpesh është martirizuar, është sharë, përdhosur e përçudnuar edhe prej bijve të saj edhe nga të huajit. Megjithatë, shenjtërinë e pagëzimit, ëmbëlsinë dhe hirin e saj nuk ka mundur askush ta ndalë.
Sot, gjuha shqipe ka nevojë të bashkohet në tërësinë e vet, të shkruhet e të flitet me të dyja mushkëritë, se vetëm ashtu merr frymë natyrshëm. Pa të folme e pa të shkruar shqip nuk do të ketë as kulturë shqiptare, shpirtërore e materiale.
* Pjesa e dytë e shkrimit është huazuar dhe përshtatur.

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 21/02/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk