GËZUAR 7 MARSIN – DITËN E ARSIMIT DHE SHKOLLËS SHQIPE 🇦🇱

07
Mar
2023

Shkruan: Prof.dr.Abdulla Mehmeti
Me paradokset e politikës shqiptare në Maqedoninë Veriore
SHQIPTARËVE NË MAQEDONINË VERIORE, ME KUSHTETUTË NUK U GARANTOHET E E DREJTA E ARSIMIT TË LARTË (UNIVERSITAR) NË GJUHËN AMTARE, POR VETËM NË ARSIMIN FILLOR DHE TË MESËM
Dispozitat kushtetuese aktuale janë jodemokratike, kundërhistorike, diskriminuese dhe raciste ndaj popullit shqiptar në Maqedoninë Veriore, në lidhje me të drejtën e arsimimit të lartë – universitar në gjuhën amtare.
Çfarë duhet t’u ndodhë shqiptarëve më tepër që ta kuptojnë se janë popull i diskriminuar, i shtypur, i ndaluar, i mashtruar, i papërfaqësuar, i shtypur dhe sunduar nga klikat politike të korruptuara dhe kundërcivilizuese?!
I.
Kushtetuta e Republikës së Maqedonisë, 17 nëntor 1991:
“Neni 48
Pjesëtarët e kombësive kanë të drejtë që lirisht t’i shprehin, kultivojnë dhe zhvillojnë identitetin e tyre dhe veçoritë nacionale.
Republika ua garanton kombësive mbrojtjen e identitetit etnik, kulturor, gjuhësor dhe fetar.
Pjesëtarët e bashkësive kanë të drejtë të themelojnë institucione kulturore dhe artistike, shoqata shkencore dhe shoqata të tjera me qëllim të shprehjes, kultivimit dhe zhvillimit të identitetit të tyre.
Pjesëtarët e bashkësive kanë të drejtë të arsimimit në gjuhën e tyre në arsimin fillor dhe të mesëm, në mënyrën e përcaktuar me ligj.
Në shkollat në të cilat arsimimi zhvillohet në gjuhën e bashkësive, mësohet edhe gjuha maqedonase.”
II.
Kushtetuta e Republikës së Maqedonisë, sipas ndryshimeve kushtetuese në frymën e Marrëveshjes kornizë të Ohrit, të miratuara nga Parlamenti i Republikës së Maqedonis, më 16 nëntor 2001:
AMENDAMENTI VIII
1. Pjesëtarët e bashkësive kanë të drejtë lirisht ta shprehin, kultivojnë dhe zhvillojnë identitetin dhe veçoritë e bashkësive të tyre dhe t’i përdorin simbolet e bashkësisë së tyre.
Republika ua garanton të gjitha bashkësive mbrojtjen e identitetit etnik, kulturor, gjuhësor dhe fetar.
Pjesëtarët e bashkësive kanë të drejtë të themelojnë institucione kulturore, artistike, arsimore, si dhe shoqata shkencore dhe shoqata të tjera me qëllim të shprehjes, kultivimit dhe zhvillimit të identitetit të tyre.
Pjesëtarët e bashkësive kanë të drejtë të ndjekin mësimin në gjuhën e tyre në arsimin fillor dhe të mesëm, në mënyrë të përcaktuar me ligj. Në shkollat në të cilat arsimimi zhvillohet në gjuhë tjetër, mësohet edhe gjuha maqedonase.
2. Me këtë amendament zëvendësohet neni 48 i Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë, e vitit 1991.
III.
Marrëveshja kornizë e Ohrit, 13 gusht 2001:
Pika 6. Arsimimi dhe përdorimi i gjuhëve
1. Lidhur me shkollimin fillor dhe të mesëm, mësimi do të zhvillohet në gjuhën amtare të nxënësve, e njëkohësisht në mbarë Maqedoninë do të aplikohen standardet e unifikuara për programet arsimore dhe akademike.
IV.
Edhe me ndryshimet kushtetuese të muajit janar 2019, sipas Marrëveshjes së Prespës, Neni 48, lidhur me të drejtat kulturore, arsimore dhe shkencore, nuk është ndryshuar, madje as që është kërkuar (me amendament) nga faktori politik shqiptar ndryshimi i këtij neni, me të cilin hapur diskriminohen shqiptarët në fushën e të drejtave për arsimimin në gjuhën amtare në nivel universitar.
Në Maqedoninë Veriore, aktualisht funksionojnë 2 universitete shtetërorë, një universitet gjysmë privat dhe gjymë publik, disa universitete dhe fakultete private me mësim në gjuhën shqipe, që nga viti 1994 e më vonë, të themeluar me ligje të veçantë nga Parlamenti i Maqedonisë Veriore, që si të tillë këto ligje nuk janë në pajtim me dispozitat e Kushtetutës aktuale.
Absurde dhe tepër e çuditshme, apo jo?!
(7 Mars, 2023)

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 07/03/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk