Gëzuar “BIG BROTHER – 2024 “BIG BROTHER”, SA TË DUAM!

15
Jan
2024
Shkruan: Gjon Bruçi

Ej demokraci, ta marrsha të keqen . . .
Jetës monotone ia vare teneqen;
Lloj – lloj syfetesh more përtej detit,
Me to rrokanis trurin e miletit.

Për burrat, të lumtë, solle llotosportin,
Dhjetra Kazino, ku derdhin xhekpotin;
Për vajzat e reja, misset pasarela,
Për nuset dhe plakat, plot telenovela.

Sihariq i madh, syri bëhet kokërr,
Na erdhi “Big Brother”, më e reja lodër;
Në Tiranë gatitet komision vlerësimi,
Njerëzia turret, nisi konkurimi.

Kush do ketë fatin, do gëzojë me zemër,
Të bëhet banor i shtëpisë me emër;
Atje or babam, hahet qyl sallata,
Ndizet muhabeti e pëlcet gallata.

Në “Big Brother”, hynë për t’u çiftosur,
Hyn i zhgarravitur, por del i pudrosur;
Kalon disa ditë, si Robin Kruzoja,
Kur del prej andej, të ka ndërruar boja.

Kush hyn në “Big Brother”, bëhet person “As”,
Turma gazetarësh I lëshohen pas;
Nisin intervistat, rregullohen llafet,
Fansat zënë rradhën, marrinn autografet.

Ne që jemi jashtë, plasim nga marazi,
Oh sa na pëlqen, jeta tek kafazi;
Tek kafaz shtëpia, gjithkush ëndërron,
Se aty po luhet, për njëqind milion. . . .

Por nuk janë veç’ paret, në kët’ histori . . . .
Shtëpia – kafaz, përbën një risi;
Aty bëhen prova për modën e re,
Si mund të jetohet, grumbull në kopé. . . .
. . .
Dikur në kafaz, ne futëm majmunin,
Tash në vend të tij, do rrasim katundin;
Prej anglez Darvinit, njohëm historinë,
Do provojmë të shkojmë, prap në origjinë!

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 15/01/2024

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk