GJETHE TË HUMBURA

10
Nov
2025
Autor: Genc Sefa – Lushnja


Ka shokë që të thonë “vëlla” në sy,
bëjnë sikur shqetësohen, mendojnë për ty.
Por pas shpine këto skile vjellin veç vrerë,
mjeranë që shkunden si gjethet kur frynë erë.
–
Dinak të lindur që të flasin me buzëqeshje,
por pas fytyrës së vërtet fshehin një ngërdheshje.
Lëkunden sa herë që fryn era e ndryshimit,
mjeshtër të vërtetë, kameleon të kamuflimit.
–
Ka shokë që thonë fjalë të ëmbla si mjaltë,
por pas buzëqeshjes fshehin gjemba dhe baltë.
Tërheqin si dritë, por janë hijet e errëta,
ndoshta këtij soji ju ka mërzitur dhe vetja.
–
Kujdes, oj skile! Ka rrënjë që s’thuhen lehtë,
që nuk lëkunden nga fjalët o të shkretë.
Për mua jeni si gjethet që bien nga vjeshta,
sa do që të mundoheni, jeni veç pleshta.
–
Rrënjët qëndrojnë të pathyeshme, se kanë histori,
qyqanët e mjerë, janë thjesht një telekomedi.
Kur më flisni për luftën, qesh kot së koti,
jo për ndonjë gjë, më ngjani si Don Kishoti.
–
Shokët e vërtetë janë aty kur të godet stuhia,
të mbrojnë nga soji juaj, e nga pabesia.
Mos harroni: jo çdo “vëlla” është rrënjë, është Lis,
disa janë thjesht gjethe të kalbura që të bëjnë pis.
–
Gjethet bien, degët thyhen, stina shkon,
por rrënja e thellë dhe e pathyeshme qëndron.
Aty ku qëndrojnë të vërtetët, aty lind besimi,
aty rritet forca, kalitet durimi, aty vjen shpagimi.
—

Luftëtar i robëruar në emër të Atdhedashurisë.
Burgu Idrizovës, 9 Nëntor 2025
————
2
NËNAT E LIRISË
Në malet shqiptare, ku dielli s’perëndon,
lotët e Nënave rrjedhin e shndrisin si ikonë.
Në gjijt’ e tyre digjet prushi i dashurisë,
që ndez flakadanin e pavdekësisë.
–
Çdo frymë e birit që ngjitet mbi re,
është zemra e Nënës që rreh për Atdhe.
Në heshtje ajo qan, në heshtje bekon,
në gjakun e birit flamurin e shenjon.
–
Në varret e trimave, ku lulja s’venitet,
shpirti i Nënës përqafon përjetësitë.
Yje në ballë i ndizen me mall,
kur kujton bijtë që ranë për Ideal.
–
Ato s’kanë pushkë, por mbajnë qëndresë,
në gjirin e tyre fle një Atdhe e besë.
Me duar të lodhura, me shpirt prej zjarri,
në djep të lirisë rritet Shqiptari.
–
Në çdo agim, në çdo natë me shi,
zëri i Nënës kumbon mbi shtëpi.
“Mos qaj, o perëndi se biri s’ka vdekur,
në flamur të lirisë emrin e ka shkruar.”
–
Në gji të Nënës lind çdo mëngjes,
një shpresë e re që kurrë s’shuhet.
Në syrin e saj, si ylber i gjakut,
shkëlqen Atdheu – trashëgim i saj i shenjtë.
–
Prandaj, kur era prek malet me hije,
dëgjon zërin e Nënave që s’kanë kthim.
“Rrofsh, moj Liri, për të cilën ranë,
bijtë që s’kthehen – por përjetë janë!”
—
Autor: Genc Sefa – Lushnja
Luftëtar i robëruar në emër të Atdhedashurisë.
Burgu Idrizovës, 8 Nëntor 2025.
———————
3

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

SI RREZE MBI PETALE BORE
–
Kur ishe e vogël, bijë, të merrja për dore,
si rreze e mëngjesit mbi petalë bore.
Në krah të mbaja, nën dritën e hënës,
jeta më dukej përrallë — në pallatin e ëndrrës.
–
Vrapoje në oborr, me flokët në erë,
qeshja jote zgjonte diellin përherë.
Çdo hap i yt m’i gëzonte sytë,
si këngë e pranverës gufonte shpirti yt.
–
U rrite ngadalë, si dritë në agim,
me ëndrra në sy dhe shpirt plot gëzim.
Unë s’vërejta sa shpejt koha fluturoi,
m’u thinj zemra, por ende t’vogël të shikoj.
–
-Tash jam larg, bijë, nën hije të ftohta,
me mure të akullt e kujtime të ngrohta.
Në heshtje t’flas me yjet çdo natë,
e në çdo dritë t’shof sytë e të uroj fatë.
–
Do vij një ditë, bijë, si agim mbi re,
të t’përqafoj fort, pa fjalë, plot hare.
Do shuaj mallin që vite s’u tret,
se n’zemrën tande gjej frymëzim n’këtë jetë.
–
Rritu me dritë, bijë, mos harro asnjëherë,
se zemra e babës rreh veç për ty n’erë.
Edhe n’qoftë larg, nën hije, nën plagë,
dashnia jote m’ban gjallë — si flakë pa pragë.
—
✍️ Autor: Genc Sefa – Lushnja
Luftëtar i robëruar në emër të Atdhedashurisë.
Burgu Idrizovës, 7 nëntor 2025.
———
4

LUFTËTARËT E HESHTUR
–
Nën qiellin e kaltër të maleve të moçme,
Ecën luftëtarët e heshtur, me shpirtin prej zjarri.
Gjurmët e tyre në dheun e shenjtë mbeten,
Çdo hap një betejë, çdo frymë një histori.
–
Në heshtje flasin trimat pa emër,
Në varreza të harruara, nën hënën e argjendtë.
Idealet e humbura i mbajnë si thesar,
Mall për bashkim digjet në zemër, si flakë e pafaj.
–
Shpatat e tyre nuk janë më të rrezikshme,
Por fryma e tyre zgjon tokën dhe kujtesën.
Çdo plagë, çdo sakrificë, çdo lot i fshehur,
Na thotë: “Liria ka çmim, dhe emri ynë nuk shuhet”.
–
Era e maleve i përqafon si bijtë e saj,
Në dritën e yjeve ata gjallojnë, si legjendë amshuar.
Luftëtarët e heshtur, heronj të pavdekshëm,
Ruajnë në heshtje shpirtin e Ilirisë, të lirë dhe krenar.
–
Nëpër kodra të mbuluara me mjegull të artë,
Ata shohin brezat e rinj që ecin mbi gjurmët e tyre.
Flakët e shpresës ndezin zemrat e tyre të reja,
Dhe zëri i heshtur bëhet këngë e lirisë
së përjetshme.
–
Çdo mal, çdo lumë, çdo gur i moçëm,
Mban kujtimin e tyre si një histori të shenjtë.
Ata janë Arbërorët, mburoja e brezave,
Një lidhje midis të kaluarës dhe të ardhmes
që nuk thyhet.
–
Në heshtje vazhdojnë të mbrojnë ëndrrën,
Një tokë të lirë, një atdhe të bashkuar.
Luftëtarët e heshtur, shpirtra të pavdekshëm,
Ngrihen mbi kohën, mbi dheun, mbi zemrat tona.
—
Dedikim
Kjo poezi u kushtohet të gjithë bijve të lirisë,
që luftuan për një atdhe të bashkuar, që sakrifikuan pa kërkuar shpërblim, dhe sot ecin në heshtje —
të harruar ndoshta nga bota, por të pavdekshëm
në kujtesën e kombit.
—

Luftëtar i robëruar në emër të Atdhedashurisë
Burgu i Idrizovës, 7 Nëntor 2025
——————
5

PAS STUHISË
–
U shua stuhia, por zemra s’u shua,
mbi gjakun e etërve çelën flamura.
Nga dheu i djegun, nga plisi e ndera,
u ngritën bijtë me shpirt si era.
–
Në gji t’Kosovës, në malet e Shqipnisë,
ushqyen shpresën me qumësht t’lirisë.
Në plagë t’Atdheut vnun dorën e re,
me djersë e gjak ndërtuen Atdhe.
–
Tash fjala “Trimni” s’është veç kujtim,
rritet me vargjet e herojve t’vendit tim.
Në gjakun e vjetër, në gjakun e ri,
rrjedh gjeneza e fisit arbëri.
–
Ata s’kanë pranga, as frikë në ballë,
u mësoi historia si të ngrihen n’valë.
Me pushkë e penë, me punë e me nder,
e mbajnë flamurin që s’u ul kurrë në erë.
–
Pas stuhisë, kur qielli u hap,
Atdheu mori frymë mbi gjakun e thatë.
Dhe zani i bijve prej varreve del,
me dritë të etërve zemra s’u tret.
Pa nënën që qau, që i rriti me zjarr,
s’do digjej flaka, as flamuri n’altar.
——
✍️ Autor: Genc Sefa – Lushnja
Luftëtar i robëruar në emër të Atdhedashurisë
Burgu i Idrizovës, 6 Nëntor 2025
—–
6
Plagët e Atdheut
–
Atdheu nuk vdes. Ai rron me plagët e veta,
me gjakun që rrjedh në lumenjtë e historisë,
me heshtjen që mban fjalët e pashkëputura,
me nënat që presin, me bijtë që s’kthehen
veç në kujtime.
–
Ai është trup që digjet, por prapë ngrihet,
një feniks i gjakosur që s’e ndal as hiri,
një këngë që lind nga dhimbja dhe s’pushon,
një zemër që rreh, edhe kur e godet trishtimi.
–
Toka e ndarë, e njëjtë në shpirt,
ku gurët flasin për plagët e bashkimit,
ku malet ndajnë, por era i lidh,
si krahë që përqafojnë nëpër kujtime.
–
Çdo rrënjë, çdo fushë, çdo shteg i harruar,
mban nën dhe një emër që s’u harrua,
e gjaku që lahet në shi e në borë,
është betim që s’ka mbarim — është kënga jonë.
–
Në kodra dhe fusha të vjetra,
gjaku s’u tha, as zëri s’u fik;
nga çdo varr ngrihet një thirrje e heshtur:
“Mos më harroni, se unë jam Shqipëri.”
–
Çdo pikë gjaku është si varg që s’plaket,
si flamur i njomur në shi e në dritë,
që valëvitet në zemrën e çdo njeriu
që beson se liria është e shtrenjtë si vetë jeta.
–
Nëna që pret nuk plaket në pritje —
ajo i mban ditët si qirinj në duar
dhe këndon me zë të ulët emrin e birit,
si lutje që ngjitet në qiell me ngadalë.
–
Në çdo mëngjes ajo shpreson,
në çdo mbrëmje ajo hesht,
sepse Atdheu është nënë,
dhe bijtë e tij kthehen — në ëndrra, në mos në jetë.
–
Hesht gjuha, por në heshtje dridhet zëri;
në librat e vjetër fshihet kujtesa,
në murin e shtëpisë që s’u shemb
rri fjala e vjetër, që s’pranon të vdesë.
–
Flit, o bij, mos lër të shuhet tingulli,
se kur hesht gjuha, shuhet kombi;
një fjalë e thënë është shpëtim,
një fjalë e harruar është tradhti.
–
Flamuri, i rrudhur në erë,
kujton kohë të rënda e fitore të shtrenjta;
ngjyrat e tij s’janë pëlhurë, por shpirt —
janë gjaku, drita dhe krenaria jonë.
–
Kur ai përkulet, ngrini ju zemrat;
kur ai valëvitet, këndoni me lot,
sepse çdo rënie e tij është amanet,
dhe çdo ngritje — ringjallje e shpresës.
–
Bijtë ikin, tokat mbeten bosh;
mërgimi është plagë që s’duket, por djeg.
Në valixhe mbartet mall i vjetër,
në zemra ruhet toka, si gji i nënës.
–
Tokës i mungojnë hapat e tyre,
zërat që kthejnë vjeshtën në pranverë;
por ajo pret, me qetësi të dhimbshme,
si nënë që s’e harron kurrë fëmijën në derë.
–
Megjithë plagët, Atdheu s’është i mundur;
ai rron në rrënjë, në këngë, në dashuri,
ngrihet mbi heshtje, mbi dhimbje, mbi mërgim —
si feniks që s’pranon të shuhet në hir.
–
Ai thotë: “Jam i plagosur, por gjallë;
jam i rrëzuar, por s’jam i humbur,
se bijtë e mi, në çdo stinë,
më thurin këngë — jo vaj, por betim.”
–
Rapsodia mbyllet, por Atdheu jo.
Çdo plagë është kujtesë, çdo kujtesë — jetë,
e derisa të ketë këngë në gjuhën tonë,
Atdheu do rrojë — i plagosur, por i pavdekshëm.
—
Autor: Genc Sefa-Lushnja
Luftëtar i robëruar në emër të Atdhedashurisë.
Burgu Idrizovës
5 Nëntor 2025
————
7
BALLADA E KORBIT DHE NJERIUT TË LIG
–
Korbit të zi s’i fshehet ngjyra,
se e ka dhuratë nga natyra.
Por njeriu i lig, i butë në fytyrë,
nën petkun e mirë, fsheh shpirtin e ndyrë.
–
Korbi s’ka faj pse duket i zi;
po njeriun e lig s’e lan asnji.
Korbi ha trupin e pa jetë;
i ligu të ha për së gjalli, të vret.
–
Korbi fluturon mbi mal e breg,
me zë që tund retë dhe kthinën.
S’e tremb bubullima, as shteg;
as rrufe që çan vetëtimën.
–
Korbi s’ka frikë prej erës e shiut;
njeriu i lig ka frikë nga e vërteta.
Korbi s’e prek të gjallin në dritë;
i ligu të vret me fjalët e veta.
–
Korbi, kur bie nata mbi male,
rri mbi trung e s’merr hak kurrë.
Njeriu i lig s’e gjen as varrin;
zemrën e ka përly me turp përherë.
–
Korbi të rri mbi varr me nder;
njeriu i lig t’hedh baltë për së gjalli.
Njëri të këndon këngë për mot;
tjetri të shuan kujtimin ngadalë.
–
Prandaj dëgjo, o bir i dheut,
kur shikon hijet nën dritën e hënës:
mos i ki frikë krahët e korbit;
por fjalën e ëmbël të njeriut të rremë.
–
Korbi është shenjë e natyrës;
njeriu i lig është hije e kotë.
Korbi të ruan në heshtje, me nder;
i ligu shet për një copë botë.
—
✍️ Autor: Genc Sefa – Lushnja
Luftëtar i robëruar në emër të Atdhedashurisë.
———
8

Shpirti i Ilirisë
–
Në male, ku gjaku i gurit rrjedh,
ku lumi flet me zërin e lashtësisë,
aty ku era mbart legjendat e stuhisë,
ngrihet i pashuar, i fort – Shpirti i Ilirisë.
–
Në gurë e në pyje dëgjohen thirrje,
zemra e malit rreh me guxim të vjetër,
se çdo gur, çdo lis e çdo rrjedhë uji,
mbart histori trimi, mbart flakën e lirisë.
–
O ju bij të tokës që shkelët këto male,
në gjakun tonë jeton forca e epërme,
mos harroni trimërinë që s’vdes kurrë,
sepse liria lind nga zemra dhe dhimbja e krenare.”
–
Shigjeta e Ilirit, harku i pashuar,
fluturon mbi kohë, mbi breza, mbi stuhira,
duke zgjuar në shpirtin e të sotmit
guximin që djeg si flakë që s’do të shuhet.
–
Ja, shohim trimat që sot mbajnë armët,
me sytë si zjarr dhe zemrën e qetë,
ata që rrëzojnë frikën dhe sundojnë errësirën,
në emër të Atdheut dhe lavdisë së vjetër.
–
Çdo hap i tyre jehon në malet gurta,
çdo fjalë e tyre mbjell shpresë te fëmijët,
se Shpirti i Ilirisë s’ka vdekur kurrë,
ai jeton në çdo zemër që guxon të ëndërrojë.
–
Nga lashtësia te sot, nga mali te fusha,
një urë e hekurt lidh trimërinë e vjetër me të re,
Shpirti i Ilirisë vallëzon në këngën e luftëtarit,
për t’i kujtuar botës: liria s’vdes kurrë.
–
O breza, mbajeni zjarrin e pashuar,
mbani krenarinë dhe guximin e lashtë,
sepse në çdo njeri të lirë jeton Iliri,
dhe Shpirti i Ilirisë do të udhëheqë përjetësisht.
—
✍️ Autor: Genc Sefa – Lushnja
Luftëtar i robëruar në emër të Atdhedashurisë.
———
9
KULLAT PA BURRA
–
(Epos për trojet shqiptare të boshatisura)
–

Kullat rrinë të heshtura nën diellin e djegur,
gurët e tyre flasin për kohët e humbura.
Dritaret rrëzohen, dyert qajnë për kujtimet,
e oborret mbeten bosh, pa hapat e burrave.
–
Fushat, dikur të gjelbra, tash vuajnë vetminë,
male e lumenj mbajnë sekretet e braktisura.
Era i fërshëllen kujtimet e trimërisë,
por zëri i burrave humbi në mjegullin e largësisë.
–
Fshatrat heshtin, rrugët shtrihen të zbrazura,
përtej kodrave rrjedhin përrenjtë e kujtimeve.
Kush do të mbrojë tokën e të parëve,
kush do të ngrejë flamurin mbi shpatet e shkreta?
–
Në krah të maleve kujtimi rri i ndezur,
si zjarr i fshehur nën hi të shekujve.
Fëmijët e mërguar numërojnë yjet e natës,
dhe ëndërrojnë kthimin mbi tokën e tyre.
–
Era sjell zërin e të parëve mes guralecëve,
dhe flet për trimëri që s’shuhet kurrë.
Edhe pa burra, kullat mbajnë kujtesën e gjallë,
dhe mbështjellin në heshtje shpresën e fshehur.
–
Nëpër lugina dhe fusha të shkreta,
lumenjtë rrjedhin si gjaku i historisë.
Kush do t’i mbledhë këngët e tregimet e lashta?
Kush do t’ndriçojë flamurin mbi malet e larta?
–
Por brezi i ardhshëm do të dëgjojë thirrjen:
se toka e lashtë flet në gjuhën e gurëve.
Mbi male e fusha do të kthejnë harenë,
me duar të forta shtëpitë do t’i ngrejnë.
–
Kullat pa burra sot rrinë kujtim e dhimbje,
por nesër do të zgjohet me gjallëri e nder.
Toka jonë, sa e braktisur, aq e kërkuar —
shpirti shqiptar mes gurëve s’vdes kurrë.
–
Midis erërave dhe yjeve të largëta,
kullat rrinë qendër e kujtesës e shpresës.
Aty ku zëri i burrave u shua dikur,
do të ngjallet sërish kënga e jetës shqiptare.
—
✍️ Autor: Genc Sefa – Lushnja
Luftëtar i robëruar në emër të Atdhedashurisë.

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 10/11/2025

© 2016 - 2026 | DIPLOMACIA.dk