Gjergj Kastrioti, luftoi për më shumë se një kufi..!

18
Oct
2024
Shkruan: Blerim Metaj


Gjergj Kastrioti, Skënderbeu, është më shumë se një emër, ai është shkëndija e lirisë, drita që s’do të shuhet kurrë.
Figura e tij heroike është thurur me gjak dhe lavdim, në betejat që luftoi për të mbrojtur Shqipërinë, atdhenë e shenjtë.
Në kohën kur perandoritë po zgjeronin hijen e tyre të zezë, ai ngrihej si një mur, një shpirt i pandalur, me flamur të ngritur.
Për popullin shqiptar, ai luftoi pa u lodhur, për ta mbajtur të paprekur dhe të pastër tokën që u dhurua nga paraardhësit.
Në duar mbante shpatën e drejtësisë dhe shpirtin e një lufte të lavdishme, për të mbrojtur autonominë e tij, një principatë që mbante erën e historisë.
Ai luftoi për më shumë se një kufi; luftoi për një identitet, për besimin, për kulturën, për çdo fëmijë që do të lindte nën këtë qiell.
Në të gjithë botën, Skënderbeu u bë simbol i pavarësisë, i nderit dhe krenarisë për një popull që refuzoi të bëhej rob.
Ai ftoi aleatë, shtete të krishtera, të bashkoheshin për një kauzë të shenjtë, dhe për më shumë se dy dekada, mbajti fort flamurin e shpresës.
Për Skënderbeun, nuk ishte thjesht një luftë,
por një akt i shenjtë, një betim i fuqishëm për çdo shqiptar që lindi e do të lindi.
Ai nuk luftoi vetëm për territoret e tij, por për çdo shqiptar, çdo rrugë, çdo mal, çdo fushë që e quajti atdhe.
Skënderbeu është hero, jo vetëm për atë që bëri,
por për atë që na la: besimin, unitetin dhe ndjenjën e lirisë.
Në çdo betejë që luftoi, ai ishte jo vetëm një udhëheqës, por një frymë që frymëzon, një dritë që mbetet ndezur.
Ai luftoi, jo për pushtet, por për popullin e tij.
Ai luftoi, jo për vete, por për Shqipërinë e lirisë,
dhe kështu do të mbetet përjetë, një hero që nuk do të harrohet, sepse ai është drita, shpresa, dhe lavdia e kombit shqiptar.
17.10.2024
Blerim Metaj

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 18/10/2024

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk