GJAHU NË PRONËN E HUAJ (skicë)

28
Apr
2023

Shkruan: Beqir Elshani
Një ngjarje fort interesante kam përjetuar në Upsala, në Suedi, gjatë ndjekjes së kursit për mësimin e gjuhës suedeze. Një ditë pranvere shkolla organizoi një shëtitje në pyllin që gjendej mbi qytet, shkuam së bashku me arsimtarët. Duke ecur rrugës pamë disa atletë që vraponin, nëpër dhiare të asfaltuar dhe me llamba ndriçuese gjatë natës. Ndërkohë pamë edhe një gjahtar duke gjuajtur kaproj, ndaj një nga shoqet e grupit pyeti nëse fazani, të cilin e qëllon gjahtari, rastësisht bie në pronën e huaj, kush e merr gjahun? Arsimtarët dhe nxënësit thanë që gjahu i takon gjahtarit, jo pronarit të tokës. Unë kundërshtova me këmbëngulje dhe thashë se gjahu i takon pronarit të tokës, jo gjahtarit, edhe pse është qëlluar me plumbin e gjahtarit. Të gjithë më morën për kokëfortë. Kishim mospajtime të ashpra.
Ndërkohë, ne iu afruam gjahtarit dhe e përshëndetëm. Gjahtari ishte i veshur me rroba të gjelbra sipas profesionit të gjuetisë. Në krah mbante pushkën e gjuetisë, kurse gjerdanin me fishekë dhe thikën e gjahut e mbante në bel, dukej sikur luftonte me egërsirat e pyllit. Në pyjet suedeze nuk ka shumë ujq e derra të egër sikur në pyje të mëdha e të thella shqiptare. Derisa banorët në Shqipëri thonë se në male ka shumë ujq, në Suedi ujqit numërohen në gishta. Siç dihet malet suedeze janë të drerëve këmbëhollë dhe të arinjve shumë të sertë, prandaj kur gjahtari shkon në gjah, duhet pasur kujdes të mos e zgjojë ariun prej gjumit. Ndërkohë mësuesja ia përsëriti pyetjen time gjahtarit për rregullat e gjuetisë. Të gjithë ishin të bindur se kishin të drejtë. Unë fare i qetë prisja mendimin e gjahtarit. Në fillim, gjahtari luhati kokën, tha që plotësisht e kuptonte pyetjen dhe është pyetje me vend, pastaj vazhdoi:
“Gjahun që e qëlloj me çiften time, më takon mua, mirëpo nëse gjatë rrokullisjes gjahu bie në pronën e huaj, pa lejen e pronarit me ligj nuk kam të drejtë ta marrë”. Unë nuk e kuptoja mirë gjahtarin suedez, e folmja e tij ishte popullore, prandaj mësuesja ma komentoi: “Le që nxënësit e mi nuk e dinin, por qysh ne mësueset nuk e dinim, prandaj shqiptari kishe të drejtë”, tha mësuesja duke ngritur grushtin lartë në shenjë të fitores sime.
Në fund të këtij shkrimi po tregoj se si javën e kaluar, mësuesja ishte munduar për të gjetur një gabim në detyrë klase për shënimin e 30 shkronjave të abëcësë suedeze prej A-së deri në Ö. Mësuesja më tha se kisha vetëm një gabim në radhitjen e shkronjës kinse germa “X” vjen pas germës “Y”, të cilën ma korrigjoi me laps të kuq. Unë kundërshtova, edhe pse nuk dija mirë suedisht, isha në gjendje të shkruaja, njëkohësisht të thosha pa gabime shkronjat e alfabetit suedez: e para, sepse ishte me burim latin, siç është alfabeti i gjuhës shqipe, e dyta, sepse jam bibliotekar, që librat i radhiti sipas alfabetit latin dhe shqip, prandaj mund të shkruaja të gjitha shkronjat me radhë, ashtu siç mund të shkruaj numrat themelorë. Atëherë mësuesja me rrëmbim e hapi fjalorin, dhe në faqen e parë shikoi radhitjen e shkronjave, pa që unë kisha të drejtë, pastaj kërkoi falje.

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 28/04/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk